Nexhmije Pagarusha, kjo për neve shqiptarëve është absurde

20 Shkurt, 2020 - 3:40 pm

“Estetika e dëgjimit” dëgjohej duke thënë në anksiozitetin karakteristikë e Sislej Xhafës, në një prej radiove tanimë legjendë urbane të Prishtinës – Urban FM. Kësaj pse të mos ia shtojmë edhe një thënie të një studenti në po të njëjtën radio “kjo për neve shqiptarëve është absurde”. Theksi i kësaj të dytës nuk është në komiken e saj por në veçimin e shiqiptarëve pavarësisht për çka e ka pasur fjalën folësi. Dallimi është estetika e dëgjimit. Sikur në këngën e Nexhmije Pagarushës, si në Rock që e bën Inorga dhe po ashtu edhe në Hip Hop.

T’ia fillojmë nga Nexhmije Pagarusha. Vdekja e para disa ditëve e Nexhmije Pagarushës nxiti kundërthënie ekstreme. Nexhmije Pagarusha ka qenë e urryer, e shikuar si devijim kombëtar, dhe po ashtu edhe sinonim i zërit kolektiv të Kosovës. Çka ka të bëj këtu “estetika e dëgjimit”? Por a nuk ndodh që të këndojmë ndërdijshëm këngë që as nuk i duam dhe edhe na ngjallin neveri. A nuk ndodh që “hoxhallarët tanimë shprehen me sharje të Hip Hop-it”? A nuk ndodh që mësueset e zakonshme në banjën e tyre shprehin frustrimin me Hip Hop?.

Këndimi i Nexhmije Pagarushës në të vërtetë është karakter mbi harmoninë e këngëve të saj. Në një mënyrë është edhe shpërthim tej akordimit. Në të vërtetë është motivim i tepruar gjë që e kalon deri në një masë atë në deklarim patriotik të kënduarit e saj.

Mirëpo problemi i dëgjuesit të zakonshëm të muzikës së Nexhmije Pagarushës është melankolia e të kënduarit të saj. Melankolia si ngjyrë më e lartë e shprehjes së saj është në të vërtetë krejtësisht e huaj dhe edhe kërcënuese për mobilizimin kosovar ndaj kërcënimit kolektiv. Në këtë zëri i saj në këtë ngjyrë është pikërisht e huaja në estetikën tonë popullore të dëgjimit. Ajo konoton dobësinë e dobësia dorëzimin ndaj kërcënimit të përhershëm të kolektivit tonë. Është pikërisht melankolia në zërin e Mexhmije Pagarushës që shpërthen kundërthëniet ekstreme në shoqërinë tonë.

Mirëpo melankolia në shoqërinë tonë si dëgjues të muzikës nuk është e huaj. Në të vërtetë ajo është e paevitueshme. Këtë e dëshmon popullariteti i muzikës së ashtuquajtur “Tallava”, që është pikërisht në dozën e madhe të melankolisë në këtë muzikë.

Të vazhdojmë me Rock. Pikërisht në këto ditë, ka dalë kënga Rock “Mirë e kanë”, e muzikantit Agron Hajdari si kant autor me emrin “Inorga”. A e ka dëgjuar kush? A din kush për atë? Pas publikimit të kësaj kënge autori Agron Hajdari – Inorga është në situatë identike me situatën e poetit. Gjë e “tejkaluar”. Gjë e “kotë”. Gjë e urryer. Tanimë muzikë e huaj. “Mirë e kanë” në tekst është zemërim, çjerrje dhe shpërthim Rock kundër mentaliteti tonë të turmës. Është ironi me mentalitetin e masës. “Mirë e kanë” ai thotë duke qenë se individi është i dorëzuar ndaj masës, mentalitetit të masës dhe pandashmërisë së tij nga masa. Në të vërtetë në konotacionin e kësaj kënge, individi nuk ekziston fare. Kënga është shpërthim tejet i sofistikuar që nuk ndalet së shpërthyeri. Është shpërthim i cili krijon rrjedhën e vet me idenë për të krijuar mundësinë e zbrazjes. (Është Rock Progresiv). Por kjo këngë në të vërtetë nuk ekziston, është dinosaur së bashku me Inorga-në, dhe shumë më me rëndësi për konsiderim këtu, është dallim. Tek e fundit “mirë e kanë”.

Ne si shoqëri nuk dimë të dëgjojmë muzikë. Në të vërtetë muzika është shenjë dobësie. Hip Hop-i sot në ne nuk është arritje, qoftë edhe nëse ka arritur shkallë të lartë të shprehjes. Pikërisht asimilimi ynë në Hip Hop, jo vetëm pse ka poezi të sharjes, është mënyra më vullgare e sjelljes sonë. Vullgariteti duke qenë për shkak se dikush tjetër e kryen punën për ne, e shpreh dhembjen tonë derisa ne kënaqemi si të çmendur nga kjo. Ne nuk e kuptojmë Hip Hop-in. Në të vërtetë, pavarësisht kundërthënies, të dëgjuarit e muzikës “tallava” është gjë më fisnike pikërisht se dëgjuesit e saj e përjetojnë atë që transmeton ajo.

Zhvillimi i Hip Hop-it, arritja e tij, qarkullimi i tij monetar, produksionet tejet të shtrenjta, marrëdhënia jonë direkte me atë dhe asimilimi ynë brenda tij janë totale.

Megjithëse Hip Hop-i shqiptar është huazim i vetëdijshëm në qëllimin e tij, aq më shumë në perspektivë globale dhe edhe kosovare, ai në të vërtetë është depersonalizim. Ai në përhapjen totale të tij sot në Kosovë është asimilim i joni. Regresi global përmes Hip Hop-it, në kthim të shprehjes së seksuales, trupit dhe instinktives, megjithëse ka mundësuar shprehjen e guximshme të po të njëjtave në Kosovë, ka sjellë edhe zhdukjen e shprehjes ndryshe prej Hip Hop-it.

Dhe në fund, pikërisht këtu themelohet estetika e dëgjimit. Në dallimin dhe në ndryshueshmërinë e muzikës. Në të vërtetë në të dëgjuarit duke dalluar dhe duke pranuar ndryshimin. Dallimi dhe ndryshimi i japin vlerë pikërisht Hip Hop-it. Dallimi i këndimit të Nexhmije Pagrushës së ndjerë tanimë është pikërisht bërthama e kundërthënieve ekstreme të shoqërisë sonë ndaj po të njëjtës. Rock, megjithëse shprehje tejet e thellë qoftë në filozofinë e saj dhe qoftë edhe në vibe të ndjenjësqë përçon, në Kosovë ka vdekur. Masivizimi i Hip Hop e deri tek sofistikimi i tij kulminant në Kosovë në të vërtetë është shenjë e përdhunimit të tij, si në ide si në qëllim, dhe aq më shumë në fisnikërinë e tij. Nuk ka pasur faj folësi në Urban FM – Estetika e dëgjimit për ne është absurde. /KultPlus.com

Të ngjajshme