13 Shkurt, 2021 - 11:25 pm
Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar ngritjen e bandave politike, teksa sipas tij kësaj kategorie të shoqërisë i kanë ndihmuar gazetarët të cilët nuk e ushtrojnë si duhet profesionin e tyre, shoqëria civile dhe pseudo-analistët, shkruan KultPlus.
Ai ka përmendur edhe analistët kosovar, të cilët i ka cilësuar si analista të terrasave me makiato, që nuk dinë dhe janë të nënshtruar.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Nezir Krakit:
Analizat e terrasave me makiato
Ose argatët thashethemça
Asfiksimin e Kosovës këto 21 vite e kanë bërë bandat politike por ato kurrë s’do kishin pasë kaq sukses pa ndihmen e argatëve nga mediat dhe një pjese te shoqërisë civile.
Dhe kur gjendesh perballë argatëve të bandave politike nuk kerkohet të jesh gjeni që ta kuptosh se ata s’kanë as mendim, as integritet por veç mision. Misioni i tyre mbetet ruajtja e rehatisë dhe favoreve që argatllëku i tyre ua ka siguruar nder vite. Armiku i tyre absolut mbetet ndryshimi dhe normalizimi i politikberjes.
Prandaj gazetari argat raporton veç trillime dhe montime të padenja duke e dhunuar zanatin fisnik të gazetarisë.
Prandaj argati analist ka si te vetmin burim trillimet dhe thashethemet e gazetarit argat. Dhe kështu krijohet Liga e të ligjeve, e atyre pa guxim dhe pa kurriz.
Prandaj analizat e tyre janë analiza të terrasave me makiato që s’e kanë asnjë vlerë as raportuese (sepse gazetari mashtruese) as analitike (sepse analiza me porosi).
Si t’i flas pastaj unë kësaj kategorie për esencen e politikës si vokacion, si angazhim vetmohues në shërbim të tjetrit?!
Si t’i flas unë për legjitimitetin personit që zen poste qeverisëse veç me pazare politike, në dhunim të votës dhe vullnetit qytetar?!
Si të diskutoj unë rreth kontratës sociale të Jean Jacques Rousseau me ata që e njohin veç një lloj kontrate – kontraten me bandat politike për mbrojtjen dhe vazhdimin e kapjes, në kurriz të një populli të tërë?!
Thjesht, si të shkëmbehen mendime me ata qê s’kanë as guxim as mendim?
Megjithate, të tillëve duhet t’u dilet përballë, me urtësi dhe argumenta. Duhet t’u thuhet se janë veç ana tjetër e të keqës së njejtë.
Të tillëve duhet t’u tregohet që s’janë legjitimë as në zanatet e tyre e as në debatet tona.
Mënyra më e mirë që këta të ndalen është vota. Vota që prodhon qeveri legjitime. Një shtet funksional me qeveri legjitime është krejt çka këta nuk duan të kemi.
Besoj më kuptuat për nesër… / KultPlus.com