Nezir Kraki: Të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit

17 Janar, 2023 - 6:40 pm

Miss Kosova, Roksana Ibrahimi, është paraqitur në Miss Universe e mbuluar me shaminë e kuqe, e kësaj ia ka baskëngjitur edhe veprimin e ‘marrjes së dorës’, një traditë kjo e kohërave më të vjetra dhe me origjinë turke. Për këtë paraqitje ka reaguar edhe profesori Nezir Kraki, i cili thotë se duhet të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë:

Kultura bën edhe pa art por arti pa kulturë assesi…

Paraqitja e fundit e miss Kosovës e ilustron shumë mirë këtë të dyten, dmth artin pa kulturë. Kur them kulturë nënkuptoj kultivim intelektual të pergjithshëm, jo mënyrë sjelljeje moralizuese.

Kultivim intelektual thash apo? Eh! Fiks aty është defekti i shumë krijimeve artistike që trevat shqiptare prodhojnë në media, rrjete sociale, teatër apo film. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse krijimet e tilla nuk i rezistojnë dot kohës e cila është e pamëshirshme ndaj artificiales, sipërfaqësores. Sepse një regjisor i pa kultivuar kurrë film të duhur s’mund të realizojë. Sikurse një aktor i palexuar që kurrë s’mishërohet sa e si duhet me personazhin që luan, sepse përmes leximit guxohet imagjinata e pakufishme. Edhe këngët janë të kota kur shkruhen nga autorë pa kulturë, po aq të kota sa emisionet televizive që për art kanë ose injorancën ose silikonin.

Leximi pra. Leximi do t’ia kishte evituar artin pa kulturë edhe personit që ideon paraqitjen e miss Kosovës. Leximi, kultivimi i përgjithshëm intelektual ta mundëson t’i respektosh të gjitha kulturat duke i njohur ato por sidomos duke e njohur tënden. Si shqiptarë nuk është se kemi mbiprodhuar kulturë e art këto dy mijë vitet e fundit por edhe pa to nuk jemi. Ato trashëgimi etnokulturore që kemi janë krenarisht të prezenentueshme jo vetëm në konkurse bukurie. Shipja p.sh. si gjuhë, bashkë me greqishten dhe armenishten, janë tri ‘izolatet’ e vetme gjuhësore të familjes indo-evropiane, dmth janë gjuhë pa familje dhe pa degëzime. Vijnë nga thellësite e kohës. Mu sikur veshjet dhe traditat tona, pjesë e madhe e tyre tradita parafetare.

Nuk është qëllimi t’i biem në qafë miss-it për artin patetik të cilin ajo e kompenson me dukjen e saj, sepse aty s’ishte për art. Ideja është të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, artit të kot dhe krijuesve fiktivë që vepër të vetme kanë botën e tyre paralele brenda së cilës krijojnë « art ».

Kultura është ajo që mbetet kur t’i kemi harruar të gjitha, thoshte André Malraux. Atëherë, edukues e krijues të të gjitha fushave, kulturohuni, kultivohuni para se të krijoni. / KultPlus.com

Të ngjajshme