2 Gusht, 2018 - 6:40 pm
Luan Rama
Kjo fotografi e fotografit francez Georges Merillon, që nga dita kur mori çmimin e fotografisë më të mirë të «World Photo Presse» më 1991, ajo u bë e njohur në të gjithë botën si dhe objekt i shumë analizave estetike, edhe pse vetë fotografia nuk kishte asnjë simbol apo semiologji politike, madje as «pieta», siç e cilësuan jo pak kritikë këtë fotografi: «Pieta du Kosova».
Vallë një ndjesi mëshire për një nënë apo familje që qan birin e saj, atje, në dyshemenë e zbrazët të asaj shtëpie të thjeshtë, në shtëpinë ku ajo kishte lindur pjellën e vet? Nëna është aty, rrethuar nga vajzat, nusja, njerëzit e afërt të familjes, në qendër të atij grumbulli njerëzor të ngërthyer nga dhimbja e ku përpara, si në prehërin e saj ka birin e vdekur. Dhe ajo klith.
Është kjo klithmë kundër vdekjes që e kapërcen përkufizimin që disa kritikë i dhanë kësaj fotografie dhe duke risjellë në memorjen kolektive veprat e njohura «Pieta» e Mikelanxhelos e vitit 1499, «Pieta» e Van Dyck e 1624, apo atë tablo madhështore të Caravaggio-s e pikturuar më 1606, ku qahet një i vdekur, apo Shën Marinë në kokën e Jezusë së vdekur.
Madje po atë vit, kur një gazetar e pyeti presidentin Mitterand të komentonte një nga fotografitë më emblematike të vitit, ai komentoi pikërisht këtë foto të botuar në dy faqet e «Figaro magazine», duke thënë ndër të tjera: «E shikon atë fotografi dhe nuk ke si të mos mendosh për një tablo të Mantegna-s apo Rembrandt… zemërimi dhe dhimbja kanë gjithnjë të njëjtën fytyrë!..».
Tablotë pa dyshim janë emblematike dhe kanë mbetur në historinë e artit, e ndoshta dikush mund ta krahasonte dhe me «Klithmën» e Munch, çka më duket më afër, por përsëri, në strukturën e saj, në raportet e dritë-hijes dhe për më tepër në atë thjeshtësi të zymtë kuadri pa asnjë artifis, me atë lloj drite qumështi, nga bryma e asaj dite të ftohtë dimri, e mbajtur në ekspozim në një shpejtësi 20-30 sekonda, kjo tablo qëndron e jashtëzakonshme dhe e tejkalon idenë e «Pieta»…
Ne nuk mëshirojmë atë nënë për djalin e saj, ne tronditemi gjer në thellësinë e ndjesive tona me atë klithje që ka mbetur ngjizur në ato buzë, në atë skenë të fotografuar brenda një çasti të shkurtër, papritur, pa i thënë askujt, pasi fotografi Merillon qëndroi në atë dhomë morti, ku qëndrojnë sipas traditës vetëm gratë, veçse dy-tre minuta, jo më shumë.
Ndoshta Merillon nuk e imagjinonte që në «dhomën e errët» të aparatit të tij të ishte regjistruar një nga fotografitë më kulmore në jetën e tij si artist. Jo, nuk ishte «Pieta», por një klithmë sa personale aq dhe e një populli. «Klithma e Kosovës».
Vite më vonë, kur gazetarja franceze Annick Cojean, e kishte parë këtë foto dhe do shkruante një libër rreth 13 fotografive embmblematike të botës, mes të cilave një e Hiroshimës, një tjetër e princeshës Diana, një e revolucionit feminist apo kundër dallimit racial, midis tyre ajo zgjodhi dhe këtë fotografi, për të parë me sytë e saj vendin e ngjarjes dhe rikrijuar edhe njëherë tablonë e kohës.
Bëhej fjalë për shkrimin e librit «Kthimi tek imazhet». Dhe ajo u nis drejt fshatit kosovar ku kishte ndodhur kjo ngjarje tronditëse. Me makinë kishte rrahur rrugët e Kosovës mbushur me policët e Milosheviçit. Dhe gazetarja e “Le monde” shkoi gjer në Rahovec, në fshatin Nagafc, ku Nasimi ishte vrarë më 29 janar të vitit 1990. Ishte vrarë në një pritë të policisë, kur bashkë me disa shokë po shkonin për të marrë pjesë në një manifestim, pa armë, vetëm me një copë flamur. Dhe ata i kishin vrarë ata katër të rinj të lirisë duke plagosur dhe 32 të tjerë… Në Rahovec ajo takoi nënën e Nesimit, atë që vuri atë kuje epike.
Ajo i tha se “Nesimi ishte i bukur, i fortë… se kështu Nesimi jeton sërish, dhe emri i tij mbush jetën e këtyre njerëzve»… «Në prag të martesës së tij, – i thoshte ajo, – ai manifestonte në Prishtinë për Kosovën dhe unë kisha frikë” Por atë ditë të akullt janari, kur Sabrija, nëna e tij kishte parë atë grup njerëzish ti afroheshin shtëpisë së saj, me ato fytyra në zi, me atë vështrim të heshtur e gjithë tmerr, ajo e kuptoi se vdekja e kishte marrë Nesimin. Dhe ajo ulëriu: «Oh, e mjera nanë, e mjera nanë që sheh birin e saj të vdekur! Si mund të hysh kështu biri im në shtëpinë tënde?…» Dhe atë e kishin futur ashtu të vrarë, duke e vendosur në mes të dhomës, ashtu siç do ta gjente pak çaste më vonë fotografi i GAMA-s Georges Merillon, që me të marrë vesh ngjarjen ishte nisur nga Prishtina.
Katër orë rrugë me makinë për të pikëtakuar vdekjen…
Në bisedë me gazetaren e «Le monde», motra më e vogël, Afërdita Elshani, i tregonte: «Një mbrëmje më parë isha shqetësuar kur vëllai im u kthye vonë nga mbledhja. Por e dija se çështja e Kosovës ishte thellë zemrës së tij. Një mëngjes unë e pyeta: «Do ta fitojmë dot lirinë, apo jo?» Dhe ai më buzëqeshi ëmbël: «Së shpejti!» E përcolla deri tek porta. Nxitonte përsëri në një tjetër manifestim dhe thashë me vete se kam një vëlla te mrekullueshëm. Më kujtohet se kur isha shtatë vjeçe, njerëzit e shtëpisë e përcollën me rastin e nisjes së tij ushtar. Por papritur policia serbe rrethoi shtëpinë duke kontrolluar kudo për të gjetur materiale propagandistike. Nasimi kishte frikë se mos thyenin gjithçka. «Mjaft! – u thirri më në fund. Dhe ai u dha disa kaseta e trakte ku shkruhej «Kosova Republikë». E arrestuan menjëherë. Por nuk kisha frikë. Isha shumë krenare që kisha një vëlla të tillë… Dhe ata e vranë. Përse? Ai ishte i drejtë, kurajoz dhe mbronte popullin e tij. Ja, tashmë në gjirin e familjes, i zbehtë, pa jetë, me fytyrën e tij të bukur dhe flamurin e vogël të Kosovës nën mjekër që i vuri gruaja e tij. Nuk mund të kesh një vëlla më të mirë. Dhe nuk mund të ketë vdekje më të bukur se ajo për lirinë…”
Që nga ajo shkrepje e aparatit të Merillon kanë kaluar 18 vjet dhe kjo fotografi mbetet një emblemë për Kosovën.
Një lloj ikone në historinë e fotografisë. Mjafton ta shohësh gjatë atë për të kuptuar semiologjinë e një historie të tërë. Britma e saj ka një emër: «Kurrë më!» Por fotografia ka një dimension edhe më universal: është humaniteti i përballur me barbarinë, vdekjen! Ja pse kjo «Pieta-britmë» mbetet një referencë e gjallë për kohërat që vijnë.
Gazeta Shqip, 2 gusht, 2018./ Kultplus.com