Një Gretëz dhe një hirushe …

29 Dhjetor, 2024 - 9:54 am

Jonida Xhyra Entorf

… fustane të paprera me gërshërë dhe të paqepura me gjilpërë …

Në fëmijëri, më pas dhe gjithmonë, më ka pëlqyer të rrëmoj nëpër biblioteka. Ndjesia e letrës nuk ishte gjithmonë njëlloj, aroma e saj po ashtu. Për të mos folur pastaj për kapakët e librave, ngjyrat dhe titujt e të cilëve më ngacmonin fantazinë akoma pa e ditur ç’kishin brenda. Në shtëpi kishim një bibliotekë shumë të pasur dhe prindërit nuk më kishin vënë kurrë kufij në të lexuarit e librave. Më kujtohet që kureshtja më shtynte të shfletoja madje edhe dispensat e universitetit të tim eti apo leksione të daktilografuara me një letër të një cilësie të keqe, të cilat për shkak të mbufatjes nga pluhuri apo lagështira ndjeheshin tjetërlloj nën mollëza. Nga vëllimet e serisë Foklor shqiptar ne kishim në shtëpi shumicën e tyre. Kapakët kishin ngjyrën e verdhë të ftoit të pjekur. Tani, kur e sjell ndërmend atë cep të bibliotekës, më duket madje sikur ndiej amzën e tij. Nuk e mbaj mend kur fillova të lexoj përralla në ato vëllime, por më kujtohet fare mirë, se pasi u sigurova me disa prova, shkova tek im atë dhe i thashë që këta libra kishin vetëm gabime. Ai qeshi dhe më vuri të lexoj në vende të ndryshme të njërit prej vëllimeve. Unë u pengova gati në çdo fjalë, si të ecja në një udhë me gropëza dhe guriçka. Qeshëm të dy me pasigurinë time. Ishte ndërgjegjësimi i parë dhe i mrekullueshëm për dialektet, në mënyrën më autentike të mundshme për t’i rënë kryq e tërthor gjuhës sime në botën e bukur të përrallës, në një botë të magjishme, ku e mundura bëhet e pamundur dhe ti si fëmijë mund të shndërrohesh në çfarë të të dojë e bardha zemër.

Në këtë botë e bukura e dheut fshihet nën zhguallin e breshkës (Xhixhibreshka) apo nën lëkurën e gjarprit (Feniçka), vajza e mbretit kërkon fustane të paprera me gërshërë dhe të paqepura me gjilpërë, Maro Përhitura u rrëfen xhindeve se sa mund u duhet njerëzve për të mbërritur gjer tek liri që ajo tjerr në furkë, duke ia dalë mbanë t’i zbusë ata me durimin e saj: “këta, neve e punojmë dhenë, pa e kthejmë, pa e mbjellëm, pa e tëharrim, pa e shkulim, pa e ndëjmë në diell e thahet, pa e mbledhim, pa e lidhim, pa e shtipim, i marrëm farën, pa e ngarkojmë, pa e shpien në lum, pa e  vulisim, pa e lëmë dhjetë dit, pa e nxjerrim; pa e ndëjm, pa e thajm, pa e lidhim, pa e ngarkojmë, pa e shpiem në shtëpi, pa e manganisëm, pa e helqim me lanar, pa e bim shtullungë, pa e vëmë në furk, pa e tjerrim, sa mbushim boshtin; pa e mbledhëm e e bim lëmpsh, pa e ëndim e e bim rrob, pa e marrëm, pa e lajmë, pa e presim, pa e qepim, pa e veshim.”[1] Më kujtohet që kur e lexoja këtë vargan foljesh njëra pas tjetrës mend më merrej fryma. Një zemër fëmije edhe rrahjet i ka më të shpeshta dhe durimi është mundim i madh për të.                                                 

Në këtë botë Musa i vogël dhe Dedalia luftojnë dhe fitojnë kundër armiqve shumë herë më të fortë se ata (divat dhe katallani), rruga ku shkon e s’kthehesh ka mundime të mëdha për atë që ia del mbanë, uji që ngjall të vdekurit gjendet vetëm mes malesh “qi neshen shoq me shoq” dhe për të shkuar deri atje shpesh duhet të dalësh në një “dynja” tjetër. Pastaj vijnë me radhë burreci i çuditshëm trepëllëmbë-shtati-e-shtatëpëllëmbë-mjekra, që e ka forcën tek thiu i egër në bjeshkë dhe mundet në dyluftim, sepse s’ka kush t’i japë “një rrënjë ligate” për të marrë fuqi; shtriga që ha zemra fëmijësh dhe po t’i mbushet goja me bukë e me djathë, nuk ka më fuqi t’i bëjë keq njeriu; arapi me pelën magjike, që pasi mundet me fuqi dhe dredhi bëhet vëllam me sfiduesin e tij, kuçedra apo mëmëlubia, që zapton ujërat dhe mund të vritet vetëm duke i rënë tri herë me topuz në kokë apo duke i prerë majat e nëntë gjuhëve që ka; syqenëza “me dy sy prapa e dy rëpara”, vajzën e së cilës me dredhi dhe guxim nusja e martuar larg e shtyn në furrën e druve për të shpëtuar nga robërimi dhe rreziku që i kanoset. Fitorja kundër tyre dhe të tjerëve të sërës së tyre është kaq e rëndësishme për të bërë hapat e parë drejt shkëputjes dhe pjekurisë, për të mposhtur frikën dhe ankthin që i shoqërojnë këto hapa, sepse nuk është aspak e lehtë të rritesh (nuk ka qenë kurrë), të çapitesh deri në zgrip të fëmijërisë, t’i japësh lamtumirën asaj dhe të hysh në botën e madhe të të rriturve. Çdo hap drejt kësaj bote është një sprovë dhe që t’i kalojnë këto sprova shpirtërisht dhe të rriten “fëmijët kanë nevojë për përralla”.

Pikërisht me këtë titull është përkthyer në gjermanisht studimi i psikologut hebre Betelhajm (Bruno Bettelheim),[2] botuar së pari në anglisht në vitin 1976. Sipas tij, e vërteta e përrallave është e vërteta e fantazisë sonë, jo ajo e shkakësisë normale[3] dhe ato u ofrojnë fëmijëve mundësinë të rrokin konfliktet e brendshme[4] lidhur me vështirësitë e rritjes, t’i jetojnë dhe t’i zgjidhin në fantazi këto konflikte, duke i mëshuar shpresës që gjithçka do të ketë një përfundim të mirë, gjithmonë dhe ngaherë. Edhe skajet e përrallës janë diku në pakohësi, gjithmonë dhe ngaherë: qënkej ç’na qenkej, na ishte se ç’na ishte, … dhe jetuan të lumtur sot e gjithë ditën, as atje qeshë, as drejt ju dëftova, hipa në shkallë e fluturova.

… një Gretëz dhe një hirushe …

Një ndër përrallat më të dashura të vëllezërve Grim[5], veçanërisht në hapësirën gjermanishtfolëse, por jo vetëm, është ajo e Hanselit dhe Gretëzës, dy fëmijëve që me zgjuarsinë dhe guximin e tyre arrijnë të mundin shtrigën kanibale. Mbështetur në përrallën e vëllezërve Grim, kompozitori gjerman Engelbert Humperdink[6] ka kompozuar një operë me të njëjtin titull, shumë nga meloditë e së cilës janë tepër të dashura në Gjermani, jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Në prag Krishtlindjesh kjo operë luhet shumë shpesh në skenat gjermane. Rasti e solli që për herë të parë ta shikoj atë në Këln, kur isha studente. Pastaj e kisha parë disa herë me fëmijët në Mynih, duke shijuar gjithmonë harenë e shikuesve të vegjël, shumica e të cilëve vinin për herë të parë në një operë, për të parë një përrallë të kënduar me të gjitha surprizat dhe intensitetin e përjetimit që ofronte skena dhe magjia e saj.

Herën e fundit shkova për ta parë Hanselin dhe Gretëzën para dy vitesh bashkë me time bijë pikërisht në prag Krishtlindjesh, sepse rolin e Gretëzës e interpretonte sopranoja nga Kosova Elbenita Kajtazi. Në dhjetor të vitit 2020 Elbenita kishte botuar në murin e saj në facebook një fotografi të vetën me një shishe qumësht në dorë, pesë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, fotografi në të cilën ajo ishte afërsisht në moshën e Hanselit dhe Gretëzës.[7] Fare thjesht, ajo shkruante disa radhë shoqëruese për fotografinë, duke përshkruar ngazëllimin fëmijëror, kur ishte kthyer me familjen e saj pas luftës në vendlindje dhe bashkë me gjyshen kishin gjetur lopët që i dinin të humbura. Për t’i ndihmuar familjes në ato kohë të vështira ajo kishte shitur qumësht nëpër mëhallë. Kur ia pata treguar këtë histori sime bije ishte mrekulluar. Shikonte fotografitë e tjera të sopranos me kostumet e mrekullueshme të roleve të shumta, me flokë të lëshuara deri në bel apo të modeluara mjeshtërisht, dhe kthehej sërish tek vogëlushja me shishen e qumështit në dorë, për të parë një Gretëz, që duke kaluar njërën sprovë pas tjetrës ishte rritur dhe shndërruar në një hirushe prej vërteti.

Opera Hanseli dhe Gretëza është vënë në skenë për herë të parë në Vajmar (Wemar) në vigjiljen e Krishtlindjeve të vitit 1893[8]. Pas Flautit magjik të Moxartit dhe Gjuetarit magjik të Veberit[9], ajo është opera e tretë popullore gjermane, e cila është shumë e dashur, si për të vegjlit ashtu edhe për të rriturit, dhe bën pjesë në repertorin e shumë skenave profesioniste, por edhe të atyre amatore (në formë të thjeshtuar si variete) në periudhën para Krishtlindjeve. Vetë Humperdinku shprehet për operën e tij se ajo është “për të rriturit me zemër fëmije”[10], duke ia dalë mbanë në këtë vepër të zbulojë në një mënyrë të re përmes përrallës botën e fëmijëve për të rriturit.

Drejtimet sunduese në stilin muzikor të fundshekullit në Gjermaninë e Humperdinkut ishin vagnerizmi dhe verizmi. Ndërmjet të parit, që i mëshonte patetizmit heroik, dhe të dytit, i cili ngrinte në parim realizmin e thellë, gati natyralist, Humperdinku zgjedh si libret për operën e tij një përrallë, thjeshtësia dhe lirizmi i së cilës i anashkalojnë me guxim dy drejtimet e mësipërme, duke u çapitur në hullinë e romantizmit të vonë të fin de siècle. Si maturant kompozitori përjeton themelimin e Perandorisë Gjermane dhe në moshë të thyer Luftën e Parë Botërore. Në këto dy skaje, brenda të cilave jo vetëm Gjermania, por dhe konteksti europian ndryshon pa prâ, Humperdinku mbetet megjithatë i lidhur me shekullin e 19-të. Pylli romantik gjerman, një hapësirë ku qysh prej fillimit të shekullit të 19-të në poezitë dhe legjendat e romantizmit shfrehet malli dhe melankolia, është vendngjarja e operës, një mjedis që i mëshon raportit të veçantë me natyrën dhe i shkon kaq shumë për shtat hijeshisë së melodive popullore të ndërthurura mjeshtërisht në operë dhe atyre të kompozuara enkas në këtë frymë, të cilat të gjitha së bashku sendërtojnë një mozaik tejet të bukur lirik.[11]

Edhe zanafilla e operës është e qepur me pe përrallash. Në vitin 1890[12] motra e kompozitorit Adelajda përshtat si pjesë teatrale përrallën Hanseli dhe Gretëza dhe dëshiron që fëmijët e saj t’ia bëjnë surprizë atë babait të tyre me rastin e 34 vjetorit të lindjes. Shtysa për zgjerimin e përrallës muzikore më pas erdhi sa nga bashkëshorti i Adelajdës, një mjek që edhe shkruante, po aq dhe nga gruaja e Vagnerit, me familjen e të cilit Humperdinku pati marrëdhënie miqësore gjithë jetën. Për zgjerimin e libretit punuan në pjesën më të madhe kunati i kompozitorit, por edhe babai i tij, e motra, bashkëshortja dhe motra e saj, si dhe vetë kompozitori. Pra libreti u bë një projekt familjar, megjithëse autorësia i mbeti motrës së Humperdinkut, e cila bëri përshtatjen e parë të përrallës, duke u mbështetur më shumë në variantin e mëvonshëm të botuar nga Behshtajn,[13] se sa në atë fillestar të vëllezërve Grim.

hokus pokus, bonus jocus, malus tocus, hokus pokus …

Për të vënë në dukje ndryshimet e përrallës nga libreti, i cili është shumë më i thjeshtë se kjo e fundit, po përmbledh fare shkurt variantin fillestar (1812) të saj nga vëllezërit Grim. Një druvar i varfër jeton me të shoqen dhe dy fëmijët e tij Hanselin dhe Gretëzën në pyll. Pllakos një zi e madhe urie, çdo gjë shtrenjtohet. Për të mbijetuar, nëna i thotë babait, që të shkojnë me fëmijët për dru në pyll dhe pastaj t’i lenë ata atje që të humbin rrugën. Pas këmbënguljes së saj druvari dorëzohet dhe pranon. Fëmijët e dëgjojnë planin. Herën e parë ata e gjejnë rrugën e kthimit përmes guralecëve të bardhë, që Hanseli i hedh pas një e nga një rrugës për në pyll. Herën e dytë plani i fëmijëve dështon, sepse thërrmijat e bukës të hedhura nga Hanseli i hanë zogjtë. Të dyja herët Hanseli i jep guxim së motrës duke i thënë se zoti do t’i ndihmojë. Të rraskapitur fëmijët i zë gjumi nën një pemë dhe kur u zgjohen të nesërmen, duke ndjekur fluturimin e një zogu të bardhë, ndeshin shtëpizën e çuditshme prej buke, me çati prej biskote dhe me dritare sheqeri. Shtriga kanibale që banon aty i josh fëmijët të hyjnë brenda. Të nesërmen Hanselin e mbyll në një kotec për ta majmur para se ta hajë, kurse Gretëzën e bën shërbëtore. Në vend që t’i tregojë gishtin, që shtriga të shohë sa është majmur, djali i tregon një shkopth të hollë. Përmes një dredhie Gretëza arrin ta shtyjë shtrigën në furrë dhe, pasi marrin margaritarët që gjejnë në shtëpinë e saj, ata kthehen në shtëpi tek babai i tyre dhe jetojnë bashkë të lumtur. Nëna ndërkohë ka vdekur.

Në botimet e para të vëllezërve Grim dhe atë të Behshtajnit[14] është nëna e fëmijëve që thur planin djallëzor. Në variantin e mëvonshëm të vëllezërve Grim, nën presionin moral ajo zëvendësohet me njerkën. Për përkthimin shqip me titullin “Nini dhe Ritushka” [15] pas shumë gjasash është marrë si bazë varianti i mëvonshëm i vëllezërve Grim.

Në të gjitha përrallat e vëllezërve Grim druvari është simbol i varfërisë. Zia e urisë dhe shtrenjtimi i ushqimeve janë elemente që ruhen edhe në libretin e thjeshtuar të operës, duke ravijëzuar kornizën reale të kohës kur ka lindur përralla. Lufta 30 vjeçare (1618-1648) për hegjemoni, e cila filloi si luftë fetare dhe përfundoi si luftë territoriale, u zhvillua në hapësirën e Gjermanisë së sotme, duke sjellë vdekjen e miliona njerëzve, edhe të shumë fëmijëve, dhe një mjerim të paparë me epidemi kolere, sëmundje ngjitëse dhe varganë refugjatësh, natyrisht në krye të herës për më të pambrojturit, siç ishin fëmijët. Zia e urisë dhe shtrenjtimi i ushqimeve si pasojë logjike e luftës gjejnë shprehjen e tyre në motivin e kanibalizmit, të mishëruar në figurën e shtrigës, e cila në përrallë kërkon të shuajë urinë duke ngrënë mish njeriu. Në botimin e përrallave të vitit 1856, ndër burimet e cituara për figurën e shtrigës si të tillë, Vilhelm Grim përmend dhe variantin shqiptar të syqenëzës[16] të botuar nga Hani.[17] Figura e shtrigës si e tillë ngërthen në vetvete nga njëra anë të vërtetën historike të luftës mizore 30 vjeçare dhe nga ana tjetër bestytninë popullore për gjuetinë e shtrigave[18], gjueti e cila zgjati deri në vitin 1782, kur u dogj në turrën e druve shtriga e fundit.

Në krahasim me përrallën apo më saktë me variantet e saj, fabula e libretit thjeshtëzohet shumë, duke ruajtur vetëm tri motive qendrore: së pari fëmijët arrijnë para shtëpizës prej sheqeri, së dyti shtriga i mban fëmijët të mbyllur në shtëpizën e çuditshme, e majm Hanselin dhe ky në vend të gishtit i tregon një shkopth dhe së treti Gretëza (vetëm ose me ndihmën e Hanselit) e shtyn shtrigën në furrë. Në libret konfliktet bëhen më të buta. Nëna apo qoftë edhe njerka mizore zëvendësohen me një nënë të dëshpëruar nga varfëria, e cila rend menjëherë në pyll për të kërkuar fëmijët e saj, kur kupton rrezikun që u kanoset atyre nga shtriga. Përveç çifteve vajzë-djalë dhe nënë-baba të përrallës, të cilët edhe në operë mishërojnë tipa të paformësuar individualisht, libreti ofron çiftin e dy shkurtabiqëve, atë të gjumit (Sandmänchen) dhe të vesës (Taumänchen), si dhe shtatë çiftet e engjëjve, të cilët të gjithë së bashku simbolizojnë fuqitë e mira në ndihmë të fëmijëve në një qasje tipike për gjininë e përrallës.

Angazhimi i fëmijëve në punë për të siguruar jetesën ishte një praktikë legale që vijoi deri në shekullin e 20-të. Edhe largimi nga familjet për të punuar ishte krejt i zakonshëm. Pas Mbretërisë së Bashkuar (1833), në vitin 1839 u miratua dhe në Prusi një ligj për kufizimin e punës së fëmijëve nën nëntë vjeç nëpër fabrika dhe miniera dhe për një shkollim trevjeçar të atyre nga mosha 10 deri 16 vjeç, përpara se të punonin jo më shumë se 10 orë në ditë. Në vitin 1853 kufizimi u zgjerua deri në moshën 12 vjeçare. Në pjesë të tjera të Gjermanisë ligje të tilla filluan të miratohen në vitin 1860 dhe më pas.

Vëllaçko, vallëzo me mua,

t’i jap, m’i jep doçkat e tua.

Edhe Hanselit e Gretëzës në operën e Humperdinkut u duhet të punojnë. Hanseli duhet të lidhë fshesa, kurse Gretëza të thurë çorape. Babai i tyre Peter fshesathurësi ushqen familjen me paratë e fituara nga fshesat e shitura. Opera nis me melodinë e njohur popullore Zuze, e dashur Zuze ( Suse, liebe Suse), e përmendur[19] qysh në shekullin e 14-të si ninullë. Të gjitha përkthimet në vijim janë prej meje[20], madje një pjesë e tyre qysh nga koha e kopshtit të fëmijëve të mi, kur ata filluan të ndeshen për herë të parë me meloditë në fjalë.

Zuze, e dashur Zuze, ç’fëshfërin nëpër kashtë?

Patat pa këpucë çapiten këmbëjashtë.

Këpucari ka lëkurën, pa kallëpe është kot,

pa kallëpe patëzave këpucë s’u bën dot.”[21]

Fëmijët janë të uritur. Elementi fetar, që është i pranishëm në strukturën e përrallës ruhet dhe në libret. Të munduar nga uria ata qysh në fillim të operës citojnë fjalët e të atit: “Kur shtrëngica shpirtin mpak, / i madhi zot dorën ju zgjat!”[22] Për të harruar sadopak urinë, ata bëjnë gjënë më të natyrshme që mund të bëjnë fëmijët, fillojnë të luajnë dhe të bëjnë hoka me njëri-tjetrin. Loja dhe kërcimi pleksen shumë natyrshëm në këngën e vëllaçkos. Teksti për këtë këngë mendohet të jetë shkruar rreth vitit 1800 në Tyringen ((Thüringen). Në libret përdoret një variant i zgjeruar nga Adelajda, kurse muzika është e kompozuar nga Humperdinku në frymën e melodive popullore dhe realisht perceptohet si një melodi popullore pa autorësi.

Vëllaçko, vallëzo me mua,

t’i jap, m’i jep doçkat e tua.

Një hap këtu, një hap matanë,

majtas rrotull ia del mbanë.

Përplas këmbkat tap, tap, tap,

përplas doçkat, klap, klap, klap.

Një hap këtu, një hap matanë,

majtas rrotull ia del mbanë.

Bukur je duke vallëzuar!

Kurrë më parë s’kisha besuar!

Shikoni pak Hansushin tim,

si e mësoi këtë kërcim!

E tund kokëzën nik, nik, nik,

i tund gishtëzat tik, tik, tik.

Një hap këtu, një hap matanë,

majtas rrotull ia del mbanë.[23]

Loja e Hanselit dhe Gretëzës në skenë i ngroh zemrën të rriturve dhe fëmijëve. Është shpengimi i fëmijërisë, lehtësia dhe çiltërsia naive, që fëmijët e përjetojnë aq natyrshëm dhe ne të rriturve na kthen mbrapsht në kohë, duke e zbuluar botën sërish me sytë e tyre. Në lojë e sipër fëmijët dëgjojnë hapat e së ëmës, që kthehet e rraskapitur nga puna dhe shikon që Hanseli nuk ka lidhur fshesa, Gretëza nuk ka thurur çorape. Kur fëmijët thyejnë dhe poçen prej balte që kishte brenda qumështin, të vetmin ushqim për të gatuar darkën, ajo e dëshpëruar i dërgon ata në pyll, që si dënim të mbledhin së paku luleshtrydhe, për të pasur diçka për të ngrënë. Nga lodhja e madhe nënën e zë gjumi dhe zgjohet nga zëri i të shoqit, i cili edhe varfërinë e pamatshme e merr me humor duke kënduar:

Ah ne të varfrit e mjerë,

njëlloj qysh kur kemi lerë.

Xhepin e shpuar pa asnjë grosh,

buzën e tharë dhe barkun bosh.

Ra-la-la-la, ra-la-la-la.

Uria më bën të ha gjithçka.[24]

Peter fshesathurësi ka arritur të shesë disa nga fshesat e tij dhe me paratë e fituara ka blerë ushqime. Pas çdo ushqimi “që është shtrenjtuar kaq shumë” (proshutë, miell, vezë, sallam, kafe, fasule, qepë, patate), habia dhe gëzimi i nënës së uritur dhe të rraskapitur bëhen gjithmonë e më të dukshme. Dhe kjo ndodh në skena operash të mbushura me fëmijë, në jetën e përditshme të të cilëve prania e ushqimeve të mësipërme është gjëja më normale në botë. Kjo skenë e zakonshme e jetës së përditshme kërcënohet nga ekzistenca e një shtrige kanibale, kur babai mëson se nëna i ka dërguar fëmijët në pyll të mbledhin luleshtrydhe, si dënim për poçen e thyer të qumështit. Të frikësuar për fatin e Hanselit dhe Gretëzës ata nisen të dy për t’i kërkuar.

Gretëz, bëhu pakëz më trime!

Pa dale t’ia lëshoj një ulërime!

Në aktin e dytë shfaqet një perëndim dielli në pyll. Në krahasim me aktin e parë plot lëvizje dhe gjallëri, këtu i mëshohet më shumë harmonisë me natyrën dhe atmosferës që krijon kjo harmoni. Hanseli thur një kurorë për Gretëzën, kurse ajo mbledh luleshtrydhe. Kënga e burracit (Männlein) me pelerinën e purpurt të hedhur supeve, është një ndër këngët më të dashura për fëmijë në të gjithë hapësirën gjermanishtfolëse, një përshkrim i thjeshtë dhe poetik i shkurres së trëndafilit të egër. Bëhet fjalë për një këngë popullore, të njohur qysh prej vitit 1800[25]. Në strofën e parë të këngës autori lë shteg për dykuptimësi. Zgjidhja e gjëegjëzës mund të jetë trëndafili i egër, por edhe kërpudha e mizës (amanita muscaria) me kapelën e saj të kuqe pikaloshe. Në studimin për operën Hanseli dhe Gretëza, pasi analizon tekstin burimor dhe atë të përdorur në libret, Irmen vëren se zgjidhja mund të jetë vetëm trëndafili i egër, sepse në strofën e dytë ai përshkruhet me një “kapelëz” të zezë në majë, “kapelëz” që nuk e ka kërpudha, ndërkohë që degët e trëndafilit me frutat e përhapura nëpër to të krijojnë përshtypjen e një pelerine të purpurt.[26]

Në pyll qëndron një burrac pa fjalë i heshtur,

me pelerinë të purpurt rreth supeve hedhur.

Thomëni cili është vallë,

ky burrac në pyll pa fjalë,

me pelerinë të purpurt të ndezur flakë?

Në pyll burraci rri mbi një këmbë mbështetur,

kapelëzën e zezë mbi krye ka hedhur.

Ç’është ky burrac një pëllëmbë,                       

që rri bukur mbi një këmbë,

kapelëzën e zezë mbi krye ka vënë. [27]

Perëndimi thyhet ngadalë. Për vezullimet në errësirë Hanseli thotë se janë mështeknat, veshur me fustan të bardhë (die Birken im weissen Kleid). Kur Gretëza pyet: “Kush shpërvjel buzët tej në ligatinë?”, ai i përgjigjet: “Është veç një trung shelgu që po farfurin!” dhe i jep zemër së motrës të mos ketë frikë: “Gretëz, bëhu pakëz më trime! / Pa dale t’ia lëshoj një ulërime!”[28] Hanseli bërtet dhe pylli i kthen jehonën. Fëmijët nuk e gjejnë dot rrugën e kthimit. Largimi në pyll është shkëputja nga siguria e vatrës prindërore. Tani ata duhet të kujdesen vetë për veten e tyre dhe të gjejnë zgjidhje për gjendjen në të cilën ndodhen, pra të kapërcejnë një vështirësi, të kalojnë një sprovë. Në pyll bie errësira dhe dëgjohet kukuk-u i qyqes përmes flautit. Nën këngën e vazhdueshme të qyqes fëmijët i hanë të gjitha luleshtrydhet. Përveç këngës së saj muzikalisht pylli shpërfaqet me një përzierje elementesh. Ndërsa flauti imiton këngën e qyqes, instrumentimi i harqeve të ngjall paksa ndjesinë e shtrojës së pyllit me myshkun përfund. Motivet popullore zënë më shumë vend në aktin e parë.

Në pyll dëgjohen zëra, përhapet një re mjegulle, pastaj ajo çahet diku dhe prej andej del shkurtabiqi i gjumit. Pasi u hedh rërë në sy fëmijëve, simbol për gjumin dhe ëndrrat, ai fundoset. Shkurtabiqi i gjumit shoqërohet nga harqet, pason një tril i pikolos me një tremolo të violinave të dyta dhe pas një hapi të vockël të flauteve ndjehet fare kthjellët zhurma e rërës. Të përgjumur fëmijët këndojnë “bekimin e mbrëmjes” (Abendsegen), një ndër meloditë më të bukura, motivi i të cilës e përshkon fund e krye të gjithë operën. Është motivi i shpresës që me besim e keqja mund të mposhtet. Elementet fetare të tekstit janë fare të thjeshta, një lutje për paqe dhe mbrojtje gjatë kohës së gjumit.

Në mbrëmje dua të shkoj në shtrat,

katërmbëdhjetë engjëj i kam përqark,

dy përreth kokës,

dy përreth këmbëve,

dy në të djathtë,

dy në të mëngjër,

dy që më mbulojnë,

dy që më zgjojnë …

… dy që më tregojnë

ku engjëjt lodrojnë.[29]

Fëmijët i zë gjumi mbi myshk. Shtatë çiftet e engjëjve, të cilët i rrethojnë ata me dritën e tyre duke mishëruar botën e përtejme, përbëjnë një kulm estetik. Pylli me misteret e tij i jep krahë fantazisë dhe nën magjinë e përrallës Hanseli dhe Gretëza kalojnë në një botë tjetër, të pasur, në një botë që ka gjithçka. Fëmijët që e shohin operën në skenë realisht janë në këtë botë dhe nuk është e lehtë t’u shpjegosh atyre kuptueshëm botën tjetër, atë të urisë. Nëse akti i parë përshkruan një skenë reale, i dyti ofron elemente ekspresioniste. Në ëndërr fëmijëve u fanepset një tryezë e mbushur me të gjitha të mirat. Edhe në kuzhinën e shtrigës tryeza do të zërë kryet e vendit. Është përçartja e urisë që i shtyn fëmijët të fantazojnë. Si shitësen e shkrepëseve të Andersenit, e cila nën flakën e shkrepëseve që duhet të shesë deliron botën që nuk e ka. Kur e pata lexuar për herë të parë këtë përrallë në fëmijërinë e hershme kisha derdhur lot të heshtur.

Në një intervistë me rastin e premierës[30] në rolin e Gretëzës në Esen (Essen) sopranoja Elbenita Kajtazi përmbledh thelbin e delirit të Hanselit dhe Gretëzës, duke thënë se ajo ka qenë një fëmijë i tillë, një fëmijë lufte, që ka qarë brenda vetes dhe ka ëndërruar të ketë diçka të mirë për të ngrënë. Një fëmijë lufte që ka përjetuar tmerret dhe deliret e saj dhe që ia kanë vjedhur fëmijërinë, ia del të pushtojë skenat e botës, të shndërrohet mrekullisht si hirushja në një Violetë, në një Manon dhe Mimi apo në sa e sa figura të tjera. Vërtetësia e roleve të saj e ka zanafillën pikërisht tek ajo vogëlushja me shishe qumështi në dorë. Në secilin prej roleve të saj fle Gretëza që ia doli të mundë shtrigën. Madje edhe për ata që nuk ia dolën dot. Në maj të vitit 2019 në Prishtinë hapet ekspozita: “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, përmes së cilës me fotografi, histori, djepe dhe lodra, këpucë të lidhura dhe të palidhura, përkujtohen mbi 1000 fëmijë të vrarë dhe mbi 100 të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Titulli të sëmbon në zemër me pakohësinë e përrallës: “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”.

Mbani vesh, ndëshkimi vjen nga lart:

punët e liga nuk e kanë të gjatë.” 

Pas ëndrrës agon dita dhe fëmijët i zgjon shkurtabiqi i vesës. Koha e zgjimit matet me këngën e laureshës. Shkurtabiqi i vesës ngërthen brenda vetes më shumë dramatikë se ai i gjumit, ka aguar një ditë e re, e cila sjell të papritura të reja. Teksti i tij shoqërohet me tone të larta dhe një gërshetim picikatosh. Pasi ai “tretet”, mjegulla e agimit kthjellohet dhe skenën e dominon shtëpiza e çuditshme:

Ç’mrekulli një kështjellëzë,

stolisur për bukuri.

Në pyll cila princeshëzë,

vallë aty brenda rri?[31]

Shtëpiza e çuditshme, e ndërtuar me bukë dhe torta në vend të gurëve, e ka çatinë prej biskotash dhe dritaret prej sheqeri. Kurse gardhin me Lebkuchen, biskota me mjaltë dhe erëza (karafil, arrëmyshk, xhinxher, kanellë etj.), tipike për periudhën e Krishtlindjeve, të cilat ndoshta me një kalk të italishtes (pan di zenzero) në shqip mund të përkthehen si biskota me xhinxher. Fëmijët që shtriga i ka ngrënë më parë, ata që nuk ia kanë dalë ta mundin shtrigën kanibale, ajo i ka shndërruar në biskota xhinxheri. Këtë gjetje e ofron vetëm libreti. Ashtu si akti i parë, edhe i treti ka shumë lëvizje. Hanseli do të hyjë brenda në shtëpizë, por Gretëza është mosbesuese. Fëmijët fillojnë të hanë duke e çukitur gjithkund shtëpizën. Brenda saj dëgjohet zëri i shtrigës:

Kërce, kërce, kërkërizë,

kush po më çukit në shtëpizë?

Pas një tulatjeje fëmijët përgjigjen: “Veç era fryn shtruar / foshnj’e bekuar!”[32] Fëmijët fillojnë të hanë përsëri. Refreni pyetje-përgjigje përsëritet tri herë dhe pas çdo here Hanseli dhe Gretëza hanë nga pak prej shtëpisë së çuditshme. Kur ata qeshin, qesh dhe shtriga. Pasi del nga shtëpiza e çuditshme, shtriga pa e vënë re fëmijët i hedh Hanselit një lak dhe fillon me lajkat e saj. Shtriga është një figurë e fantazisë, as burrë, as grua, e cila personifikon të keqen brenda shpirtit njerëzor ose konkretisht në libret pushtetin e frikshëm të natyrës. Në ndryshim nga çiftet e përmendura deri më tani: vajzë-djalë, nënë-baba, dy shkurtabiqët, shtatë çiftet e engjëjve, figura e saj është e paçiftëzuar.

Shtriga këndon me tone të larta dhe ka një të qeshur hingëlluese, por thyerjet ritmike të melodisë së saj të tërheqin dhe të joshin. Është një muzikë jo lineare, e ëmbël dhe e mprehtë njëkohësisht. Në fund të këngës së saj ajo qesh me një zë të çjerrë, i lajkaton fëmijët dhe u thotë të futen brenda, se në shtëpinë e saj do të kenë gjithë të mirat. Deliri i urisë rendit një ëmbëlsirë pas tjetrës, duke filluar me çokollatën, tortat, marcipanin (brumë bajamesh), kekërat e mbushura me krem, sultjashin, për të vazhduar me fiqtë e thatë, hurmat e Qabesë, rrushin e thatë dhe bajamet. Fëmijët nuk e besojnë, rendin të largohen, por me shkopin e saj magjik ajo i ngurtëson.

Në libret përpara se t’i thotë Hanselit që t’i tregojë gishtin, shtriga rrëmben fshesën dhe këndon duke kalëruar mbi të. Kur i kërkon Gretëzës të shohë furrën, nëse janë pjekur biskotat me xhinxher, Hanseli me zë të ulët e udhëzon atë të shtiret sikur nuk e kupton se çfarë duhet të bëjë. Shtriga ul kokën për ta parë vetë furrën, Gretëza i mban cepin e fustanit dhe të dy fëmijët e shtyjnë atë në furrë. Pastaj dëgjohet një zhurmë e fortë dhe rikthehen në jetë fëmijët që ka gënjyer shtriga më parë. Në harenë e përgjithshme hyjnë në skenë nëna me babain, i cili këndon: “Mbani vesh, ndëshkimi vjen nga lart: / punët e liga nuk e kanë të gjatë.”[33] Duke nxjerrë edhe një herë në pah elementin fetar, opera mbyllet me kredon e babait, kënduar nga të gjithë: “Kur shtrëngica shpirtin mpak, / i madhi zot dorën na zgjat!” Hanseli dhe Gretëza ia dalin mbanë, që me guximin dhe zgjuarsinë e tyre, por edhe me ndihmën e zotit, të çlirohen dhe ta mundin shtrigën kanibale.

… fëmijët kanë nevojë për përralla …

Megjithëse në libret konfliktet bëhen më të buta, kanibalizmi i shtrigës dhe ndëshkimi i saj me vdekjen mizore të djegies në furrë janë të pranishme edhe në operë, në një operë për fëmijë. Në Gjermaninë e pasluftës u ngjall një debat i zjarrtë lidhur me aktet mizore në subjektet e përrallave të vëllezërve Grim dhe deri në mesin e viteve 70 e pak më tej, pati një mënjanim të tyre në edukimin e fëmijëve. Përveç shtrigës që ha fëmijë të vegjël dhe digjet në furrën e druve, si tek Hanseli dhe Gretëza, mund të rendisim motrat e hirushes, që presin thembrën e gishtat e këmbës për të veshur me çdo kusht këpucën e artë, njerkën që dënohet të ecë në këpucë prej hekuri të nxehtë deri sa të vdesë, gishton e vockël, të cilin shpesh duan ta gëlltisin apo ujkun që i çajnë barkun për të nxjerrë kecat që ka gëlltitur dhe për t’ia mbushur atë me gurë.

Debati për përrallat e vëllezërve Grim zuri fill me analizën e librave shkollorë të periudhës vilhemiane, bërë në vitin 1947 nga një toger britanik (T. J. Leonard)[34], i cili erdhi në përfundimin, se përrallat e vëllezërve Grim kanë pasur një ndikim shkatërrues tek fëmijët gjermanë, duke ngjallur tek ata një prirje të pavetëdijshme për mizori, gjë që u pasqyrua në tmerret e Luftës së Dytë Botërore në përgjithësi dhe në barbarinë e kampeve të përqendrimit në veçanti. Është tepër domethënës fakti, që rehabilitimi erdhi pikërisht nga dikush që kishte jetuar barbarinë e këtyre kampeve. Me një humanizmin të rrallë intelektual, një ish i burgosur në kampet e përqendrimit u dha përrallave të vëllezërve Grim vendin e merituar në edukimin e fëmijëve dhe më gjerë, duke shkruar një studim me titullin kuptimplotë “Fëmijët kanë nevojë për përralla”.

Autori[35] i librit u dëbua nga nazistët në vitin 1938 në një kamp përqendrimi për arsyen e thjeshtë se ishte hebre. Pas 11 muajsh qëndrimi në kampet e vdekjes, me ndihmën e personaliteteve amerikane të kohës, ndër të tjera edhe të gruas së presidentit Rusvelt (Roosevelt), atij iu lejua të emigronte në Amerikë. Ferrit shkatërrues të përjetuar në Dahau (Dachau) dhe Buhenvald (Buchenwald) Bruno Betelhajm i kundërvë në studimin e tij përrallën, si një vend magjik që ngërthen brenda vetes aftësinë për të shëruar shpirtrat e vrarë. Në rastin e fëmijëve, ai i njeh përrallës një rol tejet të rëndësishëm shoqërues në hapat e tyre për pavarësi dhe pjekuri, për t’u rritur, për të mundur shtrigën apo shtrigat në formën e anktheve dhe firkërave të konflikteve të brendshme të zhvillimit, duke theksuar, se për “sa kohë që fëmijët besojnë te shtrigat – siç kanë bërë dhe do të bëjnë gjithmonë, derisa të rriten aq sa të mos ndihen më të detyruar t’u japin pamje të ngjashme me njerëzit anktheve të tyre amorfe -, duhet t’u tregojmë histori, në të cilat fëmijët e zgjuar arrijnë të çlirohen nga figura të tilla përndjekëse të imagjinatës. Nëse ia dalin, – ashtu si Hanseli dhe Gretëza – atëherë do të kenë një përfitim të jashtëzakonshëm.”[36]

Interpretimet psikanalitike të përrallave nga Betelhajm janë debatuar intensivisht, sidomos pas viteve 90[37] dhe, megjithë tejkalimin e praktikave dhe metodologjisë së përdorur apo subjektivitetit në interpretim, qasja e tij për rolin e përrallave në zhvillimin psikologjik të fëmijëve i ka rezistuar kohës. Kjo për arsyen e thjeshtë se përrallat ngërthejnë jo vetëm përvoja universale të rrënjosura në traditë dhe kulturë, por ato ofrojnë edhe mundësi po aq universale për përshtatje dhe reflektim. Librat aq të dashur për fëmijë si Meri Popins, Liza në botën e çudirave, Pipi çorapegjata, Historia pa mbarim, Piter Pani, Princi i vogël, Nils Holgersoni, nuk janë veçse përralla moderne, të cilat motivet klasike të përrallave i kanë përshtatur në kohë dhe në gjuhë.[38]

Tek shkruaja këto radhë për shtëpizën e shtrigës, më feksi ndër mend se sot ajo fare mirë mund të kishte formën e një celulari. Pas ëmbëlsisë së sheqerkave dhe lajkave të shtrigës fshihet rreziku vdekjeprurës i kanibalizmit. Pas tundimit përmes aplikacioneve dhe ofertave argëtuese të celularit fshihet rreziku paralizues i manipulimit dhe i varësisë. Në të dy rastet mbetet konflikti i brendshëm, sfida e joshjes, si të mësosh të rritesh me të pa u bërë rob i saj. Sepse megjithë ngasjen që ndiej unë nganjëherë brenda vetes (dhe jam e bindur që flas për miliona prindër) për ta hedhur celularin në “furrën e druve”, kjo nuk është zgjidhje, ky do të ishte kapitullim i një shoqërie të tërë. Është absurde të mendosh përjashtimin e digjitalizimit nga jeta e përditshme, vetëm sepse mund të jetë i rrezikshëm. Kur fëmijët fillojnë të bëjnë çapitjet e para, nuk duan t’i shtysh me karrocë, por të ecin vetë. Me hapat e parë në botën e madhe shtohen natyrisht edhe rreziqet. Alternativa do të ishte t’i mbaje mbërthyer në karrocë për t’i mbrojtur. Një alternativë mjerane.

Fëmijët që dalin nga opera përcjellin një hare të bukur. Xhupat vishen përsëri duke fshehur poshtë tyre fustankat e vashëzave dhe këmishëzat e çunakëve. Natyrisht nëse kanë pranuar të veshin një petk paksa të ndryshëm nga veshja e përditshme, për t’iu përshtatur mjedisit të veçantë të skenës. Hanselin dhe Gretëzën e kam parë gjithmonë në prag Krishtlindjesh dhe asaj daljeje të hareshme të fëmijëve nga opera unë i gëzohem po aq sa dhe operës vetë.

Elbenita performoi një Gretëz të mrekullueshme dhe bashkë me time bijë e pritëm pas shfaqjes për ta takuar kur të dilte. Tok me ne po e prisnin disa gjermanë dhe një grup shqiptarësh nga Kosova. Ajo na takoi të gjithëve me një thjeshtësi fisnike. Kur na erdhi radhe ne të dyjave, ime bijë e vështroi me adhurim pa mundur të thotë dot asnjë fjalë. Ndoshta Gretëza dhe hirushja i ngatërroheshin pareshtur me këtë Elbenitë që kishte para syve, e cila duke vënë re druajtjen e saj, me shumë dashuri e afroi pas vetes për ta përqafur. Pas nesh ajo iu kthye grupit të shqiptarëve nga Kosova dhe një grua e mori në grykë duke i thënë “Bash sikur fmi t’kishin godit çika jem!” Unë përnjëherësh ndjeva atë aromën e këndshme të ftoit të pjekur të fëmijërisë.


[1] Instituti i Folklorit (1963) Folklor shqiptar I. Proza popullore. Vëllimi i parë. Tiranë, f. 306.

Kultivimi i lirit përmblidhte disa procese: mbjelljen, korrjen, tharjen, fermentimin e kërcellit duke e përmbytur në ujë (vulisja), thyerjen për të hequr pjesët e drunjta (helqja me lanar), pastrimin, krehjen (manganisja), përdredhjen e fijeve përmes boshtit dhe endjen në tezgjah (sqarimi: J. Xh.-E.)

[2] Bettelheim, Bruno (1995) Kinder brauchen Märchen. Dtv. München. Aus dem Amerikanischen von Liselotte Mickel und Brigitte Weitbrecht.

[3] Bettelheim (1995), f. 136.

[4] Po aty, f. 31.

[5] Jacob Grimm: 1785-1863 dhe Wilhelm Grimm: 1786-1859, gjuhëtarë, folkloristë, themeluesit e germanistikës. Ndër botimet e përbashkëta të tyre është përmbledhja e njohur Përralla për fëmijë dhe familje (Kinder- und Hausmärchen), të cilën ata e botuan nga viti 1812 deri në vitin 1858.

[6] Engelbert Humperdinck (1854-1921) ka lindur në afërsi të qytetit të Bonit. Në vitin 1879 ai fitoi një çmim për një qëndrim njëvjeçar në Itali. Pikërisht atje u njoh personalisht me Vagnerin (Richard Wagner: 1813-1883), të cilin e asistoi gati një vit e gjysmë në përgatitjet për vënien në skenë të operës së tij të fundit Parsifal. Përfitimet e këtij bashkëpunimi pasohen nga një krizë krijuese disavjeçare, deri kur Humperdinku filloi me kompozimin e operës Hanseli dhe Gretëza, puna për të cilën zgjati nga viti 1890 deri në vitin 1893.

[7] https://www.youtube.com/watch?v=FTPnqCtYAw4&t=768s (së fundi: 18.12.24, 11:50)

[8] Në vitin 1894 opera u shfaq në 70 skena gjermanishtfolëse, në vitet që pasuan edhe në Angli, Francë, Itali, SHBA, Rusi dhe u përkthye në 17 gjuhë.

[9] Zauberflöte, 1791, Wolfgang Amadeus Mozart: 1756-1791; Freischütz, 1821, Carl Maria von Weber: 1786-1826.

[10] Corvin, Mathias (2021) Märchenerzähler und Visionär. Der Komponist Engelbert Humperdinck, sein Leben, seine Werke. Schott. Mainz, f. 92: für Erwachsene mit Kinderherzen.

[11] Schulte, Doris (1985) Werkhören im Musikunterricht als Sach- und Personengenese aufgezeigt an der Oper „Hänsel und Gretel“ von Engelbert Humperdinck. Universität zu Köln, f. 175.

[12] Irmen, Hans-Josef (1989) Hänsel und Gretel. Studien und Dokumente zu Engelbert Humperdincks Märchenoper. Schott. Mainz, f. 134.

[13] Ludwig Bechstein: 1801-1860, shkrimtar, farmacist, bibliotekar, arkivist gjerman. Vepra më e njohur e tij është përmbledhja Libri i përrallave gjermane (Deutsches Märchenbuch), e cila u botua nga viti 1845 deri në vitin 1857. Prej vitit 1856 doli dhe përmbledhja tjetër e tij Libri i ri i përrallave gjermane (Neues deutsches Märchenbuch).

[14] Irmen, Hans-Josef, f. 25-34.

[15] Vëllezërit Grim (2004) Na ishte njëherë … Llamba magjike 3. Përktheu Neka Turkeshi. Çabej. Tiranë, f. 62-68. Për fat të keq vëllimi në fjalë, përveç titullit në gjermanisht, nuk përmban të dhëna informative për përmbledhjen origjinale të cilës i është referuar (shënimi J. Xh.-E.).

[16] https://de.wikisource.org/wiki/Kinder-_und_Haus-M%C3%A4rchen_Band_3_(1856)/Anmerkungen (së fundmi: 18.12.24, 12:12)

[17] Hahn, Johann Georg von (1854) Albanesische Studien, Heft II. Beiträge zu einer Grammatik des toskischen Dialektes. Albanesische Sprachproben. Friedrich Mauke. Jena, f. 164v.

[18] Në vitin 1486 teologu Heinrich Kramer (1430-1505) botoi veprën Malleus Maleficarum, e cila për gati dy shekuj shërbeu si legjitimim për gjuetinë e shtrigave.

[19] Tekstin e kësaj melodie e boton për herë të parë Brentano (Clemens Brentano: 1 778-1842) në vitin 1808

[20] Citimet nga libreti janë vjelë prej linkut të mëposhtëm:

https://opera-guide.ch/operas/hansel+und+gretel/libretto/de/ (së fundi: 18.12.24, 12:31)

[21] Suse, liebe Suse, was raschelt im Stroh? / Die Gänse gehen barfuß und haben kein Schuh. / Der Schuster hat’s Leder, kein Leisten dazu, / drum kann er den Gänslein auch machen kein’ Schuh.

[22] Wenn die Not aufs höchste steigt, / Gott der Herr die Hand euch reicht!        

[23] Brüderchen, komm tanz mit mir, / beide Händchen reich’ ich dir. / Einmal hin, einmal her, / rund herum, es ist nicht schwer!; Mit den Füßchen tapp tapp tapp, / mit den Händchen klapp klapp klapp, / Einmal hin, einmal her, / rund herum, es ist nicht schwer!; Ei. das hast du gut gemacht! / Ei, das hätt’ ich nicht gedacht. / Seht mir doch den Hänsel an, / wie der tanzen lernen kann!; Mit dem Köpfchen nick nick nick, / mit dem Fingerchen tick tick tick. / Einmal hin, einmal her, / rund herum, es ist nicht schwer.

[24] Ach, wir armen, armen Leute, / alle Tage so wie heute: / In dem Beutel ein großes Loch, / und im Magen ein größeres noch. / Ra-la-la-la, ra-la-la-la, / Hunger ist der beste Koch!

[25] Këtë këngë e ka botuar në vitin 1835 në këngët gjëegjëza të vëllimit Pesëdhjetë këngë të reja për fëmijë (Fünfzig neue Kinderlieder) Hofman fon Falersleben (Hoffmann von Fallersleben: 1798-1874).

[26] Irmen, Hans-Josef (1989), f. 83.

[27] Ein Männlein steht im Walde ganz still und stumm, / es hat von lauter Purpur ein Mäntlein um. / Sagt, wer mag das Männlein sein, / das da steht im Wald allein / mit dem purpurroten Mäntelein?: Das Männlein steht im Walde auf einem Bein, / und hat auf seinem Kopfe schwarz Käpplein klein. / Sagt, wer mag das Männlein sein, / das da steht auf einem Bein, / mit dem kleinen schwarzen Käppelein?

[28] Und dort, was grinset daher vom Sumpf? / Das ist ein glimmernder Weidenstumpf!;

Gretel, du musst beherzter sein! / Wart, ich will einmal tüchtig schrein!

[29] Abends will ich schlafen gehn, / vierzehn Engel / um mich stehn: / zwei zu meinen Häupten, / zwei zu meinen Füssen, / zwei zu meiner Rechten, / zwei zu meiner Linken, / zweie, die mich decken, / zweie, die mich wecken… / … zwei, die mich weisen / zu Himmels Paradeisen!

[30] https://www.youtube.com/watch?v=mBlkvQ0hp4M&t=23s (së fundmi: 18.12.24, 12:44)

[31] O herrlich Schlösschen, / wie bist du schmuck und fein, / Welch Waldprinzesschen / mag da wohl drinnen sein?

[32] Der Wind, der Wind, / das himmlische Kind!

[33] Merkt des Himmels Strafgericht: / Böse Werke dauern nicht!

[34] Wardetzki, Kristin (2012) “… die Märchen in den Ofen feuern! Der Märchenstreit im Nachkriegsdeutschland”. In: Claudia Brinker-von der Heyde (2012) Märchen, Mythen und Moderne. 200 Jahre Kinder- und Hausmärchen der Brüder Grimm. Band II. Lang. Wien, f. 847-871.

[35] Pas vdekjes (1990) dimensioni etik i punës së Betelhajmit u në pikëpyetje Teoria e tij e “nënës frigoriferike” si përgjegjëse për autizmin e një fëmije, sot është hedhur poshtë shkencërisht, pasi autizmi konsiderohet si një çrregullim neurobiologjik i zhvillimit.

[36] Bettelheim (1995), f. 181: Solange Kinder an Hexen glauben – wie sie es immer getan haben und tun werden, bis sie so alt geworden sind, dass sie sich nicht mehr gezwungen sehen ihren gestaltlosen Ängsten eine menschenähnliche Gestalt zu geben -, sollte man ihnen Geschichten erzählen, in denen gescheite Kinder es fertigbringen, sich von solchen Verfolger-Figuren ihrer Fantasie zu befreien. Wenn ihnen das gelingt, haben sie davon – genau wie Hänsel und Gretel – einen ungeheuren Gewinn.

[37] Shih më gjerë: Sutton, Nina (1996) Bruno Bettelheim – auf dem Weg zur Seele des Kindes. Hoffmann & Campe. Hamburg.

[38] Trevers, Pamela Lynwood (1986) Meri Popins. Shtëpia botuese Naim Frashëri. Tiranë; Caroll, Levis (2023) Liza në botën e çudirave. Lulu.com; Lindgren, Astrit (1990) Pipi çorapegjata. Shtëpia botuese Naim Frashëri. Tiranë; Ende, Michael (2004) Historia pa mbarim. Tiranë; Barri, Xhejms (2015) Piter Pani. Albas. Tiranë; Saint-Exupéry, Antoine de (2017) Princi i vogël. Dituria. Tiranë; Selma Lagerlof (2020) Udhëtim i mrekullueshëm i Nils Holgersonit nëpër Suedi. Albas. Tiranë./ KultPlus.com

May be an image of 2 people and gingerbread biscuit

Të ngjajshme