Një makiato shoqëri si kjo e jona, këtë fat meriton

4 Shtator, 2019 - 9:43 pm

Arben I. Kastrati


Dëmi më i madh nuk i është bërë Kosovës me vjedhje dhe skandale (siç pretendohet), por nga përjashtimi i njerëzve të ditur dhe zëvendësimi i tyre me çdo gjë përpos meritokracisë. Instalimi i njerëzve jomeritor në vende me përgjegjësi të lartë, është dëm i pariparueshëm. E gjitha është bërë për interesa partiake, që udhëhiqen nga individ që i kanë rezistuar skandaleve, aferave, gjykimeve, kohës…


Rrethanat me të cilat u trajtua meritokracija, bënë që të humbiste njerëzorja. Në mungesë të njerëzores, njeriu i sotëm u tjetërsua. Pasuria e individit, u shndërua në njësi matëse autoritative. Për pasojë, pasurimi individual u shndërrua në qëllim.
Pasuria me çdo kusht, u shndërruar në kauzë. Mënyra më e shpejtë e pasurimit në masë sigurohet lehtësisht përmes politikës. Prandaj, ky fakt, e ka bërë garën për pushtet, të frikshme. Për të fituar, kandidatët garojnë në premtimin e mrekullirave nga më imagjinativet.

Edhe pse fushatë elektorale tek ne bëhet çdo orë, çdo ditë dhe gjithe vitin, tani në prag të zgjedhjeve, në të gjitha kanalet televizive zhvillohen debate të përnatshme mes kandidatëve të partive dhe analistëve. Debatet karakterizohen nga joserioziteti i skajshëm me të cilën i qasen debatit, si përfaqësuesit politik ashtu edhe analistët politik. Në të vërtet, aty vetëm politikë nuk ka. Aty ka vetëm premtime dhe lëvdata. Epilogu i së cilave gjeneron me shumë mburrje nga  kandidatët, për të arriturat e së shkuarës, që nuk përkon me realitetin; njëzet vjet më parë, mëse një milion shqiptarë u rikthyen në shtëpitë e tyre që ditën e çlirimit, ndërsa sot, edhe pse të lirë, dhe me qeveri legjitime, mëse një milion shqiptarë duan të ikin edhe me më nxitim sesa që u kthyen njëzet vjet më parë.

Shumica e popullatës nuk voton bazuar në përmbajtjen e programeve partiake. Partitë e shumta partiake, tani më të etabluara, duke e ditur këtë fakt, i ndërtojnë programet e tyre partiake duke ua përshtatur dëshirave të qytetarëve. Programet e tyre janë po aq jo serioze sa edhe vetë përbërjet brendapartiake. Programet e tyre ofrojnë premtime magjike. Ashtu sikur cirqet dikur, që na premtonin mrekulli për shfaqjet e tyre, pasi mblidhnin inkasimet, linin pas erën e pakëndshme të vendqëndrimit dhe llomet e shumta që vinin nga posteret e grisur gjithandej qytetit.


Çdo dy vjet votojmë (asnjë qeveri nuk e ka përfunduar asnjë mandat katervjeçar) nga pakënaqësitë që marrim.Një makiato shoqëri si kjo e jona, shoqëri kjo intelektuale dhe me dije superiore, që në gjirin e saj ka me mijëra e dhjetëra mijëra magjistra e doktorë shkencash, këtë fat meriton. Është e turpshme kur dëgjon popullin të gjykojë të zgjedhurit e saj. Zgjedh përfaqesuesit e saj me votë, që pastaj të ankohet nga përfaqësuesit e vet legjitim. Këtë marri, as nuk e kam kuptuar ndonjëherë dhe as nuk kam për t’a kuptuar; të ankohesh nga liderët e vetëvotuar, është hipokrizi.

Ky popull, e ka mundësinë që çdo natë, në çdo kanal televiziv, të shikoj dhe vlërsojë se si asnjë përfaqësues politik nuk dallon nga tjeteri. Të shikoj kandidatët partiak se si e kanë perfeksionuar gënjeshtrën. Se si ankohen për jetën asketike që bëjnë në shërbim të popullit. Se si përfaqësuesit politik na fyejnë intelegjencën në baza ditore. Mjer ky popull me nivelin e tij dhe ofërtën zgjedhjore që ka.

Aq shumë ka degraduar gjendja, sa që një perspektivë optimiste është e largët. Gjendja reale e ka detyruar votuesin shumicë, ta pranoj degradimin. Rritja e vështirësive dhe lakmive, bënë që shqiptarët të vazhdojnë të ndjekin instiktin e interestit, të votojnë të njëjtat gabime. Rritja e votës degraduese është rritur frikshëm. Fatkeqësisht, sa më e turpshme partia, aq më shumë votues ka. Prandaj, në Kosovë fitojnë bindshëm partitë e korruptuara deri në palcë, sepse aty, tek ato parti, votuesi ka shpresë për t’u pasuruar. Ndërsa në anarki, gjenë mundësinë për t’u pasuruar pa pasoja. Prandaj, ky popull nuk meriton më shumë dhe më mirë se kaq. Prandaj, ankesat e popullit që vazhdimisht kërkon të ikë nga republika e tyre e pavarur, nuk kanë bazë.

 
Edhe në këto zgjedhje, si çdo herë, do të fitojnë gënjeshtarët më të mëdhenjë partiak. Unë nuk e fajësoj asnjë nga politikanët, deputët, ministrat, kryeministrat (dhe nuk e mar këtë të drejtë). E drejta për të gjykuar i takon prokurorisë. Por, një gjë e di me siguri, se në politikën shqiptare, fatkeqësisht, do të vazhdojnë të zgjidhen ata që e meritojnë./KultPlus.com

Të ngjajshme