22 Maj, 2019 - 10:30 am
Nga Fatbardha Mulleti Saraçi
Në inaugurimin e Monumentit që i kushtohet persekutimit, sakrificave dhe qëndresës së popullit të Shkodrës gjatë diktaturës komuniste e realizuar nga skulptori Hashim Kruja.
Është një ansambël monumental për ata që provuan vrasjet, burgjet, internimet, dëbimet masive, vrasjet në kufi.
Një monument kujtese për ata që s’iu dorëzuan frikës, që mbrojtën fjalën e lirë, që u torturuan, u dënuan e u pushkatuan, shumë prej tyre provuan burgjet dhe kampet e punës së detyruar, që i trajtonin si skllevërit e prehistorisë.
Një monument kujtese për Shqipërinë që u mbush me burgje dhe kampe internimi dhe e gjithë Shqipëria u kthye në një burg të madh, në një izolim nga bota, në një varfëri të skajshme dhe me luftën e egër, që familjeve tona nuk iu ndal asnjëherë “Lufta e Kllasore” siç thoshte Uni i Shqipërisë Socialiste.
E ndanë Shqipërinë në të mirë që ishin vetëm ata, ndërsa pjesa tjetër e popullatës, që u emërtua “e deklasuar” ishte reaksionare dhe nuk kishte të drejta të barabarta me të parët.
Një piedestal për Gruan Shkodrane dhe mbarëshqiptare që përballoi me nder e guxim luftën klasore, që pësoi nga diktatura komuniste, d.m.th. që provoi racizmin komunist shqiptar. Që u shpronësua, iu grabit prona dhe e lanë në mjerim.
Ky piedestal përfaqëson dhe vuajtjen e femrës shkodrane (e mbarëshqiptare), nën diktaturë si bijë, si motër, si grua e në veçanti si nënë, që me trastat në shpinë e mbi supe, eci në borë, në shi e stuhi, duke pritur me orë në dyert e burgjeve dhe të kampeve të punës, të takonin etërit, vëllezërit, burrat dhe djemtë e tyre, përtej hekurave e telave me gjemba, ndërsa për dore kanë fëmijët që sapo kishin filluar të ecnin, tek gjoksi ka foshnjën që po i mëkon qumështin e nënës shqiptare, që edhe pse vuan, ajo triumfoi mbi të keqen, mbijetoi e fitoi pavdekësinë, në vazhdimësinë e jetë, brez pas brezi.
Një piedestal i takon fëmijëve, foshnjeve të kësaj shtrese që u dhunuan duke i internuar në kampe internimi, në veçanti familjet që provuan kampin çfarosës të Tepelenës, ku vdiqën me qindra fëmijë nga mungesa e ushqimit dhe e kushteve higjienike.
Si u dënuan fëmijët shqiptarë të kësaj shtrese, a thua se nuk ishin qytetarë të këtij vendi?!
Ky Monument Kujtese të bëhet pikë referimi për brezat e rinj dhe të reflektojnë, të kuptojnë se çdo të thotë të jetosh në diktaturë, që udhëhiqej nga ideologjia marksiste-leniniste-hoxhiste, që u bë totalitare dhe e futi popullin në përçarje, sepse duke i përçarë i sundoi për pesëdhjetë vjet.
Ju lutem mësoni nga historia e vërtetë, jo nga historianët e politikës dhe e gënjeshtrës komuniste, mbroni të drejtat dhe liritë e juaja, mbroni fjalën e lirë, mbroni lirinë tuaj pa cenuar lirinë dhe të drejtat e të tjerëve.
Mos harroni çfarë ka ndodhur në Shqipërinë socialiste! / KultPlus.com