18 Nëntor, 2018 - 10:00 pm
Shkruan: Alma Nikolli
Në mesditën e një prej këtyre ditëve të shkuara, ashtu “dhunshëm”, siç të imponohen videot e një faqeje facebook-u që s’e ke pëlqyer, pashë një “truk magjik”. 20 kilogramë mund të humbeshin në pak javë, vetëm me një kombinim të limonit, hudhrës dhe xhinxherit. E nisa linkun në një grup mes mikeshash, me mosbesim e nota shakaje dhe vijova ditën.
Pak orë më vonë isha në kinema.
Shfaqej filmi “Azizi”.
Gati-gati, bardh e zi. E bardha fort ngjyrë bujare, në një kohë që në film ka vetëm të zezë. Filmi në vetvete është një ylber, por realiteti që përshkruan krejt i zi, si zifti para se të hidhet në asfalt.
Kur them film se si më duket, sikur gënjej, se na është ngulitur në mendje se filmat gënjejnë. Azizi është dokumentar, por aktorët realë nuk vinin dot në xhirime. Jo për ndonjë gjë të madhe fort jo, por ngaqë kanë vdekur. Nuk vdiqën vetë, por i vrau komunizmi. I vrau etja, uria, dizanteria. Kur kafshata e bukës numërohej në film, apo ndonjë ditë nuk shihej fare me sy, qaja. Qaja dhe qeshja, se më kujtohej videoja për dobësim që pashë në mesditë. S’po gjejmë metoda që të lëmë bukën…
Para meje ishte një djalë edhe ai po qante, largonte syzet dhe fshinte lotët. Se thoni që burrat nuk qajnë… Nuk ishte errësira e kinemasë, jo. Ishte fakti që nuk mund t’i ndalte lotët. Edhe një burrë tjetër para tij qante. Qanin në përgjithësi. Dhe kur dolën nga kinemaja qanin. Herë me lot, e herë me shprehi në fytyrë.
Nuk pati skena të tepruara emocionale që “nxisin lot”, veç fakte. Pikërisht kjo prekte. Edhe Suela Bako, kur luante rolin e një nënë malësore që varros të birin me tesha popullore, nuk qante. Dukej sikur vallëzonte e luante me të birin e vdekur në krahë, sikur ai të ishte i gjallë. Tundnin tokën!
Një djep që digjej, një rruzare me kryq që lundronte në lumë e shumë lotë të tharë.
Një film i vërtetë për të internuarit në kampet famëkeqe të komunizmit.
Një nënë mirditore që qan pa lot, por me fjalë, vdekjen e një jetë të heshtur.
Një polic që thyen arra qetësisht. E kur një nënë me lot të tharë i thotë “Im bir vdiq”, ai përgjigjet qetësisht: “Shumë mirë ia bëri”.
Azizi është gjallë, ai i vërteti. Ai djali që i humbi të gjithë atje në kamp. Luljeta Progni ua tregon historinë e tij.