10 Korrik, 2018 - 2:00 pm
Nga Mariglen Sulejmani
Stacionet e trenave janë skena të rëndësishme të jetës sonë të përditshme. Janë nyjet më të rëndësishme të qyteteve tona. Ndoshta asnjë nuk ka famën e stacionit qendror të trenave të Nju Jorkut, Grand Central Terminal, një ndër stacionet më të bukura në botë, me fasadën e veçntë dhe hollin e tij madhështor.
Por, në fillimin e viteve 1970-të, Grand Central rrezikoi të shëmbej për t’u zëvendësuar me një ndërtese shumëkatëshe, prej xhami e betoni, siç ndërtoheshin rëndom në ato vite në Nju Jorkun që ziente nga gara e qiellgërvishtësve.
I ndërtuar në vitin 1913, Grand Central do të përjetonte një krizë në fillimin e viteve 70-të si pasojë e zhvillimit të autostradave dhe shtimin e mjeteve rrugore, që anë në hije trenin si mjet udhëtimi. E ndeshur me vështirësi financiare, Penn Central Railroad, shoqëria hekurudhore që kishte në pronësi stacionet e trenave në Nju Jork, kishte shitur e braktisur, mes protestave të shumta, të famshmin Penn Station, stacionin e dytë nga rëndësia të Nju Jorkut, për të ndërtuar në vend të saj një kullë të lartë.
Tani, kompania shpresonte të arrinte një tjetër marrëveshje të majme duke shitur Grand Central për të ngritur në trullian e saj një ndërtesë shumëkateshe. Marcel Breuer, arkitekti i famshëm modernist që kishte projektuar Whitney Museum of Art u ofrua si blerësi kryesor dhe publikoi me shpejtësi projektin që parashikonte ndërtimin e një kulle të lartë mbi Grand Central, projekt që nuk ruante as fasadën as sallën e madhe të stacionit të trenave.
Pikërisht pas publikimit të këtij projekti, mobilizohet në mbrojte të Grand Central shoqata e artistëve te Nju Jorkut, e cila mbajti fillimisht një konferencë publike për shtyp në Oyster Bar, një nga baret tipike të stacionit të trenave. Artistëve i bashkohet menjëherë Xheki Kenedi Onasis, ish-bashkëshortja e presidetit të vrarë Xhon Kenedi, e cila merr fjalën dhe deklaron:
“Nëse ne nuk kujdesemi për të kaluarën, nuk do të mund të japim asnjë shpresë për të ardhmen… Kemi dëgjuar që është, tashmë, shumë vonë dhe që shkatërrimi është i pashmangshëm, por deri në minutën e fundit, ne do t’ja dalim ta shpëtojmë Grand Central nëse organizohemi për një mobilizim të madh të shoqërisë, dhe kjo është pikërisht ajo çfarë ne do të bëjmë.”
Kështu, për të shpëtuar ndërtesën, duhej të fillonte një fushatë në opinionin publik në mbështetje të ruajtjes së objektit. Mbi të gjitha duhej bindur sidomos kryetari i atëhershëm i bashkisë së Nju Jorkut Abraham Beame, çka nuk ishte e thjesht duke pasur parasysh lobingu i madh i firmave që prisnin të përfitonin nga zhvillimi i truallit. Më 24 shkurt 1975, Xheki Kenedi i drejtohet me një letër personale kryetarit të bashkisë:
“I dashur Kryetar Beame, a nuk është mizore ta lemë të vdesë, pak nga pak, qytetin tonë, duke i hequr atij të gjitha monumentet emblematike, deri sa të mos mbetet asgjë nga historia dhe bukuria e tij për të frymëzuar fëmijët tanë? Në qoftë se nuk e gjejnë frymëzimin tek e kaluara e qytetit tonë, ku do ta gjejnë ata forcën për të luftuar për të ardhmen e tyre? Mbase jemi akoma në kohë për të mbajtur qëndrim dhe për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, në mënyrë që të mos vijë një ditë dhe ta gjejmë veten të gjithë të mbyllur në një botë uniforme, të mbushur me kutira prej xhami e prej hekuri.”
Menjëherë pas kësaj letre, Abraham Beame deklaroi se qyteti do të luftonte për të mbrojtur Grand Central dhe shumë gazetarë filluan të interesoheshin për këtë çështje. Në fund të vitit 1975, drejtësia amerikane i riktheu ndërtesës së Grand Central statusin monument historik, duke anulluar vendimin që ja kishte hiqur këtë status, për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullës.
Shoqëria Penn Central Railroad e kundërshtoi këtë vendim duke vazhduar betejën e saj të motivuar nga perfitimet financiare, duke e çuar çështjen në Gjykatën Supreme te Shteteve të Bashkuara. Më në fund, në vitin 1978, Gjykata Supreme i konfirmoi statusin monument historik Grand Central Terminal, duke e shpëtuar atë përfundimisht nga shkatërrimi.
Në një paralele historike, sot në Tiranë ndërtesa e Teatri Kombëtar po kërcënohet me rrafshim dhe zhdukje nga kujtesa e qytetit dhe e kombit. Ajo ka për qytetarët e Tiranës të njëjtën rëndësi historike si Grand Central për qytetarët e Nju Jorkut. Teatri kërcënohet sot me zëvendësimin nga ato lloj ndërtesash prej xhami e prej hekuri, kundra të cilave protestonin dikur Xheki Kenedi dhe artistët e Nju Jorkut.
Sot, Teatri duket si shtëpi e braktisur, por aspak e shëmtuar. E braktisur jo nga publiku, por nga njerëzit që duhet të kujdeseshin për pasuritë kulturore, por që fatkeqësisht janë gati të shesin për interesa financiare çdo gjë që mund të shitet. Megjithatë, siç thoshte Jackie Kenedy, “deri në minutën e fundit” jemi në kohë për ta shpëtuar Teatrin Kombëtar.
Tirana ka plot vend për të ndërtuar teatro prej xhami dhe pse jo, projektin që është paraqitur nga qeveria. Por jo duke fshirë nga kujtesa 80 vjet histori që do të ishin humbje e pallogaritshme për Tiranën, historia e të cilës si kryeqytet filllon me këto vende mitike zhdukja e te cilave do të ishte fshirje e identitetit të kryeqytetit.
Teatri Kombëtar është një ndërtesë minimaliste që respekton me modesti hapsirën rreth saj. Ajo ndërtesë është një nga shembujt e parë të periudhës së racionalizmit arkitekturor në vendin tonë. Ashtu si Teatri Kombëtar ato ndërtesa nuk shkëlqenin nga madheshtia, por nga thjeshtesia planeve të tyre ndërtimore. Ndaj ajo ndërtesë duhet ruajtur me çdo kusht nga qytetarët e Tiranës të cilët pikesëpari duhet të kuptojnë vlerën e saj, shkruan exit.al
Sot Nju Jorku krenohet me Grand Central Terminal që mbijetoi nga angazhimi i qytetarëve te tij që u mobilizuan në mbrojtje të historisë së qytetit te tyre. Sot, është rradha e qytetarëve të Tiranës për t’u mobilizuar në mbrojtje të teatrit të tyre./KultPlus.com