17 Prill, 2024 - 9:14 pm
Shkroi: Rea Sejdiu
Që nga fillet e letërsisë, e deri më sot, mendohet të jenë shkruar afro 160 milionë libra. Krahas numrit të madh të veprave, autorët e studiuesit e letërsisë ende mbesin të tërhequr nga letërsia ruse, specifikisht ajo e shek. XVIII-XIX. Gjatë kësaj periudhe hasim edhe shkrimtarë të cilët deri më sot përmenden si autorë të mëdhenj të letërsisë botërore, këtu duke përfshirë edhe Ivan Turgenievin.
I dalluar për veprat e tij të shkurta, Turgeniev shkroi më shumë se 20 novela e romane, në të cilat bën pjesë “Dashuria e parë”, vepër e botuar në vitin 1860, e cila cilësohet si mjaft autobiografike.
“Dashuria e parë”, me pak fjalë, është novelë që shtjellon dashurinë e parë dhe rininë, e në të njejtën kohë “studion” kompleksitetin e këtyre dy koncepteve së bashku. Më konkretisht, në libër bëhet fjalë për Vladimir Petroviç, një aristokrat të moshuar, i cili rikujton dhe rrëfen dashurinë e tij të parë në moshën 16-vjeçare, me një vajzë të quajtur Zinaida Aleksandrovna.
Ndryshe nga shumë libra të tjerë, ngjarja te “Dashuria e Parë” zhvillohet në bazë të evoluimit të karakterit të personazheve. Vetë fakti se libri është i shkruar në vetën e parë, na e mundëson krijimin e një lidhjeje më të ngushtë me personazhin kryesor e në të njejtën kohë vëzhgimin e ngjarjeve të cilat po i ndodhin atij në një shkallë më të afërt.
Për t’i kuptuar më mirë librin dhe personazhet, normalisht që duhet shtjelluar edhe subjekti i tij.
Siç u përmend, ngjarja fillon me Vladimir Petroviç, një 16 vjeçar që kalon verën në një vilë brenda një fshati të Rusisë, ku papritur bie thellë në dashuri me një vajzë që takon aty, Zinaida Aleksandrovna, e cila në atë kohë ishte 21 vjeçare.
Vladimiri bën gjithçka për të marrë vëmendjen e Zinaidës, të cilën nuk e dashuron vetëm ai, por edhe shumë të tjerë, por nuk ia arrin qëllimin. Arsyeja pse ai `’dështon`’ lidhet ngushtë me karakterin e vetë personazheve. Edhe Petroviçi edhe Zinaida janë personazhe të cilët gjatë veprës ndryshojnë shumë.
Në përgjithësi, Petroviçi është një personazh mjaft nostalgjik e melankolik në fillim, por me zhvillimin e ngjarjeve ngadalë evoluon dhe karakteri i tij. Në moshën 16-vjeçare vërehet se ai ishte i frustruar me mënyrën sesi të tjerët e vlerësonin atë si fëmijë, e mundohej të bëjë ç’mos për të dëshmuar të kundërtën, edhe pse pjekuria e tij nuk mund të kundërshtohej.
Çfarë të lë përshtypje është dallimi në mes të Petroviçit dhe prindërve të tij. Përderisa ai vinte nga një familje aristokrate, të cilët vlerësonin shumë pozitën e tyrë në shoqëri, deri në atë pikë ku bënin dallime tek të tjerët pikërisht për shkak të klasës së tyre shoqërore, Petroviçi nuk ishte fare i preokupuar me këtë temë.
Me zhvillimin e historisë mund të dallojmë edhe zhvillimin e karakterit të personazhit. Kur takojmë Petroviçin për herë të parë, ai është thjesht një 16-vjeçar, një fëmijë, i cili kishte rënë në dashuri e idealizonte rrethanat e tij, ndërsa në përfundim, shohim një personazh i cili ka përjetuar vështirësitë e jetës dhe dashurise, e përmes reflektimit mbi të kaluarën, ka arritur të kuptojë kompleksitetin e dashurisë, jetës dhe vetë identitetit.
Në anën tjetër, Zinaida ka një karakter mjaft misterioz, enigmatik, por njëkohësisht të zgjuar dhe kreativ (në shumë raste, tregon interes në muzikë, në letërsi, etj). Edhe pse princeshë, ajo nuk i përket shtresës së lartë shoqërore, aristokracisë, pra janë një familje mjaft e varfër. Është shumë magjepsëse, por edhe artificiale e dinake, ku vazhdimisht përdor këto cilësi për të joshur ata përreth saj, duke marrë pikërisht çfarë i nevojitet nga ta. Përmes këtyre cilësive mund të përfundojmë se ajo paraqet nje karakter kontravers, për shkak se përderisa paraqitet si zemërmirë, veprimet që i bën janë vazhdimisht e kundërta, ajo pandërprerë shfrytezon e lëndon të tjerët, për të përfituar vetë. Duhet cekur se Zinadia është një karakter shumë kompleks në anën emocionale, për shkak se krahas maskës që ajo mban veshur vazhdimisht, pra si një vajzë e sigurt e e fortë, në vepër vihen në pah disa momente ku ajo ka konflikte me vetveten dhe është mjaft e ndijshme e e pasigurt.
Për t’u kthyer përsëri tek subjekti, shohim se me kalimin e kohës, Petroviçi vëren nje ndryshim në karakterin e Zinaidës, ajo sillet ndryshe, është vazhdimisht e heshtur në mendime dhe konkludon se ajo kishte rënë në dashuri, por misteri ishte se me kë? Pas shumë përpjekjeve për të zgjidhur këtë enigmë, ai kupton se vajza me të cilën ishte dashuruar, në fakt ishte ne dashuri me babain e tij. Edhe pse i thyer emocionalisht, Petroviçi përballon inatin e zemërimin e tij, arrin ta shikojë në sy përsëri babain e vet, e në një mënyrë pranon e përqafon sfidat e kaluara, por edhe ato të cilat do e prisnin në të ardhmen.
Krahas subjektit të veprës, veçori e rëndësishme e kësaj vepre është edhe intertekstualiteti, pra komunikimi i librit me vepra dhe priudha të ndryshme të letërsisë. Përgjatë veprës, ka shumë momente në të cilat përmenden apo referencohen elemente të antikitetit, sidomos ato që kanë të bëjnë me antikitetin grek, e këto zakonisht shfaqen në debatet apo diskutimet në mes të personazheve të novelës.
Përmenden krijime të përcjellura nga lyrat dhe poezia jambike ( gjë që lidhet drejtpërdrejt me lirikën antike greke); në ngjarjen që imagjinon Zinadia ajo krijon një vend ku do jetonin vetëm gratë (ngjashëm me ishullin Lesbos) e në të njëjtën kohë diskuton mbi tiparet e grave në antikitet. Biseda e citime bëhen edhe për autorë e filozofë të shquar të antikitetit, siç kemi Virgjilin, Homerin, etj.
Në masë të madhe përdoren figurat letrare, ku ato dominuese janë metafora dhe krahasimi (sidomos gjatë pjsëve ku Petroviçi përshkruan bukurinë e Zinaidës – “mbi leshrat e saj të buta dhe të verdha si floriri”) Gjatë të gjithë librit, motivi kryesor i cili zhvillohet është ai i dashurisë dhe nevojës së njeriut për të, jo vetëm dashurisë romantike, por edhe asaj platonike, birnore, etj.
Mënyra se si autori trajton këtë motiv, pra me shkallë të ndryshme kompleksiteti, përcjell edhe mesazhin që vetë libri mundohet të bartë, se edhe dashuria nuk është aq e thjeshtë, por ka sfera të llojllojshme në kuadër të saj.
Vepra në të njejtën kohë hedh dritë mbi mënyrën se si dashuria ndryshon dhe zhvillohet, prej një “dashurie fëmijore”, në një më të pjekur, por edhe se si vetë njeriu, në faza të ndryshme të jetës së tij (më saktësisht, faza të ndryshme të pjekurisë psiqike), percepton dashurinë në mënyrë jo të njejtë./ KultPlus.com