18 Gusht, 2024 - 7:35 pm
Vlladimir Vojinoviq
Viti 1999 ishte një nga vitet më tronditëse në historinë e re të Malit të Zi. Nënshkrimi mbi Marrëveshjen e Dejtonit ende nuk ishte tharë dhe kërcënimi i luftës u ngrit mbi Malin e Zi. Regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i mundur më parë në fushat e betejës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, u përpoq të ndezë të njëjtin zjarr në Mal të Zi si në Kosovë.
U formua Batalioni i Shtatë, si një divizion special i gjeneralëve të Millosheviçit për Podgoricën, i cili në shënjestër kishte të gjithë mbështetësit e idesë për rivendosjen e sovranitetit malazez.
Të rinjtë malazezë, me së shumti të kthyer nga e ardhmja evropiane, shmangnin thirrjet për shërbimin ushtarak ose për t’u bashkuar me forcat rezervë të ushtrisë, e cila drejtohej nga Beogradi. Për malazezët u bë e qartë se Millosheviqi po siguronte mish për topa për predhat që gjuante në Prishtinë. Edhe pse ishte e rrezikshme nga shumë pikëpamje, qeveria malazeze e kryesuar nga Millo Gjukanoviqi bëri një lëvizje që do të forconte përgjithmonë marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe malazez – u hapën kufijtë për refugjatët dhe Mali i Zi nën çatinë e tij pranoi shqiptarë dhe shqiptare që ishin të detyruar të largohen nga vatrat e djegura.
Kështu historia këndoi edhe një refren. Sikur të ishte shkruar njështesë e poemës “Ardhësit – këngët e Ali-Binakut”, të poetit të famshëm malazez, i cili mes dy luftërave botërore vendosi një paralele mes masakrave ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe ndaj asaj malazeze në Mal të Zi.
Si shqiptarët ashtu edhe malazezët ishin në shënjestrën e të njëjtit pushtues atëherë, si dhe në periudhën e kalimit nga mijëvjeçari i dytë në atë të tretë. “O burrë Ibish, Ibish Nimoni / mos qaj, dhëmbin në dhemb preje dhe mos qaj / he burrë, Ibish / kujto kush je dhe i kujt je!“
Dhe pikërisht kur filluam të harrojmë se kush jemi dhe të kujt jemi në Mal të Zi, një letër arrin nga Kosova në Fokalizator, dhe në të një pyetje lidhur me botimin e një dorëshkrimi të një shkencëtari dhe profesori kosovar – pikërisht të një romani dokumentar për vuajtjet e shqiptarëve në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar.
Kështu mbërriti në Mal të Zi romani i Ag Apollonit. Për fat të mirë, dorëshkrimi i romanit, i përkthyer shkëlqyeshëm nga gjuha shqipe nga Shkëlzen Maliqi, u refuzua në një konkurs në Serbi. Më pas autori dhe përkthyesi kërkuan lidhje me Malin e Zi, prandaj sot kemi përpara një tekst të vlefshëm dokumentar e letrar, i cili, si çdo vepër e letërsisë domethënëse, portretizon frymën e një kohe (dhe jo vetëm). Në margjinat e interesave (jo)kontradiktore të lojtarëve të mëdhenj në sferën e ekonomisë, tregtisë – gri apo të bardhë – dhe politikës, intelektualët e Prishtinës dhe Podgoricës ndanë sërish fatin e tyre.
Dalja e këtij libri në Mal të Zi është po aq e rëndësishme për shqiptarët dhe malazezët. Nga njëra anë, ky libër ruan kujtesën e trajtimit gjenocidal ndaj shqiptarëve në Kosovë, nga ana tjetër, malazezët mund të shohin reflektimin e tyre në të – si në pasqyrë, ata do të dallojnë veprat e mira nga ato të këqija, varësisht se cilën ideologji favorizonin në Malin e Zi të asaj kohe të ndarë politikisht. Pra, gjithçka në këtë libër lidhet me mjeshtëri me pikën nga ku vërehet mizoria në Kosovë, përfshirë atë të fundit të viteve ’90, por edhe disa konflikte të mëhershme. Kështu, le të themi, një skenë e romanit sjell edhe këtë skenë – derisa lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdon dhe derisa ushtarët dhe bujqit që u dërgojnë ndihmë ushtarëve po shkëmbejnë fjalë, hasim në përmendjen e Lahutës së Malcis.
Dhe në të hasim në përmendjen e disa konflikteve të dikurshme. Në ato konflikte, si personazhe negative janë paraqitur edhe disa dinastë malazeze. Epo, a nuk është edhe kjo një histori faji? Epo, a ka shpresuar ndokush që, për shembull, sakrifikimi ipakuptimtë i malazezëve nën Rozafë të mbetet i paregjistruar mes popullit të sulmuar atëherë?
Që në rreshtat e parë të librit duket qartë se kemi të bëjmë me një autor shumë të informuar, një profesor. Dhe duket sikur përmes skenave të para të romanit kalohet drejt e në kabinetin e profesor Apollonit, i cili duket sikur ka planifikuar të flasë pafund për mitologjinë antike. Megjithatë, lexuesit e durueshëm do kuptojnë së shpejti se kjo fillesë intertekstuale, siç është përsiatja për Niobën, është vetëm themeli i një ndërtese të madhe që do të shndërrohet në një histori për nënat shqiptare që mbetën pa kokë meshkujsh, pikërisht në ato të 90-ta, shekullit të kaluar, aty, në zemër të Evropës.
Profesor Apolloni, ashtu si personazhet e prozës së Austerit, hipnë makinë dhe shkon për të vizituar njërën nga dy nënat, të cilave u kushtohet libri. Kronotopi i rrugës e bën këtë tekstshumë dinamik ndërsa sekuencat asociative, që nisin nga sinjalet e përditshmërisë e herë-herë përfundojnë në rikthime që arrijnë në të kaluarën e largët, ndërpriten nga hijet e largimit nga shtëpitë e tyre madje edhe të shqiptarëve të mitur.
Bukuria e rrëfimit e Ag Apollonit bën që më e tmerrshme se pamja e kufomave shqiptare në lumë në Serbi të jetë heshtja në shtëpinë e nënës, e cila megjithatë arrin të shndërrojë shtëpinë e saj nëmuze – një shenjë të përhershme të persekutimit dhe një vend kujtimi për të gjithë meshkujt nga familja e saj që u grabitën pa kthim nga policët serbë.
Romani u përkufizua nga vetë autori si një roman dokumentar – dokuroman. Mirëpo, edhe pse ky tekst, siç shprehet vetë autori në Falenderimin në fund të librit, bazohet në materiale dokumentare, aktgjykime, aktakuza, studime, artikuj gazetash, dëshmi, intervista dhe filma dokumentarë, romanit nuk i mungon letërsia. Përkundrazi, përzgjedhja dhe përdorimi istrategjive dhe figurave narrative, e bën këtë dorëshkrim një vepër letrare të vlefshme, e cila si me sintaksën e semantikën e saj, ashtu edhe me metaforat dhe lidhjet ndërtekstuale do të zërë një vend të rëndësishëm në sferën e letërsisë bashkëkohore shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare.
Siç thamë, libri është i rëndësishëm edhe për kulturën malazeze. Këtë do ta kuptojnë të gjithë lexuesit dhe lexueset me qëllim të mirë në Mal të Zi.
(Përktheu nga gjuha malazeze: Danilo Brajoviq)
Shënim: Vlladimir Vojinoviq (1978, Nikshiq) ka doktoruar për prozën bashkëkohore, dhe punon si profesor i letërsisë. Është kryetar i Shoqatës së Botuesve Malazezë dhe kryeredaktor i shtëpisë botuese Fokalizator.
Është autor i disa romaneve, ndërsa tregimet e shkurtra i ka botuar në revistat malazeze Ars dhe Plima. Është autor i punimeve profesionale dhe shkencore nga fusha e letërsisë dhe bashkautor i librit të Leximit letrar për klasën e nëntë të arsimit fillor të reformuar në Malin e Zi, dhe iAntologjisë për vitin e katërt të gjimnazit të reformuar
Ka botuar romanet: Nafaka, Pengjet e maleve, Portreti i lgo Gjukiqit, Tregime nga Montanari dhe Mos e zgjo. / KultPlus.com