5 Maj, 2018 - 3:09 pm
Lindita AHMETI
Marrë nga recensioni i katalogut të ekspozitës që do të hapet më 10 maj në Maqedoni në Galeirne “Marko Cepenkov”, nga piktori Agron Saliu. Aty do të paraqiten 50 portrete të realizuar gjatë këtij viti.
Dy fjalë mbi krijimtarinë e piktorit Agron Saliu. Agron Saliu, një emër tashmë i njohur i pikturës shqiptare, (i lindur në Tetovë në vitin 1984 ku e kreu shkollën fillore e të mesme dhe studimet universitare në klasën e profesor Ilirian Beqirit) po e shton opusin e tij krijues me piktura të reja që po prezantohen në ekspozitën e tij të shtatëmbëdhjetë.
Portretet e tij prej ekspozite në ekspozitë dëshmojnë për mundësitë e mëdha krijuese të këtij piktori të ri, i cili tashmë e ka formuar dhe i ka vënë vulë shprehjes së tij artistike. Talenti i Agron Saliut është vënë re që në fillim të punës krijuese, kurse pjekuria e tij artistike doli në shesh fuqishëm në ekspozitën e gjashtëmbëdhjetë në të cilën u paraqitën disa portrete të arrira të një numri të personaliteteve shqiptare.
Në qendër të interesimit të krijimtarisë së Agronit është njeriu me karakteristikat dhe finesat shpirtërore të cilat pasqyrohen në fytyrë dhe ku, përmes syve, mimikave dhe shenjave reflektohet bota e brendshme njerëzore. Nuk bën ta anashkalojmë këtu një nuancë “të padukshme” të pikturës së Agronit, theksimin, e do të kisha thënë edhe “nënvizimin” dhe zmadhimin e atyre dhembjeve të brendshme të cilat krijuesit “i lexojnë” në sy, në vetulla e në pjesë të tjera të fytyrës. Të bëra me dorën e mjeshtrit, ato përcjellin shqetësimin te shikuesi dhe e bëjnë të dukshme atë botë me një lirizëm që na vendos para ndërlikueshmërisë së jetës me humnera, me hije, me drama dhe me të papritura të pakëndshme.
Duke hulumtuar këtë botë piktori jo vetëm që i rrok tiparet karakteristike të personazheve të pikturës së tij, por e përmbush edhe një boshllëk të madh që e kemi pasur në kulturën tonë, përkatësisht e pasuron kulturën tonë me portrete. Këtu do t’i mbetemi borxh publikut nëse nuk themi se si Agroni askush nuk i është përkushtuar me këtë energji dhe, do të thosha, edhe me këtë “fanatizëm” portretit, me të gjitha ato cikërrima e vështirësi që i kërkon krijimtaria e këtij zhanri.
Muza e mban piktorin vendosmërisht këtu, te portreti. Aty ky autor e kërkon dhe e gjen revoltën e njeriut të kësaj toke, me të cilin thuajse bisedon për realitetet e hidhura ku ka kaluar dhe kalon ditë për ditë.
Në këto raporte ku kërkohet emocioni i brendshëm përmes të cilit reflektohet dhe sheshohet e vërteta, Agron Saliu në të vërtetë me krijimtarinë e tij ambicioze e bën një mozaik të rrallë me detaje të jetës së popullit të vet, i cili fatkeqësisht gjatë kohë kalon nëpër shtegun e pasigurisë.
Pikturat e Agron Saliut e kanë edhe një “fshehtësi”. Ato i rrokin dhe i përjetësojnë ato reaksione shpirtërore të cilat nuk i sheh, nuk i vëren, syri i kalimtarit të rëndomtë. Brushës së Agronit nuk i shpëtojnë pa u realizuar mirë dritat, hijet dhe ngjyrat karatersitike. Dhe, veçmas errësira, të cilat na ndjekin si fat. Paraqitjet e vetmisë së thellë, të frikës, ballafaqimit me tmerrin, por edhe të rezignacionit e indiferencës përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të krijimtarisë së Agronit, e cila, kam përshtypje se mban barrën krijuese të këtij piktori aq produktiv. Në to janë përmbledhur të gjitha ato gjëra që i quajmë vlera dhe domethënie i tërë opusi krijues i Agron Saliut thuajse ka një fusnotë që thotë: kushtuar popullit tim. / KultPlus.com