“Njeriu dhe Uni i tij”

23 Prill, 2019 - 3:30 pm

           

Shkruan: Arbresha Maliqaj

Romani “Rruga 66” e autorit Binak Kelmendi trajton ballafaqimin e reales me imagjinaren, si dhe të një mendje të ndarë në dysh. Një udhëtim dramatik përmes trajtimit të ngjarjeve në të kaluarën dhe atyre në të tashmen. Konflikti në mes reales që përcillet nga personazhi i Japdheut, si dhe imagjinares me personazhin e Mardheut.

Romani ndërtohet nëpërmjet dialogëve, konflikteve dhe kundërshtive të cilat janë të përhershme në mes Japdheut dhe Mbinjeriut i cili gjithmonë ndodhet aty për ta kundërshtuar.

Japdheu e nis udhëtimin e tij duke kujtuar të mirat dhe të këqijat që e kanë përcjellë jetën e tij, duke kërkuar gjetjen e lirisë, mirëpo udhëtimi i tij po shkonte drejt asgjëje.

Japdheu të gjithë atë rrugë të cilën e kishte kaluar, me përjetime të llojllojshme: dashuri, luftë, demonstrata, ikje e shumë të tjera, vendosi t’i quante me një emër Route 66, ose rruga 66. Pyetja të cilën çdo herë e bënte Mardheu ishte se ku gjendej ajo rrugë, në cilën pjesë ndodhej, e përgjigjja e Japdheut, ishte se ajo gjendej në çdo vend: në Paris, afër Drinit, pranë Shkumbinit, në këndin e ngushtë të rrugëve me zhurmë makinash, pra në çdo vend që ata mund të kalonin.

Japdheu e quante këtë rrugë: rruga e trupit, e mendjes dhe e zemrës, sepse aty ai kishte përjetuar emocionet dhe zhgënjimet dashurore.

 Imagjinarja Mardheu dhe realja Japdheu, gjithmonë shfaqen në kundërshti në mes tyre. Japdheu dëshironte të gjente lirinë, të gjente dashurinë e tij, sepse edhe gjuha, edhe drita, edhe dashuria, edhe mendimi për Japdheun janë dashuri. Ndërsa Mbinjeriu, gjithmonë pranë për t’i kujtuar se asgjë nuk ka më të vlefshme sesa atdheu, se ai qëndron mbi të gjitha. Mardheu çdo herë theksonte:

       “ Vetëm Atdheu dhe vetëm Ideali për Atdhe nuk kanë humbur dhe nuk kanë për të humbur kurrë. Atdheu dhe Ideali duhet të futen në drynin e zemrës. Të tjerat , të gjitha janë të përsëritshme në jetë. Si dita dhe nata. Si vdekja dhe si lindja. Me dhe pa dashuri. “Atdheu është mbi të gjitha. Për atdhe, jepet jeta, pasuria, dashuria, çdo gjë jepet për atdhe. Edhe nëse atdheu të vret, atdheu është i yti”.

Japdheu vazhdonte udhëtimin në kërkimin e gjetjes së dashurisë, siç e thekson ai “çelësit të çdo gjëje”, gjetjen e destinacionit të lirisë dhe largimit të shprehjeve: atdhe, tradhti, të cilat ia zinin frymën, sikur edhe theksonte çdo herë se atdheu po ia hante shpirtin.

Destinacioni i lirisë po kërkohej , mirëpo s’mund të gjendej. Në njërën anë, nga Mardheu, theksohej se ishte ideali dhe atdheu ata të cilët e përbënin atë, ndërsa nga ana tjetër Japdheu theksonte se ishte dashuria. Ajo dashuri që ai nuk mund ta gjente askund, madje autori thekson se kërkimi i saj kishte mbërritur deri në Paris, mirëpo ishte e kotë, sepse gjithmonë një hap përpara do të gjendej gjysma tjetër e mendjes së tij Mardheu i cili do t’ia kujtonte vetëm rrugën e atdheut.

“Destinacioni nuk mund të gjendet, sepse nuk ka kurrë një destinacion të saktë, ai çdo herë ndryshon pavarësisht vendit ku ne shkojmë. Vetëm një destinacion është i saktë e ai është vdekja”.

Në romanin e tij, autori Binak Kelmendi thekson edhe pjesën historike, me theksimin e figurës së mbretëreshës Teuta, si dhe maltretimet ushtarake të cilat përcillen me ngjarje të vështira. Ai thekson ndodhitë të cilat i ndodhin një ushtari.

Në roman gjithashtu autori përmes fjalëve të personazhit Mardheut, trajton figurën e flamurit, e cila është një temë e ndjeshme për të gjithë ne popullin shqiptar. Pa marrë parasysh se nga do të shkojmë, gjithmonë flamuri ynë do të mbetet më i miri për ne, siç e thekson edhe autori.

Në roman autori thekson një luftë të brendshme shpirtërore të njeriut. Në njërën anë, kërkimi i së thjeshtës, kërkimi i dashurisë, kërkimi i lirisë për të cilat kishte nevojë ai. Japdheu gjatë udhëtimit të tij, kujton dashurinë e pamundur, të parealizueshme, vendet ku ai kalon tani më i  dukeshin të panjohura sepse nuk ishte aty askush ta priste.

Ndërsa në anën tjetër autori thekson dhe kërkon të vështirën, trysninë e cila i bëhet Japdheut nga uni i tij, për largimin nga të gjitha gjërat të cilat i dukeshin të kota, për të shkuar vetëm drejt të vetmes dhe reales, drejt atdheut.

Edhe fjalët tradhti, tradhtar dëgjoheshin shumë shpesh nga Mardheu, i cili i akuzonte shumë persona me këtë shprehje, e në veçanti Japdheun, një tradhtar të cilit nuk i interesonte fare për vendin e tij, i cili vraponte vetëm pas kënaqësive të jetës. Këndvështrimi ishte i menjëhershëm nga Japdheu ku theksonte, se ai kishte hequr dorë nga atdheu, ia kishte lënë në dorë atij, dhe se nuk i interesonte fare se çfarë ndodh me të. Vetëm mallin për dashurinë e largët dhe lodhjen që ai e përjetonte duke e pritur dhe e kërkuar atë. Rrugët ishin të mundimshme, nuk po iu vinte fundi asesi, jeta i dukej sikur një fotografi, ku një shikues i thjeshtë nuk kupton asgjë nga ajo, apo si një roman të cilit nuk i dihej fundi.

Shpesh Japdheu, shpresonte të mbetej vetëm, të qetësohej gjendja e tij shpirtërore dhe ndonjëherë sikur e arrinte atë, mirëpo pas ca sekondave pjesa tjetër e mendjes së tij, ishte aty duke i përkujtuar misionin të cilin ai duhej ta kishte në mendje gjithmonë dhe të mos e harronte, misionin për atdheun dhe lirinë.

Qysh në fillim të veprës shohim konfliktin e personazheve. Japdheu po e kërkonte lirinë, rrugën që të dërgonte deri tek ajo, mirëpo gjithmonë binte në kundërshtimin e Mardheut, i cili theksonte se ai kurrë nuk ka për ta parë atë liri. Qysh në fillim autori thekson se Japdheu ishte i sunduar nga uni i tij. Pra, gjendja shpirtërore e njeriut çdo herë është në kundërshtim me vetveten. Çdo herë del një pikëpyetje që ne na bënë të biem në dilemë me veten.

Autori përmes gjuhës së bukur dhe të pastër,si dhe përmes përdorimit të figurave na sjellë tema të cilat lidhen çdo herë me jetë e një personi. Qysh në titull te veprës shtohet kureshtja, se çfarë domethënie ka ky libër, e pas përfundimit të tij çdo lexues do të dojë te kthehet edhe një herë në fillim. Gjatë leximit të veprës ne shohim se edhe ne mund të ballafaqohemi ndonjëherë me dy personazhet në jetën tonë. Vetja jonë dhe mbinjeriu, që ndonjëherë bie në kundërshtim me ne, e ndoshta kjo ndodh edhe shumë shpesh.

Në romanin e tij, autori me një mjeshtri të jashtëzakonshme trajtoi rëndësinë e dy gjërave, që kanë vlerë të madhe, në njërën anë, dashuria dhe në anën tjetër, atdheu. Pa marrë parasysh çdo gjë, madje ndonjëherë edhe konfliktin që kemi me vetën tonë nuk do të mund t’i ndajmë asnjëherë ato./KultPlus.com

“Autorja eshte studente ne Fakultetin e Filologjise, dega Letersi Shqipe, ne nivelin e studimeve Master. Shkrimi eshte paraqitur ne lenden Letersi aktuale shqipe dhe botohet per here te pare.”

Të ngjajshme