Nuk ka rend pa drejtësi: Kosova ka nevojë për revolucion shoqëror

30 Gusht, 2018 - 9:00 pm

Visar Xhambazi

Kur dëgjojmë fjalën revolucion, gjërat e para që na vijnë në mendje janë diktatura, dhuna dhe kaosi.
Revolucionet shoqërore megjithatë mund të jenë të padhunshme; arma dhe ushtarët e saj më të fuqishëm janë qytetarët dhe zërat e tyre që mbështesin ndryshimin në shoqëri. Sipas definicionit të Universitetit të Oksfordit, revolucioni shoqëror është “një ndryshim i shpejtë në strukturën dhe natyrën e shoqërisë.” Ky lloj revolucioni nuk fokusohet domosdoshmërisht në ndryshimin e sistemeve politike, por në transformimin kulturor dhe atë socio-politik. Një transformim në mendësi, në analizë të mirëfilltë ndaj rrethit, një luhatje në sentimentin dhe moralin kolektiv.
Në rast të suksesit eventual, çdo revolucion shoqëror prodhon dy gjëra: tërheq zëra të rinj dhe forcon opozitën.

Në Kosovë, logjika e haraçit, klientelizmit dhe nepotizmit ka korruptuar dhe zvogëluar idealin tonë, atë të transformimit të Kosovës në një shtet funksional bazuar në standarde dhe principe demokratike. Populli i Kosovës është duke kaluar në një fazë të trushpërlarjes deri në pikën e pranimit të ideve të politikanëve keqdashës dhe filistinë (antikulturë) se korrupcioni është pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Janë po këta politikanë dhe kjo klasë e tyre të cilët kanë ndihmuar në krijimin e epidemisë mendore duke e ulur entuziazmin në shoqërinë tonë, gjë e cila ka prodhuar një realitet të hidhur, një lumpenproletariat të palëvizshëm.

Kosova ka probleme bazike të cilat me siguri nuk shihen në vendet tjera evropiane: qytetarët parkojnë në trotuare dhe injorojnë në mënyrë ç’njerëzore të drejtën e lëvizjes së personave me aftësi të kufizuar; mësuesit/arsimtarët protestojnë për rritje të pagës por kurrë për përmirësimin e cilësisë së arsimit; qytetarët festojnë duke gjuajtur me armë nëpër dasma dhe vrasin aksidentalisht të afërmit e tyre; gjykatat marrin vite për të zgjedhur lëndët e tyre dhe mohojnë të drejtat e qytetarëve të cilat garantohen me Kushtetutë; një kryeministër i cili dyfishon pagën e tij por mban pagën minimale në 170 Euro; një person i cili shpallet fajtor për një krim, largohet nga vendi dhe kthehet pas tre viteve si një person i lirë; një qeveri e cila shpenzon afro një miliardë euro në një autoudhë por kurrë nuk publikon kontratën e saj…Një listë e gjatë e cila demoralizon qytetarin i cili për më tepër duket se tash e dy dekada ka rënë në humnerën e apatisë dhe depresionit, prej nga, pos disa tentimeve aty-këtu, është e vështirë dalja dhe shpëtimi.

Në novelën e tij epike, Të Mjerët, Viktor Hygo tejkalon nocionin e mëshirës si një mundësi e dytë për falje. Mëshira—sipas Hygos—si nocion nuk i dedikohet vetëm dhembshurisë por edhe faljes së gabimeve dhe ofrimit të mundësisë së dytë për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar. Liderët dhe politikanët kosovarë kanë pasur dhjetëra mundësi të shpaguajnë vetveten e tyre, dhe për pasojë Kosova sot është në një gjendje të mjerueshme. Hygo ka folur për “të çmendurit e përmbajtur” të cilët “prishin rrugën e ferrit.” Sot, tashëgimtarët e Hygos promovojnë mesazhin: Rend para drejtësisë. Por fakti është, nuk ka rend të tillë, asnjë rend nuk eksizton pa drejtësi.

Në këtë gjendje distopike, thirrja për revolucion shoqëror mund të jetë gjithçka përveç revolucionare. Martin Luter King gjunior ka shkruar më parë, “kur ke të drejtë, nuk mund të jesh shumë radikal; kur e ke gabim, nuk mund të jesh shumë konservativ.” Kosovarët kanë personalitete të ndryshme, interesa financiare të llojllojshme dhe aspirata të shumë-natyrshme. Ka kosovarë të cilët janë të korruptuar dhe të pakorruptuar. Sidoqoftë, kjo nuk duhet ti pengojë askujt. Çdo shoqëri posedon një pjesë të oportunistëve, profiterëve dhe parazitëve. Lajmi i mirë është se këta njerëz janë pakicë në shoqëri. Fatkeqësia është se ekziston një shumicë e heshtur dhe një klasë e mesme pasive—thelbi i çdo shoqërie—pa të cilët asnjë ndryshim i madh nuk mund të iniciohet.

***

Kosovës i nevojiten zëra të rinj dhe një opozitë e bashkuar. Kosova ka nevojë të thejë një herë e përgjithmonë normën e injorancës dhe mediokritetit dhe të promovojë aktivizëm shoqëror. Kjo nuk është idealiste edhe pse mund të tingëllojë e tillë. Ndryshimi mund të bëhet në forma dhe aspekte të ndryshme.
Studentët nuk duhet të regjistrohen nëpër klasa ku ligjërojnë politikanë të korruptuar; qytetarët duhet të ndalojnë së paguari bakshishe për trajtim më të mirë për më të dashurit e tyre në spitale publike; të rinjtë duhet të votojnë masivisht kur mbahen zgjedhjet dhe të deklarojnë vullnetin e tyre; gratë nuk duhet të heqin dorë nga e drejta e tyre ligjore për trashëgimi. Skeptikët mund të argumentojnë se këto ndryshime janë të vogla dhe se nuk mund të kenë ndonjë efekt në shoqëri. Megjithatë, nëse këto ndryshime të vogla fillojnë të ndodhin kanë potencial të transformojnë shoqërinë tonë brenda një intervali kohor afatmesëm dhe afatgjatë. Tek e fundit, një udhëtim i gjatë fillon me një hap.

Eshtë një aksiomë për ndryshim shoqëror që asnjë revolucion nuk mund të ndodhë pa një metodologji të caktuar që i përshtatet rrethanave të kohës. Perveç kësaj, asnjë revolucion nuk ekzekutohet si një operë, instrumentet, zëri dhe gjestet e saj nuk janë të dizajnuara dhe të precizuara. Kosovarëve nuk ju nevojiten armë për një revolucion të tillë, ata posedojnë armën më të fuqishme që ekziston: bindja që ata kanë të drejtë në kauzën e tyre.

Fillimisht e botuar në Balkanist.