4 Shkurt, 2020 - 11:50 pm
Nga: Dritan Kiçi
Gjithnjë kam dashur të kuptoj konceptin prapa institucionit të “Besës”. Dikur, për mungesë informacioni dhe mitizim të konceptit nga shteti komunist, kjo ishte e pamundur, sepse Besa siç na e përshkruanin librat nuk kishte më funksionin e saj natyral dhe kish mbetur thjesht një legjendë. Në lëndinat e Dragobisë Enver Hoxha i kërkonte Besën malësorëve dhe mjaftonte një foto për të dyllosur gjithçka. Besa, dikur Besa e Zotit, u transformua në Besën e Burrit apo të Shqiptarit. Ato pak parime mbi të cilat mbështetej u zhveshën nga trupi i konceptit dhe pa shumë mundim u krijua një legjendë romantike, e mbështetur mbi parimin themelor të materializmit: E reja mohon të vjetrën duke marrë prej saj më të mirat!
Besa u largua nga individi dhe mund të jepej apo të kërkohej edhe nga entitete abstrakte, siç ishte Partia, shkolla, ushtria, apo deri edhe shtetet. Boshllëku i krijuar nga zbrazja e konceptit u mbush pak nga pak me diktaturën e ligjit, i cili ishte i pandjeshëm ndaj efektit moral, psikologjik dhe fizik, sepse nuk mund të jepte apo të kërkonte Besë. Për pasojë shohim paradoksin ku Enver Hoxha mund t’i kërkonte Besën apo t’ia jepte një malësori, por kjo nuk garantonte paprekshmërinë e atij individi, sepse ligji nuk mund të jepte apo merrte besë dhe për pasojë mund të shkelte mbi çdo marrëveshje që dikush kish bërë me dikë, qoftë ky dhe vetë ligjbërësi.
Ky parim i hoqi Besës të drejtën për kundërveprim të sanksionuar nga e Drejta Kanunore. Thyerja e zinxhirit logjik që e kish mbajtur gjallë institucionin e Besës për shekuj solli dhe devijimin e saj në diçka naive, thuajse fëminore, që pas ndalimit të klerit në Shqipëri, humbi çdo bazë mbështetëse zakonore në përgjithësi.
Pastaj erdhën poetët që e mitizuan në ekstrem konceptin, duke e kthyer pak nga pak në një legjendë që nuk kishte më asnjë vlerë përdorimi. Besa u kthye në një fjalë që merrej për bazë vetëm kur thuhej nga goja e personazhit pozitiv, e heroit. Koncepti devijoji deri në atë pikë sa që një malësor akuzohej për diçka shpesh etiketohej me: Ka thyer besën e Partisë.
Në të kundërt të kësaj dolën figura mitike si Besniku i Partisë (Hysni Kapo). Zbulimi i kësaj metodologjie psikopërpunuese u përdor gjerësisht në frontet e vështira të punëve dhe sidomos në ruajtjen e kufirit. Emri Besnik u përhap shumë, sepse në sytë e drejtuesve partiakë nënkuptonte “besnik ndaj Partisë”.
“Të jap Besën” devijoi deri në një zëvendësim banal për “të jap fjalën”. Pa krismat e pushkës dhe pellgjet e gjakut Besa nuk kish më asnjë vlerë.
Një institucion i mbi 500-vjeçar u katandis në një shprehje fletërrufesh për më pak se 30 vjet.
Besa vdiq!
Por çfarë është, apo më mirë të themi ishte, Besa? Në Kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet:
“Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj
mos i ndjekë per gjak perkohsîsht e mjé në vade të caktueme”.
“Besa është një kohë lirie e sigurimi (për të mos vrarë), që shtëpia e të vrarit ja jep dorërasit (vrasësit) dhe pjesëtarëve të familjes së tij, duke mos i ndjekur për gjakmarrje përkohësisht, deri në një kohë (datë) të caktuar”.
Ky është përcaktimi kanunor i Besës. Detajet e tjera janë teknikalitete relative që kanë të bëjnë me kohën hapësirën, të drejtat dhe detyrimet. Thelbi i Besës është pezullimi i përkohshëm i vdekjes.
Nuk dua të futem në shpjegime të tjera se si merret apo jepet Besa, sepse kjo që po shkruaj nuk është një ese mbi ligjin dhe të drejtën, por një tentativë për të zbuluar një të vërtetë mbi ne si popull. Mbi psikologjinë dhe traditën, mbi tempullin tonë shpirtëror.
Si fillim buhet thënë se Besa nuk ka asnjë mbështetje tek e drejta Biblike, ku mbështetet krishterimi, të cilin historianët tanë përpiqen ta proklamojnë si fenë e vërtetë të shqiptarëve, përkundrazi është një karshillëk i plotë ndaj tij. Paganizmi i Besës bie në sy që nga vetë struktura e saj. Paraqitet si materializim i shërbëtorit të një perëndie të përgjakshme, që gjakun e lan me gjak! Një rreth vicioz që mban gjallë vetveten duke kërkuar sakrifica njerëzore në mënyrë sistematike, të përhershme, të padiskutueshme dhe të pashmangshme.
Shtrohet pyetja pse u ndërtua institucioni i Besës. Sigurisht që nuk doli nga hiçi.
Si çdo ligj tjetër në botë është shkruar për të kontrolluar shkeljen e vetvetes. Duke u mbështetur në parimin se “ligji është shkelur para se të shkruhet”, është e logjikshme të kërkojmë të imagjinojmë se si mund të ketë qenë situata para se shqiptarët t’i impononin vetes Besën.
Për të imagjinuar se si mund të kemi qenë para se të ngrihej me urtësi institucioni i Besës dua të sjell një shembull jashtë Shqipërisë, te një popull i lavdishëm për historinë e tij, te gjermanët.
Një popull që ka mundur të krijojë kryeveprat më të mëdha në art, letërsi, arkitekturë, industri e kudo kanë punuar, është gjithashtu përgjegjës për Hollokaustin dhe për shumicën e 72 milion të vdekurve gjatë luftës së dytë botërore. Është thuajse e paimagjinueshme që një gjerman mund të ishte i aftë të vriste pa diskriminim gjithkënd që do i dilte para. Pse i ndodhi kjo një populli kaq të madh? Ndodhi sepse nazistët thyen institucionet më të rëndësishme të popullit gjerman. Këto institucione ishin Përpikëria dhe Rregullit, Zbatimi i Ligjit dhe Respektimi i të Drejtës, Vlerësimi i Vlerës së Krijuar dhe jo i Krijuesit per se. Mungesa e këtyre institucioneve zbuluan anën më të errët të një populli të madh, që pa rregullat e tij mundi të kthehej në një përbindësh po aq të madh. Kjo çmenduri kolektive e bëri popullin më të lavdishëm të botës të paaftë për të korrigjuar vetveten. Aq tronditës është ky fakt për gjermanët edhe sot, saqë edhe bisedat për LIIB janë akoma të bezdisshme.
Kjo strukturë e frikshme është e aplikueshme dhe në rastin e shqiptarëve, por në një aspekt tjetër.
Nuk dua të shkoj në lashtësi për të gjetur se pse krijuam Besën shekuj më parë. Po qëndroj në këto 20 vitet e fundit, kur dhe gjakmarrja është rizgjuar me një fuqi të tmerrshme e të pakontrollueshme.
Nuk di të them se sa janë viktimat e gjakmarrjes të këtyre 18 viteve të fundit por me siguri do të jenë disafish i epokave më të errëta të kombit tonë.
Pse u kthye gjakmarrja dhe pse nuk po ruan të njëjtin ritual të mëparshëm? Thjesht, nuk është më institucion, është kasaphanë, barbari. Vrasja dikur ishte një ritual i mbështetur mbi rregulla kanunore të padiskutueshme, thyerja e të cilave kishte pasoja të rënda jo vetëm për vrasësin por dhe familjen e tij. Tani është thjesht vrasje, një barbari për të kënaqur mllefin dhe kërkesat psiko-sociologjike të personit që e kryen. Është një pasqyrim i asaj që kemi qenë para se të vendosnim me mençuri institucionin e Besës, pa të cilin nuk arrijmë të vetëkorrigjohemi.
Mund të shtrohet pyetja: pse bashkë me gjakmarrjen nuk u kthye dhe Besa në përdorim? Arsyeja është e thjeshtë. Karakteri i nxehtë i shqiptarin dhe tiparet e tij luftarake nuk janë gjëra të reja, por aftësi gjenetike të projektuara dhe inkorporuara te secili nga ne dhe që me përmbushjen e kushteve të caktuara ambientale e sociologjike, nxjerrin në pah prirjet dhe tendencat. Besa nga ana tjetër ishte një institucion i vendosur për të kontrolluar këtë karakter. Jemi të gjithë vrasës që në lindje atëherë? Sigurisht që jo, por me një shqiptar mund të vritesh më lehtë se me një grek apo italian. Të paktën këtë na ka treguar historia.
Megjithatë, kjo nuk mund të justifikojë atë që ka ndodhur në këto vite.
Sigurisht që jo, por nëse marrim parasysh apriori këtë tipar gjenetik agresiv e individualist, të vërtetuar plotësisht nga historia jonë dhe e përziejmë me një kulturë pagane, ku e mira dhe e keqja janë relative, vendosur në një ambient dhe kohë ku mungon ligji, konkluzioni është i qartë.
Kaos!
Siç e thashë, i vetmi instrument që në shekuj rregullonte mënyrën se si shqiptarët vrisnin njëri-tjetrin dhe mbante nën kontroll gjakun tonë të nxehtë nuk është më.
Sistemi komunist u përpoq të fshinte këto tipare gjenetike nga trupi i kombit duke proklamuar njeriun e ri, por vetëm sa i ndrydhi, nuk mund t’i zhdukte. Përpjekja nuk ishte një gabim në vetvete, sepse të gjithë duam që një mëngjes mos ketë më gjakmarrje, por shkatërrimi i institucioneve që na kishin mbajtur në vetëkontroll për shekuj, është gabimi më i pafajshëm që mund të bëhej.
“Vrasja” apo shkatërrimi i Besës, na la të Pabesë.
“Vrasja” apo shkatërrimi i Zotit na la pa një shtyllë morale të qartë.
Kur njeriu nuk dallon dot më të mirën nga e keqja, ka bërë hapa prapa në evolucionin e tij shpirtëror dhe pa parime, qartësi logjike, rregulla dhe frikë, nuk është gjë tjetër veçse një përbindësh inteligjent që askush nuk e do pranë.
Pas gjithë këtyre mendimeve, nëse dikush do më pyeste nëse preferoj më mirë gjakmarrjen apo ligjin, do i përgjigjesha se sot nuk kemi më gjakmarrje por gjakderdhje pa diskriminim. Sa për ligj, pa mbështetje morale çdo ligj i shkruar dhe nga parlamenti më i mirë i botës nuk ka asnjë vlerë.
Ajo që ne nuk arrijmë të kuptojmë sot është se Besa arrinte të na kontrollonte jo sepse ishte ligj, por sepse ishte parim moral. Pa të nuk jemi veçse…
“Me çue gjind per besë âsht kanû, me dhânë besë âsht detyrë e burrni.”
“Të çosh dikë për të kërkuar Besë është ligj, ta japësh është detyrë dhe burrëri.”
Ligj, Detyrë dhe Burrëri! Sa larg tingëllojnë këto fjalë sot! /KultPlus.com