Pasioni për të shkruar romane dhe biografia e romaneve të Ridvan Dibrës

18 Qershor, 2023 - 7:00 pm

Nga Gentiana Pervizaj

Ndërtimi i romanit në bazë të eseve dhe shënimeve

Ridvan Dibra është shkrimtar i njohur i prozës shqipe.   Nga veprimtaria e tij kijuese si shkrimtar kemi, 17 romane, të cilat ka shtruar autori në librin e tij ‘’Për romanin dhe romanet’’, ndër të tjera ku jep përmes eseve mënyrën e shkrimit dhe botimit të këtyre romaneve.

Për romanin dhe romanet, është libri i botuar i shkrimtarit Ridvan Dibra, në vitin 2021, në Prishtinë. Me magjinë e fjalës, mjeshtrinë dhe zotërimin e shkrimit, ky shkrimtar sjell një model ndryshe të librit modern, duke shfaqur përmes eseve dhe shënimeve të tij një lloj biografie të romaneve të tij të botuara deri më tani. Libri ndërtohet nga shtatëmbëdhjetë ese që përfshijnë do të thotë gjitha romanet e tij sic u përmend më lart, një faqe hyrëse me të dhëna mbi librin dhe një pjesë të fundit për romanet e pabotuara. Pas  çdo eseje, shkrimtari fut intermexo, për  të krijuar një shkëputje mes çdo romani, duke i dhënë nuanca kuptimit të romanit dhe shkruarjes së tij. Ky libër është një paraqitje e shënimeve të cilat janë në njëfar mënyre përgjigje për romanet e tij, por ndërkohë janë edhe paraqitje e etapave kohore të jetës së autorit, por që nuk nxjerrin shumë mbi jetën e tij. Mbanë një frymë të vazhdueshme të shkrimit të këtyre eseve në libër, pra të gjitha kanë një rregull, të japin të dhëna mbi romanin e caktuar, vendin e botimit të e tij, suksesin dhe jetëgjatësinë e tij. Nuk bënë lojëra me gjuhën poetike të shkrimtarit. Zgjedh fjalitë e shkurtëra, të pikasura dhe të drejtëpërdrejta në lidhje me temën e romanit. Figurat letrare, e kryesisht sarkazmën, ironinë e groteskun ika lënë në vendin e romanit, në këtë libër vetëm hera-herës gjen ndonjë ironi të vogël. Ky libër ndërtohet  nga 165 faqe gjithsej,  dhe është I mirëpritur deri më tani.

Sa rrezikoi autori me vërtetësinë e romaneve të tij?

Shkrimtari zgjedh të bëj një përmbledhje të tillë mbi historinë e romaneve të tij, duke shfrytëzuar shënimet e tij dhe kujtimet. Në një mënyrë të qartë dhe të hapur, ai tregon udhëbotimin e secilit roman të tij të deritanishëm. Në librin ‘’Për romanin dhe romanet’’, shpreh dashurinë e tij ndaj të shkruarit romane, dhe entuziazmin e përshkallshëm, se si e kishte realizuar secilin roman.

Ajo që bie në sy, kur merret në lexim ky libër, është guximi i shkrimtarit për të nxjerrë histori nga jeta e tij dhe e romaneve. Ndryshe, nga që jemi mësuar që shkrimtarët ta ruajnë dhe privojnë jetën e tyre, edhe pse edhe ky shkrimtar, nuk jep detaje nga jeta e tij por vetëm ajkën e disave. Nga kjo lë të kuptohet që qëllimi i shkrimtarit ka qenë të tregojë me stil guximin dhe maturinë në të shkruar.

Meqë, postmodernizmi si frymë e re godet, pikërisht secilin shkrimtar duke i ndërlidhur jetën e tij me veprën, e gjej të arsyeshme ta quaj guxim nga ana e shkrimtarit, për këtë libër të shkruar, që ndryshe duket biografik, pra në kuptimin e romanit.

Por a ka rrezikuar autori me këtë libër?   Pa dyshim se jo!

Ai e bënë të qartë dhe më origjinale idenë e secilit roman të botuar. Merr fjalën e lënë prapa, në kuptimin, vëmendjen e romanit të një periudhe kohore të kaluar dhe e rikthen në të tashmen. Lexuesi, pas informacioneve të marrura, tashmë shtesë mbi romanin e lexuar, ta hamendësojmë romanin ‘’ Francë Kafka I shkruan të birit’’, ai e ka lexuar dhe e di qartë  çfarë flitet në atë roman, por duke e shtjelluar autori idenë dhe peripecitë e tij për botimin e këtij romani, zgjon interesimin e rileximit. Dhe tek lexuesi i ri zgjon interesimin e leximit të ndonjërit roman që i ka ikur pa e lexuar, kështu që fut në lojë krijimtarinë e tij por në një lojë të frytshme.

Ndër të tjerash me këtë formë, i përgjigjet të gjitha atyre pyetjeve që mund t’i kenë ikur një intervistuesi, një lexuesi që ka dërguar mesazh apo një të pranishmi në sallën e promovimit të librit që nuk pati guximin të shtronte pyetjen e tij. Pra, romanet përgjigjen këtu me penën e shkrimtarit, duke i prekur edhe njëherë lexuesit mendjen.

Shkrimtari, siç e thashë, përvec historitë e romanit, ndan histori edhe nga jeta e tij. Ai tregon procesin e krijimit, se si dhe  ku i kishte lindur ideja apo frymëzimi për secilin roman. Duke shfaqur këtë pikë krysore të veprimtarisë së tij, nuk rrezikon, por qëllon shënjestrën e vëmendjes.     Thuajse në secilin promovim të librit atij i shtrohet pyetja, nga ju erdhi ideja apo ku jeni frymëzuar. Dhe në secilën besoj t’i jetë përgjigjur autori, në stilin e shkrimtarit dhe artistit, i cili jep vetëm gjysmën e idesë dhe asnjëherë të plotën, sepse kjo ka të bëjë me artin. Por në këtë libër, ai zgjedhë të tregojë edhe copëza nga jeta e tij, p.sh. martesat dhe divorcet, përjetimet fëmijërore, lëvizjet e punës, lidhjen e tij më të birin etj,. që në romanet e lexuara mund të jenë dukur histori trilluese apo imagjinare të një autori.

Se a është kjo formë, një ironi ndaj pyetjeve dhe kritikave drejt autorit dhe librave të tij, përgjigjen e gjejmë në intermexot e vendosura që janë kryesisht për romane. Megjithatë, guxoi dhe rrezikoi t’i dalë përballë një fryme letrare, duke i dhënë aq shumë mbi veprën e tij dhe aq pak në të njëjtën kohë.

Një shkrimtar nuk mund ta ketë edhe aq të lehtë të flas për krijimtarinë e tij, e sidomos në këtë formë kaq të hapur, duke i cenuar vetës kritika për librin dhe  mbi formën se si shprehet me njerëzit që ai ka punuar dhe marrëdhëniet e tij në përgjithësi me të tjerët. Dibra e bënë këtë duke e ditur që kjo do t’ia kthente një vëmendje të rëndësishme letrare dhe kulturore jetës së tij prej shkrimtari.

A shtyn ky roman në krijim një autor të ri?

Tash, meqë autori zgjedh që këtë krijimtarinë e tij ta shpalos sesi ka arritur deri këtu, një pasionant i ri i romanit, gjënë e parë që do ta ketë në mendje pas leximit të këtij libri është, si ta nis romanin e tij. Por, duke kaluar romanin e parë, që shkrimtari shumë qartë tregon se realizimi i tij nuk qe i lehtë, edhe pse në atë moshë e kishte menduar si të lehtë, pastaj stepet lexuesi. Do ta vërej se romani nuk qenka  thjesht, një e shkruar e jetës së shkrimtarit e as një e ide e trilluar që përmban ngjarje. Shkrimtari gjatë rrugëtimit të tij, formohet nga ana sintaksore, gjuhësore e letrare dhe ajo poetike. Romanet e tij janë më të strukturuar, tani nuk ka rëndësi më vetëm ideja, romanet kanë formë, kanë përmbajtje më të thukët. Secili roman vjen e bëhet më i përsosur apo të themi më i kompletuar nga ai paraprak.

Kjo do të dridhë tashmë guximin e një krijuesi të ri. Do ta luhat brenda fuqisë së artit dhe talentit të tij, por gjithmonë në aspektin pozitiv. Ajo  çfarë më ndezi në fillim edhe mua, ishte po e njëjta me shkrimtarin, dëshira për të shkruar dhe mos ta mbajë në vete.

Duke pasur parasysh që krijuesit e rinj, nuk janë shumë të sigurt në vete dhe ndonjehërë presin momentin e duhur, vendin e duhur apo shkakun për të realizuar romanin e tyre, përmes disa thënieve të tij të ndara mbi konceptin e romanit, bënë një shtytje të mirë dhe ndikuese shkrimtari.

Libri që hapet me esenë e parë mbi romanin ‘’Nudo’’, mbyllet me romanin e fundit të titulluar, ‘’Gruaja që deshe’’, të cilin ia kushton gruas së tij dhe e realizon me ndihmën e saj, por pa e ditur ajo. Autori bënë të ditur që ky roman nuk është botuar ende dhe është në vitin 2021, duke pritur një përgjigje nga shtëpia botuese ‘’Onufri’’, por nga kwrkimet e bwra, ai wshtw botuar tanimw.

Ridvan Dibra duke u njohur me stilin e tij eksperimentues në letërsi, edhe kësaj radhe vjen më një model të ri krijimi, me pasurimin dhe forcimin e titullit të tij prej shkrimtari. Ai hap dyert për lexues të rinj, krijues të rinj dhe kritikë. Një formë e tillë e paraqitjes së romaneve përmes eseve e bënë më të glorifikuar qëllimin e shkrimtarit me romanet që ka botuar. Kjo nxit kureshtje tek lexuesi dhe kritika, për shkak të asaj që kam thënë në fillim, që jep shumë dhe jep pak në të njëjtën kohë.

Për të realizuar një punë të tillë padyshim që shkrimtarit i duhej punë të rigjente shkrimet apo shënimet e tij dhe ta detyronte kujtesen t’i sjellte kujtime, që do të thotë, përvec pasionit, iu deshën edhe shumë elemente të tjera dhe punë./ KultPlus.com

Të ngjajshme