28 Janar, 2019 - 5:20 pm
Qe e thellë kënaqësia që më jepte të qenët e nevojshme për prindërit. Nuk qeshë si ata fëmijët e përrallave: një gojë më shumë për t’u ushqyer.
Që të fitoja dy dollarë më mjaftonte vetëm t’ia pastroja shtëpinë për disa orë pas shkolle. Qe shtëpi shumë e bukur, me divan dhe kolltukë të mbuluar me celofan, dysheme të mbuluara mur më mur me moket bardheblu, stufë të emaluar të bardhë, makinë larëse dhe makinë tharëse për teshat, gjëra të zakonshme për lagjen ku banonte Ajo, por që nuk i gjeje kurrkund në lagjen time. Paçka se lufta qe në kulm, te Ajo gjeje gjalpë, sheqer, mish viçi dhe çorape najloni.
Dija si t’i laja me leckë dyshemetë dhe si t’i laja teshat në govatën tonë xingato, por nuk kisha parë kurrë fshesë me korrent apo hekur rrobash që nuk e nxehje në zjarr.
Pjesërisht qeshë krenare që punoja për të ngaqë fitoja pare xhepi për vete, për filma, karamele, akullore. Por ndihesha edhe më krenare ngaqë gjysmën e parave të fituara ia jepja nënës, që do të thoshte se ato që fitoja shpenzoheshin për gjëra të qenësishme—për të paguar policën e sigurimit apo për t’u kthyer borxhin atyre që na sillnin qumësht dhe akull.
Qe e thellë kënaqësia që më jepte të qenët e dobishme për prindërit. Nuk qeshë si ata fëmijët e përrallave: një gojë më shumë për t’u ushqyer, një fëmijë i prapë që ka nevojë të ndreqet, një fëmijë problematik që duhet braktisur në mes të pyllit. Kisha statusin që nuk ta jep të bërët e punëve të shtëpisë. Dhe nga kjo fitoja një buzagaz të shtruar, një lëvizje miratuese të kokës nga të rriturit. Konfirmim se qeshë si vajzë e madhe dhe jo si fëmijë.
Asokohe, në vitet dyzet, fëmijët nuk qenë thjesht persona të dashur apo të pëlqyer, por qenë të nevojshëm. Fëmijët mund të fitonin para, mund të kujdeseshin për fëmijët e tjerë, më të vegjël se ata, mund të punonin në bujqësi, mund të merreshin me gjënë e gjallë, bënin punë të vogla, por edhe më shumë se kaq. Kam frikë se fëmijët sot nuk janë të nevojshëm si atëherë. Sot fëmijët duhen, llastohen, mbrohen dhe ndihmohen. Mirë është, ama . . .
Dalëngadalë ia mora dorën pastrimin të shtëpisë së Saj, aq mirë madje saqë m’i shtoi punët, më ngarkoi edhe shumë punë të tjera. Mora për detyrë të transportoja etazherë librash në katin e sipërm dhe, një herë, të zhvendosja një piano nga njëra anë e dhomës në tjetrën. Kur i ngrita etazherët u rrëzova. Dhe, pas lëvizjes së pianos, krahët dhe këmbët më dhembnin kaq shumë saqë doja të mos punoja më ose të paktën të ankohesha, por kisha frikë se mos Ajo më hiqte nga puna e kështu mund të humbisja lirinë që më falte dollari, si edhe statusin që gëzoja në familje, megjithëse të dyja këto privilegje po mpakeshin nga pak. Ajo filloi të më ofronte veshjet e saj, kundrejt një çmimi. Ia bleva disa, e mrekulluar nga këto sende të përdorura, të cilat një vajze të vogël me vetëm dy fustane për në shkollë i dukeshin të jashtëzakonshme. Gjersa ime ëmë më pyeti nëse doja vërtet të punoja për hedhurina. Prandaj mësova t’i thosha “Jo, falemnderit!” një trikoje të dalëboje që kushtonte sa një e katërta e pagës javore.
E megjithatë, nuk gjeja guxim t’i kundërshtoja kërkesat në rritje që më bënte Ajo. Dhe e dija se po t’i tregoja sime ëme sa shumë mërzitesha ajo do të më thoshte ta lija atë punë. Pastaj, një ditë, kur qeshë vetëm me tim atë në kuzhinë, iu qava pak për punën. I tregova me shembuj se çfarë më shqetësonte, por, megjithëse më mbante vesh me vëmendje, nuk i dallova fije dhembshurie në sy. Aspak “O, sa gjynah, e shkreta vajzë!” Mbase e kishte kuptuar se nuk po kërkoja t’i bëja bisht punës, por doja thjesht një zgjidhje. Gjithsesi, ai vuri filxhanin në tryezë dhe më tha: “Dëgjo. Shtëpia jote nuk është atje, është këtu. Te njerëzit e tu. Shko në punë. Merr ato para. Dhe hajde në shtëpi.”
Këto qenë fjalët e tij. Ndërsa mua m’u duk se më tha:
1. Pavarësisht se çfarë pune bën, bëje mirë—jo për pronarin apo shefin, por për veten.
2. Je ti zonjë e punës, jo e anasjella.
3. Jetën e vërtetë e ke me ne, me familjen tënde.
4. Nuk ka rëndësi çfarë pune bën, ka rëndësi çfarë njeriu je.
Prej atëherë kam punuar për gjithfarësoj njerëzish, për gjeni dhe të trashë, për mendjeshkathët dhe mendjengathët, për zemërgjerë dhe zemërngushtë. Kam bërë lloj-lloj punësh, por pas asaj bisede me tim atë kurrë nuk e kam matur veten me nivelin e punës dhe kurrë nuk e kam vendosur sigurinë e vendit të punës përmbi vlerën e familjes.
Përktheu Ilir Baçi/ filozofia.al