22 Mars, 2025 - 11:15 pm
-Për Çmimin Anton Pashku për Prozë nga MKRS e Kosovës
Shkruan: Ballsor Hoxha
Më duhet ta pranoj, duke qenë shkrimtar, jam një gjë, krijesë, krejt e çuditshme, e pashpjegueshme për dy fëmijët e mi, Hanën dhe Uliksin. Shkrimtarët, ndoshta, prej natyrës janë të çuditshëm, por shtoja kësaj edhe të lexuarit dhe të shkruarit me ditë të tëra, për dy fëmijët e mi ngjaj si një, le të themi, radio, pa asnjë sinjal, e prishur, e braktisur prej kohësh. “Pse shkruan, bab” më pyet shpesh Uliksi në tërë habinë e tij prej 10 vjeçari, kur më sheh të tërin të pasionuar pasi që kam gjetur ndonjë zgjidhje për ndonjë situatë; ndërsa vajza Hana, tash në moshën që e ka, 16 vjet, më shikon me dhembshuri, sikur një të dehur në aromën e shtypit dhe “hieroglifeve” të letërsisë.
Kur edhe nuk di çka të bëj me veten, në këtë harrim ku kam mbetur, si shkrimtar, kur nuk di t’i përgjigjem Uliksit, meditoj dhe gjej viktima të tjera, të letërsisë, gjej botues si shtëpitë botuese Onufri, që me pasionin e tyre për letërsi po ashtu nuk kanë shpëtim nga po e njëjta, dhe i mendoj, i mendoj pikërisht si e mendonte Maurice Blachot pasionin për letërsi – një kumar, një varësi prej të cilës nuk ke shpëtim.
Pastaj, në mendje më vjen edhe kjo Ministri e Kulturës së Kosovës, që ka financuar për botim hiç më pak se dy libra të mi, vitin e kaluar. Pastaj, zinxhiri i meditimit arrin në një dinamikë dhe më vijnë në mendje edhe ata fare pak lexues që sikur të varur nga aroma e librave nuk dinë ku ta kalojnë kohën dhe as si, përpos duke lexuar e lexuar libra.
Por, ka një pikëllim në fund të këtij zinxhiri të meditimit, që përfundon kaq shpejt, një pikëllim si kur përfundon së lexuari librin më të bukur në botë, prej ku edhe lind e shfaqet një dyshim që ndoshta ka lidhje me të gjitha fundet e kësaj bote; një shije e hidhur e vegjëlisë, një melankoli e të qenit; por edhe një melankoli e komunitetit letrar, sot, sidomos ndaj të gjitha mënyrave të tjera të mundshme sot, për të vrarë kohën, e për të ndër-shkëmbyer njerëzimin. Apo qoftë për të mbajtur gjallë shpirtërisht po ashtu njerëzimin e shoqërinë ku takon shkrimtari, si që ndodhi me Kadarenë dhe letërsinë e tij.
Por, në tërë këtë melankoli, në këtë pikëllim, kujtoj se ka ndodhur disa herë në histori të njerëzimit, ky dyshim në letërsinë, disa herë është parë kjo kockë e zhveshur e letërsisë si në njëlloj pleqërie të dhunshme e para shpirtit të saj, si njëlloj vdekje e saj: e kemi tejet të qartë pikërisht këtë, që në dukje ngjante në fund të letërsisë, gjatë Shqipërisë Komuniste. Në këto kohëra ishte zhdukur letërsia, ishte zhvendosur jeta e rëndë, që e bënte edhe më të rëndë ajo letërsi e soc-realizimit, me një diell të portretizuar keq; ishte përmbysur rendi njerëzor, ndërmjet vete e ndërmjet pushtetit dhe njeriut; ishte shndërruar qoftë edhe arkivi, ndërdija, dhe vetëdija kolektive e letërsisë. Ndoshta për disa po e teproj, por, le të themi se e kam nga pasioni për letërsinë e tij, Ismail Kadare, ndër të vetmit, në këto kohëra, po aq kumarxhi me tërë atë që kishte, shpirtin dhe jetën e tij, në letërsi, krijoi një zanafillë të letërsisë, edhe nën një tirani si kjo.
Pastaj, nuk bën dhe as që do të mund ta harrojmë ndonjë herë në Kosovë, tërë ndalimin e shkronjës deri tek universiteti e akademia shqipe, etj, por që u ringjallën më shpejtë se disa zee tjet të njohura në njerëzim.
Pas këtyre meditimeve, ndaj një fenomeni njerëzor siç është letërsia, sidomos, po ky meditim bartet në një qark tjetër, pyetem: a ishte shkrimtari, vetë njeriu, që e krijoi letërsinë, apo letërsia ishte para tij. Është paradoks, dhe e kuptoj se është pyetje e njëlloj infantileje shkrimtari dhe letërsie, por edhe si përgjigje ndaj Uliksëve tanë, e Hanave tona.
1. në rastin e parë, nëse kishim në vetëdijen e njerëzimit, ndër shumë shprehje letrare, një gjë që njihej si Kimera, vetë ndërthurja, krijimi i ri, shndërrimi, e që është vetë letërsia thënë shkurt;
dhe nëse kishim një Platon që mbeti kulmi i dijes njerëzore deri para disa kohësh, që e ndalonte pikërisht poezinë, letërsinë, e që ishte pushteti më klasik, pra pa ushtri e armë;
dhe duke pasur këto të dyja në vetëdijen njerëzore gjithherë, në një mënyrë nuk kishte nevojë për shkrimtar, sepse e tëra që duhej ishte vetëm përshkrim, aq më shumë të raportit të këtyre dyjave. Kështu i bie se kishte letërsi, para shkrimtarit.
2. Apo, shkrimtari ishte mallkimi i njeriut për të bartur atë situatën që e rikrijon Ismail Kadare në esenë e tij Eskili ky humbës i madh, ku jemi ne, njeriu që në kohërat më të hershme “me një gropë në mes” e që është varri sot, sepse atëherë ende nuk kishte lindur bartja e dhembjes së njeriut, nga njëri te tjetri, e kështu nuk kishte as gjuhë të mjaftueshme për të mveshur të dashurin e mbetur në këtë gropë në tokë. Në këtë ese Kadare i kundërvihet edhe Niçes për intepretimin e tij të Lindjes së Tragjedisë, duke thënë se arti, si krijim, diçka e krijuar nga ku edhe e merr emrin, lindë në afërsinë me varrin, pashpjegueshmërinë e jetës, dhe fundin e jetës së dashurisë, të më të dashurve. Dhe tutje të bartjes së dhembjes së këtij fundi, sikur një Orfe, deri në thellësitë e vdekjes, me dëshirën më të zjarrtë të njeriut për të ngjallur dashurinë. Shkrimtari, si Orfeu, duke iu kundërvënë edhe vdekjes.
Këtu, është e dukshme, në mua, shkrimtari është një kundërvënie. Kujt, vdekjes, pushtetit, etj.
Dhe tani këtu, kur e mendoj prozën time letrare, shpërblyer me këtë çmim nga Ministria e Kulturës së Kosovës, që janë një vëzhgim, dhe studim dhe përvojë e kapjes së qytetit në dhembjet e rritjes, thellimin e fytyrës së njeriut në një krater të pafundmë; pastaj shkurorëzimin, vrasjen, shkrimtarin besa, pastaj vetminë dhe në fund edhe tradhtarin, e shoh veten duke gjurmuar nëpër qytet, e qytete, sikur të isha përgjithmonë si Uliksi im, 10 vjeç, Hana vajza ime; duke u mahnitur me jetën, me botën, me përvojën, me konstelacionet e çdo gjëje, i habitur, i magjepsur, i fantaksur, e besa, edhe i çmendur, në një masë, pafundësisht, dhe për secilën herë.
Përnjëherë më kapë një trishtim, një melankoli e tmerr e ankth, çka nëse njeriu një nga këto ditë do ta harrojë këtë mundësi udhëtimi, këtë mundësi të hapjes së botës, këtë dashuri e urrejtje me botën, këtë magji? Apo, ndoshta Uliksit tim, si mënyrë mbijetese shkrimtari, dhe si revoltë, do t’i kërkoj taksë për emrin që bartë, të udhëtarit të parë në po këtë magji të kësaj bote./ KultPlus.com