7 Mars, 2019 - 1:33 pm
Nga Manjola Brahaj
“Ai njeri që i bën të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi”, thotë Ralph Waldo Emerson. Dhe sot në këtë ditë të veçantë ne si shoqëri duhet t’i kthejmë sytë dhe të reflektojmë sadopak për vlerën e këtyre njerëzve që gjërat e vështira na i kanë bërë të lehta. Kur them duhet t’i kthejmë sytë kam parasysh, një kthim të vëmendjes ndaj tyre, me respekt dhe përulje, sepse pa ata ne nuk do të ishim këta që jemi. Fatkeqësisht kjo gjë në shoqërinë tonë, nuk ndodh, pra respekti ndaj këtyre personave, nuk është i duhuri as në ditën e tyre. Pse them kështu? Për çdo 7 mars, për 8 vite me radhë që kam punuar si mësimdhënëse e Gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnaze të ndryshme të qytetit të Tiranës, kur vinte kjo ditë kisha një lloj ankthi të pashpjegueshëm. Dhe kjo gjë më ndodhte vetëm për shkak të trajtimit jo dinjitoz që u bëhej mësuesve nëpër media, për shkak të talljes në mënyrat më të këqija, vetëm pse ata, mësuesit, për këtë ditë pranonin një tufë me lule, ndonjë fotografi të printuar ose ndonjë detaj si dhuratë në shenjë respekti dhe dashurie nga nxënësit e tyre. Minutazhi që iu rezervohej mësuesve nëpër televizione, nuk ishte që t’i uronin dhe që të tregonin një model për t’u ndjekur në këtë fushë të dijes, por vetëm për t’i nënçmuar, për t’i ulur, për t’i bërë të ndihen si të pa vlerë, kur në fakt janë vlera më e çmuar e një shoqërie. Ndaj nga kjo dukuri nga viti në vit më binte të shikoja mësues që edhe pse do donin që në një ditë në vit, të çmohej dhe vlerësohej tërë ai mund dhe ajo sakrificë që kanë bërë gjatë gjithë jetës së tyre si mësues, iknin, shmangeshin ose refuzonin “dhuratat”, lulet apo detajet sado të vogla dhe simbolike që nxënësit kishin zgjedhur për ta.
Gjatë leximit të këtij shkrimi e di që do ketë nga ju të cilët do të thoni, pse a nuk ka mësues që janë të korruptuar dhe pranojnë dhurata nga më të shtrenjtat? Po kjo gjë është e vërtetë, ja po ju përgjigjem paraprakisht, por në një ditë në vit sado mësues jo dinjitoz të ketë në të gjithë shoqërinë, nuk duhet të fyhen të gjithë, e as të publikohen e promovohen vetëm modelet e këqija. Nuk duhet “të futen të gjithë në një thes”, kur shumë mirë e dimë që më të shumtë në numër janë pikërisht ata të mirët. Media ka fuqi të jashtëzakonshme në realizimin e trushpërlarjes shoqërore dhe në manipulimin e masave, ndaj do duhej që me këmbëngulje të promovohen modelet pozitive, modelet shembullore dhe të veçanta që ekzistojnë dhe janë të shumtë në stafet e ndryshme të shkollave të ndryshme. Gjatë përvojës sime si mësuese kam arritur të shoh mësues që sakrifikojnë edhe nga koha jashtë mësimore dhe nga jeta e tyre për mirëqenien dhe arritjet e nxënësve, kam parë mësues që u kanë shpëtuar jetën nxënësve të tyre, që i kanë ndihmuar, jo vetëm shpirtërisht, por edhe financiarisht në raste të ndryshme, kam parë mësues fisnikë dhe shembull të dijes dhe përçimit të saj, kam parë mësues miqësorë dhe të aftë, që në radhë të parë janë humanë, që të gjithë dijen e tyre në procesin e mësimdhënies e bazojnë në radhë të parë mbi dashurinë që kanë dhe transmetojnë. Ndaj jam që sot, por edhe çdo herë që t’i kujtojmë mësuesit tanë t’i kujtojmë me përulje, sepse misioni i tyre ngjan me Sizifin që i duhet të bartë gurin nga humbnera për në majë dhe sapo e bart atij i bie prapë në humbnerë. E megjithatë, siç thoshte Kamy, Sizifin duhet ta imagjinojmë të lumtur, kështu duhet t’i imagjinojmë dhe mësuesit, në punën e tyre fisnike dhe plot sakrifica. Këta sizifë, sapo përcjellin një brez nxënësish dhe i nxjerrin në majë, ia fillojnë prapë bartjes për në majë me brezin tjetër të nxënësve, dhe prapë gjatë gjithë asaj malorje, me vështirësitë dhe pengesat që hasin ata janë të lumtur, sepse vetë procesi i dhënies së dijes është lumturi, sepse vetë fakti që ti po realizon dhe mundëson që një njeri të bëhet më i ditur dhe më i aftë se sa ishte kur erdhi përpara teje, është lumturi.
Kështu, mësuesit, në këtë lloj procesi janë, jo vetëm transmetues, por edhe shokë që e ndjejnë botën e nxënësve bashkë me problemet dhe shqetësimet e tyre. Ata janë prind që japin dashuri dhe përkrahje të vazhdueshme, janë artistë që të bënjnë për vete me fjalët që i thonë dhe me mënyrën se si i thonë, duke na ndryshuar dhe na bërë që të piqemi, jo vetëm profesionalisht, por duke na dhënë, mbi të gjitha, mësime për jetën.
Prandaj, ata meritojnë, jo vetëm një ditë të dinjitetshme dhe një trajtim fisnik, por një për respekt dhe përunjësi që zgjat gjatë gjithë jetës së tyre.
Faleminderit mësues!
Gëzuar 7 marsin! / KultPlus.com