31 Maj, 2019 - 5:29 pm
Bajram Mjeku
Ka disa vjet, që mburremi pafundësisht në faqet e gazetave dhe në rrjete sociale me sukseset e shqiptarëve me origjinë nga Kosova e Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, se si të rinjët tanë me origjinë shqiptare, i kanë pushtuar stadiumet më të famshme të futbollit, skenat më prestigjioze të teatrit e baletit dhe auditoriumet më të fuqishme të artit muzikor, shkruan KultPlus.
Mburremi së tepërmi me futbollistët si Shaqiri e Xhaka, Mustafi e Behrami, por edhe me Kosovare Asllanin, futbolliste e reprezentacionit suedez e shumë sportistë të tjerë. Jo pak mburremi edhe me të gjithë futbollistët e kombëtares së Kosovës, të cilët janë lindur në Evropë dhe janë stërvitur në akademitë më të njohura të saj.
Kot mburremi edhe me korreografin e shquar Angjelin Preljocaj i cili jeton e punon në Paris. Mburremi kot edhe me violinistët e famshëm Tedi Papavrami, Olen Çezari, Shkëlzen Doli e Jonian Kadesha. Familja Preljocaj në vitet pesëdhjetë kur iku nga Shqipëria staliniste dhe kaloi kufirin në Jugosllavi, Angjelini ishte në barkun e nënës së tij, ndërsa fatin pak a shumë të njëtë e patën edhe violinistët tjerë, të cilët braktisën atdheun e tyre, pasi mundësitë për t’i pushtuar skenat e Evropës mundeshin vetëm t’i ëndërronin.
Shumë pak mund të mburremi edhe me aktorët Bekim Fehmiu, Eliza Dushku e Alma Saraçi dhe të mos flasim për aktoren Irena Papas, të cilës më në fund ia zbuluam rrënjët shqiptare!
Mburremi fort edhe me sukseset e dy këngëtareve tona të mrekullueshme, Rita Ora e Dua Lipa se si i kanë pushtuar skenat e artit muzikor gjithandej Evropës e ditëve të fundit jemi duke u mburrur pafundësisht edhe me eurodeputeten Arba Kokalari, përfaqësuese e Suedisë në Parlamentin Evropian dhe me Ylfete Fanaj, kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit. Jo vetëm me këta, por mburremi dhe rrahim gjoksin deri në gjakosje edhe për shumë të rinj tjerë me origjinë shqiptare, sukseset e të cilëve u dedikohen shteteve ku ata e gëzojnë shtetësinë e më së paku Shqipërisë dhe Kosovës.
Duke u mburrur pafundësisht me sukseset e tyre, bëhemi edhe të pasinqertë. E dimë se gjithë këta të rinj shqiptarë janë shkolluar në shtetet në të cilat e gëzojnë shtetësinë dhe janë përkrahur me investimet e familjeve të tyre dhe nën përkujdesin e shteteve evropiane dhe përtej oqeanit ku e gëzojnë shtetësinë.
Mburrja me armatën e të rinjëve shqiptarë, do të na takonte vetëm atëherë kur dy shtetet shqiptare, do të investonin në kontigjentin e të rinjëve tanë të mrekullueshëm. As me xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe të gjitha të tjerat, nuk kemi hapësirë të mburremi. Të gjitha sukseset e tyre ishin individuale dhe falë investimeve të familjeve të tyre. Shtetit i doli gjumi të investojë në këto sportiste të mrekullueshme, vetëm atëherë kur nisën presionet nga të gjitha anët, më saktë kur këto vajza mbushën gjokset e tyre me medalje në kampionatet më të njohura botërore.
Të këtillë jemi ne, që mburremi aq shumë e nuk bëjmë asgjë.
Në foto: Korreografi Angjelin Preljocaj./KultPlus.com