28 Shtator, 2017 - 3:11 pm
Ilir Muharremi
Në Kosovë si duket disa nga artistët nuk janë të aftë t’i shprehin gjendjet shpirtërore të njerëzve heronj, të cilët dhanë vërtetë jetën për këtë vend.
Dështim tjetër është shtatorja e Edmond Hoxhës në Junik e cila është shumë qesharake, fyese, e shtrembër estetikisht, kurrfarë përmasa anatomike, trup të hollë… duket si në lëvizje, por nuk është në lëvizje, këmba e djathtë e tërhequr mbrapa është më e gjatë dukshëm krahas me këmbën e majtë, ndërsa dora e majtë e ngritur, duke si e thyer e pavarur me pjesët tjera trupore të heroit. Nuk e dijë çfarë donte të simbolizonte autori me këtë dorë, e cila më shumë të jep imazhin e invalidit sesa njeriut normal simetrikë. Fytyra serioze, po, kjo mund të pranohet, por e ngulitur në një trup qesharak, kjo s’mund të durohet. Kjo figurë jo që nuk duket e gjallë, por është shumë e shëmtuar, bastarduese ndaj kësaj figure heroike, dhe a kështu duhet të tallemi me heronj? Natyrisht jo. “Artisti” komplet e deformon skulpturën jep përshtypjen se duket si e çmendur. Kostumi i cili është i tejdukshëm, kinse thekson muskujt, ndonëse më i rëndësishëm është muskuli se kostumi. Jo skulptor, të gjitha peshojnë në vendin e vet. Kjo shtatore duket e deformuar kokë e këmbë, dhe jep përshtypjen se është i qullosur nga uji, e jo balta. Sikur dikush që sapo ka dal nga dushi. Pamja e tij në këtë rast vërtetë është e pamëshirshme, të vjen për të qarë kurrë e sheh në këtë gjendje një hero. Jo veç që ekziston mungesa e estetikës, por larg është ana poetike, ose raporti me hapësirën që duhet të ketë çdo shtatore.
Syri im në këtë rast duket sikur vështron përmes qelqit drejt këtij subjekti, personazhi me tendencë të motivit moral, duke mos e qëlluar bile asnjë element të bukur të veprës së artit. I mungon edhe shpirti i fortë e i bukur që duhet t’ja instaloj artisti. Kjo shtatore duhet të zëvendësohet me një shtatore më profesionale kushtuar heroit Hoxha, të arrijë një rezultat që trupi i tij, fytyra, të shndërrohen në natyrë të gjallë, e jo kështu e turbulluar dhe e shëmtuar, ta besoj edhe bota se po shikon natyrën e një trimi që vërtetë dha jetën për këtë vend. Defektet anatomike e bëjnë shumë të ftohtë figurën.
Skulptura duhet të përmbajë si anën poetike ashtu edhe estetike, të jetë në lëvizje, dhe shumë e rëndësishme është pika e vëzhgimit, nga cila anë vëzhguesi pozicionohet ta shikoj veprën. Çdo skulpturë në vete përmban edhe distancën jo shumë të largët nga vëzhguesi. Por, kjo distancë duhet t’i përshtatet natyrës së vet. Nga pjesa e djathtë e shtatores, nëse pozicionohemi kah këmba, dhe prej një distance jo shumë të largët, jepet përshtypje se heroi çalon, krejt ky defekt i zgjatjes së madhe të këmbës. Skulptura është art që ndryshon nga pozita e vëzhgimit. Nëse qëndrojmë në një pikë, ne dhe shtatorja do përshkohemi nga hijet, atëherë disa pjesë të trupit dhe fytyrës nuk i vërehen, duhet theksuar mirë, në këtë rast çdo gjë është defektuoze dhe statike. Skulptura ndërron pamjen, nga mëngjesi, pasditja, muzgu dhe mbrëmja. Ndryshe ka imazh dimrit nën mjegull, ndryshe verës, andaj duhet mirë të punohet t’i rezistojë kohës. Varet edhe drita si i bie, a drejt në fytyrë apo ka pjesa e shpinës, sido që të jetë heroi shëmtohet dhe shëmtohet në këtë rast. Skulptori nuk e dijë se vepra e tij nga momenti që del në shesh ballafaqohet me dritën dhe hijet, andaj lakimet, vijat dhe lëmimet duhet të jenë shumë estetike dhe natyrale, bëhet fjalë për realizmin.
Kurrë shtatorja vihet në lëvizje, ajo tenton ta thyen statiken, në fakt është statike, por lëvizja i jepet si rrethanë dhe motiv i personazhit, në këtë rast pjesa nga koka e gjerë te beli është patetike, kurse ajo tek këmbët kaluese me defekte serioze. Skulptura çfarë është në hapësirë ajo është edhe në kohë, kurse shtatorja e Hoxhës as në hapësirë e as në kohë. Në fakt shtatoren nuk mund ta njohim nga takimi i parë, atë duhet shfletuar si libër. Në këtë rast çdo faqe është e shtrembëruar. Nga momenti i vëzhgimit, nuk do të thotë se e kemi anketuar tërë shtatoren, por rasti në fjalë nga çdo pikë e vështrimit, anët optike, gjymtyrët janë dobët të punuara.
Skulptura me figurë njeriu, konkretisht shtatorja i nënshtrohet çdo natyraliteti njerëzor. Në këtë rast duhet t’i përmbahemi asaj çfarë kishte thënë skulptori i madh Roden: “Skulptori kopjon atë çfarë shikon”, këtu bëhet fjalë për realizmin. Në këtë rast te Hoxha kemi imagjinatë, karikaturë dhe satirë.
Skulptorët po harrojnë se nëse modelohet trupi i njeriut, nuk mund t’i shmangen skulpturës greke dhe njohjes shpirtërore. Detyra më e vështirë e skulptorit është krijimi i figurës së njeriut. Këtë e kishte pohuar edhe Shopenhaueri. Shtatorja duhet të ketë baraspeshë ngaqë paraqet trup fizik të kufizuar.
Vite më parë nga aeroporti i Rinasit është hequr shtatorja kushtuar Nënë Terezës e skulptorit nga Kosova Luan Mulliqi. Në vend të saj është vendosur shtatorja e skulptori Thoma Thomait. Vepra e Mulliqit ishte shumë e nxituar, e derdhur me plotë defekte. Vepra ishte lyer me bojë antiruxho krejt kjo për t’i dhënë ndoshta edhe hi syve publikut sepse masa edhe nuk kupton mirë nga arti. Trupi i saj është shumë hollak, jep përshtypjen e shtizës, raketës, madje edhe minares së xhamisë dhe ngritët drejt qiellit. Është ndjesi jo shumë e mirë nëse ndonjë i huaji do vinte në Shqipëri dhe ta shihte në këtë mënyrë figurën e famshme të Nënë Terezës. Kjo figurë duhej të kishte ndjesinë e paqes dhe atë të krenarisë, pastaj elementi tjetër shpirtëror, as që vërehet fare.
Krijimi i imazhit modern që jep formën e raketës, e shëmton Nënë Terezën. Po, edhe sikur t’i shkonte modernia kësaj figure, fytyra duhet të jetë origjinale e humanistes, kurse fytyra ngjanë me shtatoren e Jezu Krishtit në Rio De Janeiro, përveç mjekrës që i mungon në shtatoren e Mulliqit. Trupi hollak i jezuit gati identik është me atë të Nënë Terezës, ndonëse si ndikim i tepruar dhe i qëllimshëm me tentim të kopjes. Pjesa e poshtme është anti-estetike te shtatorja e Nënë Terezës, kurse fytyra s’kishte ndonjë qëndrim të butë të humanistes. Ndjesia se ajo po e bënë lutjen universale as që vërehet, duart janë sikur të ndonjë aktori pa emocion i cili bënë aktrim tregues, ta bind në të jashtmen publikun, ana shpirtërore shumë çalon. Vetëm duart dallojnë nga ajo në Rio De Janeiro, që i ka të hapura, kurse nënë Tereza e Mulliqit i vendos në një mënyrë sikur po lutet, në të njëjtën kohë duke uruar njerëzve mirëseardhje në aeroport.
Pjesa fillesë e poshtme del nga toka tamam si raketë ose shigjetë duke u orvatur drejt qiellit. Monumentaliteti i saj në pjesën e poshtme as që vërehet, është në gjysmë të rrugës procedura e punës, kërkohet më shumë punë për tu finalizuar, dhe nuk e dijë pse shtatoret gjysmake i vendosin në sheshe publike, kjo ndoshta do ishte më mirë të rrinte në park sesa në hapësirë ku vijnë vizitor të huaj. Është deformim i humanistes dhe bëri mirë qeveria që e hoqi nga Rinasi. Dimensioni i thjeshtësisë së saj as që duket dikund, nuk e dijë përse e ngarkojnë fytyrën, duke mos kapur aspak shpirtin e saj. Nga teprimi i stilizimit dhe përpjekja drejt modernes, e humbet komplet efektin shpirtëror estetik të skulpturës. Këtu duhet të kemi shumë kujdes. Kjo është shumë statike e pa jetë s’të len fare mbresa.
As kjo e Thomait me tendenca të realizmit me pak ekspresivitet nuk është shumë e përsosur, ndonëse dukshëm më larg estetikisht nga ajo e Mulliqit. Si punë në frymën e skulpturës ka më shumë vlera. Kjo posedon një dimension nga një vështrim optik më afër, është më e vogël, dhe as kjo në përsosmëri nuk e mishëron humanisten, kjo paska duket si kërkon lëmoshë e nuk jap lëmoshë, është lypsare në këtë pozicion. As kjo nuk tregon thjeshtësinë dhe madhështinë. Gjithmonë ajo afër kishte fëmijë të braktisur të uritur, përse nuk e ngarkojnë me këtë problem, por e individualizojnë, në fund e shëmtojnë. Andaj, të vjen edhe keq për ta shikuar. Po të ishte pikturë çdo gjë të ishte më në rregull, kurse skulptura është më e kufizuar sa i përket figurave të famshme kurrë merren të punohen. Pikaso nuk i ka punuar skulpturat reale, por kurrë është fjala për figura si kjo duhet të kenë karakterin dhe ngjashmërinë.
Disi më duket si ilustrim i një plake shumë të lodhur, të rraskapitur nga vuajtjet e jetës, pa energji, anemike, e kundërta e asaj që duhej ta kishte kjo grua, energjinë hyjnore e cila vërtetë e karakterizon veprën. As e para e as e dyta nuk e kanë këtë energji. Është si degradim soc-realist i kësaj figure humaniste. Andaj, kjo e dyta është realizëm kiç, siç ishte realizmi-socialist, balsamosje e njeriut të gjallë, një imitim, gjithçka mund të jetë vetëm art jo. Nëse kërkohet të jetë e një fryme të sotme, energjia hyjnore, karakteri nuk bënë ti mjegullohen. Mos të harrojmë se kush ishte Nënë Tereza, lutjen që e bëri për njerëzit, dhe ne aspak nuk ja kthyem këtë, por po lozim duke e transformuar prishur në shtatore të dështuara.
Shtatorja e re duhet të shpërndaj, ngacmoj, ndikoj me energji shumë hyjnore. Mjafton, e përkulur, me një dritë hyjnore mbi fytyrën e saj, drejt njerëzimit gjysmak idiotë, të pamëshirshëm, kokëtrashë të cilët kurrë nuk do ta njohin shkencën e shpirtit të saj. Mjafton kostumi i bardh dhe ngjyra e kaltër.
Syzet, shallin e tij, disa ja hoqën syzet, shallin e bënë si shami, krijuan parodi, humor, satirë me bucetat që i ekspozuan për konkursin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Fytyrat qenë si mumie, anemike, pa gjak, me ballë herë të qitur jashtë, e herë të vogël, dikund edhe i shtrembëruar, nuk dihej saktë cili mund të jetë ish presidenti. Disa e paraqiten si valltarë bluzi, disa si balerinë, disa të tjerë si xhuxhë, kurrsesi t’ja qëllonin figurës. Përse ndodhi kjo? Skulptori veprën e tij e trajton si fëmijën e tij, andaj edhe kur ta krijon të shëmtuar i duket e mirë, ngaqë është pjesë e tij. Kurse ata profesionist ndjejnë ftohtësi ndaj veprës, distancë, bëhen vetëkritik, por prapë ekziston një sasi e euforitetit që i ngritë në maje bashkë me veprën e tyre. Lehtë klithet për këto buceta se janë të shëmtuara, por ta nxjerrim më të mirën më edukuesen, më origjinalen, kjo është më e vështira.
Shtatorja e Ibrahim Rugovës e vendosur në shesh të Prishtinës krahas atyre shëmtirave është e punuar më mirë. Ka lëvizje interesante, kostum prej intelektuali, ka ngjashmëri me fytyrën e tij origjinale… Ka disa veçori po them të ngjashme me shtatoren e Enver Hoxhës, pjesa e drejtë e trupit, kraharori, thyerjet e kostumit te kraharori, dora e majtë e ngritur pak në pozicion të njëjtë, vetëm se të Rugova nuk vërehet që është e lirë, por si e detyruar të jetë e ngritur, paksa e djathta e shtrirë është më e gjatë në raport me përmasat trupore që bëhen si matje te “Njeriu Vitruvian’. Shuplaka është shumë e madhe e dorës, komplet shtatorja është e madhe. E kuptoj atë krenarinë dhe shpirtin, por duhet fizikuesi të jetë brenda normales.
Është pak e dhimbshme se si t’i ngjaj një figurë që gjithmonë tentonte demokracinë një komunisti siç qe Enveri. Shtatorja komplet i ka përmasa e realizmit socialist, dhe Rugova nuk duhet t’i ketë. Ndoshta skulptori dhe kërkesat ishin që të shfaq individin patetikë, porse jo të hulumtuar në katalog ose google për dhënien e formës së trupit, sepse trupi më shumë është i Enverit sesa i Rugovës, por edhe ai i Enverit nuk qe i Enverit por kërkesë e sistemit. Andaj, kjo nxit imitimin dhe vërtetë ishte prej shtatoreve më të realizuara krahas shëmtirave.
Shtatoret e sotme përveç që duhet të jenë estetike duhet të duken edhe të vërteta, por s’po flas për hiperrealizmin. Rodeni më kot nuk thotë se karakteri e tejkalon bukurinë e skulpturës. Pjesa e syve te Rugova nuk mund të identifikohet mirë, duken si të mbyllura apo me shikim drejt tokës, por nga sytë pasqyrohet shpirti. Krahas me shtatoren e Enverit si të ngjashme, Enveri është më i plotë më i fryrë, kjo si shkak i sistemit.
Skulptori kur modelon portretin duhet ta shmang lirinë e tij, ai nuk është i lirë, ai është i kufizuar ndaj portretit që pritet të lind. Kurrë merret të krijohet një figurë e famshme, skulptori duhet të jetë arkeolog i fortë ndaj mendjes dhe informator i mirë për jetën, fizikun e portretit. Nëse nuk i respekton këto, atëherë krijon art individual dhe personal. Nëse hulumton shumë për qëndrimet, mund të ndikohet, keqkuptohet dhe të shpallet si plagjiatorë. Kurrë shtatorja arrin të krijoj bindje vizuale te shikuesit, skulptori është sfidues i vërtetë.
Në kohërat e saj, skulptura e mirë kërkon gjestin, tek ne ajo rënkon për gjestin, pastaj shprehjen e fytyrës, te ne vajton ta ketë shprehjen origjinale të fytyrës, porse edhe shikimin e zbrazët, sepse në dukje ashtu reflekton, por shpirti origjinal duhet të rezymojë mbi të gjitha gjestet, e ti kthej kah vetja krejt shikimet e botës. Këtë nuk e kemi ne, vetëm vazhdimësi e soc-realizmit dhe vetëm soc-realizëm, sikurse edhe shtatorja e Rugovës që u përjetësua pothuajse me trup të ngjashëm të Enver Hoxhës. Qëllimi i shtatores së Rugovës nuk duhet të imitojë Enverin, por të stilizojë presidentin e ndjerë, dhe të ruaj në vete shprehjen tejet domethënëse, afshin kalimtar nga koka gjerë të këmbët, vetëm kështu ajo do ta prezantonte perfeksionin që është i palëvizshëm, por vizualisht i lëvizshëm. Origjinaliteti dhe stilizimi do të kishin forcën dhe unitetin, dhe shtatorja do ishte më provokuese. Stilizimin e kemi pasur në fillim të epokave artistike dhe gjithmonë dilte në fund.