6 Shkurt, 2019 - 4:01 pm
“Së pari ata erdhën për socialistët, dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha socialist. Pastaj ata erdhën për sindikalistët dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha sindikalist. Pastaj ata erdhën për çifutët, dhe unë përsëri nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha çifut. Pastaj ata erdhën për mua, dhe nuk kishte mbetur njeri për të folur për mua.” – Martin Niemöller
Leonora Laçi
Nuk dua ata të vijnë për mua dhe prandaj fola. E do vazhdoj të flas, të shkruaj, të pakten të ndergjegjësoj ata që lexojnë, ata që qendrojnë, të arsyetoj veten pse nuk do të heshti asnjëherë
Ky artikull është rezultati i nxjerrë nga protesta e studentëve e mos protesta e të tjerëve.
Ky artikull është për ata që ngrohën karriget e kafeneve gjatë protestës së studentëve. Ky artikull është për ata që nuk folen kur erdh dita.
Ky artikull është për ata studentë që nuk e meritojnë të quhen të tillë, pasi janë thjesht ca numra që mbushin auditoret dhe do ikin ashtu siç erdhen. Do ngelin gjithë jetën numra pa vlerë.
Ky artikull është për ata që në sy të profesorëve hiqen si në krah të tyre dhe s’kanë guxim t’i dalin kundër. Por sapo dalin korridorëve ngjajnë të tjetërsuar.
Ky artikull është për ata që ankojnë për gjendjen e Shqipërisë por janë të njëjtit që i kanë dhënë të shtyrën.
Ky artikull është për studentët servilë, që për një notë kaluese shesin nder e fytyrë.
Ky artikull është për ata që flasin për parime që nuk i njohin.
Ky artikull është për ata që marrin formën që ti dëshiron t’i japësh.
Fatkeqësi! Edhe një brez i shkuar dëm i postkomunizmit.
Edhe një brez që nuk e kuptoi forcën e vetë, ku të bashkuar ishin në gjendje të lekundnin pushtete, të shkatërrojnë pushtete. Arsimimi i dobët po e shkatërron këtë shoqëri, por nuk ka gjë më shkatrrimtare se të formosh një brez pa shtyllë kurrizore. Në një shoqëri që ikja është bërë buka jonë e përditshme, vetem per ikjen diskutohet në çdo vend, diskutohen mënyrat e ikjes, mënyrat e qendrimit as që parashtrohen.
Pse nuk menduan këta njerëz se ajo diplomë që po marrin do kalbet sirtareve ?!
A nuk e dinë këta studentë se të jesh një e diplomuar në Shqipëri nuk je aspak e favorizuar, përkundrazi je e përqeshur dhe shembull për të të marrë të tjerët.
Je një dëshmi e gjallë treguese e dështimit të sistemit arsimor dhe mungesës së tregut të punës. Biles je shembull për të mos u ndjekur nga të tjerët.
Të jesh student në Shqipëri është si të thuash një barktharë që mjerë ai që diti si hyri por s’diti si të dal nga ajo “valle”.
Të jesh një e diplomuar në Shqipëri i ke humbur vetës shanset për të mësuar një zanat në kohë. Ke humbur edhe kohë!!
Të jesh e diplomuar në Shqipëri është njëlloj sikur të dështosh në një biznes dhe të jesh e mbytur në borxhe.
Të jesh e diplomuar në Shqipëri do të thotë të mos presesh asgjë nga e tashmja, përveç biletës njëdrejtimshe.
Të jesh e diplomuar në Shqipëri, e biles dhe të kesh dhe dy mastera konsiderohesh sërisht një njeri pa përvojë, një njeri që s’ke pasur se me se të merresh.
Diploma në Shqipëri nuk të çon askund, as në vendin tënd e lërë pastaj të dalësh jashtë vendi.
Diploma në Shqipëri është një bono thesari që nuk i hy kujt më në punë, ashtu siç intelekti nuk po hy më në punë për të hyrë në punë.
Është zbehur rëndësia e studentit dhe rëndësia e diplomës që ai zotëron.
A nuk iu duk e mjaftueshme kjo për të protestuar?!
A nuk është e mjaftueshme që shpesh herë intelektualin në Shqipëri e bënë ai që s’ka asnjë meritë, por ka dhe përjashtime, dhe këtu nuk po flas për ata që duheshin vlerësuar por për ata që vlerësohen çdo ditë e janë antivlera?!
Në Shqipëri të hynë në punë gjithçka tjetër përveç intelektit.
Askush s’do t’ja dijë për ndershmërinë tënde, për besnikërinë, për dijet që zotëron, për dëshiren e vullnetin për të punuar edhe kur askush s’ta ka kërkuar. Ngelesh një i diplomuar pa përvojë që askush s’ta jep mundësinë i pari.
Shqipëria nuk i do intelektualet, ata i largon çdo ditë nga vetja, i degdis nëpër botë, por ama krenohet me sukseset e tyre edhe pse ata tek e fundit ishin të përbuzur, e madje dhe sukseset e tyre nuk i erdhen nga Shqipëria por i vlerësuan të tjerët. Ne as nuk lobojmë për të mirët, as nuk i mbajmë të mirët. Tek e fundit ne as nuk protestojmë për atë çka na takon me të drejtë.
Të gjitha mekanizmat shtetërorë punojnë kundër të aftit. Të riun premtues e hedhin tutje që në gjenezë.
Prandaj përfundimisht intelekti në Shqipëri nuk të hy në punë as për të hyrë në punë… A nuk është arsyeje madhore kjo për të protestuar ?!
Atëherë hesht kur ta provosh mbi kurriz, sepse nuk fole kur të erdh dita.