22 Prill, 2020 - 7:15 pm
Nga Lum Radoniqi.
Historia e pop-kulturës është e mbushur me referenca nga filmat western dhe ata me superheronjë. Ndikimi që keto filma kanë pasur tek njerëzit ka qenë i madh. Ndërlidhja e kohëve të ndryshme kur kanë qenë të popullarizuara kanë frymëzuar dhe prekur audienca te gjeneratave të ndryshme, aq sa disa prej atyre që ishin rritur me filma western, më vonë bën filma me superheronjë.
Fjalën western shumica prej nesh mund ta kemi dëgjuar kalimthi nga bisedat e gjeneratave më të vjetra. Duket periudhë e lavdishme, që ndërthurë në vetvete kujtime te paharueshme në kinema dhe televizion, por që papritur i erdhi fundi. Në fakt filmat western prodhohen edhe sot, të menduar dhe trajtuar ndryshe nga ata të mëhershmit. Revizionizmi i tyre në fakt është temë më vete e një evoluimi të suksesshëm të një zhanri kaq te njohur. Por sot, filmat western e përjetojnë një “kthim në të ardhmen”. Ato janë të lidhura paralelisht për nga ndikimi dhe zhvillimi me një zhanër tepër të njohur sot: atë të filmave me superheronjë. Me siguri që nuk mund ta krahasojmë John Wayne-in me Robert Downey Jr, e as peisazhet e Kolorados tek “The Searchers” me pafundesinë hapësinore tek “Guardians of the Galaxy”, ama të përbashkëtat që kanë janë të tejdukshme, te ngulitura thellë në strukturën e tregimit dhe ndikimin që kanë keto filma në pop-kulturën tonë.
Zhanri western pushtoi ekranet e kinemave dhe ato televizive që nga koha kur filluan te prodhoheshin me të madhe. Në to filloi ti jipej formë heroit amerikan, një “template” që përdoret edhe në filma të tjerë të prodhuar në Hollywood. Sekuenca me aksion, performanca te shkëlqyera, muzikë dhe shumëçka tjetër. Këto filma shiheshin si argëtimi kryesor në kinema. Por pas një rrugëtimi të gjatë disadekadësh, ndikimi dhe prodhimi i tyre filloi të bie ndjeshëm, sidomos rreth mesit te viteve 70-të. Filmat fantastiko-shkencor dhe autorët e Hollywood-it të Ri erdhën si eklips që ia morrën shkëlqimin western-it. Arsyeja pse i përmenda keto fakte kanë të bëjnë me një deklaratë goxha interesante të regjisorit Steven Spielberg, i cili tha: “Filmat me superheronjë do të përfundojnë si filmat western”. Një deklaratë e tillë ngjalli shumë reagime nga komuniteti i filmbërësve të këtyre filmave, sidomos kur e merr parasysh se keto filma janë më të shikuarit, filma që thyejnë rekorde të shitjeve të biletave një muaj para se të dalin në kinema. Duket që parafytyrimi se një ditë këtyre filmave mund të ju vie fundi është i papranueshëm, keto filma janë në një maratonë ku po fitojnë dhe nuk kanë kundërshtarë fare. Por edhe filmat western të tillë ishin, e sot për ta flitet si të ishin pjesë e historisë.
Zhanri western shërbente si pasqyrim i zhvillimeve shoqërore në Amerikë, përgjatë dekadave. Duke qenë se zhanri western konsiderohet zhanri i parë në film dhe se që nga fillimi i prodhimeve të filmave amerikan, westerni ka qenë i spikatur, atëhere ka arritur që ti pasqyrojë me përpikmëri zhvillimet e brendshme sociale ne Amerikë. Ne fillim te shek. 20-të indianët paraqiteshin si njerëz të egër, njerëz pa etikë morale dhe të pacivilizuar, “savages” është fjala që nuk po i gjej përkthim adekuat. Kjo paraqitet në filma si “The Iron Horse” dhe plot filma të tjerë më pak të famshëm. Kjo ndihmoi ne krijimin e stereotipeve të indianëve në Amerikë. Aq më shumë kur këto filma ishin jashtëzakonisht të popullarizuar. Fast-forward në mesin e shekullit të 20-të, vitet e 50-ta filloi një ndryshim në pikëpamje. Filmat western filluan ti shfaqnin indianët më me simpatizëm, filmi “Broken Arrow” është shebulli më i njohur, ndërsa në televizor seriali “The Lone Ranger” paraqiste indianët dhe kaubojët si partnerë në luftimin e krimit.
Filmat me superheronjë janë të konstruktuar për të argëtuar masat. Ata janë të programuar me një formulë për shkarkim dopamine (hormon i kenaqësisë). Përgjatë filmit kemi ndertim tensioni, momente komike për ulje të tensionit, momente të trishta dhe momente muzikore të vëna me qëllim për të krijuar referenca pop-kulture që më vonë mund të monetarizohen përmes mallit që shitet si pjesë e filmit. Në fillim të këtyre filmave zakonisht antagonisti e kryen një krim të pashoq, ndoshta edhe e vret ndonjërin nga heronjtë, kjo na krijon pakënaqësi dhe dëshirë për hakmarrje, kah akti i tretë i filmit heronjtë ribashkohen dhe e mundin antagonistin duke e përmbushur dëshirën e audiencës. Krejt kjo është një formë manipulimi që kreatorët e këtyre filmave e bëjnë me audiencën. Një sërë emocionesh që ndërlidhen dhe japin rezultate të caktuara, që të gjitha të dirigjuara me kujdes nga regjisori i filmit.
Kjo na sjellë tek një e vërtetë tjetër; keto dy zhanre kanë shumë të përbashkëta. Janë më të popullarizuarit e kohës së vet. Thyejnë rekorde në kinema dhe ka seriale pafund me superheronjë në platforma televizive (The Punisher, Arrow, Daredevil, Gotham etj), njejtë sikur që kishte seriale western (Bonanza, Gunsmoke, Wagon Train etj). Dhe që të gjitha e kanë një “fanbase” besnik, në fakt ne SHBA ka panaire për adhuruesit e revistave komike, ku njerëzit vishen si personazhet dhe madje i takojnë edhe aktorët qe i sjellin këto personazhe në jetë. Si mund të paramendohet perëndimi i filmave me superheronjë? A janë fjalët e Spielberg-ut profetizëm? Një gjë është e sigurt, se ky fenomen e ka bazën e vet argumentuese.
E vërteta është se njerëzit pëlqejnë gjërat “ndryshe”. Kjo vlen edhe për arte tjera. Audiencës i pëlqen idea që të përfshihen në diçka që është risi, avant-garde. Ky është një fenomen sociologjik, ku koha luan një rol elementar në ndryshime të tilla strukturore. Dhe për më tepër, gjërat “ndryshe” marrin popullaritet të menjëhershëm. Gjëja më interesante në fakt është që ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta ringjallur zhanrin western në vitet e 90-ta. Clint Eastwood me filmin “Unforgiven” dhe Kevin Costner me “Dancing with the Wolves” janë shembujt më eklatant, por që nuk arritën sukses komercial përkundër suksesit me kritikët. Si ka mundësi që një zhanër, dikur kaq i popullarizuar, papritmas humbet ndikimin dhe nuk ka kush e zgjon nga koma në të cilën ka rënë?
Një betejë të tillë për përfaqësim në ekran e shohim edhe te filmat me superheronjë,” Wonder Woman” është filmi i parë ku personazh kryesor e ka një heroinë femër, e cila në një mënyrë e përfaqëson gruan e fortë, të pavarur dhe besnike. E njëjta vlen edhe për “Black Panther”, i cili është përfaqësimi më direkt i të gjithë afrikano-amerikanëve të cilët krenohen me trashëgiminë dhe historinë e vet. Ky hero e personifikon lavdinë dhe krenarinë e këtyre njerëzve. Historinë e popujve afrikanë që nuk e patën kurrë.
Njerëzit shohin ambiciet e veta të parealizuara në këto filma, heronjë që i duan të gjithë, aventura pa fund, dashuri pa kushte. Për sa kohë që jetojmë në shoqëri ku ka deficit të këtyre vlerave, atëher njerëzit do të përpiqen që ti gjejnë këto vlera gjetkë, shembull në atë kohë kanë qenë heronjtë e filmave western, ndërsa sot janë filmat me superheronjë. Në shumë mënyra këta personazhe i ngjajnë idoleve që adhuroheshin në mijëvjeçarin e parë. Njerëzit ia kontribuojnë fuqitë e veta këtyre idhujve dhe më pas e vendosin veten ne shërbim të tyre. Këta personazhe adhurohen pikërisht sepse njerëzit mund të bashkëndjejnë me ta. Deadpool është superhero me një sens humori por ka kancer, Iron Man është një gjeni me shumë para, por nuk ka familje, Batman poashtu njejtë, Logan është mutant por i shkatëruar nga jeta etj. Në shumë mënyra ne e shohim vetëveten te këto personazhe, e kjo është një themel që keto filma e kanë marrur nga western-ët.
Një gjë tjetër që këto dy zhanre kanë janë “elasticiteti” në trajtimin e temave. Kemi filma western si “The Dollar Triology” të Sergio Leone dhe “The Searchers” të John Ford. Të dyja western por ndryshe nga njëra-tjetra. Në anën tjetër kemi filma me superheronjë si “The Avengers” dhe “Joker”, poashtu të njëjta për nga lloji por ndryshe për nga përmbajtja.
Trashëgiminë e këtyre filmave e dimë të gjithë. Por nuk kemi se si ta parashikojmë kohën kur përfundon një cikël dhe fillon një i ri. Ajo çka na mbetet është që ta lëmë kohën ta bëjë punën e vet, ndërsa ne këto filma, ti shikojmë dhe shijojmë.