4 Prill, 2020 - 10:15 pm
Nga: Carl Bildt
Duke pasur parasysh frekuencën dhe ashpërsinë në rritje të epidemive virale, thjesht nuk ka asnjë justifikim për thellësinë e krizës së COVID-19. Të gjitha qeveritë duhet urgjentisht të bashkohen për të krijuar mekanizma dhe protokolle të reja, për të parandaluar përsëritjen e fatkeqësive të tilla.
Një kërcënim i paprecedentë, kërkon një përgjigje të pashembullt. Rrallëherë qeverive u është dashur të hyjnë në një situatë menaxhimi krizash, aq shpejt sa kanë hyrë në javët e fundit. Deri më tani, fokusi ka qenë në çështjet më të menjëhershme mjekësore, politike dhe ekonomike të ngritura nga pandemia COVID-19 – ashtu siç duhej të ndodhte. Por gradualisht, vëmendja e qeverive do të duhet të kthehet tek pasojat afatgjata të krizës, dhe nevojën për të parandaluar fatkeqësi të tilla në të ardhmen.
Ka pasur disa kërcënime të rënda globale për shëndetin në dy dekadat e fundit. Epidemitë e SARS në 2003, MERS në 2012, dhe Ebola në 2014-16 janë vetëm tre shembuj të shpërthimeve epidemike, që kërkuan një përgjigje të vazhdueshme shumëpalëshe. Çdo episod kishte karakteristikat e veta unike: SARS u shfaq në Kinë, MERS në Arabinë Saudite dhe Ebola në Afrikën Perëndimore. Por mësimet nga të tre janë të ngjashme. Epidemitë dhe shfaqja e sëmundjeve të reja bëhen më të mundshme, si rezultat i rritjes së popullsisë, urbanizimit, shpyllëzimit dhe proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes, që bëjnë bashkë shumë specie të ndryshme. Dhe zgjerimi i zinxhirëve të furnizimit global dhe tregtisë ndërkombëtare, për të mos përmendur rritjen e udhëtimeve ajrore ndërkombëtare, bëjnë që sëmundjet ngjitëse të përhapen në të gjithë botën, më shpejt se kurrë.
Vetëm në dekadën e fundit, Organizatës Botërore të Shëndetësisë i është dashur të shpallë një emergjencë shëndetësore, jo më pak se gjashtë herë. Eshtë e qartë, ne nuk kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përballuar shpërthimet e reja, me atë lloj aksioni të shpejtë dhe vendimtar, që ndoshta nuk do të kish lejuar që epidemia e koronavirusit, të dilte jashtë kontrollit.
Vlen të kujtohet se kur SARS (i cili u shkaktua gjithashtu nga një koronavirus) u shfaq në Kinën jugore në fund të vitit 2002, shpërthimi u mbulua për më shumë se një muaj, para se autoritetet kineze të pranonin seriozitetin e rrezikut. Po kështu, në ditët e para të shpërthimit të COVID-19, policia në Vuhan i bëri të heshtin me dhunë profesionistët e shëndetit, që u përpoqën t’u binin këmbanave të alarmit, dhe tubime masive publike u lejuan, edhe shumë kohë pasi rreziku i shpërthimit ishte bërë i qartë.
Sipas një studimi të kohëve të fundit, nëse autoritetet kineze do të kishin pranuar hapur kërcënimin dhe do të ishin përgjigjur siç duhet qoftë edhe tre javë më herët, përhapja e COVID-19 mund të ishte zvogëluar deri në 95%. Për shkak të pakujdesisë, injorancës dhe censurës lokale në momentin më kritik, e gjithë bota tani po paguan një çmim të madh.
Ndërsa OBSH pa dyshim ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër kërcënimeve globale për shëndetin ndër vite, ajo gjithashtu është përballur me kritika, se ka qenë tepër burokratike dhe e ngadaltë për t’iu përgjigjur këtyre krizave. Në të vërtetë, gjatë krizës së Ebolës, ishin Shtetet e Bashkuara, dhe jo OBSH, që bënë një hap përpara duke parandaluar një katastrofë më të gjerë.
Në çdo rast, edhe nëse performanca e OBSH-së kësaj here rezulton të ketë qenë e patëmetë, tashmë është e qartë se kemi nevojë për një mekanizëm shumë më të fortë global për t’u përballur me kërcënimin e pandemive. Të pengohesh nga një krizë në tjetrën thjesht nuk është opsion. COVID-19 është pandemia më e keqe që nga shpërthimi i të ashtuquajturit grip spanjoll në vitin 1918, dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se tjetra nuk do të jetë edhe më keq.
Ndër të tjera, një institucion i ri global do të duhet të ketë autoritetin dhe mjetet për të ndërhyrë sa më fort, për të ndalur një shpërthim infeksioni që në gjurmët e para. Arritja e një marrëveshjeje për një mekanizëm të tillë nuk do të jetë politikisht e lehtë; por është qartësisht e nevojshme për të parandaluar mosmarrëveshjet e vogla diplomatike, që pengojnë përpjekjet globale në përgjigjen ndaj pandemisë.
Në krizën aktuale, edhe pasi ishte e qartë se COVID-19 do të arrinte nivelin e një pandemie, Kina sërish e ka parë të arsyeshme ta pengojë Tajvanin që të jetë pjesë në diskutimet globale mbi mënyrën e reagimit. Po kështu, SHBA ka vazhduar ta dendë Iranin me sanksione, duke e bërë më të vështirë për atë qeveri që të administrojë epideminë brenda kufijve të vet.
Kjo sjellje është thjesht e papranueshme qoftë nga një perspektivë humanitare, qoftë dhe nga një pikëpamje makroekonomike. Çfarë do të ndodhte nëse virusi i radhës, nëse do të jetë shumë ngjitës, do të shfaqej në Tajvan ose Iran? Nëse ka pengesa të panevojshme që bllokojnë një përgjigje të menjëhershme, ne do të shkojmë përsëri atje ku jemi tani.
Sipas kuadrit aktuale, detyra për të raportuar kërcënime të reja ngjitëse tek autoritetet ndërkombëtare si OBSH, u takon qeverive të shteteve. Një reformë kritike, atëherë, do të ishte shtrirja e asaj detyre tek personeli mjekësor dhe i shëndetit publik në të gjitha nivelet – domethënë nga shtetet te individët. Përveç zvogëlimit të kohës që kërkon një përgjigje shumëpalëshe për të hyrë menjëherë në veprim, marrja e një “përgjegjësie universale për të raportuar” do ta bënte më të vështirë për autoritetet lokale ose kombëtare, që të fshihnin informacionin që do e konsideronin të papërshtatshëm.
Me mbylljen e kufijve të shteteve në përgjigje të krizës së COVID-19, disa po argumentojnë se tashmë epoka e globalizmit ka përfunduar. Por tendencat e rritjes së popullsisë dhe urbanizimit do të vazhdojnë, dhe viruset nuk do të fillojnë krejt papritur që të mbajnë pasaporta ose të respektojnë kufijtë kombëtarë. Vetëm në dekadën e kaluar, kërcënimet virale ndaj stabilitetit dhe prosperitetit global janë shfaqur që nga Kina, deri në Afrikë dhe Gadishullin Arabik, gjë që sugjeron se epidemia e ardhshme mund të fillojë pothuajse kudo.
Tani është koha që bota të mblidhet dhe të bjerë dakord për një sistem të ri, më efektiv të paralajmërimit dhe reagimit të hershëm. Kjo pandemi ishte e shmangshme. Nuk mund të ketë asnjë justifikim nëse ne nuk bëjmë gjithçka që kemi në dorë, tonë për të parandaluar atë të ardhshmen. / Project Syndicate – Bota.al /KultPlus.com