11 Qershor, 2018 - 11:15 pm
Muhamet Hamiti
(Fjala e plotë e Presidentit Ibrahim Rugova më poshtë, pas një shënimi hyrës për kontekstin politik të shënimit të këtij përvjetori në Kosovë në qershorin e vitit 2003)
Manifestimet kryesore për shënim të 125-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u mbajtën më 9 qershor 2003, sepse në mëngjesin e 10 qershorit Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, bashkë me shefin e UNMIK-ut Mihael Shtajner (Michael Steiner), do të udhëtonte për Bruksel për të folur para Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian për situatën aktuale në Kosovë. Kjo ndodhte në kohën kur mantra (maksima) e politikës ndërkombëtare, që s’ishte ende e gatshme të merrej me statusin e Kosovës, ishte ‘standards before status’ (standardet para statusit), një taktikë për shtyrje të procesit për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës, që parashtrohej me Rezolutën e OKB-së 1244 të miratuar më 10 qershor 1999, duke marrë parasysh Marrëveshjen e Rambujesë të shkurt/marsit 1999, që e kishin nënshkruar përfaqësuesit e Kosovës, por jo të Serbisë. Kjo Marrëveshje parashtronte “vullnetin e popullit të Kosovës”, por jo referendumin, si një nga parimet udhëheqëse për përcaktim të statusit të Kosovës.
Nën presionin ndërkombëtar për ‘standarde për statusit’, politikanët kryesorë të Kosovës, me përjashtim të Rugovës, e kanë pasë shmangur fjalën ‘pavarësi’ nga diskursi politik i asaj kohe. Këtë kërkesë kishte edhe Përfaqësuesi Special i OKB-së për Kosovën, autoriteti suprem pushtetor në Kosovë, shefi i UNMIK-ut Mihael Shtajner.
Fija themelore tematike e diskursit politik të Ibrahim Rugovës në ato vite ishte pavarësia e Kosovës. Kjo u pa edhe në takimet në Bruksel gjatë vizitës së tij të përbashkët me Shtajnerin. Deputetët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, por edhe zyrtarë të tjerë evropianë, ishin më shumë të interesuar për qëndrimet e Presidentit Rugova për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën pesë vjet pas lufte sesa për zëdhënësin e mantrës ndërkombëtare ‘standarde para statusit’, Mihael Shtajnerit. Kjo nuk i ka pasë pëlqyer fare Shtajnerit, siç e dimë ne që ishim bashkë me Presidentin Rugova në ato takime.
Me rastin e 125-vjetorit të Lidhjes Shqiptare Prizrenit, Presidenti Rugova dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit 37 personalitete të njohura nga Kosova e Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, ndërsa të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me dekoratën “Hero i Kosovës”.
Në fjalën e vet në manifestimin qendror, më 9 qershor 2003, Ibrahim Rugova e quante Lidhjen e Prizrenit “lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore”.
Përpjekjet për pavarësi nuk reshtën, thoshte ai, duke përkujtuar se më 1912 u shpall “pavarësia shqiptare”, e cila u “cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha”, që “u sanksionua edhe pas Luftës së Parë botërore, si dhe pas Luftës së Dytë botërore”. Më tej Presidenti Rugova përkujtonte: “Në vitet ’90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet”.
Presidenti Rugova nuk mbërrit ta shihte të realizuar projektin për pavarësinë e Kosovës që e kishte udhëhequr vet nga viti 1989. Presidenti Historik, ati themeltar i Republikës, ndërroi jetë më 21 janar 2006. Pavarësia e Republikës së Kosovës u shpall në Kuvend më 17 shkurt 2008.
————–
Fjala Presidentit Rugova në akademinë solemne për shënimin e 125-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit:
Prishtinë, 9 qershor 2003
Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.
Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.
Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.
Më 10 qershor të vitit 1878, u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin kombëtar, Qeverinë, sektorin diplomatik dhe forcat mbrojtëse – ushtrinë e vet.
Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.
Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejt të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.
Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin.
Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.
Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.
Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.
Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.
Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.
Në vitet ’90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.
Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.
Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 qershor të vitit ’99 Kosova u lirua.
Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.
Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.
Në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenar me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.
Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.
Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Kosovën!