28 Janar, 2018 - 11:30 am
Shkruan: Don Fatmir Koliqi
Opusi kadarean është një univers letrar origjinal. Vepra e tij ka klasicizëm e modernitet, antikitet e bashkëkohësi. Prandaj, ai që rrok lapsin për të shkruar diçka për veprën e Kadaresë, duhet të ecën doradoras me këtë gërshetim brilant të autorit, për të kapur esencën e fjalës dhe porosinë e tij.
I. Kadare ka pas vetës një opus të madh letrar, në prozë (romane, novela) e në poezi, pa përjashtuar esenë, sprovën e zhanre tjera. Megjithatë Kadare njihet më tepër si romancier i rangut botëror, që shumë kritik, vendor e të huaj, e konsiderojnë shkrimtarin më të madh shqiptar të gjallë, përfaqësuesin më brilant të kulturës dhe identitetit shqiptar në botë, duke e krahasuar me shkrimtarë të mëdhenj botëror, me Kafkën, Markuezin etj. etj. Vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë të botës, ka marrë disa çmime ndërkombëtare për letërsi dhe tani gjithë e më tepër fjala e tij po merr përmasa universale. Ai njihej prej figurave të shumta letrare si „zëri i modernitetit shqiptar dhe këngëtari i identitetit të saj të lashtë.“ (Peter Morgan)
Kadare ka shumë romane që konsiderohen kryevepra, kulme të letërsisë shqiptare, madje edhe europiane. Kritika e jonë shqiptare dhe botërore ka bërë vlerësime të shumta dhe shumica e tyre janë vlerësime pozitive. Ka pasur edhe sish që e kontestojnë veprën e tij, duke e vlerësuar si të mesme, madje edhe oportuniste, porse Kadare ka ngadhënjyer vetvetishëm para kritikëve të këtillë.
Vërehet një mangësi e lehtë e kritikës shqiptare përball veprës së Kadaresë. Romani i tij Ura me tri harqe, gati është harruar nga kritika shqiptare.[1] Ky roman sikur është sakrifikuar para romaneve „Gjenerali i ushtrisë së vdekur“, „Kronikë në gur“, „Pallati i ëndrrave“, „Prilli i thyer“, „Kush e solli Doruntinën“ e disa tjerë. Konsideroj se vepra e Kadaresë nuk lejon fragmentime, e aq më tepër kur asaj i hiqen rrënjët prej ky fillon, siç pohon edhe vet autori, të krjiohet në opusin e tij një përmasë universale për historinë e qenien shqiptare aq sa edhe mbarënjerëzore. Vepra e tij frymon si tërësi, ajo është si trup i njeriut me shumë gjymtyrë, dhe se fragmentimi i saj do të ishte krim i vërtetë e i pafalshëm.
Romani Ura me tri harqe konsiderohet themeli i shestimit të një tabloje, si të thuash të një universi kaderean – për të rrëfyer të bukurën Arbëri –, për të treguar historinë e një Shqipërie ndryshe.[2]
Ritregimi i historisë së shtrembëruar apo fuqia prozaike për shpalosjen e Shqipërisë ndryshe
Ura me tri harqe është një roman i shkurtër. I ngjan një tregimi legjendar a mitik, një kronike `ekzotike` mesjetare në Arbërinë e pastër paraaziatike; me kisha e katedrale, kuvende e famulli, murgj e ipeshkvij me arsim të lartë, kështjella e pallate, kontë e princa që ishin në marrëdhënie diplomatike me princat e mbretërit e vendeve europiane. Një Shqipëri që ecte krahpërkrah me qytetërimin europian perëndimor.
Kadare përmes kësaj proze me guxim prej shkrimtari përbirohet në botën e mesjetës tek mynxyrat, teposhtat e hershme, atje gjen shkakun e shpërfytyrimit të etnisë arbërore, e në anën tjetër, gjithashtu, në të kaluarën mesjetare guximshëm shpalos të tashmen e saj të zymtë. Rikthimi në të kaluarën apo marrja e ngjarjeve të së kaluarës mesjetare për Kadarenë është mundësi dhe çelës për të kapur njëmendësinë e të tashmes.
Personazhi kryesor në roman, Gjoni i Gjorg Ukcamës, treguesi i të vërtetave për Urën në Ujanën e Keqe, është Kadareja i fundshekullit XX dhe i ditëve tona, njëlloj misionari letrar që mëton të ritregojë të vërtetat e historisë së shqiptarëve e të Shqipërisë apo të tregojë gënjeshtrat e trilluara për Të (të sajuara nga të tjerët).
Kadare mban në ndërgjegje peshën e madhe të dishepullit nacional (që do duhej të kishte çdo letrar) dhe pakëputshëm e brenë ndërgjegjja për të treguar të vërtetën e tragjedisë të popullit të vet. Kadare tenton të ri-gjejë të vërtetën përmes procesit të ritregimit ndryshe, sepse ritregimi është akt që mundëson rishikimin për ta gjetur të vërtetën. Autori i rikthehet mesjetës për ta shpalosur të vërtetën, sepse „ai që e vë në zbatim të vërtetën ai del në dritë” (Gjn 3, 21). Pra, të pranosh të vërtetën d.m.th. ta pranosh vetveten, të mos mbetesh në terrin e injorancës, në terrënajën e trillimeve e dokrrave, por të gjesh vetveten në dritën e së vërtetë. Autori mes rreshtave na ri-thotë thënien e Mësuesit se vetëm E Vërteta do t`na shpëtojë.
I ndodhur në një tragjedi të përsëritur mesjetare, autori shkathtësisht zgjedh forma letrare, metafora e simbole, madje edhe alegori të krijuara mjeshtërisht, për të mbetur në jetë ai vet si shkrimtar dhe rrëfenjat e tija. Shkrimtari nuk guxon të vdes pa dëshmuar historinë e vërtetë apo pa treguar si gjendet e ku gjendet, si dëshmi kohe, mision esencial letrar, si dishepull i fjalës. Kjo ndërgjegje e Kadaresë shtrihet fundekrye në rreshtat e romanit Ura me tri harqe. Këtë mision ai e kryen duke tejshkuar mbi realitetin, por me fuqinë e miteve e legjendave antike shqiptare, gojëdhëna, duke krijuar metafora krejt origjinale të cilat para tij apo në kohën e tij në Gadishullin Ballaknik kishin domethënie tjetërfare e duke krijuar personazhe ndër më të kompletuar në veprën e tij madhore, e shpalos edhe aktualitetin e dhimbshëm. Po këtu Kadare ka krijuar një harmoni stilesh e mënyra të ndryshme letrare duke gërshetuar tragjedinë (murimi), groteskun (pronarët e urës dhe kontraktuesit e huaj me atë gjuhën e tyre shkarravina, veshjet e dervishëve dhe mënyra e tyre ecjes, këngët turko-osmane), dhe kulturën e lartë arbërore, shpirtin human e bujarë shqiptar mesjetar në raport me tjerët. Ky shpirt hetohet në veçanti te mikpritja e murgut ndaj të huajve, udhëpërshkruesve dhe mbledhësve të baladave.
Romani Ura me tri harqe do me na kallëxue ngjarje të kaluara, të mbështjella ndër shekuj me velin e shtrembërimeve, me kallëxime dokrra të shtira në palcën e etnisë arbërore. Përmes një legjende të hershme të ndërtimit të një Ure, autori gjen anën tjetër të historisë, anën e vërtetë dhe rrënjët e tragjedisë. Kjo bëhet edhe intenca narrative e autorit.
„Unë, murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue u kujtuem se në gluhën tonë ende s`ka gja të shkruom për urën mbi Ujanën e Keqe e, aq më keq, kur për të vazhdojnë të thurren gojëdhëna e histori të paqëna e gjithfarë dokrrash, tani që ajo mbaroi së ndërtuari, madje që u spërkat edhe dy herë me gjak, në themel e në kulm, vendosa të shkruaj kronikën e saj.“
Kur historia devijon në misionin e vet, e ngjyrosur me ideologji e oportunizma individësh e klanesh, shkrimtari duhet të ringjallë nga nëntoka të vërtetën e ndrydhur. Të gjejë mënyra ligjërimi, duke përdorur krejt derivatet e veta krijuese për të dal sheshit, sepse „vazhdojnë të thurren gojëdhëna e histori të paqëna…“ Dokrrat gjithnjë trillojnë, madje ato vazhdojnë të rriten e shtohen. Autori që në fillim të romanit shpalos vetëdijen e tij prej krijuesi të ndërgjegjshëm, për të ritreguar një pjesë të historisë arbërore kur ajo filloi të spërkatej me gjak, kjo Tokë që, në kohën kur autori e shkroi romanin, u spërkat për së dyti, në mënyrë të paimagjinueshme, krejt llahtarshëm u muros në vetvete, që Tjerët (lex. Bota) e kundronin për çudi si të (vetë)marren e Ballkanit.
Kadarenë s’e le të qetë shpirti i tij letrar me pyetjen se ku mund të jetë burimi i këtij ferri dantesk bashkëkohor. Ku filloi krejt kjo e keqe që e përcjell si nêm të bukërin Arbër?, kush e lidhi me këtënêm?, kush ai la ndjelljen e së Keqes?, që s`ka si të çlirohet nga këto pranga madje as në ditët e sotme, e që ngjajnë të errëta, të skëterrshme, plotë ankth e trishtim.
Koha kur Kadare e shkruan romanin (viti 1976/78), Shqipëria ishte e futur thellë nën kthetrat e një sistemi çnjerëzor totalitar. Kjo trysni çnjerëzore ishte prani e kapshme. Si duket autorin e kaplon dëshirimi se një Fli e dytë do të jetë e gjatë, tmerrësisht e gjatë. Shkrimtari duhet të shkruaj domosdoshmërisht kronikën e vërtetë të kësaj tragjedie si testament para popullit të vet dhe para botës. Kadare këtë e shpreh shumë qartë përmes personazhit kryesor që në fillim të romanit:„Shpejtoj ta shkruaj këtë kronikë, sepse kohët janë të vrugëta, dhe e ardhmja është errur si asnjëherë tjetër.“
Nuk ka dyshim se Kadare e sheh edhe vetën si pjesë e kësaj flije. Ai sheh kohën që zymtohej gjithnjë, e bashkë me, të zymtohej edhe shpresa se atdheu i tij do të përjetojë ringjalljen, daljen nga kllapia.
„… duhej të kthehesha në famulli, për të mbaruar kronikën time. Të kthehesha ta kryeja sa ma shpejt, sepse koha është e zishme, së shpejti mund të bjerë nata dhe të jetë vonë për gjithçka, dhe shkrimi i dëshmive të tilla mund të paguhet me kokë. …kjo kronikë, ashtu si ura vetë, mund të kërkojë fli, dhe këtu i flijuari s`ka kush të jetë veçse unë vetë, unë murgu Gjon, i biri i Gjorg Ukëcamës, që e kreva atë tue kujtuom se ndë gluhën tonë ende s`ka gja të shkruom për Urën e Ujanës së Keqë dhe gjama që po vjen, dhe en së dashunës botës sonë.“
Ashtu si e fillon romanin, duke marrë shkrimin e traditës buzukiane, po ashtu Kadare edhe e mbaron. Madje krejt zishëm, autori kujton se këndej pari përbindëshi Ura (lex. Shteti totalitar shqiptar) do të kërkojë fli. Para se murimi të përsëritej Zëri duhet lëshuar e dëshmia duhet lënë e shkruar. Nuk është e rastit se romani Ura me tri harqe fill pas daljes përjetoi kritika dhe për një kohë të gjatë gati nuk u përmend. Këto janë ato kronika që paguhen me kokë, por janë të domosdoshme për të treguar në thelb ngjarjet si dëshmi të kohës. Autori ka frikë se romanet e tija do të jenë shkas i krijimit të një komploti ndaj tij, por jo vetëm atij. Sikur në të shkuarën shqiptare, kur etërit e shkrimit shqip u martirizuan për të pastruar me gjak shkrimin shqip, ashtu edhe në ditët tona Kadare fuqishëm do të jetë pjesë e këtij martirizimi fisnik.
Kodi estetik i krijimit të personazhit
Mjeshtëria e diskursit narrativ të Kadaresë ka mundësuar edhe krijimin e kodit estetik të personazheve në roman. Personazhet e Kadaresë janë figura që përmes rrëfimit në veten e parë vetë-zbulohen. Kjo është një mjeshtri e autorit, që e ka përdorur edhe në romane tjera, madje me shumë sukses. Në mënyrë të veçantë personazhi kryesor Gjoni, murgu katolik, treguesi i ndërtimit të Urës, që konsiderohet personazhi më i kompletuar në opusin e Kadaresë, e mbanë këtë karakteristikë të vetëzbulimit që do konsiderohet kod kadarean i krijimit estetik të figurave dhe personazheve.
Gjoni është tregues e rrëfyes që vetë-vizatohet, që në tërësi mund të kapim personin e tij, nga profesioni, formimi i tij akademik, intuitën e tij diplomatike, intuitën e tij krijuese dhe narrative, deri te shpirti i tij i ndjeshëm ndaj ngjarjeve tragjike, nuhatjen e tij kulminante për erërat e reja mbi nënqiellin e Arbërit. Kadare të gjitha këto nuk i zbulon me analiza të thukëta psikologjike, por shkallë-shkallë, gjatë gjithë faqeve të romanit, dhe në fund vetvetiu krijohet pasqyra e plotë të tij shpirtërore.
Kadare mjeshtërisht i zgjedh personazhet, varësisht prej diskursit estetik e intencës narrative. Murgu, treguesi i historisë së ndërtimit të Urës, si bartësi i kallëximit, është personazh autoritativ e i pakontestueshëm i autorit. Ai është në moshë, shenjë kjo e autoritetit, pjekurisë për të dëshmuar. Murgu është i aftë e i përgatitur për të shkruar kornika.
Autori na rikujton prelatët shqiptarë të shkolluar në akademi e universitete perëndimore evropiane, që u bënë sendërtuesit dhe kultivuesit e kulturës së mirëfilltë shqiptare. Kadare është plotësisht i vetëdijshëm se murgjit katolik janë tregues së vërtetë të historisë, shkrues kronikash e dëshmitarë të pakapërcyeshëm të mesjetës, të atyre epokave e periudhave në të cilat hidhet shtrembërimi e sajohen trillime. Ky personazh e fuqizon krejt prozën e tij dhe ia mundëson edhe vetë autorit fuqinë e tregimit autoritativ e kështu edhe një rrëfenjë të vërtetë.
Një murg katolik në kohërat paraosmane ishte personalitet kyç në ecëjakërinë e shëndoshë të të qenit vetvetja, identiteti arbëror, të të qenit në rrjedhën e diplomacisë europiane të atëhershme. Në kancelarit e tyre brumosej diplomacia konstruktive e ndërkomunikimeve europiane e botërore, vuloseshin kronika e thadroheshin strategji të mbrojtjes së identitetit. Kadare te kuvendet dhe famullitë shqiptare mesjetare gjen arkivin e vërtetë shekullor të shqiptarëve. Murgu për Kadarenë është njeri i përkushtuar Zotit dhe popullit dhe përmes tij tregohet kronika e vërtetë e përkushtimit të shqiptarit ndaj Zotit dhe ndaj atdheut. Këta njerëz të mëdhenj të etnisë sonë kanë paguar me gjak shkrimin e tyre. Prandaj edhe radhiten në vargun e panumërt të martirëve të shkrimit shqip dhe historisë sonë kombëtare. Të jesh në mesin e këtyre burrave në një kohë të vrugtë, për autorin është fli, është murim në urë, sepse vetëm ashtu krijohet ura e gjallë mes të tashmes dhe asaj që do të vije – të ardhmes.
Metafora e urës dhe kufirit – topose letrare si paradigma të ligjërimit simbolik
Ismail Kadare përmes romanit Ura me tri haqe ka krijuar në mënyrë brilante dhe krejt origjinale metaforën e urës dhe kufirit si topose letrare. Metafora e urës te Kadareja krijohet krejt ndryshe, për dallim të diskursit letrar që ravijëzohej në ligjërimin e shkrimtarëve të popujve fqinjë ballkanas. Derisa popujt e Ballkanit e marrin Urën si bashkim i qytetërimeve dhe bashkim i popujve apo edhe i dy brigjeve të ndara e të kundërta, te Kadareja metafora e Urës ka ngjyrime të përbindëshit e lugatit që përpin njerëz. Ajo, ura, shndërrohet në instrument të dhunshëm dhe kërcënues për popullin shqiptar. Kjo metaforë e autorit shtrihet qartë në roman. Ura përherë ka kërkuar shqiptarë të gjallë për murim. Kjo tragjedi e vazhdueshme do të jetë një magji e keqe e shestuar përmes legjendave dhe miteve krejt me intencë imponimi padashje të futjes në shpirtin e tjetrit. Ura si metaforë e bashkimit tjetërsohet, sepse Perandoria Osmane ngrit ura jo si ofertë e bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve të shëndosha ndër-qytetëruese, por si përfituese territoresh, përkatësisht përfituese e frymës së tjetrit për ta shndërruar e shkrirë në vete tjetrin. Kadare i ka dhënë kuptim të ri simbolikës së urës apo metafora e urës ka marrë ngjyrime të reja.
Edhe metafora e kufirit që shfaqet bashkë me urën, bile – bile domosdoshëm si bazament i ndërtimit të urës, te Kadareja merr ngjyrime tjera, apo autori e krijon atë si simbol ose alegori të përleshjes, mbrojtjes, por edhe të frikës ndaj të matanshmes së panjohur.
Toka e shqiptarëve ishte dhe mbeti si udhëkryq apo vijë kufitare mes kulturave dhe qytetërimeve të mëdha perëndimore dhe lindore. Këtu kryqëzoheshin e ndaheshin këto qytetërime mbi kurrizin e popullit të vogël shqiptarë. Në kufijtë arbëror fillonte kontinenti i Europës. Kadare përmes zhanrit të romanit, në mënyrë të mrekullueshëm ka krijuar toposin e kufirit si një alegori e ndarjes, kryqëzimit, anashkalimit, tehuajsimit. Fenomeni i kufirit si i tillë kërkon ndërtimin e urave si domosdo e lidhjeve dhe në mënyrë simbolike krijohet mundësia e njohjes së tjetrit, që shfaqet me identitet tjetër matanë kufirit. Autori këtë simbolikë e alegori e paraqet në romanë si intrigë, si mashtrim dhe si mundësi e Perandorisë Osmane për futjen e padëshiruar në identitetin të tjetrit, përkatësisht shqiptarit.
I gjendur në një kohë që frymon ndryshime, autori përmes personazhit të kryemjeshtrit të urës, e shpall këtë kohë njëkohësisht si shenjë e jetës dhe vdekjes, e lindjes së një bote të re dhe vdekjes së botës së vjetër. Shqiptarët të gjendur në këtë situatë për të zgjedhur jetën apo vdekjen, situatë kjo e imponuar, e kishin vështirë të vendosnin. Autori herëpashere kujton plakjen e Bizantit, rritjen e Përbindshit Osman dhe mosgadishmërinë e princave arbëror për bashkimin e tyre për të pasur mundësinë e marrjes së vendimit të drejtë dhe shpëtimprurës të etnisë arbërore, për të mos u fundosur në stërvdekjet shekullore. Këtë gjendje të vështirë Kadare e tregon përmes këtij fragmenti botëkuptimor:
„Asgjë s`kishte ndryshuar, me prejashtim të diçkaje, që dukej e vogël, e parëndësishme… Ishte fjala për datën që ata kishin shkruar në krye të letrave. Në vend të vitit 1378, ata, sipas kalendarit islamik, dhe kjo ishte një nga kërkesat e pakta të osmanëve, kishin shkruar „hixhra 757“.
Kjo ishte vdekja e princërve arbërore, kishin zgjedhur vdekjen. Në rreshtat e romanit ndjehet zëri i Kadaresë, plotë trishtim, fikë se vendimet e tilla që u shndërruan në murim e shpalos popullin e tij të shndërruar në Urë, mbi kërbaçin e së cilës lidhen qytetërimet, vërshojnë karavanët e dy botëve e pas vetes lënë gërdi, gjak e vajtim. Trishtimi i Kadaresë kuptohet qartazi e thjesht duke e marrë që në krye të rrëfimit shkrimin e traditës buzukiane, themelet e kulturës shkrimore shqiptare dhe murgun Gjon, priftin katolik. Këtu citati i lashtë dhe emri Gjon, emër i marrë jo rastësisht, ri-zgjon përkujtimin e Gjon Buzukut e Mesharit të tij, tek i cili Libër, ne, Arbër i shprishur, duhet gjetur të vërtetën e etnikumit tonë, të vërtetën e qenies sonë. Meshari është libër që vendoset në Altar të Kishave për të qué Meshën e shenjtë, Flinë shpërblimtare të Jezu Krishtit. Për autorin Arbëria është bërë Altar i Europës, altar i qytetërimit të saj. Këtu flijohej në vazhdimësi. E ndoshta ne arbëroret kemi misionin e shpëtimtarit, ruajtjes së kulturës e qytetërimit shekullor europian para qytetërimeve tjera që mëtojnë ta gllabërojnë shpirtin kontinentit të vjetër.
Roman i identitetit
Autori përmes kësaj proze të shkurtër futet në nënvetëdijen e shpirtit të etnisë sonë shqiptare për ta nxjerrë në sipërfaqe esencën e shtrembërimit, tehuajsimit përkatësisht thelbin e gënjeshtrave moderne për shqiptarët e Shqipërinë.
Kadare romanin Ura me tre harqe e ka shkruar për të treguar identitetin e shqiptarëve. Lufta e madhe që zhvillohej në Ballkan për t`ia tjetërsuar Arbërisë identitetin, ka pasur pasoja të rënda deri më sot. Autori me vite ka ritreguar në romanet e tija këtë luftë dhe flijimet e njëpasnjëshme që janë bërë mbi popullin shqiptar.
Kohën e fundit edhe në zhanrin e eseut dhe sprovës ka qartësuar mendimin e tij duke përkufizuar përfundimisht se identiteti i shqiptarëve është europian dhe se orientalizmi i imponuar në shpirtin e shqiptarit vetëm se e ka zbehur këtë identitet, por nuk e ka rrënuar.
Gjatë romanit, në dialogët e murgut Gjon dhe balëdmbledhësit të panjohur merret në gojë legjenda e tre vëllezërve murator. Personazhi kryesor ngul këmbë se balada e murimit në urë është tipike arbërore. Kjo botë e pasur me mite antike dhe shumë këngë kreshnikësh, folklor e tradita tjera janë autoktone arbërore. Fqinjët ballkanas dhe se përfolja nëpër fiset ardhacakë të Ballkanit se kinse ato janë të të tjerëve, autorin e bëjnë që të thotë të vërtetën. Edhe pse populli shqiptar gjatë historisë nuk ju ndal tmerri, një gjendje kjo e rëndë ka bërë që të tjerët ta tkurrin në izolime e shtypje, dhe të mos ja njohin palcën e shpirtit dhe traditën e tyre, madje edhe t´ia marrin ato e t`i përvetësojnë.
[1] Nuk kam informanta për kritikën perëndimore (europiane dhe amerikane) për sa i përketë vlerësimit të këtij romani. Kohën e fundit romani “Ura me tri harqe” është përkthyer edhe në gjuhën angleze. Para disa javëve lexova në internet një intervistë të një profesori shqiptar në SHBA duke thënë se në kolegjin ku ai është ligjerues, romani në fjalë është futur si lektyrë shkollore. Ky fakt vetvetiu tregon se romani është mirëpritur dhe vlerësuar mirë dhe se kritika është në anën e tij. Për sa i përket kritikës shqiptare, tek ne, romani Ura me tri harqe nuk zë shumë hapsirë. Aty këtu tek disa kritik të letërsisë apo studiues të Kadaresë, të tillë nuk ka shumë, romani në fjalë vetëm se përmendet, herë për të gjetur ndonjë metaforë, alegori etj, e herë për të sjellë kronikën e veprimtarisë romansiere të autorit. Pse nuk është marrë në konsideratë ky roman dhe nuk zënë vendin e romanëve më më vlerë e kulminant të Kadaresë, nuk di. Noshta ende nuk është studiuar proza e Kadaresë në/si tërësi./ KultPlus.com