5 Qershor, 2019 - 9:00 pm
Nga Rejçwll Lu
E dua shumë Fejsbukun! Mendoj që është më mirë ta shpreh këtë mendim jo shum popullor tani, përpara se ligjvënësit të nxjerrin një ligj, që nuk mund ta kemi më. CEO i Fejsbukut, Mark Zuckerberg është në bangë të të akuzuarve në këto momente, bashkë me sipërmarrës të tjerë të Silicon Valley. ndërsa ne debatojmë impaktin e krijesave të tyre mbi shoqërinë tonë. Duket se këto kohë, pothuajse çdokush urren mediat sociale, ndërsa disa shkojnë aq larg sa të thonë se duhet ta heqim qafe këtë rrezik, një herë e mirë. Xhosh Holej, senatori republikan nga Misuri shkruante një editorial një javë më parë ku denonconte Fejsbukun dhe Tuiterin si “parazitë, të cilët duhet t’i zhdukim”. Miqtë e mi në Fejsbuk dhe Tuiter duartrokitën.
Si një shtëpiake me pesë fëmijë, më duhet të them se kjo tingëllon goxha e çmendur si ide. E pranoj, sigurisht, që mediat sociale na kanë sjellë disa probleme të reja stresuese. I kanë transformuar disa njerëz të mirë, në të fiksuar që kërkojnë veç vëmendje. Kërcënojnë privatësinë dhe qetësinë tonë. Por nuk mund ta heqim qafe ashtu sa hap e mbyll sytë, njerëzit pashmangshmërisht kërkojnë mënyra të reja për t’u ndërlidhur, si me njerëzit e tyre të dashur, ashtu edhe me botën. Mediat sociale e plotësojnë këtë nevojë të rëndësishme. Nuk duhet ta heqim qafe. Duhet të vazhdojmë të punojmë për ta përmirësuar, me qëllim që brezat e ardhshëm të korrin frutet, me kosto më të ulëta.
Le të fillojmë duke marrë në konsideratë ndikimin e mediave sociale në fuqinë punëtore, gjithnjë e më fluide. Mediat sociale mund të jenë një pasuri e madhe në krijimin e lidhjeve, veçanërisht për numrin gjithnjë në rritje të atyre prej nesh, që përpiqen ta bëjnë atë në ekonominë online, apo që janë de facto të përjashtuar nga pikat më tradicionale të rrjetëzimit.
Ndoshta po tregohem minimaliste, por gjithnjë më duket sikur qortimet e mediave sociale janë veçanërisht të shtuara, në mesin e meshkujve profesionalisht të suksesshëm që kanë kujdestare për fëmijët, apo gratë në shtëpi. Janë ata që mbushin vende ku shtrëngohen duart fort, vende të qytetëruara, dhe që korrin frutet unike të ndërveprimit ballë për ballë. Unë i kuptoj plotësisht! Edhe unë do të preferoja të krijoja lidhjet e mia profesionale në Klubin Kombëtar të Shtypit, në vend që të hidhja disa reshta në Tuiter e veshur me pizhama, Pajtohem plotësisht që rrjetëzimi do të ishte shumë i këndshëm, me një koktej mbi tryezë, apo një pjatë vezësh “Benedikt”. Por për mua, Klubi Kombëtar i Shtypit shtë 1100 milje larg, dhe dalja qoftë edhe për një darkë është gjë e rrallë. Unë e kam ndërtuar karrierën time të të shkruarit nga dhoma e gjumit në Minesota, duke i dhënë dorën e fundit artikujve, teksa bebet flinin në prehërin tim, ndërsa vogëlushët luanin tek këmbët e mia. Në fillim, nuk kisha lidhje gazetareske. Si do të kish qenë e mundur gjithë kjo, pa mediat sociale? Ka një përgjigje të shkurtër: Nuk do të ishte e mundur.
Sot lexoj shpesh se mediat sociale dëmtojnë demokracinë. Mund të jetë e vërtetë në disa drejtime, por ato gjithashtu e forcojnë demokracinë duke mundësuar një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që të gjejnë pika qasjeje në komunitetet profesionale.
Natyrisht, jo të gjithë kanë nevojë për mediat sociale që të zhvillohen profesionalisht. Për shumë prej nesh, është kryesisht një vend për t’u shoqëruar. Është kënaqësi, por është më shumë sesa thjesht zbavitje. Mediat sociale ndihmojnë për të shmangur efektet më të zymta të vetmisë dhe izolimit. Këto janë probleme serioze në shoqërinë tonë, gjë që mund të shpjegojë pse Fejsbuku ka më shumë se 2 miliard përdorues në botë sot.
Megjithatë, kritikët argumentojnë se mediat sociale nuk janë në të vërtetë një zgjidhje për vetminë; kjo është në fakt pjesë e problemit. Miqësitë virtuale, thonë ata, janë gërryese për jetën e shëndoshë të komunitetit, pasi janë marrëdhënie që mund të thyhen po aq lehtë sa formohen. Kur një mik në internet bëhet i mërzitshëm ose i ngjitur, ka një shpërthim nervor, ose adopton pikëpamje të dëmshme politike, ne gjithmonë mund ta bllokojmë atë person. Nuk kemi ç’bëjmë, duhet të jemi më të duruar me të afërmit, bashkëpunëtorët ose fqinjët e tjerë. Kjo mund të jetë stresuese pak, por është gjithashtu e mirë, sepse një pjesë e idesë për të patur një komunitet, është që ai të jetë aty për ty, edhe kur nuk ndihesh mirë. Është gjë e keqe nëse ndalojmë së “thyeri bukën” me fqinjët tanë, për shkak se jemi shumë të zënë duke u grindur me të huaj pa fytyrë.
Në këtë teori, Fejsbuku mund të duket si MekDonaldi i shoqërizimit njerëzor. Kur të ka kapur një uri e fortë, një pjatë me patate të skuqura mund të tingëllojnë goxha joshëse. Por, nëse ushqimi i shpejtë shndërrohet në elementin parësor të dietës tënde, mos prit të jesh njeri i shëndetshëm. Marrëdhëniet komplekse njerëzore, ashtu si karbohidratet komplekse, bëjnë shumë më tepër për ne, në terma kohëgjatë.
Por, a i mungojnë vërtetë mediave sociale, zgjedhjet e shëndetshme? Nuk është përvoja ime kjo. Pjesën më të madhe të kohës online e kaloj duke folur me mike të vjetra, motra e vëllezër, apo kushërinj. Më kujtohet një kohë kur flisja me gjyshen time vetëm një herë në vit, kur kisha ditëlindjen. Falë Fejsbukut, tani jam goxha e përditësuar për atë që ndodh në jetën e saj. Jam lidhur me miq të shkollës së mesme dhe kolegjit, dhe jam afruar më shumë me teze, xhaja dhe kushërinj. Ndoshta nuk më bën nder fakti që, më nevojitet ndihma e Mark Zuckerbergut për të qëndruar e lidhur me ata që janë gjaku im. Por, a ju thashë që kam 4 vëllezër e motra, 33 kushërinj, nëntë teze, tetë daja dhe xhaja, pesë mbesa dhe dy nipër, të gjithë të shpërndarë nëpër Amerikë dhe nëpër botë? Kush ka kohë t’u telefonojë të gjithëve? Në këtë situatë, media sociale është dhuratë nga Zoti, sepse na bën të mundur të lidhemi me njerëzit tanë, atëherë kur e kemi më të volitshme. Në këtë mënyrë, kur ritakohemi, nuk ka nevojë të shpërndajmë letra me emra për të treguar se i kujt është ai apo ajo fëmijë.
Eshtë argëtuese të imagjinoj një kohë në të ardhmen, kur mund të mbyll një ditë punë duke hequr laptopin dhe takuar miqtë në muze, në festa, apo në restorante. Do të ishte joshëse, por të bëhemi realistë. Do të ketë gjithmonë njerëz që nuk janë në gjendje të bëjnë këto lloje gjërash, rregullisht. Ne jemi kujdestarë, kemi aftësi të kufizuara, apo ndoshta jetojmë në zona rurale të izoluara. Mund të njohim dhe të pëlqejmë shumë njerëz, por ata janë atje, dhe ne jemi të detyruar të mbetemi këtu. Mund të tërhiqemi në vetminë tonë, ose mund të hyjmë në Fejsbuk. Shumica prej nesh zgjedhin Fejsbukun.
Nuk dua të mohoj problemet e mediave sociale. Mbrojtja e privatësisë është shqetësim i madh, gjë që kohët e fundit po e debatojmë në sheshet publike. Media sociale ka gjithashtu efekte toksike mbi diskursin tonë politik, duke u bërë të mundur adhuruesve të teorive konspirative që të gjejnë njëri-tjetrin. A ka mënyra për të zgjidhur këto probleme, pa u dhënë fuqi të pakufizuar teknokratëve të Silicon Valley-t? Dhe ndërkohë që flasim për këtë, çfarë mund të bëjmë për efektet sakatuese ndonjëherë, që mediat sociale kanë mbi adoleshentët tanë? E qartë pra që kemi një numër problemesh.
Le t’i zgjidhim. Mediat sociale ndonjëherë mund të ngjajnë si një mallkim, por ka një arsye përse shumica prej nesh vazhdojmë t’i përdorim. E duam Fejsbukun sepse na lidh me njerëzit që duam.
Më gjeni një “parazit” tjetër që e bën këtë gjë.
The Week – Bota.al