11 Nëntor, 2017 - 10:09 pm
Ndue Ukaj
Poeti, kompozitori dhe eseisti i njohur gjerman, Wolf Biermann, në pasthënien që i shkruan librit “Pianisti”, e kujton një bisedë prekëse me autorin, Wladyslaw Szpilmanin: “Në rini kam studiuar dy vjet muzikë në Berlin. Nuk jam në gjendje të kuptoj ç’ka bërë vaki me këta gjermanë…kanë qenë kaq shumë të dhënë pas muzikës!” Lexuesi i këtij libri, por edhe secili që ka lexuar për tmerret e Holokaustit, nuk ka sesi të mos e bëjë të njëjtën pyetje. Të mos e ketë të njëjtën dilemë. Të mos e nxjerr të njëjtin duf, dhe të mos e bëjë të njëjtën thirrje. Pas kaq vitesh, ky libër, tingëllon si të jetë shkruar për secilën kohë, për secilën gjuhë, për secilën kulturë dhe për secilën fe e qeveri.
Gjermani Wolf Biermann, i mahnitur nga figura e pianistit dhe kujtimet e tij, shkruan për këtë të mbijetuari nga pushtimi nazist gjerman në Poloni, ku “kanibalë të vërtetë ishin hitlerianët e ushqyer më së miri.” Ai e vlerëson librin, meqë “gjuha e tij është e përmbajtur dhe autori nuk e njeh urrejtjen.” Pikërisht këtu qëndron madhështia e njerëzve të mëdhenj, çfarë ishte autori i këtij libri, i cili, përkundër tmerreve dhe vuajtjeve që përjetoi, asnjëherë nuk ra në kthetrat e urrejtës dhe verbësisë mendore që shkakton ajo. Por, me një çiltërsi e thjeshtësi, e përshkroi luftën, duke na lanë një libër testament, një autobiografi, ku autori shtjellon ngjarjet në veten e parë, përshkruan luftën, atmosferën sociale e psikologjike që mbizotëronte atëkohë, mendimet dhe ndjenjat vetjake për të dhe raportet me njerëzit që e rrethonin.
Më tej, Biermann, shkruan: “Szpilmani e përshkruan Holokaustin me një prozë të kursyer e me intensitet poetik.” Këtij përkufizimi, s’mund t’i heqësh asgjë. Sepse, libri, mund të lexohet si rrëfim autentik për ngjarje reale, dhe si prozë e shkëlqyer, që të drithmon shpirtin me fuqinë artistike të rrëfimit, me përshkrimet plot detaje për qytetin, luftën, njerëzit, rrethanat politike globale. Pra, libri ka informacione të shumta, dhe ato janë të mbarështuara me stil të lartë e me kompetencë narrative të jashtëzakonshme.
Kujtimet e Szpilmanit, janë të shkruara fill pas luftës. Versioni i parë i këtij libri është botuar në vitin 1945, por siç tregon djali i tij, Andrezej Szpilman, “botimi i parë doli i sakatuar dhe i shkatërruar nga censura.” Megjithatë, shton ai, libri edhe në atë formë, “përmbushi qëllimin e vet, sepse e ndihmoi atë të çlirohej nga makthi i përjetimeve të luftës dhe i bëri të mundur rikthimin në jetën e zakonshme.”
Gjatë leximit të këtij libri, por edhe kur e kam parë filmin e bazuar te ai, jam ndalë shpeshherë, dhe e kam medituar në heshtje, sikur të isha në një tempull lutjesh-pran një altari- ku ndërgjegjja njerëzore duhet të rrëfehet.
Autori i librit, kur shpërtheu lufta, ishte pianist i njohur, dhe punonte në Radijon Polake. Ai, mrekullisht shpëtoi nga vdekja, në momentin kur një polic e njohu, dhe e shkëputi nga familja, të cilën nazistët gjermanë ia vranë. Dhe për të, aty filloi “një mundësi për të jetuar”- thotë ai vetë, por edhe një dramë dhe kalvar i vërtetë i vuajtjeve: filluan ditët e errëta, dhe një jetë me dhimbje të pafundme. Ai e përjetoi dinjitetin e nëpërkëmbur të njeriut, urrejtjen, dhe të gjitha i sfidoi gjatë viteve të luftës në Varshavë, 1939-1945- në një qytet ku thuajse në çdo rrugë, ndërtesë, shesh, ishte vizatuar fytyra e frikshme e vdekjes, dhe ku tmerret e mizoritë ishin të pranishëm kudo, sidomos në geton ku ishin vendosur hebrenjtë, që ndiqeshin nga gjermanët nazistë. Autori jetoi i fshehur, nën rrënojat e qytetit që bombardohej e digjej, i ndjekur nga gestapoja dhe SS-ja, aty ku kundërmonin kufomat e dekompozuara, pa bukë, dhe pa njeri me kënd të ndërronte ndonjë fjalë. Ai, pa e përjetoi skena makabre, por nuk u dorëzua, dhe deri në fund besoi se liria një ditë do të agonte. Vërtet, në agsholin e lirisë, ai i dha botës fytyrën e gdhendur të Luftës së Dytë Botërore, dhe trishtimin që solli ajo, nëpërmjet kujtimeve të botuara në një libër të jashtëzakonshëm. Libri pati jehonë të madhe dhe u bë film, dukë arritur suksese të jashtëzakonshëm në fushën e kinematografisë.
Kur Wladysaw Szpilmani u nda nga familja, ai e kuptoi se aty po fillonte një jetë e re: e errët, në ikje dhe vuajtje e dhimbje pafund. Ai, në shumë raste e shihte si zgjidhje vetëvrasjen, por e tërhiqte më shumë forca e jetës. Në këtë mënyrë, ai e përballoi vdekjen e familjes, dhimbjet në shpirt dhe në turp, dhe arriti t’i shijonte ditët e lirisë, për t’i shkruar këto kujtime tronditëse, që janë pasuri dhe shkollë e përhershme kundër amnezisë historike.
Përshkrimet që bënë Szpilmani, për qytetin e Varshavës, për geton ku jetonin hebrenjtë, për tmerret që kaloi familja e tij dhe ai vetë, për urinë, për kufomat, dhomat e gazit, ikjet, lëvizjet e ushtrive, janë mahnitëse dhe prekëse; janë rrëfime që e tronditin secilin lexues, dhe njëkohësisht e qesin para pyetjeve e dilemave të shumta: çfarë bënë njeriu, që ta zbutë egërsinë e kësaj bote, dhe ta bëjë atë më të mirë dhe më humane. Deri në fund të librit, lexuesi, duke vuajtur me autorin, shpeshherë nga një duf i dhimbjes e trishtimit pohon: ne nuk bëjmë asgjë për të mposhtë tiraninë, të keqen dhe egërsinë e njeriut. Por, kjo ndjenjë nihiliste, në fund të librit merr formë tjetër- mposhtet- kur shfaqet engjëlli mbrojtës i Szpilamnit, kapiteni Vilm Hosenfeld, ai i cili, ia shpëton jetën pianistit. Që këtej, në këtë histori shfaqet figura e heroit tjetër. Fragmentet e ditarit të tij, të botuara në fund të këtij libri, ndihmojnë ajrosjen e shpirtit njerëzor, sidomos atyre të prekurve nga lufta, të persekutuarëve dhe persekutorëve. Kjo pjesë e librit, është plotësim i mahnitshëm i rrëfimeve të Szpilmanit. Sepse, nëpërmjet Hosenfeldit, lexuesi e kupton se e keqja, asnjëherë nuk mund ta mposht plotësisht njeriun, dhe forcat humane, janë si kandili në errësirë, dhe gjithmonë janë përballë me hordhitë barbare, që njerëzimit i shkaktojnë errësirë, mizori, vuajte e prapambeturi. Duke ia shpëtuar jetën Spilmanit, dhe me ditarin e tij prekës, kapiteni tregon anën tjetër të rrëfimit për luftën. Këta dy heronj të vërtetë, janë dy polet e këtyre kujtimeve mbresëlënëse- janë shembuj për t’u admiruar- karaktere të forta, për të cilat gjithmonë kemi nevojë.
Ky libër i botuar atëherë kur kujtimet e luftës ishin krejtësisht të freskëta, dhe kur plagët e saj kullon gjak, lot e mërzi, përçon një mesazh tejet domethënës dhe të tejkohshëm- drite e ketharsisi. Kujtimet e Szpilmanit, nuk janë pjellë e imagjinatës së një artisti, por rrëfime e dëshmi tronditëse, me ngjarje dhe personazhe realë, që kanë jetuar në kohë të liga, kur njeriu u tkurrë deri në nivelin e kafshës.
Librin e përshkon një forcë e pathyeshme morale, që kërkon të sfidohen mizoritë, por edhe batakçinjtë që i mbrojnë ato, të cilët, siç dëshmon autori, gjinden kudo dhe në çdo kohë.
Kujtimet e trishta të hebreut pianist, janë thirrje e fuqishme e dramatike për jetë, në momente të rënda, kur vdekja ishte tregimi themelor i jetës, dhe kur për të punonin një aparaturë e tërë ushtarake, policore, spiunazhi; të sponsorizuara nga politika.
Duke i lexuar kujtimet e Szpilmanit, ne kuptojmë përplot drama njerëzore: për gruan që duke u fshehur nga ndjekjet naziste, e mbyti të birin që të mos dëgjohej duke qarë; për plakun që e hedhin nga katet e larta të një pallati në trotuar; për njeriun e uritur që hidhet mbi baltë dhe lëpinë supën në trotuar, për trafikantët që luftën e përdorin për interesa e përfitimi, për dhomat e gazit që mbytnin njerëz pa fije faji, për forcën e pakët morale që dëshmon njeriu kur ballafaqohet me situata të tilla dramatike. Por, edhe për forcën morale të atyre që janë ana e kundërt e këtij rrëfimi, ata të pathyeshmit që kërkojnë me ngulm lirinë. Dhe në krye të atyre, është autori- heroi i vërtetë – një model për çdo kohë e për çdo kulturë.
Libri, ndonëse përshkohet nga tragjikja e jetës, ai është një autobiografi që i bënë jehonë lirisë; është jehonë e njeriut të paepur për të sfiduar vdekjen, edhe në momenti kur ajo dukej se ndiqte si hija.
Për mua, ky është një libër ku dëshmohet forca e mbinatyrshme që jep liria për të duruar në emër të saj mynxyrat më të tmerrshme, në një lufte të pistë që bënë nazistët kundër hebrenjve në Varshavën e autorit.
Autobiografia “Pianisti” duket sikur është shpalim qiellor, për vobekësinë e njeriut, për tkurrjen e shpirtit njerëzor, është dëftim qiellor për barbarinë dhe katandisjen e njeriut deri në nivelin e kafshërisë; është një libër që shpalos anën më të errët të njeriut: epshin shtazarak të tij për të bërë keq. Autori, si endacak, me shijen e lirisë së humbur, pa një kordhë buke për të mbushë barkun e uritur, i fshehur nën rrënojat e një qyteti që digjej, luftoi për jetën dhe lirinë, pa e ditë nëse ajo do të agonte një ditë, dhe dielli i lirisë do ta ngrohtë trupin e tij të sakatosur.
Autori i librit “Pianisti”, derisa rrëfen kujtimet e tij për luftën, ai njëkohësisht na jep një pasqyrë totale dhe të vlefshme historike për kohën, njerëzit, politikën.
Heroi i këtij libri, më 23 shtator 1939, derisa po luante në piano, në Varshavë shpërthenin predhat, dhe atë pasdite, bombardimet gjermane shkatërruan radiostacionin e Radios Polake. Në fund të luftës, nën rrënojat e bombardimeve, atë të fshehur në papafingo, e gjen kapiteni Vilm Hosenfeld. Kapiteni ia shpëton jetën, dhe kur e kupton që hebreu ishte pianist e shti të luajë në piano. Szpilamni mrekullisht i rikthehet pianos, dhe luan “Nokturn në do diezis minor.” Dhe këtu zë fill jeta e tij e re, nën rrënojat e luftës, me tingujt e muzikës. Kështu, kjo vepër muzikore, rikthehet si himn qiellor dhe ia shpëton atij jetën.
“Pianisti” është testament i përhershëm për pathyeshmërinë e shpirtit njerëzor dhe dëshmi se e lufta për jetën duhet të bëhet deri në fund. Kundër barbarisë- së paku- për të t’i treguar njerëzimit të ligat e tij, dhe për t’i edukuar breznitë e ardhshme me ndjenja lirie, dashurie e humanizmi. Në këtë aspekt, kujtimet e Szpilmanit trokasin fort në ndërgjegjen e njerëzimit. Për më shumë, ky libër rri si një altar pran të cilit ndërgjegjja njerëzore mund të pastrohet.
Pianisti është një libër që del nga humbëtira dhe kutërbimi i kufomave të luftës, por pluskon nga një shpirt i mbushur me jetë dhe me dashuri për jetën dhe muzikën.
Autori i këtij libri përshkruan me stil dramatik mizoritë e pafundme të Luftës së Dytë Botërore, të shkatërrimit të Varashavës, dhe të vrasjes së afër gjysmë milioni hebrenjsh. Autori paraqet tablo të paharrueshme të kësaj lufte dhe të batakçinjve që në kohë të liga, dinë të bëjnë punë të pista, ashtu siç është e pistë lufta në vete.
Ky libër, me karakteristikat e veta shkrimore, i vë përballë sfidave serioze teorikët më të mirë të letërsisë. Me intensitetin artistike që përçon, ai i ngjan një rrëfimi, por libri nuk është një roman. Ai nuk është as një tregim. Nuk është as vetëm një autobiografi. Ai është diçka më shumë. Për mua, ai është një libër total në vete- do të thosha- një shpalim hyjnor për të qortuar ndërgjegjen e fjetur të njerëzimit. Dhe si i tillë, libri i vë përpara gjyqit historik, më së shumti ata që bëjnë keq, por edhe ata që rrinë të heshtur e nuk bëjnë mirë, ashtu sikurse edhe ata që nuk e ngritin zërin kur shohin sesi barbaria lëshon rrënjë në tokë.
Në fund, duhet përgëzuar përkthyesin e librit në shqip, Astrit Beqirajn, për përkthimin cilësor, që i shton vlerën këtij libri në kontekstin kulturor shqiptar.
Nëse ka shumë libra për të cilët duhet të flitet e të shkruhet vazhdimisht, “Pianisti” zë kryet e radhës. Sepse, librat e tillë janë si altar ku mund të pastrohet ndërgjegjja njerëzore nga mëkatet e shumta. Pianisti është një ndihmesë e jashtëzakonshme për ata që duan të bëjnë Mea Culpa./KultPlus.com