5 Gusht, 2019 - 11:00 am
Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës organizuan ekspozitën “Leonardo – Opera Omnia”, të kuruar nga historiani i artit prof. Antonio Paolucci dhe e prodhuar nga RAICom.
Ekspozita – e cila ka udhëtuar nëpër botë – është pjesë e një programi promovues ndërkombëtar për artin dhe edukimin e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe mbledh riprodhimet, të stampuara në kanavacë në shkallë reale dhe me rezolucion shumë të lartë të kryeveprave të Leonardo-s të ruajtura në 11 prej muzeve më të rëndësishëm në botë. Falë përpjekjeve dhe teknikës së RAI Com, studiuesit, studentët dhe të gjithë dashamirësit e artit të Rilindjes do të mund të admirojnë në të njëjtin vend dhe në një distancë të afërt pikturat gjeniale të Leonardo-s.
Në këtë ekspozitë paraqeten 17 riprodhime të 17 veprave të Leonardos, të zgjedhura me mjeshtri dhe profesionalizëm. Falë teknikave dixhitale të sofistikuara dhe përdorimit me zgjuarsi të dritave, vizitori vendoset virtualisht përpara veprës origjinale, duke përjetuar përvojën emocionale që përjetimi i kryeveprave të mëdha shkakton. Kuratori i ekspozitës, Antonio Paolucci, njihet si një prej ekspertëve më të shquar të artit ndërkombëtar. Kjo ekspozitë, së bashku me atë të krijuar vitin e kaluar mbi Caravaggio-n dhe aktivitetin e planifikuar për vitin e ardhshëm mbi Raffaello-n, rrjedh nga një reflektim mbi temën e përdorimit të kryeveprave të mjeshtërve të mëdhenj.
Në vende të ndryshme ku ka udhëtuar ekspozita janë zgjedhur imazhe të ndryshme të tablove të Leonardo Da Vinçit si imazh kryesor i ekspozitës. Kështu p.sh në Poloni në Muzeun Historik Kombëtar në Varshavë si imazh kryesor në afishe ishte përzgjedhur Zonja me ermelino për shkak se origjinali i kësaj vepre ndodhet në Muzeun e Arteve në Krakovë. Po në Shqipëri dhe në Tiranë përse kuratorët kanë vendosur si imazh kryesor pikturën e papërfunduar Kokën e një gruaje apo e njohur dhe ndryshe si Flokë prishura? A kemi të bëjmë me një zgjedhje rastësore apo se ka një lidhje historike e kulturore me Shqipërinë? Sigurisht që kur flasim për Leonardo Da Vinçin nuk mund të shpëtojmë dot pa kërkuar në nëntekstet dhe kontekstet kulturore. Vepra Koka e një gruaje me përmasa të vogla, ka qënë i varur në dhomën e gjumit të Margherita Paleologës, gruaja e Frederik Gonzagës-dukë i Mantovës. Në veprën themelore për studimin e mesjetës arbëre, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi të Gjon Muzakës, të shkruar në 1510 dhe të botuar nga mesjetaristi dhe historiani Karl Hopf në Chroniques gréco-romaines, Paris 1873,fq. 270–340, lexojmë se Angjelina Araniti , vajza e Gjergj Arianitit e martuar me Despotin serb Stefan Brankoviç pati një vajzë Maria që u martua me Boniface Paleologu III, Marquess of Montferrat. Ata patën sëbashku dy fëmijë William IX (1486-1518), i cili u bë Markez i Montferrat midis viteve 1494 dhe 1518, dhe John George(1488-1533) i cili u bë Markezi i fundit i Montferratit, midis viteve 1530 dhe 1533. William IX u martua me Anne of Alencon një fisnike franceze dhe patën sëbashku tre fëmijë, një prej të cilave ishte Margherita Paleologa në dhomën e së cilës ndodhej vepra e Leonardo Da Vinçit. Margherita Paleologa (11 gusht 1510 në Casale Monferrato – 28 dhjetor 1566 në Mantua) ishte stërmbesa e Gjergj Arianitit dhe Maria Muzakës dhe një nga zonjat fisnike më të rëndësishme të Italisë. Kësisoj mesjeta arbëre jehon sërish nëpërmjet ekspozitës së Leonardo Da Vinçit në Muzeun Historik Kombëtar. Në të gjitha veprat e tij, Leonardo da Vinçi sjell një mesazh të madh njerëzimi, duke na provokuar që, edhe sot, të mos mbetemi në sipërfaqe, por të hetojmë thellësitë e botës, të njeriut, të jetës, për t’u rritur nga pikëpamja e njerëzimit dhe të jemi të hapur ndaj të ardhmes. Portreti Koka e një gruaje i Leonardo Da Vinçit shquhet për detajet artistike të veçanta. Ajo u porosit tek Leonardo Da Vinçi në vitin 1501 nga Markezja Margherita Paleologa e martuar me Federico II Gonzaga, kryezotin e Mantovës. Në një letër të vitit 1501 Markezja i drejtohej Pietro Novallara-s nëse Leonardo Da Vinçi mund të pikturonte një Madonna për studion e saj private.
Kritiku i njohur i artit Aleksander Nagel shkroi në Katalogun “Leonardo da Vinci: anatomical drawings from the Royal Library, Windsor Castle” botuar nga The Metropolitan Museum of Art për pikturën “Madonna” se : “Sytë nuk përqendrohen në ndonjë objekt të jashtëm, dhe japin përshtypjen se do të qëndrojnë aty ku janë: ata shohin përmes filtrit të gjendjes së brendshme, në vend që të marrin përshtypje të menjëhershme nga bota e jashtme. Është qëndrimi i të qënit i pezulluar në një gjendje mendore përtej mendimit të veçantë – i pavetëdijshëm, madje, ndaj trupit të tij … këtu, një jetë e brendshme është sugjeruar nga një rend i ri i efekteve ilustruese, pa iu adresuar veprimit ose të rrëfyerit.A ka ndonjë ngjashmëri midis Margarehta Paleologës, stërmbesës dhe pikturës që varej në studion e saj? Për këtë gjë nuk mund të themi asnjë gjë të sigurtë por për aeralin tonë kulturor kjo pikturë është një shenjë një simbol i rëndësishëm i përfshirjes së aristokracisë arbëre në dukuritë më të rëndësishme kulturore të kohës. /KultPlus.com