17 Janar, 2019 - 4:30 pm
Shkruan: Marigona Krasniqi
Si sot më kujtohet dita e parë e studimeve. Meqë isha fëmija më i madh në familje, vëllëzërit dhe motrat më kishin rrethuar dhe ishin shumë entuziast për këtë rrugëtim timin.
Dhe pasiqë shtëpia jonë ishte në një fshat të largët unë duhet të zhvendosesha në kryeqytet, në Prishtinë.
Frika, kureshtja dhe dëshira më shkaktonin të përziera në stomak, por mundohesha të mbahesha mjaftë mirë.
Këtë e bëja për hatër të prindërve sepse shihja që veç kishin filluar të mërziteshin për mua.
Nuk duhej të brengoseshin pasiqë unë do të kthehesha çdo fundjavë, por nuk u vëja faj as atyre të gjorëve. Nuk ishin mësuar të më shihnin larg shtëpisë asnjëherë, bile shpesh kur bënim udhëtime unë përfundoja duke vjellur, ngaqë udhëtoja rrallë dhe më përzihej stomaku pastaj.
Gjyshja më dhuroi një qarqafë shtrati, nëna kursimet e saja kurse motra bluzen e saj të preferuar. Të gjithë po solidarizoheshin me mua dhe përveç gjërave materiale ata po e derdhnin edhe shpirtin e tyre mbi mua.
Babi kishte kohë që ndante nga të hollat e punimit të tokës për mua dhe sytë i qeshnin prej kënaqesisë. Ishte zotuar se nuk do të më linte pa të holla asnjëherë, madje po të ishte nevoja do të shiste edhe tokën vetëm që unë të merrja rrugën e dijes.
Ëndrra ime ishte të bëhesha juriste. Bile sa herë luanim si fëmijë unë mbaja një çekan afër dhe ndaja drejtësi. Kaq dija për atë kohë. Krahasuar me tipin tim të mbyllur si karakter, unë u adaptova mjaftë mirë në Prishtinë.
I mësova rrugët që më duheshin me patjetër, për të tjerat as që qaja kokën fare. Bile rrugën e stacionit e kisha mësuar nga fakulteti dhe çdo javë kisha apo nuk kisha punë në fakultet unë shkoja njëherë atje për të arritur në stacion pastaj.
Por nuk turpërohesha aspak që nuk njihja mirë rrugët, as kafet e Prishtinës.
Mësimet më ecnin mbarë dhe kjo kishte rëndësi për mua.
Në ndërkohë në vitin e tretë të studimeve unë regjistrova edhe fakultetin e dytë- edukimin.
Shoqet më shpotisnin duke më thënë se në isha e gatshme t’i mbaja dy puna.
Fillova të mësohesha me këtë ide, unë do mbaja dy puna dhe nuk guxoja as të lodhesha.
Por, në fakt unë kisha mashtruar vetën dhe psiqikën time.
Isha “mashtruar” pas notave të mira duke harruar që po jetoja në Kosovë. Tani ka dy vite që kam mbaruar edhe masterin e juridikut dhe fakultetin e edukimit por nuk gjej punë dot.
Qëndrova edhe ca muaj të tjerë në Prishtinë me shpresën që do gjej punë më lehtë por një gjë e tillë nuk u realizua dot, as sot kur kanë kaluar dy vite. Sa e rëndë ishte dita kur u ktheva duar bosh në shtëpi. Më vinte turp t’a shikoja familjen time në sy, anipse faji nuk ishte tek unë.
E telefonova babin dhe i thash: “Po kthehem në shtëpi me dy diploma, nuk më mjaftuan për një punë..!”
Punën ndoshta do e fitoja po të bëhesha servile e ndonjë partie politike, do e fitoja punën edhe duke ngrënë darka me “të lartit” e duke u bërë lodra e çdokujt.
Ama unë zgjodha rrugën e dijes.
Zgjodha rrugën e cila nuk do e zbehte asnjëherë atë shkëlqim në sytë e babit tim, as nuk do i njolloste kursimet e nënës.
Zgjodha të shtrijë një ndergjegjie të qetë në qarqafin e gjyshes e të vishja bluzen e motrës në një trup të pastër.
Unë nuk zbrapsem asesi, një ditarë dhe një çekan në kokë më rri.
Anipse dy diploma nuk mjaftuan për një punë, unë po kthehem në shtëpi e pa turpëruar.
Po kthehem në shtëpi për mbledhur energji të reja e për t’u kthyer më e fuqishme në Prishtinë.
Unë nuk u dorëzova, mos u dorëzo as ti.
Eja me dije të triumojmë, karshi hijenave që na rrethojnë..!