16 Mars, 2019 - 8:42 pm
Uran Haxha
Data ishte shtatë. Muaji mars, pikërisht koha kur fillon puna në ndërtimtari dhe dimri ka kaluar. Rroga ende nuk i ka dalë në bankë, e as pjesën tjetër që e merr kesh nuk e ka marrë. Frustrimin për shefin s’ka ku ta shfryjë sepse atë nuk e sheh fare. Megjithatë, duhet të punojë se ka pesë fëmijë që duhet të mbushin barkun.
Zgjohet në ora 5 të mëngjesit, kur ndoshta shefi i tij kthehet në shtëpi nga ndejat. Familjen e lë në gjumë. Atë ditë i shkëmbeu ca fjalë me gruan në mëngjes. U nis te shitorja e katundit. Aty është vendi ku bashkë me kolegët tjerë bëhen gati të hipin në kombibusin që ka 8 ulëse, por aty duhet të ulen 12 persona. Nga fshati i tij e deri në kryeqendër kokën ngjitur për dritare të kombibusit ia lëvizin gropat të cilave djali i vëllait të shefit nuk mund t’iu ikën kur i vozitë për në punishte. Atje ku do ta kalojnë ditën.
Kur kalon kah qyteti i Fushë Kosovës, tip paralagje e Prishtinës, s’mund të shmang shikimin në të djathtë. 100 metra përtej rrethit të famshëm. Ndërtesa e gjelbër. Kati i gjashtë. Aty për pak kishte humbur jetën teksa punonte. Ishte fati i tij që krejt afër i kishte qëlluar një koleg e shok, që e kishte kapur për dore. Ndoshta aty kishte qenë hera e vetme kur ia kishte parë hairin mos-veshjes së dorezave të punës, pasi mendonte se do t’i rrëshqisnin në dorën e kolegut të tij.
Futen rrugëve të Prishtinës. Ora ka prekur 6:30. Vetëm sa kanë nisur të lëvizin makinat. Krah për krah sikur “sardinat në konservë” brenda kombit qëndrojnë pa lëvizur. S’flet kush me gojë në atë mëngjes. Ngjitur ka një 19-vjeçar, po ashtu i fshatit të tij. Punëtor i ri, i mirë, që dëshiron të japë maksimumin sepse tutet se mos nuk po e marrin më në punë. Ecin kah Stacioni i Autobusëve, ngjiten lart kah Termokos-i, nëpër rrethin e ashtuquajtur “Te Flamuri”, në drejtim të QKUK-së për të shkuar në Lagjen e Spitalit. Kah QKUK-ja kishte kthyer kokën dhe ia kishte ngulitur sytë. Dy-tri herë kishte përfunduar aty duke dërguar shokët që lëndoheshin në punë.
Hyjnë nëpër rrugën “Muharrem Fejza” të lagjes “Mati 1”, ku shumë prej atyre që lëviznin në ato orë të hershme të mëngjesit potencialisht jetojnë dhe bëjnë gjumë në banesat që njerëzit brenda atij kombibusi i kishin ndërtuar. S’vonojnë shumë dhe gjenden në kantierin e ndërtimit, n’i thënçin i tillë. Rrethoja s’ka, skele ka vetëm në tri katet e para, sepse ashtu ishte dashur të bëheshin atë kohë për t’ia treguar inspektorëve, vend për zhveshje hiç se hiç apo edhe më pak një vend ku mund të pinë së paku një kafe a çaj për t’ia filluar ditës.
Puna po bëhej në katin gjashtë, duke llogaritur edhe përdhesën. Do të bëjnë gati shtyllat që të betonohen të nesërmen. I kërcitën gishtat, dikush prej më të vjetërve drodhi pak duhan, e prej më të rinjve e nxorën nga paqeta e kuqe e atij llojit të lirë të duhanit, që kundërmon në qindra metra. Lidhin rripat, ku varen mjetet e punës dhe ngjiten përpjetë shkallëve. Njëri prej tyre zgjatë kokën të shohë se mos i kanë sjellë në kantier, në “çyshkin e aleteve”, helmetat. Të tjerë presin nga ai përgjigje. Ai veç me kokë tregon se helmeta nuk ka, edhepse dje u ishte thënë që do t’i kenë aty.
Askush s’fliste me gojë ende. Aty kah ora 7:00 kërcet goditja parë e çekanit. Dy më të rinjtë heqin gozhdat dhe gërryejnë ndonjë mbetje më të madhe të betonit nga dërrasat që krijojnë kallëpin e shtyllave. Dy të tjerë poshtë lakojnë armaturën, kurse tjerët lidhin. Në lagje fillojnë lëvizjet. Disa shikojnë në katin e gjashtë teksa nxitojnë këmbët për në punët e tyre. Çekanët fillojnë edhe në një ndërtesë tjetër përballë. Kështu e gjithë paraditja shkon duke lidhur armaturën në shtyllat që do mbajnë katin e shtatë përmbi. Diku në ora 11:00 është koha kur shkojnë në një gjelltore aty afër të ushqehen. Kanë tri zgjedhje. Mund të marrin pasul, gullash apo këto dyja të kombinuara mes vete. Kjo e fundit merret më së shumti prej tyre. Aty hapen paksa, qeshin, flasin, ushqehen me shumë bukë e pak mish, më pas i kthejnë barkut edhe ca çaj rusi. Lajnë duart dhe nisen në këmbë me cigare në dorë për në punishte.
Koha ishte e nxehtë, një rreze dielli i ngrohte në këtë pranverë të hershme, pas një dimri bukur të ashpër. U ngjitën lartë përsëri. Armatura gati ishte kryer, kështu që filluan të fiksonin dërrasat e pastruara nga dy të rinjtë. Kryepunëtori u tha së pari të kryejnë ato shtylla që janë nëpër skaje të objektit. Aty ku kishte ballkon afër, ishte më lehtë. Aty ku s’kishte, vendosnin nga dy trarë më të fortë, të lidhur mirë. Më pas dërrasa përmbi dhe mund të dilnin në anën tjetër, ANËN E VDEKJES. Aty fiksonin fortë dërrasat.
Shtylla e parë u krye, e dyta po, tek më pas te njëra shtyllë në skaj, me çekan në dorë shkonte 19-vjeçari, çekan të cilin e kishte pasur në krah përgjatë gjithë rrugës.
“Hej, mos u mërdhez aty shpejt, kadal e kujdes”, i kishte bërtitur nga cepi tjetër i objektit bashkëpunëtori i tij më i mëshuar, e ai djalë mendjeri, i ishte kthyer “ihaaa bre bac, mos m’thuj me ec asfaltit se për qësi sene jemi bo t’fortë”. Ca qeshje e kishin përcjellë pas këtyre fjalëve.
Po punonte mu aty ku kishte gozhduar anën që kishte afër. Duke e zgjatur krahun në tërësi e mbërrinte edhe anën tjetër. Ashtu edhe filloi. Bum-bam, bum-bam, bum-bam gozhdoi së pari pozicionin lartë. Më pas u ul në ato dërrasa dhe gozhdonte pozicionin poshtë. Kur ishte ulur, rripi i mjeteve të punës i ishte kapur fortë pas një copëze të dërrasës bashkë në gozhdë, që kishte mbetur në pllakë. Ai, gozhdoi të gjitha. Kur kishte marrë të ngrihej, rripi i ngjitur fortë ia humbet ekuilibrin dhe nën një britmë të madhe përfundoi nga kati i gjashtë në rrugicën e vogël të shtruar me kubëza.
“O kukuu raaa, raaaa, o ngani se shkoj bre pasha Zotin”, i tmerruar bërtiti i pari, të tjerët shpejt teposhtë. Kur shkuan, e vetmja gjë që mund të bënin ishte që t’ia mbulonin trupin. S’shkoi shumë kohë dhe aty u mbush me njerëz. Erdhën të gjithë, me policë, me ambulancë, inspektorë, drejtorë, gazetarë e gjithçka.
Shokët e tij qanin në këmbë. Vetëm ai që i tha “mos u mërdhez” ishte ulur në një bllok të bardhë në një skaj të objektit. Bërrylat i kishte mbështetur mbi gjunjë dhe pikonte lot. Në telefon s’vonoi dhe e thirri gruan e tij.
“A pe sheh që nuk gabova n’sabah kur të thash që po shkoj n’punë me dekë”.
Kjo është një ngjarje e gërshetuar mes trillit dhe të vërtetës, që pasqyron në një përqindje të lartë punën e punëtorëve të ndërtimit në Kosovë. Kështu dhe në forma tjera vetëm gjatë vitit 2018 kanë vdekur 24 persona në Kosovë. E në vitin 2019, sot është shënuar vdekja e dytë. / KultPlus.com