7 Janar, 2019 - 2:19 pm
Nga Elson Berisha
Në rrjetet sociale tashmë është bërë modë të shfaqesh në zi, nëse ka ndërruar jetë një familjar, një mik apo ndonjë fatkeqësi globale apo lokale.
Më qindra komente, pëlqime dhe shpërndarje. Të ngushëllojnë, përmes një komenti, madje dikush e dikush shkruan ndonjë poezi të bukur apo thënie. Po ka edhe aso qenie njerëzore që janë në gara me njeri-tjetrin se kush po ja kalon me komente ma të bukura, ma domethënëse, ma ngushëlluese apo të duket sa më intelektual para të tjerëve komentues. Tashmë është bërë kjo një „kulturë virtuale“, po s’ja shëndoshe kryet online, i ngelë hatri dhe është marre.
Qenia njerëzore është sociale, këtë e kemi ne thellë në gjenet tona. Dhe ne mundohemi me ndje dhembjen e një miku ndërmjet rrjeteve sociale për ta mbështetur. Po më lejoni t‘a theksoj, po nëse do isha aq i mërzitur për personin që ka ndërruar jetë, ku gjejë unë kohë për të postuar në rrjete sociale?! Apo prej mërzis së madhe t‘ia kthej të gjitha ato komente secilit prej atyre që më kanë ngushëllu. Madje është edhe një fenomen shumë kontroversë, në mëngjes e postojnë fotografinë e të ndjerit, në mbrëmje postojnë tjetër fotografi duke darkur me miq.
Të tjerët e ndërrojnë fotografinë e tyre në profil, duke postuar një fotografi të zezë, nuk ju mjafton që të postojnë një fotografi të të ndjerit dhe të marrin komente dhe pëlqime po duhet patjetër me tregu dhembjen edhe përmes asaj fotografie të zezë. Tashmë është bërë obligative ta bëjmë këtë gjë. Po se bëre nuk je tu mërzit. Po si mund ta dini se si e ndjen një njeri vetën brenda, a është i mërzitur apo jo, a vetëm që nuk e ndan dhembjen e tij në rrjete sociale për ju ai nuk është mërzitur? A nuk është mënyra më e mirë dhe private, të heqësh mërzinë në heshtje dhe në mënyrë adekuate si është tradita. Janë edhe ata tjerët që pas një jave, një muaji ose pas 40 dite patjetër e marrin obligim të postojnë sa i mungon i dashuri i ndjerë.
Nuk dua t’i stigmatizoj të gjithë ata që e bëjnë këtë, është dhembje nëse një person i dashur humb jetën, sidomos një i ri apo fëmijë po kjo nuk është arsyeja t’i bëni këto veprime jo “aq” të qëlluara.
Në rrjetet sociale shndërrohet i ndjeri në një patriot dhe atdhetar të madh dhe sa gjëra të mëdha ka bërë për vendin e vet. Lexon çdo lloj gjëra për të vdekurin, sa e pyet vetën, po aq budalla paskam qenë deri më tani që se kam ditë se çfarë njeriu i madh dhe i mençur paska qenë ky i ndjeri.
Njëkohësisht shkruajnë edhe ata që janë mërzitur aq shumë për të ndjerin, se nëse e kanë parë në rrugë sa ka qenë mes nesh, si kanë fol me të, sa e kanë respektu ose tregojnë që me vite nuk kanë hyre mes vete në shtëpi, po patjetër duhet me shkru diçka rreth kësaj çështje në rrjetet sociale. A nuk janë këta lot të krokodilit?
Përfundimisht, çdo njeri e ka të drejtën ta shpreh dhembjen e tij në mënyrën e vet, por nuk e ka të drejtën ta shndërrojë vdekjen e një personi, në një makineri pëlqimesh, komenteve dhe shpërndarje, për ta ngritur egon e vet “virtual” dhe të mburret se sa shumë reagime ka pas në fb, nën hijen e të shkuarit në amshim.
Megjithatë, mediat sociale kanë një gjë të mirë që shërbejnë si platformë informative dhe duhet të qëndrojë në atë mënyrë vetëm për informacion.
Lëreni të vdekurit të gjejnë paqen e tyre të vërtetë! /KultPlus.com