29 Korrik, 2023 - 10:30 am
Albanika Ymeri
Vepra ‘Pavdekësia’ e Kunderës, e cila numëron shtatë pjesë (të ndara edhe këto në ese që kanë karakter filozofik) fikson gjurmët e realitet të kohës së tashme, e një kohe përplot egoizëm në të cilën mbizotëron spektakli i aparencës, ndërkaq janë mënjanuar idealet dhe vlerat.
Duke u nisur që nga titulli i veprës mund të themi se gjendemi përballë një paradoksi, i cili fuqizohet edhe më shumë me vazhdimin e rrëfimit që e hasim në roman. Kjo botë paradoksale nuk ka të bëje me kuptimin religjioz, me jetën e përtejme, me pavdekësinë e cila rrjedh pas vdekjes, por me pavdekësinë derisa jemi gjallë.
Me këtë modalitet paradoksal, ne futemi në premisat fillestare për poetikën e postmodernitetit. Poetikë që përveç paradoksit si element veçues, ka edhe elementet e tjera siç janë: ironia, intertekstualiteti, intermedialiteti, eks-centrikja, double codingun, fenomenin e poioumenonit.
Për postmodernistët e tashmja vjen si dukuri e së kaluarës, prandaj, për ta kritikuar të tashmen ata e rivizitojnë të kaluarën përmes ironisë. Dhe, ironia te Pavdekësia, zë një hapësirë të madhe, madje, mund të themi se ajo zë shtrihet në tërë faqet e kësaj vepre.
Si situata të veçanta ironike do të theksoja historinë e Gëtes me Betinen, e në veçanti pjesën kur Gëte habitet me interesimin e spektatorëve në teatër, pasi ata më shumë interesohen për jetën e tij, se sa për shfaqjen. Ironia, si figurë qendrore e rrëfimit shfaqet edhe në bisedat ironike të Gëtes me Heminguein që zhvillohen në përjetësi, pastaj notat ironike shpalosen edhe në jetën e zbrazët të Laurës.
Kjo perspektivë ironike e realitetit vë në pah dy linjat narrative të veprës. Dy linja që ecin paralelisht, por kanë funksion të ndryshëm narrativ. Njëra linjë përfaqësohet nga Anjeza, protagonistja e veprës, e cila preokupohet me mendime të mëdha filozofike, që kanë të bëjnë me jetën, familjen, shoqërinë dhe realitetin dhe vet ekzistencën e njeriut.
Në anën tjetër Betina dhe Laura, motra e Anjezës, janë figurat kryesore të imagologjisë. Ato çdo gjë bëjnë për t’u dukur, për të fituar pavdekësinë përmes servilizmit ndaj të tjerëve. Thënë me terma posmodernist imagologjia është bërë ideologji e jetës dhe e epokës sonë.
Në këtë kontekst mund të themi, se qendra “vlera”, “qenia”, “ideali”, “esenca” janë margjinalizuar, kurse eks-centrikja “imazhi”, apo “aparenca”, janë qendërzuar.
Prandaj, mund të shtojmë se personazhet e Kunderës, nuk janë vetëm përfaqësues të personave, por ata janë zbërthyes të një loje postmoderne narrative, që zbulohet përmes leximit të cilësive dhe esencës së karaktereve.
Kështu Anjeza e esencializon ekstremisht vlerën, andaj vetëm kur vdes (jo sa ishte gjallë) i shohim një buzëqeshje në fytyrë, sepse vetëm atëherë nuk do të rreket më pas dramave të ekzistencializmit. Kurse, Laura, Betina e Poli, janë karaktere tipike imagologjike të kohës sonë, që nuk preokupohen shumë rreth jetës së tyre apo të të tjerëve.
Si veçori tjera posmoderniste, janë intertekstualiteti dhe intermedialiteti. Intertekstualiteti zbulon praninë e teksteve të tjera, të cilat autori i ka futur brenda veprës së tij. Si p.sh. vërejmë pozitë e Gëtes, të Rembos, të teksteve të tjera të vetë autorit, pjesë të Dostojevskit, Tolstoit, Stendalit, Horacit, Aristotelit, etj. Kurse te intermedialiteti gërshetohen letërsia me muzikën, pikturën, me filozofinë e psikoanalizën.
Kurse, si veçori tjetër postmoderne është edhe Double Codingu, term që na tregon për dy lloje lexuesish: atë naiv dhe semiotik.
Lexuesi i parë do të mjaftohet me historintë e pakënaqësive jetësore të një gruaje, siç ishte jeta e palumtur Anjezës. Apo me rrëfimet e dashurisë, kinse të vërtetë të Betines, etj.
Kurse modeli i lexuesit semiotik deshifron çdo element përbërës të veprës, për ta hetuar kështu rrjetin e referencave të strukturuar brenda të këtij teksti, fenomenin e poioumenon-it, stilin brikolar dhe rolin aktiv të lexuesit. Thënë ndryshe, shkrimtarët postmodernistë, ashtu edhe Kundera, preferojnë lexuesin semiotik, por argëtojnë lexuesin semantik, apo naiv.
Jo më pak i rëndësishëm edhe fenomeni i poioumenon-it, i cili tregon për mënyrën e procesit krijues, dukuri të cilën e hasim që nga fillimi i veprës. Autori tregon e se si lind ideja e krijimit të një vepre letrare qoftë edhe nga një gjest i një gruaje, siç ishte në rastin tonë.
Pastaj, pohon se vepra letrare duhet të ketë premisën e dykuptimësisë, se nuk e favorizon tensionin dramatik por preferon bashkëbisedimin me lexuesin.
Pra, përmes këtij fenomeni bëhet shpjegimi nga ana e autorit rreth procesit krijues të një vepre letrare.
Me këtë rast, secili lexues do të zbulojë një temë të re, që shtjellohet deri në faqet e fundit të romanit e që është proza, përkatësisht procesi i krijimit prozaik.
Për fund, mund të themi se Kundera, është mjeshtër i madh i orkestrimit të diskurseve, në të cilat nuk ka tension, por çdo gjë zhvillohet dhe ndryshon formë gjatë rrëfimit. E rëndësishme është të përmendim se vepra nuk ka fund aperativ, por definitiv, gjë që të cilën nuk e preferon poetika posmoderne./ KultPlus.com