8 Dhjetor, 2020 - 9:00 pm
Bledi Mane
Orën e dytë të leksionit e kishim me një pedagog të ri, quhej Ermal Hasimja. Më tepër sesa subjekti për “Etikën në Media” na tregonte e mburrej se kishte studiuar në Francë dhe ne studentët e Tiranës nuk kishim lidhje aspak me studentët francezë. I ulur andej nga bangat e fundit, më i gjati dhe më kurajozi në atë auditor, unë nuk durova dot më dhe fillova të debatoja me lektorin e ri për ta hullizuar të vazhdonte leksionin e jo të dëgjonim broçkulla tek mburrej e mburrej si adoleshent në atë fakultet universitar shqiptar diku në periferinë lindore të rrugës së Elbasanit. I pafuqishëm të debatonte, Ermali nuk hezitoi të telefononte policinë dhe duke pritur të gjithë pa lëvizur, në oborrin e fakultetit ia behu një furgon i madh blu me pesë policë plus një shofer i veshur polic. Pasi bënë formalitetet e duhura, pasi nuk kuptonin se nuk ishte një vepër kriminale por një debat formal mes nje pedagogu e një studenti, të pesë policët më tërhoqën zvarrë deri poshtë te furgoni që priste. Më ngjeshën brenda dhe pasi ndezën sirenën u nisëm bashkë drejt Rajonit Numër
1. Brenda furgonit ndiehej era thartirë, hurdhër e përzjerë me raki, tym duhani, sharje, ofendime dhe tek më zbrisnin në oborrin e Rajonit shquaja se pesë policët veç këmishave me njolla vaji kishin edhe barkun njëri më të kërcyer se tjetri. Nuk e harroj kurrë atë skenë groteske, ishte prill i vitit 2005…1./
-Tre sandwichët e tu kushtojnë 12 mijë lekë!Kaq më tha shitësja e një fastfood-i afër Librit Universitar në Tiranë e teksa priste lekët e mia, Fabjoli shoku im në krah i kërkoi kuponin tatimor. E zverdhur porsi mustardë nga ora e vonë e natës dhe nga përgjigjia që nuk dinte ta konkretizonte, shitësja njoftoi pronarin që paskësh qenë aty, pronari filloi garipllëkun duke na kërcënuar të paguanim lekët e të merrnim ushqimin e pasi ndeshi në kundërshtim të tre klientëve, telefonoi policinë e cila nuk vonoi. Formalitetet dihen në këto raste. Më llafazani, pra unë, merrem në makinën e tyre dhe nisem drejt Rajonit Numër
2. Gjatë rrugës nxorra telefonin, thirra ministrin Saimir Tahiri e më besoni teksa bisedoja me të, tre policët skeptikë filluan refrenin e vjetër me fyerje, sharje, kërcënime. Nuk besonin se po komunikoja me minsitrin e tyre atë orë të vonë dhe teksa frenuan makinën por jo sirenat në oborrin ballor të rajonit, vazhduan me formalitetet tashmë të njohura të policisë shqiptare. Nuk gabohem por besoj ka qenë mars i vitit 2016. Policët ishin të rinj, nuk kishin bark, nuk kishin njolla vaji në uniformat e tyre por sjellja mbetej e njëjtë…
3./Të vishesh polic sot në Shqipëri duhet të plotësosh kushte rigoroze. Nuk të duhet inteligjenca, nuk të duhet as testi psikologjik e fizik. Nuk të duhet as komunikimi njerëzor dhe as kurajo përballë krimit. Sot mjafton të jesh militant partie, mjafton të jesh tropojan, skraparlli ose tepelenas e mos ngurro të ngjeshësh kapelen mbi kokë dhe pistoletën në brez.Nuk na duhet policia profesioniste, na duhet polici politike ose krahiniste.Tradita vazhdon!/ KultPlus.com