20 Prill, 2020 - 8:50 pm
Shkruan: Arben I. Kastrati
Karakteristikë e popujve të vegjël, është mburrja, pa arsye. Popujt e vegjël, mburren nga kompleksi që rrojnë vetëm sa për të dëshmuar ndodhitë. Sepse nuk mbahet mend t’i kenë sjellur të mira njerëzimit.
Kur i dëgjon shqiptarët të flasin, që do të thotë të mburren (sepse ne nuk flasim, vetëm mburremi), të krijohet përshtypja se jemi epiqendra e botës. Ne rritemi me dëftime se jemi një popull i vecantë, besnik, trim, bujar etj, dhe bëhemi besimtarë të mësimeve të gënjeshtërta.
Mosdija e tepërt që na karakterizon, na bënë të besojmë që jemi populli më intelegjent dhe më i ndritur në botë, ndërsa jetojmë të poshtëruar. Të mbytur nga varfëria, ne tallemi me intelegjencën dhe paaftësinë që i karakterizon (sipas besimit shqiptar) kombet e mëdha dhe të suksesshme të botës, që rrojnë dinjitetshëm. Kombe të cilat, (ne besojmë), e kanë vënë vendin tonë në listën e prioriteteve, për ta trajtuar.
Për shkak të mungesës së qytetarisë, ne nuk protestojmë kundër dëmeve të përditshme që na shkaktohen, por e pranojmë poshtrimin me lehtësi të papërballueshme. Mungesa e protestës, e arsyeton mënyrën tonë të jetesës. Që kur zgjohemi, qajmë për mënyrën poshtruese të jetës që bëjmë, ankohemi për keqbërjet institucionale, i japim zgjidhje politikës globale, tallemi me nivelin e intelegjencës së popujve të suksesshëm, ikjen e shohim zgjidhje, mburremi me dështimet tona, krenohemi me injorimin që i bëjmë suksesit të tjetrit, vetlavdërohemi dhe flejmë.
Vetlavdërohemi që jemi të papunë, vetlavdërohemi kur jemi protagonist të lëndëve gjyqësore, vetlavdërohemi kur presim në rradhë të gjata për t’i mar ndihmat sociale, vetlavdërohemi gjatë përjetimit të peripetive për të shkuar në Europë përmes rrugëve ilegale…
Ne i respektojmë vetëm politikanët që janë në pushtet, pavarësisht nivelit, dijes dhe intelegjencës me të cilin karakterizohen. Mjaftojnë të jenë në pushtet, që ta kenë respektin e tepruar, kushdo qofshin ata. Ne injorojmë cdo kë dhe cdo gjë, përpos interesit. Ne zgjedhim të kequdhëhiqemi me votën tonë, qëllimshëm, sepse besojmë që kequdhëheqja na mundëson të na bëjë të pasur. Mënyrë jetese e kemi zgjedhur patetizmin patriotik dhe servilizmit politik.
Sikur dhe Zoti të vinte dhe të zbriste në Prishtinë dhe të bënte një xhiro në Sheshin Nëna Tereze, paralelisht me një politikan shqiptar, nuk do ta përshëndeste askush. Shqiptarët nuk e shohin Zotin si shpëtimtarë, por e shohin politikanin. Është politikani, ai që e pamundëson ikjen. Nga ëndërrimtarët e shumtë që bëjnë xhiro të përditshme zhgënjyese, shfaqja e Zotit në Sheshin Nëna Tereze, do të komentohej me cinizëm: “Nuk e ka pranuar asnjë komb tjetër, prandaj ka ardhur tek ne”…”E gjeti të vinte tek ne të mburret”…”C’po mundohet me na tregu”…”T’kishte qenë i mirë, nuk do të kishte ardhur tek ne”…
Prandaj, Zoti rri lart në qiell, se ka frikë nga ata që vet i krijoi. Shqiptarët janë si vet shteti i tyre: Sui Generis”. “You can’t live with them, you can’t make them disappear”.
Mjerë ne, e mjerë ata që kanë punë me ne./ KultPlus.com