23 Mars, 2023 - 5:00 pm
Nga Ema Aliu
Portretet e krijuesve në pandemi
“Letërsia në kohën e pandemisë”, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2022
Mendim kritik mbi qëndrimet e ndryshme të problematikave që i trajtojnë autorët si: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Engjëll Berisha, Haqif Mulliqi, Nerimane Kamberi, Avni Spahiu, Anton Berishaj, Agron Gashi, Lindita Aliu Tahiri, Ag Apolloni, Dije Demiri Frangu, Naime Beqiraj, Gëzim Aliu, Osman Gashi dhe Naim Kryeziu.
Të mendosh një parajsë të vërtetë mbi tokë për një artist, ne nuk do të dëshirojmë një shtëpi të shtrenjtë, një rrezitje në plazhet përcëlluese luksoze, një qytet modern me pamje miliona dollarësh, makina që janë më të shpejta se emocionet e shkrimit, por imagjinojmë një tavolinë të drurit të vjetër të cilën e ka prekur ndonjë Kafk-a ose ndonjë Kunder. Në mesin e qindra librave nëpër raftet e rregullta ngjitur me mure, një dhomë që është në mes zhurmës por brenda nuk ka asnjë zë njeriu, një ikje nga realiteti, një ikje poetike ku të dërgon në një qetësi a luftë me vetveten, një fat i një mendjeje gjeniale. Dhe ta mendojmë që këtë parajsë e kishim mu para tri viteve, ku bota ishte fikur anembanë, Macron-i po na thoshte se jemi në luftë, po mbylleshim pa ditur se si do të vazhdojë jeta, kishte lajme e lajme që na tregonin se si duhet të mbrohemi nga një virus që nuk dihej as ku kishte fillin. Pra, ne kishim liri absolute për krijim, kishim qetësinë që kërkonim gjithmonë sepse nuk kërkohej asgjë për të bërë, ishim mbyllur dhe nuk dinim se si të mbytnim kohën. Mirëpo a ishte kjo liria që kërkon një autor? A ishte Pandemia hapësirë e përshtatshme për të krijuar? Dhe nëse po, si u perceptua koncepti i lirisë së një artisti në rrethana alarmante dhe emergjente? Ose a mund të ketë kuptim të njëjtë letërsia e burgut me atë që u prodhua në Pandemi, ndonëse njerëzimi ishte i tëri në burgim, madje po luftonte dhe me një armik të padukshëm i cili po na ndante edhe nga intimiteti human, ta mendosh që doktorët bënin thirrje të mos prekemi ndërsa edhe të burgosurit kanë orët e tyre speciale që i takojnë.
“Kult Plus”, në tavolinën rrumbullake bëri bashkë figura letrare, shkrimtarë e gazetarë të cilët dhanë qëndrimet e tyre mbi problematikat letrare që shpesh nuk janë prezente vetëm në këtë kohë, madje libri në fjalë, ndan qëndrime të ndryshme rreth problematikave, thënë ndryshe, autorët në këtë libër qëndrimet i kanë të ndara në kampe, disa e trajtuan “burgosjen” e karantinës si luftën e NATOS në Beograd, regjimin e Millosheviçit në Kosovë ose trajtuan probleme që përfshijnë probleme themelore kyçe në botën e botimeve. Ibrahim Berisha, u frymëzua nga kjo burgosje dhe e lidhi me lirinë e shprehjes mediale. Ai gjithashtu shprehu shqetësimet e tij mbi lirinë e cila mbrohet nga Kushtetuta e Republikës si dhe lirinë e shprehjes së autorit ku edhe përmend rastin drastik të shkeljes së autorit[1] nga RTK, si dhe për dukurinë e vetëplagjiaturës në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndonëse, këto kritika i jep në aspektin politik kosovar, prapë se prapë çështja e problematikës së tij prek dimensione më të mëdha, kritika e tij prek sferat globale duke na bërë të ditur se ne nuk ishim gati për këtë sfidë.
Për Milazim Krasniqi përjetimi i një pandemie i risolli kujtimet e luftës dhe liria e shprehjes së autorit natyrshëm i erdhi për të shkruar mbi autorët që përfaqësuan lirinë në momente dhe situata të caktuara. Autorë si Mario Vargas Ljosa, Adam Mihnjik-u, Vacllav Havel-i, Umberto Eco, Suzan Sontag-u, Eli Vizel-i, Hans Magnus Enserbeger-i që ishin pro Kosovës, dhe ata që ndoqën linjën e kundërt si Gabriel Garsia Markes-i, Peter Handke e deri edhe te dijetari Noam Comski. Në këtë hapësirë, Krasniqi ndau me vijë të hollë, lirinë absolute të mendimit të lirë autorial dhe përfaqësimit të artistëve për lirinë, duke bërë me dije se profesioni i një shkrimtari para se të jetë shkrimtar është të jetë misionar me qëllime humane. Koncepti i lirisë në raport lufte dhe karantine, rol i shumëfishtë.
Të krijosh standarde letrare, botuese që përfshijnë spektrin e historikut letrar është më se e vështirë, madje për Sali Bashotën dhe artikullit të tij “Një pamje ndryshe e raportit të shkrimtarit me shoqërinë”[2], tregon shqetësimin e tij që fiks pas njëzet vitesh, pra të një Kosove pas lufte e cila ka ndërtuar në një mënyrë a tjetër institucione të botimeve dhe vlerësimeve letrare. Këndvështrimi i tij prek krizën letrare që Kosova dhe Shqipëria tani po përjetojnë, dhe kjo nuk ka të bëjë me kërkesën për të lindur një periudhë a gjini letrare e re, po flet për krizën mbarëkulturore, ky është një shqetësim që nuk ndodh vetëm në produktivitetin e një letërsie të një populli kur gjendet në situatë emergjente si Pandemia Covid-19, ky shqetësim prek tërë periudhat e kaluara dhe të krijuara në letërsinë shqipe.
Në fakt ky kapitull që përfshin edhe Binak Kelmendin nuk tenton të flas për prodhimin e frymëzimit në kohën e Pandemisë, këta dy kritikues kohe zgjodhën subjektin e vlerës në raport me antivlerën, zgjodhën episode kohore që nga koha e gazetës së Rilindjes dhe figurave me nam të kohës që shkruanin dhe kritikonin libra botërorë, tituj të ndryshëm nga skenat letrare, gazeta me artikuj të ndryshëm, ndërsa sot nuk vlen e njëjta. Pandemia për këta dy autorë nuk përfshin vetëm problematikën e mbylljes, pra konceptin e lirisë, por kur bota shqiptare po përballej me mbylljen totale, me çka duhet ta mbytnin dhe tejkalonim atë depresion të tërë shoqëror? Pra thënë qartë, a kemi dhënë si shoqëri material të bollshëm për të shëruar plagët e dhimbshme të një realiteti si mbyllja totale? Ne mund të jemi edhe në mbyllje shpirtërore në episode të tjera personale dhe a do të mund të nxjerrim veten nga ajo greminë? E vështirë, sepse mungon kultura edhe e botës mediatike dhe informatat që mund të marrë një i ri sot nga këto portale janë larg të qenët letërsi.
Trekëndëshi i madh mes librit, leximit dhe bibliotekave duket se ka strukturë materiale përpos që ka strukturë kulturore, ky qëndrim vjen si rezultat i përfshirjes së fitimit monetar se sa që ka përfitim kulturor lexuesi. Prof. Ibrahim Kadriu mban qëndrime të qarta në lidhje me këtë, përpos që folëm pak më lartë për vlerat, ne duhet të kuptojmë se ata që kanë gjetur veten në këtë profesion, kanë kosto për ta mbajtur në lëvizje lokomotivën e cila jep fryte në botën letrare, prandaj edhe vlera bie tek autori sepse përfitimi material për shumicën e botuesve është shumë më i rëndësishëm sesa vlera kulturore që jep libri. Në fakt ky është problem pak më i thellë sesa që mendojmë, kur nuk ka kulturë leximi siç pohon edhe prof. Engjëll Berisha, si mund të ketë vlerë ose sens për ta kuptuar vlerën, ose pikërisht një shoqëri e cila kënaqet me informacione të shpejta, me pak informata që janë të shpërndara nëpër mediume e portale që nuk kanë as kontroll dhe as përgjegjësi autoriale.
Dhe kur jemi te teknologjia, duhet të pranojmë se nëse bota moderne ka shkatërruar pak nocionin e vlerës, sepse fama është bërë mjet mjaft i lehtë duke dërguar njerëz në popullaritet, prapë se prapë po ti pyesim këta profesorë që dhanë kontribut në këtë përmbledhje që një ditë do të vijë dita që do të keni qasje kaq të lehtë në marrëdhënie ndërkulturore, duke folur gjithnjë për kushtet nën regjimin serb, besoj që për ta do të ishte e pamundur. Çështjet si gjuha dhe diplomacia, përkthimi në raport ndërkulturor për Avni Spahiun janë çështje që duhet të vendosen pikat mbi “i-ja”, dhe kjo qëndron për faktin se disa çështje duhet të kanalizohen, me pak fjalë në një hov zhvillimi dhe në këtë hapësirë kaq të madhe, me mundësi kaq të mëdha për të komunikuar me shtete të tjera në mënyrë kulturore me gjuhën dhe përkthimin, duke hedhur autorët tanë jashtë kufirit shqipfolës, mision ky që po mbahet nën shpresën e ndonjë iniciative qoftë institucionale qoftë individuale. Për prof. Ibrahim Berishën, duhet të dihen prioritetet, edhe pse dihet që kjo marrëdhënie duhet të funksionojë dhe duhet të ishte prioritet, prapë se prapë mbahet vetëm si një lloj teme dhe asgjë tjetër.
Fokus tjetër në aspektin teknologjik, Lindita Aliu Tahiri e jep në aspektin se teknologjia ka humbur vlerën dhe kreativitetin letrar. Kjo vjen si pasojë se ka dallim esencial në mes letërsisë së vërtetë dhe asaj të popullarizuar, e deri tek nostalgjia e prekjes së librit të vërtetë që sot më shumë shitje ka libri elektronik.
Për Ag Apollonin, letërsia lidhet në mënyrë reciproke me shpikjet. Fillimisht, gjuha u përdorë për të lehtësuar komunikimin, pastaj u shfaq si nevojë estetike ku edhe erdhi deri te nevoja e të bërit letërsi. Vështrimi i tij prek edhe të ardhmen duke lidhur me antikitetin e Aleksandrit i cili ka shkuar sipas modeleve letrare, prek edhe humanitetin i cili vjen si rezultat i leximit dhe kulturës, pra ikje nga injoranca.
Mbyllja totale ose shtypja e një autori dhe ballafaqimi i tij me situata që dalin në kohën e krijimtarisë së tij, përkatësisht situata që erdhën dhe nuk u krijuan, si edhe para tri vitesh kur ishim përballë pandemisë. Haqif Mulliqin e dërgoi në antikitet ku vështrimi i tij prek edhe traditën e folklorit i cili lidhet me fatalitetin kolektiv ose individual. Megjithëse për Mulliqin, tragjedia globale mbetet të jetë opusi më i përshtatshëm për të krijuar letërsi dhe kjo përfshin të gjitha gjinitë letrare.
Ne folëm mbi konceptin e lirisë dhe pikërisht në fillim të kësaj eseje fola mbi mbylljen dhe vështrimin që ka një autor ndaj këtij fenomeni, andaj edhe për prof. Nerimane Kamberin koncepti i lirisë ka disa faza, fillimisht ajo e sheh mbylljen si shkas për të shkruar edhe vetë në kohën e pandemisë siç edhe u informuam nga eseja, ka botuar në këtë kohë Pandemia tregime me këtë frymë, në anën tjetër ajo kërkon dallimin mes kohës së lirë, pra kohës që një autor mbyllet në vete për të krijuar dhe në një “pushim” që të imponohet. Në anën tjetër, baza traumatike që ka gjenerata e cila përjetoi luftën në moshë madhore ka dallim esencial me moshën rinore, që ose nuk kanë lindur fare ose kanë qenë të vegjël për të ditur se çka është njëmend lufta, andaj edhe prodhimtaria gjatë kohës së luftës duket se është përjetim i njëjtë i një mbylljeje moderne tjetër. Një tjetër vështrim të konceptit të lirisë e sheh në aspektin politik, ideologjinë dhe kohës së realizmit socialist. Për Kamberin, krijimtaria jo çdoherë nënkupton kushte të favorshme për të qenë shkrimtar i madh, dhe për këtë fakt i gjallë është Kadareja.
Ndonëse marrëdhënia kulturore duhet të funksiononte mes gjuhëve dhe eksplorimit të kulturave, Kur krijohen standardet letrare në botë kur vjen një frymë e re, thënë si shkolla e re e kritikës, nga shkolla ruse ose ajo anglo-amerikane, nuk është që mungon të themi tereni për frymën e formalizmit, fenomenologjisë, risia ose kushtet fundamentale që mund të praktikojnë frymën e re kritike në letërsinë tonë, por marrëdhëniet ndërkulturore mungojnë, kanë kushte por s’kanë ndërlidhje. Ngecja e kësaj marrëdhënieje duket se vjen nga kultura e cila nuk ka traditë, pra si shoqëri jemi në mes të dy ekstremeve sociale, njëra palë që shkruan (autorë) dhe ata që studiojnë (studiues, kritikë, publicist, profesorë) që e kanë profesion dhe nuk është që në këtë çështje nuk ka themele qëndruese e cila jep produktivitet.
Anton Berishaj jep shembuj nga letërsia të cilat përputhen me frymën e re letrare në botë por që jep premisa se duhet të kuptohet gjuha si mjet komunikimi dhe mjet shprehje artistike, dmth së pari roli i gjuhës veç që është komunikim është edhe semantik. Në këtë hapësirë kuptojmë se nevoja për të bërë dallimet dhe të kanalizohen çështjet gjuhësore (veçoritë formale, gramatikore) është më se e nevojshme, e pastaj dalim te problematikat e përbashkëta që mund të kenë kulturat letrare mes vete.
Pos problematikave letrare, shoqërore, sociale që diskutuam më lart, Agron Gashi na sjell në problematikën historike mbi gjuhën. Spektri i tij i studimit prek probleme tejet të ndjeshme të cilat me dhunë u instaluan. Siç edhe e dimë që “frymëzimi hyjnor” nuk ka standard gjuhësor, madje shumica e shkrimtarëve edhe kritikëve edhe sot vazhdojnë debatin se a kërkohet që gjuha artistike të standardizohet. Kjo mjegulli narrative e strukturale në letërsinë shqipe duhet se për profesorin ka karakter fundamental, kjo sepse pikërisht gjuha luan rolin kyç në krijimin e standardeve letrare edhe në gjuhën e gjinive letrare. Proza kërkon gjuhë më konsistente ku edhe autorët e letërsisë bashkëkohore shkruajnë në standard, ndërsa poezia kërkon më shumë diskursin eliptik. Pos kësaj Gashi na jep një vështrim më të thellë mbi variantet të cilat i sjell me shembuj konkret: 1.Varianti metonemik e diskurs anektodik (modeli i Pashkut), diskursi historik (Ibrahim Kadriu, Zejnullah Rrahmani, Jusuf Buxhovi etj), diskursi eseistik (Rexhep Qosja, Mehmet Kraja), diskursi filozofik (Zejnullah Rrahmani, Gëzim Aliu, Eqrem Basha), diskursi simbolik (Sali Bashota, Zejnullah Rrahmani, Ibrahim Berisha), diskursi imazhist (Binak Kelmendi, Ardian Haxhaj, Adil Olluri, Mehmet Kraja, Rexhep Qosja), diskursi sintetizues herë në dialekt e herë në idiolekt (Ag Apolloni, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi), diskursi dokumentues (Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Ag Apolloni), diskursi politik (Rexhep Qosja, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja). Variantet ideologjike, religjioze, mitike për Gashin treten sot.
E kur diskutojmë mbi problematikat e letërsisë, të qenët femër është problem tjetër. Mendimi patriarkal e primitiv, nuk ekziston vetëm te shqiptarët sepse e dimë që edhe historia dëshmon pak femra e qindra meshkuj në letërsi, kjo ndodh kudo. Qysh prej ndarjes së detyrave, femra është parë si jo e aftë për gjëra të mëdha e aq më tepër për krijimtari gjeniale. Dije Demiri Frangu na sjell një vështrim që nga pllakat e para të shkrimit të “Epi Gilgameshit” e deri te kufijtë tanë shqip folës, se si ekzistojë femra përgjatë periudhave letrare, ajo figurën femër e sheh si muzën e vetme e të përjetshme, e sheh si të papërsëritshme madje shumë më të fortë se gjithçka tjetër që e shtyp atë. Në fakt shtrohet pyetja, pse ishte kaq e vështirë qasja e femrave në letërsi? Përse kushtet ishin të pamundura të qaseshin femrat në to? Dhe nuk po pyes vetëm në letërsinë tonë, paralelisht të gjitha shtetet kanë kaluar periudha të lavdishme, dikush më shumë e dikush më pak iu afrua qytetërimit, po flasim për një kohë jo shumë të hershme për të qenë tabu. Mbaj mend kur tentoja të gjeja autore me emrin Emma, për të parë tipin, ndonëse ashtu të gjesh përputhje që nuk luajnë kurrfarë roli dhe isha 16 vjeçe, pra jo shumë e njoftuar me termin “patriarkat”, në hulumtime gjeta Emilly Dickinson-in, vajzën që vdiq e vetme, e pamartuar me poema dashurie që përcëllojnë mishin, mendja e saj funksiononte jo si çdo vajzë dhe kuptohej se “nuk shkonte diçka me të”, të paktën kështu e ka parë standardi amerikan i viteve të 80-ta madje po në atë kohë, çdo grua që shfaqte “revoltë” ndaj burrit, dërgohej në spital psikiatrik. Revolta nënkuptonte ngritjen e standardit si grua, kërkesën për të qenë e trajtuar si njeri, për t’u shkolluar, punuar dhe vetushqyer si individ. Emilly dëshironte të shkruante dhe babai i saj nuk e lejonte, me pretekstin se gratë nuk duhet të flasin e aq më tepër të ngritin zërin. Pas vdekjes, sepse nuk gëzoi famë sa ishte gjallë, në vitet e 90-ta lexuesit e adhuronin por e përshkruanin si “vdiq e vetme në depresion të thellë”. Më vjen ndërmend shumë figura mashkullore kyçe në letërsinë tonë, si Noli, Konica, Mithat Frashëri, Migjeni e shumë të tjerë, duke përfshirë edhe figurat që i’u dorëzuan religjionit dhe ishin beqar, pothuajse askush nuk e përmend faktin se ata nuk ishin të martuar, ndërsa për të gjorën Musine Kokolarin të cilën e gjetën edhe në varr me duar të lidhura me tela me gjemba, pothuajse çdo gjykim e kishin se ajo nuk ju “përshtat standardit”, dhe unë besoj që shumica do të thonë, nuk do të dilte kundër diktaturës po të kishte qenë burrë, natyrisht ne nuk jemi popull patriarkal por vetëm i shkruam kot proverbat e viteve të 80-ta si: “gruaja ka dy zota, burri nji” ose “gruaja e mushka rrihen me dru, burri me fjalë”. Nejse, ne nuk duam të lëndojmë shqiptarët, ne po kërkojmë shumë kur kërkojmë të trajtohemi si njerëz.
Për Naime Beqirajn, fillesa e viteve 60-ta e gruas në letërsinë shqipe në Kosovë ishte e karakterizuar me vargje të lodhura dhe mungese tradite shkrimi. Sipas Beqiraj, më fokus i jepnin publikimit, anonimitetit, mposhtjes së frikës sesa thellimit poetik, prandaj edhe sipas saj ka ngecje në zinxhirin autorial femëror dhe ka kaq pak emra autoresh femra deri në fillim të viteve të 80-ta. Sidoqoftë Beqiraj nuk jep sinjale se duhet ta gjykojmë letërsinë në këndvështrim gjinor, sipas saj letërsia që bëhet nga gratë ka premisa të mëdha estetike, ka potencial dhe është më se e denjë të barazohet e të vlerësohet me atë të kundërt, pra futja e shkrimtareve nuk bëhet për “lëmoshë” por është komplet meritore.
Për Milazim Krasniqin kriza sociale, kulturore është e thelluar nga shumë faktorë, përshkrimi i tij i detajuar në lidhje me krizat që Kosova jonë po përjeton qysh nga problemet e ngecura e pa zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, tutje me evoluimin teknologjik që ka ndërruar në raport me produktivitetin e shkrimtarëve, promovimi i antivlerave që kanë dëshpëruar lexuesin pasionant. Gjithsesi, vështrimi i tij shpjegon se Kosova është e vonë për disa sfida, disa autorë të brezit të vjetër jetuan nën regjimin jugosllav, pastaj nën izolimin ndërkombëtar dhe kur vjen radha tek të rinjtë që do të tentojnë, duhet të presim të dalë nga kriza e injorancës së pari shoqëria, e pastaj mund të flasim.
Kriza për Gëzim Aliun është normalitet, ky ishte fati i letërsisë sonë qysh nga fillet e saj, popull i pushtuar nga të tjerët e herë nga vetja jonë. Probleme të shumta diskutuam, probleme që lidhen me botën e letërsisë, konkretisht me shoqërinë. Fokus të veçantë duhet t’i vëmë procesit të vështirë të përkthimit që është betejë në vete. Ne si studiues e dimë që ndonëse tingëllon e thjeshtë, dikush mund të thotë me “Google Translate” është tejet e lehtë, në fakt kur lexova përkthimet e Nolit mbi veprat e Shekspirit, meqë kisha lexuar edhe origjinalin në PDF (online), nuk është që e përjetova madhështinë e një autori si Shekspiri madje ishte edhe dëshpëruese. Mirëpo, kushtet atë kohë ishin të tjera, ai tentonte vetëm të sjellë kulturë leximi dhe përballje me botën në aspektin kulturor, ne nuk kishim as traditë përkthimi. Kulturat kanë ato manitë e tyre, kanë veçoritë e tyre, ne nuk mund t’i përkthejmë dikujt shprehjet si “Besa”, e cila nuk po mundet tamam të përkthehet si nocion etike e jo vetëm aspekt juridik siç e njeh bota “loyalty”, “allegiance”, “faithfulnes”.
Prandaj edhe përkthimi sipas prof. Osman Gashit ka rregullat dhe konventat e veta, ka nivelit si ai kognitiv, tekstual, sociologjik dhe kulturor, ka ekuivalencat paradigmatike, stilistike dhe tekstuale (semantike). Në poezi ekzistojnë disa rrafshe të përkthimit, ai fonematik, fjalë për fjalë, i poezisë në prozë, me rimë dhe ai i vargut të zbrazët.
Për prof. Naim Kryeziun përkthimi është mirëfilli, një bartje, ose transmetim i frymëzuar i një vepre letraro-artistike në një gjuhë tjetër.
Letërsia është oqean, ka dallgët (krizat), ka piratët (studiuesit/lexuesit), ka njerëzit që jetojnë në ishuj (shkrimtarët) që presin për tu eksploruar nga ne, ka dallgët (periudhat) por në fund lindja dhe perëndimi i saj mbetet të jenë gjëja më e bukur, një periudhë ikën, një periudhë vjen, artistët dhe kryeveprat mbijetojnë, rrezet që të ofron letërsia janë të përjetshme. Libri në fjalë sjell këndvështrime nga problematikat më të mëdha që njeh bota letrare, por disa nga të tjerat i njeh vetëm bota shqiptare, sensi i vetëkritikës që mbizotëroi në të shumtën e eseve jep pasqyrimin më të mirë të një elite letrare që kritikon dhe di si të kritikojë, të një pjese letrare e cila kërkon çdo ditë nga vetja, janë po këta që vunë baza dhe nuk janë të kënaqur dhe të mjaftueshëm, andaj edhe shpresën për të parë letërsinë në një vend më të mirë e shohë shumë më të afërt se herëve të tjera.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com