7 Gusht, 2018 - 2:30 pm
Shkruan Behlul Jashari.
Gazeta tradicionale Rilinda, para 28 viteve, natën mes 7 e 8 Gushtit 1990 u ndalua me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën dhe refuzoi masat e dhunshme që Beogradi ia shpalli në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës. Rilindja kundërshtoi fuqishëm edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Okupim klasik”.
Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”, asnjë punëtor nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun 1990, kur Kosova me Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë, në seancën e Kuvendit para dyerve të mbyllura e në shtetrrethim ballë tankeve e snajperëve serbë, ku Rilindja ishte me delegatët mbështetëse e fuqishme në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe në ballinë kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”.
Rilindja, në atë kohë e vetmja e përditshme shqipe në Kosovë, nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi me shkrimet nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme rezistencës, e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.
E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.
Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohshëm, edhe kur kishte festa.
Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajmëruar: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.
Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja, që është edhe shenjë identiteti, arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 Dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.