Pragu

8 Gusht, 2019 - 11:00 am

Kur ishim të vegjël dhe rastësisht uleshim ose rrinim në këmbë mbi prag, nënat e gjyshet tona thoshin: “Çohuni, mos u ulni mbi prag se nuk vyen”! Kureshtja fëmijërore na shtynte ta bënim menjëherë pyetjen: “E pse”? “Qashtu, nuk vyen” dhe nuk e çonin më larg. “Çohuni menjëherë”!

Çoheshim, por me një shikim ndërdyshas, meqë nuk e kuptonim pse nuk duhet të ulemi mbi prag e, edhe më shumë, nuk e kuptonim pse nuk na e tregonin arsyen.

Te ne dhe te shumica e popujve në botë, pragu konsiderohet i shenjtë, prandaj nuk bën të ulemi në të. Aty takohet bota e jashtme e pasigurt dhe ajo e brendshmja e qetë dhe e sigurt. Pragu mbetet një kufi mes të asaj që fitojmë jashtë dhe fusim brenda, dhe asaj që e ndërtojmë brenda dhe e qesim jashtë – fytyrën dhe nderin.

Në simbolikën e vet, gjatë zhvillimit historik pragu i shtëpisë ka fituar vlerë të veçantë te besimet popullore, sipas të cilave paraqet kufirin mes botëve – asaj të jashtmes dhe të brendshmes, në mes të dritës dhe territ, si dhe në mes të pasurës dhe të varfrës. Pragu është vendi ku rrinin shpirtrat e ligë; ose vendi ku rri gjarpri i shtëpisë. Kjo vijë mbrojtëse nga e keqja e jashtme, nga hajdutët, nga armiku, duhet të na mbrojë nga fenomenet e mbinatyrshme të natyrës jofizike. Për këtë arsye, pragu paraqet vendin ku bëhen magjitë mbrojtëse nga ato dukuri të cilat nuk ndalen me barriera fizike. Kjo është arsyeja pse njerëzit vendosin simbole të ndryshme në dyert e hyrjes (tek ne simboli i Diellit, i Hënës), ose groposin gjësende nën pragun e derës apo i vendosi patkonjtë mbi të për t`i sjellë fat dhe mbarësi të zotit të shtëpisë.

Pragu i shtëpisë paraqet dimension kulturor, etnologjik, historik, filozofik dhe antropologjik. Është guri i parë kilometrik në jetën e njeriut. Është pika zero nga e cila matet distanca dhe koha kur jemi larguar dhe sa larg kemi shkuar. Ne mund të shkojmë ngado në botë, por ai rri aty i qetë dhe na pret të kthehemi. Ndonjëherë të ndal të mos largohesh dhe në atë rast pragu bëhet bjeshka më e madhe në jetë. Pragu është vendi ku fillon komunikimi me botën e jashtme, është limiti të cilin mund ta kalojë vetëm ai që është i dëshiruar. Është limit i publikes ndaj privates.

Në arkitekturë dhe urbanizëm këto limite mund të përcaktohen me mure, me dritëhije, me çati, me ecje, me ngjyrë dhe me ndërrimin e materialeve në tokë. Ato kufizojnë hapësira te caktuara me ndihmën e transformimit të dritës-hijes, materialeve, lartësive, ngjyrave etj.

Në lëmin e arkitekturës – ndryshe nga psikologjia, filozofia dhe sociologjia – ndarja e një fragmenti të hapësirës nga tërësia e cila formon qytetin, shtëpinë ose thjesht hapësirën boshe, kërkon një parakusht të veçantë: duhet të jetë i perceptueshëm për shqisat tona dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë i shfrytëzueshëm për aktivitete, për një kohë të caktuar. Fragmentimi i hapësirave na sjell te koncepti i kufirit mes të dy tërësive, me ç`rast fokusi bie mbi veçimin e raportit mes tyre në një mjedis të caktuar, gjegjësisht në liminalitet (nga latinishtja “Limen”, që do të thotë prag, pra gjendje kufitare gjatë procesit të transformimit prej një gjendje në një tjetër).

Njerëzit gjatë jetës kanë limite kohore dhe sociale. Gjatë gjithë kohës pësojnë transformime dhe ato transformime sot e gjithë ditën përcillen me rituale të ndryshme, njësoj si në fillimin e kohës. Njerëzit lindin, e kalojnë pubertetin, martohen, shkollohen, vdesin dhe të gjitha këto shënohen me rituale të ndryshme, sikurse ahengjet, dasmat, promovimet dhe ceremonitë mortore. Ritualet e lidhura me pragun e ndalojnë shkeljen mbi të ose kapërcimin e tij me këmbë te majtë, sikurse që është riti i bartjes së nuses përtej pragut.

Sikurse që individi gjatë zhvillimit te vet pëson transformime, ashtu edhe shoqëria pëson transformime, duke i avancuar rregullat shoqërore dhe vlerat e saj. Këto transformime kërkojnë kohë të caktuar dhe sa më e shkurtër të jetë koha, aq më shumë dhe më shpejt i shtohen vlerat ekonomike dhe ato kulturore.

Liminiteti, gjegjësisht kjo zonë kalimtare, gjatë zhvillimit të një shoqërie – nëse zgjatë shumë, me qëllim ose pa qellim – e merr kuptimin e të ulurit në prag të shtëpisë. Në shoqërinë tonë po dominon pikërisht dëshira për t’u ulur në prag pa më të voglin vullnet që ta kapërcejnë atë.

Athua, pse po rrimë gjatë, shumë gjatë, me dekada, të ulur në prag?

Duhet te çohemi nga ai, se të ulurit e gjatë, siç po ndodhë me ne, nuk sjell mbarësi.

Nuk vyen me u ulë në prag të shtëpisë! /KultPlus.com

Të ngjajshme