20 Shtator, 2021 - 11:51 am
Ballsor Hoxha
I
“Igrale se delije!” – gjurma e pashlyeshme e çorodisë serbe, apo shqiptare?
Apo është vetëm Ballkani!
Ballsor Hoxha
Kur flasim për muzikë, shqiptare, apo serbe, e ballkanase, a flasim për muzikë turke në të vërtetë, apo kjo edhe mund të dallohet në kombësi të veçanta? A ka muzikë shqipe? Serbe? Qoftë edhe turke? Në fund, duke kaluar përtej muzikës, çka është kultura? Ndalesë, apo kompleks më i lartë i njeriut?
Në anën tjetër, ne vazhdimisht thirremi në të vërtetën. Si shqiptarët nga Kosova, serbët, e shqiptarët në Shqipëri. Por sa i përket të të vërtetës, është një paradoks, duke qenë se edhe e vërteta, qoftë edhe më e thjeshta, është padrejtësi! Në fund është zgjedhje, dhe qëllim!
Nëse – tash – është jeta jonë, si mund të jetë ajo jashtë të shkuarës. Thënë saktë, nëse ka një tash, apo për të hapur fenomenin në diskutim: nëse ka një Bregoviq sot dhe tash, ku ishim ne? Ku ishte e tashmja jonë në ish – Jugosllavi? Ngjanë edhe banalitet kjo pyetje, por edhe është pak e komplikuar, por ta shohim me një pyetje tjetër: çka ka ndodhur me Bregoviqët tanë nga e shkuara – tash -?
Nëse një herë Bregoviq, dhe miku i tij i ngushtë Kusturica, ishin yje të konsumit tonë kulturor, qoftë të imponuar, të kufizuar, apo edhe të zgjedhur, çka ka ndodhur me po të njëjtit në ne? Nëse – tash – është jeta jonë, ne në këtë të njëjtën jetë bartim edhe Bregoviqët dhe Kusturicat e të kaluarës. Aq më shumë jemi të ndërtuar dhe të formësuar nga shprehjet e tyre! Dhe, për t’u kthyer në fillim, në (padrejtësinë) e të vërtetës sonë, urrejtja, injorimi, dhe në fund edhe pëlqimi i Bregoviq janë zgjedhje e jona, dhe është qëllim i joni!
Tash, apo thënë shumë më saktë prezenca që e ndërtojmë – tash – është degjenerim i të shkuarës, është vetë e shkuara. Është kompleks i të shkuarës, apo thënë më saktë i të shkuarave.
“Igrale se delije, na sred zemlje Srbije” (kishin luajtur delitë në mes të vendit të Serbisë!)!
Pra, a jemi tradhtarë, a jemi të depersonalizuar, a jemi patriotë në padrejtësinë e të vërtetës sonë? Apo jemi thjeshtë hipokritë? Mohojmë jo vetëm shijet tona të të shkuarës, apo qoftë edhe imponimet e të shkuarës, e edhe refuzimet (estetike, patriotike) dhe – përkatësinë – tonë.
Para se të shpallet tradhtia këtu, të pyetemi, a janë Korça dhe Organizatorët e saj bashkë me Edi Ramën, tërësisht të depersonalizuar? Apo drejtësia (lexo: padrejtësia) e të vërtetës sonë është e nxënë brenda qëllimeve tona?
“Igrale se delije, na sred zemlje Srbije!”
Për të përfunduar këtë hyrje, le të marrim në konsideratë: çka do të thotë Madhërimi i Enver Hoxhës ndër të shumtën e Kosovarëve? Apo thënë saktë, çka do të thotë kjo për Shqiptarët e Shqipërisë?
Filmi “Underground” dhe Emir Kusturica (zona e shpirtit modern serb)
Përsëritja e problemit të magjepsjes së një mase të shqiptarëve të Shqipërisë me muzikën serbe, dhe aq më shumë mungesa dhe dialogu ndërmjet nesh për këtë, janë fenomen që ka krijuar dhembje nga keqkuptimi, por jo vetëm në elitat dhe në “të informuarit”, aq më shumë kjo ka goditur masat e gjera. Aq më shumë ky fenomen duke qenë kompleks i thellë është shumë vështirë të shpjegohet thjeshtë dhe për të gjithë!
Magjepsja e një mase të shqiptarëve në Shqipëri me Goran Bregoviq dhe me muzikën e tij, është kompleks gjithëkombëtar, dhe aq më shumë fenomen (jo problem) tejet i thellë, jo vetëm i shqiptarëve, si në Kosovë dhe po ashtu edhe në Shqipëri. Është kompleks edhe për serbët (paradoksalisht, dhe në ironi, vetë koncerti i Bregoviq në Shqipëri është problem edhe për serbët, për arsyen banale se një personalitet i madh i kulturës së tyre bën muzikë në Shqipëri!).
Por le të marrim në konsideratë tërë stratan e këtij fenomeni. Muzika e Bregoviq, është thellësisht e ndërlidhur me filmin dhe aq më shumë me shpirtëroren dhe artistiken serbe.
Dhe ka një gjë tejet interesante në këtë mes duke marrë shembull filmin serb. Kur vjen fjala tek serbët dhe filmi i tyre, dhe më ekzakt filmin e Kusturicës, shqiptarët kosovar e shohin një gjë krejtësisht traumatike. Dhe atë jo vetëm në kuptimin e ngushtë të saj – të luftës që kemi pasur, por aq më shumë në – shthurjen serbe – përtej kulturores! Por përtej apo prapa, në çka? Ose, le ta përgjithësojmë duke pyetur: çka është natyra (lexo: e egra), e çka është kulturorja? Apo ku është dallimi mes tyre?
Është pikërisht këtu ku edhe mëton filmi serb, filmi i Kusturicës, filmi i shthurur! Në këtë dhembje të kësaj ndalese që quhet kulturë. (Dhe kjo bazuar në teorinë e Jacques Derrida, shih Writing and Difference dhe Of Gramatology të tij; dhe Derrida duke cituar Claude Levi Strauss: se kultura fillon me ndalimin e natyrores! Apo thënë saktë me ndalimin e incestit! Kjo duke krijuar tërë dhembjen, paradoksin, vuajtjen dhe kulturën e njeriut, duke qenë se edhe incesti e edhe e natyrshmja janë universale! Derisa kultura është një Publike, shpikje e njerëzimit!). Dhe, më tutje, çka ka të bëjë kjo me filmin e Kusturicës, filmin Undeground të tij, dhe aq më shumë me Goran Bregoviqin, shqiptarët e Shqipërisë, dhe të Kosovës?
Le të kthehemi edhe një herë tek – shthurja – që mëtohet dhe që kërkohet në filmin e Kusturicës. Ajo në regjinë e tij gjithnjë reprezantohet si dhembje, si ambivalente dhe si konflikt ndërmjet njeriut të kulturuar dhe njeriut sipas natyrës, si – serb. Serbi është i reprezantuar si njeri i nxënë brenda konfliktit të njeriut, ndërmjet instinktit, dhe të kulturores. Kjo është e prerë, aq më shumë, në disa shenja të filmit të Kusturicës: 1. Në reprezantimin e gjithhershëm të – seksit – si urrejtje, si luftë, dhe saktësisht si hakmarrje (shih “Babai në udhëtim zyrtar”; “A të kujtohet Doli Bell”; “Uderground”, etj); 2. Përmes ‘zonimit’ të përmbajtjes së filmit brenda kufirit të të neveritshmes dhe brutales, të “jetës së rëndë – serbe”; 3. Në mënyrë direkte duke reprezantuar vështirësinë e të qenit – serb – përmes “kujdesit” ndaj romëve dhe transferencës dhe kundër transferencës së simbolikës së jetës së tyre në vetë serbët; dhe 4. Muzika e cila më së qarti reprezenton degjenerimin artistik, shthurjen dhe – çarjen – (postmoderniste të nisur nga Derrida, të prezentes – aktuales), në burimoren (origjinaren) e saj. Që do të thotë – çarjen – e masave muzikore në “natyroren” serbe/ballkanase, si burim, dhe aq më shumë si interpretim vetanak.
“Idologija i religija se bavi sirotinjama, ja sebi sudim” (ideologjia dhe religjioni merren me të varfrit, unë i gjykoj vetë vetes!) – thotë aktori Pavle Vuijsiq në filmin e Kusturicës “A të kujtohet Doli Bell”.
Kjo fjali është ekzakt sjellja, kognicioni kombëtar dhe gjykimi serb, jo vetëm ndaj të tjerëve por sidomos ndaj vetes.
Por, nga vjen argumenti, drejtësia dhe gjykimi – serb?
Në filmin “Underground” të Kusturicës, i cili është përpjekje qoftë në dëshpërim e qoftë në të qenit i bindur deri në ekstrem, në të drejtën – serbe –, por edhe në fajin dhe aq më shumë pafajsinë – serbe, argumenti i këtij faji dhe pafajësie serbe është i ndërtuar përkrah Fajtorit të Vetëm – Fashistëve Gjerman. Apo siç thuhet në serbishte të “dezurni krivac” (fajtori kujdestar)! Në këtë film, në të vërtetë e tërë fajësia serbe është një traumë e ardhur nga fashistët! Por, kjo është ekzakt – narcizmi i viktimës. Narcizmi ballkanik i viktimës, dhe narcizmi i viktimës si argument për “t’i gjykuar vetë dhe vetëm, vetes”!
Ky narcizëm i viktimës i shprehur në Serbët dhe në të gjithë Ballkanin është pikërisht e drejta për të qenë ‘ndryshe’, qoftë si shqiptar, e qoftë si serb. E drejta për çdo gjë, në të vërtetë. Dhe atë gjithherë përballë fajtorit kujdestar. Përballë pafajësisë derisa ka një fajtor në të përhershmen. Qoftë Turqia, Fashistët, serbët, apo edhe vetë shqiptarët.
II
Goran Bregovic – përkujtues i sindromit tonë të Stokholmit, apo artist (dhe edhe patriot i kombit të tij)
Çka është muzika e Bregoviq? Serbe? Rome? Apo është paradoksi (aporia) e asaj që reprezanton prezentja? (kjo e fundit duke iu referuar fillimit të këtij punimi rreth të asaj që u cek si – tash -). Ajo është rrënjësisht e dy burimeve tërësisht paradokslale, apo thënë saktë asimilim i muzikës turke në skemën rome, e cila më tutje kalon në asimilim të këtij artisti.
Apo, të shtrojmë këtë problem më ndryshe: a është muzika e popujve të Ballkanit një dhe e vetmja: muzikë me burim në turke? Apo është brikolazh i shprehjes dhe shpirtit Ballkanas në pandashmërinë e kulturores dhe të ndër-kulturores së Ballkanit?
Kolektivi, populli e shoqëria që është pre e narcizmit të viktimës, e që janë prej sllovenëve e deri tek ne shqiptarët (duke përfshirë të gjitha viktimat e ‘pandashmërisë së Ballkanit’, pra edhe bullgarët e grekët), u tha se gjithherë mirëmban një fajtor kujdestarë (siç e thonë vetë serbët), dhe në këtë të drejtën për t’i gjykuar vetë vetes. I tërë shpirti dhe vetëdija e tij/saj është ajo që në psikologji njihet si borderline disorder, e më tutje në psikopati, etj.
Kur viktima, qoftë si kolektiv, apo si individ, nuk arrin të tejkalojë ritualin e sulmuesit (perpetrator nga anglishtja), ajo përbrendëson ritualin e dhunuesit dhe me këtë luan vetë dhunuesin në jetën e saj. Dhe nuk ka shembull më ekzakt i po të njëjtës që u tha se vetë një nga këngët më të rëndësishme serbe, këngë patriotike dhe historike serbe “Igrale se delije”:
Igrale se delije (kishin luajtur delitë!) në mes tokës së Serbisë! Etj
Por ajo që do të thotë në të vërtetë kjo fjali, është se “kishin vallëzuar”, apo që “kishin hedhur valle delitë”. Së pari është e qartë se delitë kanë qenë turma ushtarësh, e që nuk është me rëndësi këtu (gjë që është një prej komplekseve më të thella dhe më të mëdha në vetëdijen dhe kulturën serbe e gjë që edhe ashtu është një prej debateve më të mëdha serbe). Në të vërtetë kjo është gjurma ekzakte (derridiane dhe freudiane), e shpirtërores, apo psikës serbe të ndërtuar bashkë me dhunën e përjetuar, ndër-kulturoren, dhe me ngadhënjimin serb ndaj skllavërisë prej otomanëve. Më tutje, aq është e thjeshtë, sa që duket banale, shprehja “igrale” (kishin luajtur, luan, luaj etj), për shprehjen kishin vallëzuar, që përdoret tek të gjithë popujt e Ballkanit e që vjen pikërisht nga Otomanët. Dhe në fund, konflikti, aporia, e shpalljes së “pavarësisë”, “trimërisë”, dhe të shpirtit/psikës serbe me pikërisht një prej turmave më të liga të ushtrisë otomane (në të vërtetë kjo është edhe më ekzakte në sjelljen e ushtrisë serbe në luftërat e fundit, duke qenë se delitë kanë qenë të njohur për kallje dhe përzënie të popujve e shoqërive në ushtrinë otomane, apo ka qenë urdhri dhe detyra e tyre!).
Prej këtu, le t’i kthehemi muzikës së Goran Bregoviq, për të dalë në konfliktin dhe kompleksin shqiptarë ndaj serbes dhe asaj që reprezanton shpirti serb.
Të gjitha masat dhe dromcat të cilat shprehen në këtë muzikë dhe prej kësaj muzike janë po e njëjta filozofi, teknikë dhe aq më shumë interpretim i kulturës, sikur edhe filmi i Kusturicës. Është degjenerim “artistik” dhe “ e drejtë për t’i gjykuar vetes”, apo thënë thjeshtë asimilim i të jashtmes së kolektivit të tyre në interpretimin e huazuar turk dhe romë, në serben. (Në të vërtetë Kusturica, Bregoviq e personalitete të njohura të ish – Jugosllavisë kanë qenë në të njëjtën shkollë shtetërore!).
Muzika e Bregoviq, në zhanrin dhe profilin e saj është krejtësisht e zakonshme (shih për këtë vetë bashkëpunëtoren e saj turke Sezen Aksu; apo edhe vetë këtë zhanër, përafërsisht, të muzikës shqipe si Kapsamun; Eda Zari; e sigurisht edhe Elina Duni. Apo, për më shumë e për më Underground të vërtetë shih muzikën e kosovarit rom …???)).
Ajo që është e rëndësishme dhe e theksuar në muzikën e Bregoviq është pikërisht ‘spektakli’ i asaj që u nominua si ‘borderline’, vetë degjenerimit, apo edhe më tutje, spektakli i asimilimit të të jashtmes në serben. Asimilimi si degjenerim! Degjenerimi si spektakël!
Dhe, është pikërisht kjo që e përndezë, e atashon, dhe e kapë në ‘zgrip’ dëgjuesin, jo vetëm atë serb, por edhe ata ballkanas në përgjithësi – spektakli i degjenerimit.
Por ky spektakël, në të vërtetë është pikërisht – çarja -, shpërthimi tutje, apo prapa në të – egrën – (natyrën), tej kulturores. Dhe atë në degjenerim. Është sikur shpërthim tej ndalesës së incestit, apo për të qenë më i butë, sikur shpërthim tej ndalesës së kulturës dhe të asaj që tashmë është përkufizuar si – humane -.
Edhe shqiptarët janë – serbë! Apo edhe shqiptarët dinë të ‘degjenerohen’ – Përfundim
Çka do të thotë kjo tradhti?! Thotë, në tërë këtë paradoks, se edhe shqiptarët festojnë! Festojnë pikërisht si duan dhe atë që duan të festojnë. Qoftë këtë – çarje – degjenerim të të shkuarës në të tashmen bregoviqiane; apo këtë shprehje të brikolazhuar (në kuptimin e saj të parë, pra nga Claud Levi Strauss) në një shpirt të uzurpuar nga romët e Ballkanit në serbe.
Ata festojnë, përpos tjerash, pikërisht edhe narcizmin e tyre, narcizmin e tyre të të qenit viktimë. Dhe të viktimizuar. Qoftë në Kosovë dhe qoftë në Shqipëri. Në të parën si urrejtje, dhe në Shqipëri si festë, dhe depersonalizim ndoshta (sigurisht jo në totalitetin e këtyre shoqërive!).
Edhe urrejtja është festë! E këtë e dëshmon Ballkani më së miri. E dëshmon në të ushqyerit e saj, dhe aq më shumë në mirëmbajtjen e saj.
Apo, aq më keq dhembjen. E festojmë dhembjen!
Apo, edhe më keq, e harrojmë atë! Apo turpin e kësaj e hamë me bukë e me birrë! (siç thotë populli!)./ KultPlus.com