Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

11 Tetor, 2021 - 12:09 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

I

Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

II

Prej jazz në shqiptaren

III

Dafina Zeqiri – jo, a man, por woman me plan!

IV

Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

I

Ballë përballë Dafina Zeqiri dhe Pagarusha – Muzika sot

Pse është aq e dhembshme nëse dikush zgjedhë të festojë me muzikë serbe, qofshin ata shqiptarë dhe qoftë me muzikën e Bregoviq? A na kujton edhe kufizimin, apo padrejtësinë e të vërtetës sonë kjo muzikë? Ndoshta kjo na përkujton edhe masën e kompleksit të Stokholmit (sindromit të Stokholmit), qoftë, edhe brenda nesh?

Kjo, pa hyrë në detajet e kësaj përgjigje, mund të shihet edhe në vetë muzikën tonë, sot dhe në ikonat e muzikës shqiptare, ato që i pranojmë si arritje dhe ato që janë “pavarësisht” dëshirës sonë, arritje.

Por një gjë duhet të kuptojmë, se – tash -, apo muzika e Dafina Zeqirit si shembull i të – tashmes – sonë, është pikërisht paradoksi më i thellë i njerëzimit. Për të bërë më të kapshme këtë (gjë që duket banale në thjeshtësinë e saj) mund të shtrojmë pyetjen: nëse një herë (apo edhe sot) kishte një Nexhmije Pagarusha, dhe sot kemi një Dafina Zeqiri, a është ky degjenerim i njeriut, apo progres, apo edhe – çarje – e përqendrimit të qëllimit dhe të të vërtetës së njeriut si qëllim? Apo çka është fenomeni që e dëgjojmë Dafina Zeqirin, por mburremi me Nexhmije Pagarushën!

Duke iu kthyer pjesës së parë, për muzikën serbe, kompleksin tonë rreth saj, dhe të reflektimit tonë mbi veten tonë përmes muzikës, le të pyesim: çka është muzika sot? Seksuale? Politikë, vendore dhe globale? Apo shpirt dhe kulturë, siç e njohin definicionet profesionale muzikore?

Ka një dhunë në krahasim të gjërave, sidomos kur ato nuk janë të barabarta qoftë në shënjimin e tyre e qoftë në rëndësinë e tyre, aktuale.  Apo, mund të themi se ka një dhunë dhe edhe liri, qoftë edhe paradoks, në krahasimin e Dafina Zeqirit dhe të Nexhimje Pagarushës!

Por, nëse i vëzhgojmë këto dy shenja që burojnë në dhe nga muzika që e quajmë shqiptare dhe kosovare, është lehtë të dallojmë atë që tashmë është themeluar dhe inauguruar në dijen tonë si – gjurmë. Cila në të vërtetë është më shqiptare, apo cila është gjurmë e shqiptarisë sonë, nëse Pagarusha është ajo që nuk ndodhë më në mes nesh, është vetëm dekor dhe inferioritet, derisa Dafina Zeqiri është ajo që po ndodhë e ajo që jemi sot!

Cila është, apo a janë të dyja, gjurmë dhe gjurma e qëniesimit tonë, si kosovar, si shqiptar, por në paradoks ndaj vetë reflektimit tonë se çka është shqiptare! Por së pari të bëjmë një reflektim të asaj që na bën qenie sot në njerëzim dhe në vendoren tonë. Derisa Dafina Zeqiri është çdo gjë në muzikën e saj, artistikisht dhe në shënjim, prej shqiptares e deri tek hindu, Pagarusha është një e shkuar, mburrje, por të cilën as nuk e kemi shijuar dhe as nuk  e kemi njohur!

Nëse është arritur një ngacmim reflektimi tej apo jashtë politikës ditore, le ta rikthejmë po të njëjtën pyetje edhe një herë. Çka është muzika sot? Dhe kjo pyetje ka peshën dhe impaktin e saj të plotë vetëm nëse kemi një përvojë të dëgjuarit të muzikës para lindjes së ‘videos muzikore’. Pra të shijuarit e muzikës vetëm përmes të dëgjuarit dhe radios, dhe pas radios, përmes TV e tutje deri më sot.

Prej këtu, le të pyesim edhe një herë: çka është muzika sot? Muskujt prej “amazoneje” dhe të biseksuales si zgjedhje dhe si art i Dafina Zeqirit, që janë të afirmuara dhe po afirmohen. Apo këngët e saj, të ndërlidhura me tërë trashëgiminë kulturore të njerëzimit, prej Hindu e deri në Reggae. Apo a është muzika e saj – shqipe – por, siç edhe krijoi Pagarusha, sipas skemave muzikore aktuale?

Çka është muzika sot? Vizualizim dhe ngadhënjim i (politikës) së turmave një kohë të shtypura, si afrikano- amerikanët dhe latino amerikanët, etj; apo muzikë që shprehë pavarësisht (politikave) të turmave, dhe është interpretim individual i qëniesimit dhe botës sonë?

Si mund të gjejmë “një mes” të të vërtetës, apo një të vërtetë që na pajton në këto ndryshime, që shumë më ekzakt janë paradokse të qëniesimit tonë deri dje, së paku?

Më nuk mund të shijosh muzikë pa ‘filozofinë’ apo zonimin e këngëtares brenda një filozofie globale. A ka një filozofi krijimtaria e Dafina Zeqirit? Por kjo është lehtë e kapshme nëse pyetemi cila ishte dhe është, filozofia e muzikës së Nexhmije Pagarushës?

Sot muzika shikohet, shumë më shumë se që dëgjohet. Apo ne, sot, më shumë e shohim muzikën e Dafina Zeqirit, se sa që e dëgjojmë?  

Dhe ky është tranzicion gjigant brenda njerëzimit. Është – kalim, dhe ndryshim i kognicionit të njerëzimit, të vetë gjykimit dhe të perceptimit të njeriut. Qoftë ai -kalim në kognicion selektiv, apo edhe kufizim i kognicionit.

Në këtë, çka ndodhë , me – kontrollin – tonë ndaj të vërtetës, derisa po kjo e vërtetë ka qenë vetë lundra jonë nëpër pafuqinë e njeriut posaçërisht ndaj ankthit të vdekjes dhe vetë vdekjes. Ka qenë vetë sundimi ynë në botë, apo thënë më saktë vetë përhershmëria jonë, por e sajuar. E që i bie, “përkthyer” në pyetje krejtësisht banale: Muzika e Pagarushës, a ishte përhershmëri e shqiptares, dhe me këtë nagdhënjim mbi vdekjen, apo ishte sajim dhe të bërit të pavrëejtshme vdekjen. Posaçërisht nëse ndjehemi inferior dhe nuk e shijojmë muzikën e saj, së paku si të Dafina Zeqirit!

Tërë ajo që thotë kjo është se ka një – çarje – rrënjësisht të pa mbizotërueshme në njerëzim. E që është, ajo që tashmë duket banale në mishërimin e saj në jetët tona, por që është tërë thelbi i kompleksit të njeriut sot: dallimi, në mes të tashmes dhe të shkuarës, apo e kundërta e tyre, fuzionimi i të dyjave, apo të ‘pafundësisë’ së të dyjave, nga – çarja – e lartcekur.

Për përfundim, ta shtrojmë më ekzakt këtë thjeshtësi, aq të komplikuar dhe aq të rëndësishme në jetët tona sot: Nexhmije Pagarusha, përmes muzikës së saj, apo vetë muzika e saj, është apo ishte gjurma e ngadhënjimit tonë të shqiptares, dhe të shpirtit të shqiptares? Nëse ajo është prezente sot në ne dhe me ne, çka e bën këtë? Apo nëse pranojmë se ishte një herë një Pagarusha, pse nuk i pranojmë krijueset si Dafina Zeqiri si një e sotme, apo si Diva e shpirtërores dhe kulturores sonë. Pavarësisht shijes dhe dijes sonë mbi muzikën, por si reale e pamohueshme e prezencës së saj me ne. Apo, për ta komplikuar deri në fund, pse, pas muzikës së ‘paprekshme’ të Nexhmije Pagarushës, lindi apo “devijoi” muzika shqiptare?

A ka një qëndrueshmëri në të qenit tonë, është vetë thelbi i tërë këtij eksplorimi dhe sprove për të reflektuar rreth qëniesimit shqiptarë. / KultPlus.com

Të ngjajshme