Prelvukaj: Privatizimi ka normë, toka është rrëmbyer dhe kontrabanduar

19 Tetor, 2020 - 12:44 pm

Ish kreu i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha deklaroi para pak ditësh se pesëdhjetë hektarë tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit (AKP). Sipas analistëve, kjo tregon qartë se procesi i privatizimit në Kosovë, ka qenë një ndër proceset më të kriminalizuara.

E si duket, pikërisht për këtë çështje ka reaguar edhe Genc Prelvukaj. Sipas tij toka është rrëmbyer dhe kontrabanduar sepse blerja ka një çmim dhe rregull.

“Privatizimi ka normë. Toka është rrëmbyer dhe kontrabanduar. Nuk është blerë sepse blerja ka një çmim dhe një rregull. Ajo është vjedhur nga njerëz të cilët janë aq hipokritë sa që vazhdojnë të bluajnë për patriotizmin dhe disa prej tyre edhe mbi vlerat e luftës.

Për fat të keq, kjo është vetëm një kartë e hapur. Mund të imagjinohet çfarë kanë bërë njerëz të këtij soji me fabrikat, ndërmarrjet dhe çdo pasuri tjetër shtetërore. Për ta kurorëzuar idiotësinë e tyre vazhdojnë të kërkojnë votë në premtim të zhvillimit të vendit”, shkruan Prelvukaj.

 Tutje ai kritikon edhe shoqërinë e organet e drejtësisë që nuk po ndërmarrin asgjë në këtë aspekt.

“Për një gjë duhet tua japim dorën : na kanë studiuar mirë. Janë të vetëdijshëm që ne përveç ndonjë statusi në rrjetet sociale nuk lëvizim më shumë. Kështu pleqërojnë të qetë së bashku me hajdutërinë e tyre.

Ne vazhdojmë të mbajmë kokën ulur. Ndërsa organet e drejtësisë që supozohet ti fillonin hetimet mbi këtë çështje janë në gjumë. Dyshoj që janë të qelbur vetë dhe hisenikë në këtë proces. Nuk ka arsye tjetër për mosveprim.” / KultPlus.com

Të ngjajshme