26 Qershor, 2019 - 9:30 am
Nga Salihe Salihu
“Prerja e Frikës” është një roman ku lexuesi gjen një ciklon ndjenjash të autorit që në mënyrë të rrjedhshme janë strukturuar e përmbledhë përjetimet e tij në hapësirat ku autori ka jetuar, aty rreth lumit Llap dhe malit Kulinë. Po ta shohim sfondin e këtij narrativi shihet se përpos perspektivës historike lexuesi menjëherë gjen perspektivën kulturor e sociologjik mbi ngjarjet e ndodhura meqë aty dalin skena tipike tradicionale shqiptare të cilat janë të ngulitura në memorien e autorit që në moshën e re.
Ky rrëfimi i gdhendur është pjesërisht i nxjerrë nga përditshmëria ndërsa pjesërisht kombinohet me imagjinatën e një fëmije duke u përpjekur që të risjell të kaluarën me një përshkrim të kujdesshëm. Përshkrimi i të kaluarës është i mbushur me traditat e zakonet ku shtjellohet përditshmëria e mënyrës së jetesës duke lakuriqësuar elementet kulturore e sociologjike me paraqitjen e kodeve të shkruara e të pashkruara të cilat ishin në funksion të jetës së shqiptarëve.
Po ashtu, në këtë përshkrim dallohet një karakteristikë e veçantë që autori përdor duke pajisur perspektivën historike jo vetëm përmes përjetimeve të veta por edhe përmes përjetimeve të paraardhësve. Me mjeshtëri autori rikthehet në kujtimet tek përrallat e gjyshes, duke bërë një shfletim të kujtesës së tij duke e bërë mjaft të këndshëm përshkrimin.
Autori nga rrëfimi i përrallave nxjerrë në pah heroizmin dhe prijësin e popullit tonë – heroin kombëtar Skënderbeun dhe luftërat e popullit tonë kundër okupuesve. Nga ky segment shohim se si historia aq e largët afrohet dhe bashkohet me tregimet e historisë së afërt, e që producent të kësaj historie të freskët janë brezat e një pas njëpasnjëshëm që u angazhuan për lirinë e këtij vendi.
Perspektiva historik e mbështjellur me dimensionin kulturor e sociologjik përmes fabulës ”Prerja e Frikës” në mënyrë interaktive është inkoopruar me dimensionin psikologjik.
Në këtë gërshetim të perspektivave është shkoqitë në mënyrë të detajuar përditshmëria e jetesës së shqiptarëve. Por, sido që ta analizojmë këtë përshkrim ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën që autori e përshkruan. Prandaj, ky pasqyrimi jetësor me përfshirjen e këtyre elementeve do jetë në shërbim për brezat e rijnë, për pasardhësit tanë, që të pajisen me njohuri se në çfarë mënyre e në çfarë kushte kanë jetuar paraardhësit të tyre. Veçanërisht, ky përshkrim mund të ju shërbejë pasardhësve që të seleksionojnë se çfarë mund të ruhet nga
tradicionalja dhe se çfarë duhet braktisur njëherë e përgjithmonë – si për shembull veprimet misterioze, siç ishte prerja e frikës – gjë që është edhe mesazh i vetë autorit.
Autorin në femërinë e tij e kanë tmerruar sjelljet misterioze për ”Prerjen e Frikës” dhe për ta çrrënjosë këtë dukuri të mistifikuar autorit iu nevojit që të sjell në këtë rrëfim paraqitjen e intelektualëve që me iluminizmin e tyre i bënë varrin dhe larguan shumë adete apo zakone të dëmshme që ngulfateni zhvillimin e dijes dhe prosperitetit në trojet tona.
Figurat iluministe paraqiten jo vetëm për përmbysjen e zakoneve të këqija por edhe për rezistencën e tyre ndaj okupimit, duke i përshkruar si njerëz të sakrificës që përkundër burgosjeve dhe maltretimeve nuk u mposhten por vazhduan si pishtarë lirie për të sjellë një fije dritë të rrezeve të lirisë në trojet e përvuajtura.
Përmes romanit “Prerja e Frikës” gjejmë dialektikën jetësore të shqiptarëve dhe hapa e tyre vetëdashës për të braktisur format mitologjike të jetesës dhe për ti kultivuar vlerat civilizuese në këto troje. Autori në përkrahje të vlerave civilizuese thotë: “Me kaq marrin fund edhe trillet e plakave…” gjithashtu më pastaj autori inkurajon zhvillimin e individit duke dhënë porosinë: “Duhet të mësosh të ecësh vetë…”. Këto formulime flasin vetëvetiu se çfarë autori synon që të përçon tek lexuesi.
Duke e përgëzuar autorin për këtë roman mund të them se autori ka arritur ti paraqet ndryshimet historike të ndodhura nëpër kohë si në aspektin kulturor, sociologjik e psikologjik të cilat në mënyrë të vetëdijshme e me plotë sakrifica u kultivuan tek ne.
Në fund mund lirshëm të them se mesazhi i romanit si pikë të fortë ka transformimet civilizuese të cilat janë nxitur nga intelektualët shqiptarë që aspironin një jetë sa më demistifikuese dhe sa më humane. Urojë që të shtohet numri i krijimtarive prozaike me mesazhe të tilla, për një të ardhme më të ndritshme dhe larg e më larg nga “Prerja e Frikës” sikurse janë përfshirë në këtë roman. / KultPlus.com
(Recension i librit “Prerja e Frikës” të autorit Fehmi Pireva)