10 Prill, 2019 - 6:00 pm
“Si e imanigjoj unë ditarin e larë me lot e gjak të një gruaje që ndoshta jeton ndopak pas vdekjes. Ja humba vetën e parë rrëfimit. A thua e pati një vetë ndonjëherë në jetë?”
Pushkë nuk krisi kur lindi, veç nënën ja porositën mos me u mërzit për atë vajzë.
Megjithatë ajo nanë s’mundi me e ndal dhimbjen n’kraharor, prej ardhjes në jetë të një fëmije që nuk ishte djalë, e prej zorit se iu desh me imagjinu se ndoshta dhe kur lindi vetë, shtëpinë e prindërve e pllakosi zia.
Shqiptari shumë herë ja ka lënë fajin vogëlushes që vjen në jetë e të ëmës që hupën një shans me shtu mbiemrin.
“Hajt, shyqyr që ka shpëtu e ëma veç!
Përkundtë vllanë.
Mos u mërzit!
E plastë n’djep ça na e pruni!
Duket se ka le çikë se as zjarri s’nizet…”janë këto veç do mosurime që një nanë vajze ka mujt me dëgju në jetë të jetëve.
E ajo ka ul kryet, ka murmurue pak ndër dhëmbë, ka fajësu veten dhe ka dalë me marrë barrën e druve.
Thojshin vajza lind në shpinë e huaj e shkon në t’veten.
E huaja e përjetshme, që s’qe vetja kërkund ka pa nanën tu ardh në shpi vrap, tuj i la këmbët babës, gjyshit, xhaxhit e mikut.
Sa filloi me hedh do hapa, mjeranes ja gjetën një burrë të vogël sa ajo, që bota e priti me pushkë e baba e mbante n’anë të oxhakut, tu e pi me të një gotë raki.
U mësu kadal, me majt peshqirin e me qit ujë kur nana fërkonte gishtat e burrave me musteqe në legen.
Mrapa u rrit, u ba vetë nanë e “kriminele” se bani një vajzë.
Një vajzë që nuk i bani kafe vjehrrit e ai e mbyti, me levë a me ça i dul para.
*Si e imanigjoj unë ditarin e larë me lot e gjak të një gruaje që ndoshta jeton ndopak pas vdekjes. Ja humba vetën e parë rrëfimit. A thua e pati një vetë ndonjëherë në jetë?
27.AL 2017