Pse medoemos duhet pasur tradhtarë në vendet tona

24 Mars, 2023 - 4:30 pm

Mungesa e themelit/shtetit në tri shkallë

Pjesa I

Ballsor Hoxha

A mos ndoshta është aq e qartë sot, sa që duhet të fillojmë të pyetemi, pse është duke ndodhur e njëjta gjë, si në Serbi si në Kosovë, shpallja tradhtar e secilit lider në secilin hap të krijimit (dhe jo të ndërtimit) të një marrëveshjeje të dyanshme?

Liderët e Vetë-Vendosjes kanë bërë një transparencë të jashtëzakonshme, për aq sa është në interesin e tyre, në të interpretuarit e Dialogut; Marrëveshjes, dhe aq më shumë të kyçit të tradhtisë/shpëtimit të vendeve tona, Serbi dhe Kosovë, nga rreziku që i kanoset që nga kohët e para. Por, në anën tjetër, tërë ajo që është mekanizëm interpretimi i të tjerëve, prej opozitës politike dhe deri tek mediat, kanë marrë argument për tradhti ashiqare, e qoftë edhe plojë e liderëve të VV.

Në këtë përpjekje që liderët e VV të japin ‘kronikën e një ecurie të paralajmëruar’, ishte, si shembull këtu, edhe intervista e Glauk Konjufcës më 22. 03 në një nga mediet e Kosovës. Por, për ta marrë shembull këtu, dhe për ta theksuar tragjedinë, kjo intervistë ishte aq shpirtngushtë, dhe aq e varfër, duke qenë vetëm reagim, dhe me këtë ngushtim i qarkut të sjelljes sonë politike deri në ngërç, në tërë hapësirën kosovare, sa që Konjufca vazhdimisht izolohej në këtë reagim, të varfër.

Në të vërtetë, liderët e VV, po sikur të gjithë liderët paraprak të Kosovës, kanë marrë hapin e hapjes së plagëve dhe aq më shumë të minave të Dialogut, Kosovë – Serbi, apo që ndryshe do të mund të quheshin Pajtimi (Reconciliation – term i ndërtimit të paqes) ndërmjet dy palëve armike.

Kjo është aq e qartë në theksin e gjuhës së folur të liderëve të VV, dhe aq më shumë në ndryshimin e diskursit të tyre. Dhe saktësisht në intervistën e Glauk Konjufcës dhënë në datën e cekur.

P. Sh. Ajo që e shkakton tërë kraterin për shkak të Dialogut, dhe me këtë të hapjes dhe pajtimit të plagëve, pra Asociacioni, Zajednica, Zajebnica, apo vetë-menaxhimi, doemos duhet të shihet në dy arkiva (prej nga edhe vjen diskursi) të politikës:

– atë globale, ku Serbia shërben si tunel, apo konduit i Rusisë, e deri në Asociacionin, Zajednicën, Zajebnicën e deri tek Vetë – menaxhimi;

– atë lokale si – Reconciliation – (pjesë e ndërtimit të paqes, pra Pajtimi) ndërmjet dy fqinjëve fizik, dhe, Qendër e orientimit tonë politik.

Derisa Konjufca, dhe VV, e kanë ndryshuar diskursin (shprehje që rrallë kush nga politika jonë e di se ç’është megjithëse përdoret më shpesh se çdo gjë tjetër) për hir të perspektivës globale, gjë që në çdo rast është në favor të Qendrës sonë – Shtetit tonë, duke qenë në interes global për ndërprerjen e luftës së Rusisë me Perëndimin përmes kalimeve, tuneleve që vijnë e shkojnë nga Serbia, ne megjithatë secilën herë, në secilin hapë dhe në secilën ecuri të ‘paralajmëruar’ – qoftë të kaluar dhe qoftë të tashme – përmbytemi dhe mbytemi në zonën e politikës sonë. Gjë që ka mundësi t’i ndodhë edhe VV në këtë hap./ KultPlus.com

Të ngjajshme