17 Prill, 2021 - 5:02 pm
Arben Qirezi
Përgjigjie daahmirësie Ben Apollonit
E lexova shkrimin tuaj “E kujt është Erveheja” dhe më la përshtypje të mirë qasja e balansuar dhe mosanimi i juaj sidhe sqarimet profesionale nga fusha e juaj. Megjithatë, çështja të cilën e kemi ngritur nuk është aq bardh e zi dhe nuk përqëndrohet vetëm në pyetjen: e kujt është shfaqja dhe e kujt është drama. Unë e kuptoj se shfaqja është intepretim regjisorial i një teksti dramatik, në të cilin përfshihet edhe loja e aktorëve, ndriçimi, skenografia, muzika, kostumografia etj. dhe se secila prej këtyre e ka nënshkruesin e vet: interpretuesin e tekstit dramatik përmes regjisë, aktrimit, ndriçimit, skenografisë, muzikës e kostumografisë. Të gjitha janë të rëndësishme që një shfaqje të dalë e mirë apo në rastin e kundërt, e keqe.
Sipas jush, gjë që mund t’a pranoj, drama është e autorit, kurse shfaqja e regjisorit. Mirëpo, po t’a aplikonim këtë rregull fjalë-për-fjalë kur shkruajmë apo kur flasim për Ervehenë, do të isihn tre Erveheja të ndryshme: Erveheja e Muharrem Qenës (1966), Erveheja e Fetah Mehmetit (1984) dhe Erveheja e Drita Begollit (2019) kurse autori i saj do të mbetej i panjohur. Nuk do të flisnim për Shekspir nëse do t’a aplikonim rregullin se kur flitet për shfaqje, emri i autorit të dramës heshtet. E njëjta vlen edhe për dramat e tjera. Këtu është thelbi i diskutimit me akademk Mehmet Krajën, i cili në shkrimet e tij mbi Ervehenë, i referohet ndonjëherë si “shfaqja Erveheja e Muharrem Qenës,” apo në raste të tjera si “Erveheja e Muharrem Qenës”, duke e heshtur emrin e autorit. Prandaj, çështja të cilës duhet dhënë përgjigje është se kur flitet apo shkruhet për një shfaqje, a duhet të përmendet autori apo jo?-Cili është standardi që përdoret në botë? Siç e kuptoj unë, pavarësisht se shfaqja është e regjisorit, kur shkruhet dhe flitet për të, duhet të jepet informacioni i plotë, që përfshin edhe emrin e autorit.
Për t’a ilustruar pohimin e mësipërm, po i marr shembull të gjitha shkrimet në edicionin e 13 të vitit 1968 të Sterijino pozorjes, ku shkruhet “Predstava Erveheja Ahmeta Cirezija u reziji Muharema Cene,” që në përkthim dmth “Shfaqja Erveheja e Ahmet Qirezit, në regjinë e Muharrem Qenës.” Këto shkrime janë bërë nga profesionistë të teatrit dhe kritik të teatrit qw kanw aplikuar një standard të caktuar. Pra, kur flitet për një shfaqje, standardi është të jepet informacioni i plotë mbi shfaqjen, duke përfshirë edhe emrin e autorit. Madje në një kritikë të shfaqjes në Buletinin e Sterijino pozorjes, ky informacion është edhe më I detajizuar, ku përmenden të gjitha burimet që kanë çuar deri te shfaqja: “Ahmet Qirezi është nisur në një aventurë të llojit të vet, dukë u lëshuar në dramatizimin e një legjende të vjetër islamike për një grua besnike deri në vdekje. Kjo legjendë e ka inspiruar më heret poetin shqiptar Muhamet Çamin, që të shkruajë poemën me po të njëjtin titull. Qirezi ka arritur me sukses të shkruajë një tekst dramatic modern, dhe barriera gjuhësore në pozorje nuk ka penguar që kjo të ndjehet mirë.”
I njëjti standard përdoret edhe në Kosovë kur bëhet fjalë për shfaqjet e tjera. Tendenca e heshtjes së emrit të autorit është si duket një standard ekskluziv kur Mehmet Kraja shkruan për Ervehenë. Për shembull, në një intervistë të dhënë rishtazi, ai thotë: “…Prandaj, them unë, po të mbështetej te recipient, nuk do t’a kishim kurrë në letërsinë e Kosovës as Azem Shkrelin, as Ali Podrimjen, në pikturë nuk do t’a kishim Muslim Mulliqin dhe as në teatër kurrë nuk do të luhej ‘Erveheja’ e Muharrem Qenës.” Me këtë, Mehmet Kraja lë të kuptohet se autori I Ervehesë ështe Muharrem Qena, sepse gjithmonë sipas Krajës, Erveheja e Muharrem Qenës është luajtur në teatër. E vërteta është se në vitin 1966, në teatër është luajtur Erveheja e Ahmet Qirezit.
Unë vërtet mund të mos e njoh teknikalitetet e teatrit aq mirë, por kur flasim për një shfaqje, e cila bazohet në një tekst dramatik, është standard teatror, por edhe akademik, të jepet informacioni i plotë mbi shfaqjen, që përfshin edhe emrin e autorit. Une jam shkolluar në traditën anglosaksone ku çështjes së referencimit dhe citimit të drejtë I kushtohet rëndësi shumë e madhe. Poashtu, në Kosovë ndër të tjera ligjeroj edhe lëndën “Hyrje në metoda kërkimore,” në të cilën një pjesë të rëndësishme I kushtohet referencimit të drejtë. Heshtja e burimit, apo emrit të autorit të çfarëdo shkrimi apo materiali tjetër, sipas standardit akademik, konsiderohet, në rastin më të butë, si gabim,apo dezinformim i lexuesit e në rastin më të rëndë, si krim apo vjedhje.
Ashtu, sikur edhe ju, edhe Ahmet Qirezi në parathënien e botimit të Ervehesë të vitit 2007, debatin se a është më e mirë shfaqja (1966) apo drama e ka quajtur debat të kotë. Ashtu siç mund të jetë debat I kotë edhe e kujt qenka Erveheja apo çfarëdo shfaqje tjetër teatrore. Sipas mendimit tim të informuar bazohem në rregulla akademike dhe në praktikat që përdoren kur shkruhet për një shfaqje: titulli-autori-regjisori. Prandaj edhe po e ngris çështjen e heshtjes së autorit kur flitet për shfaqjen Erveheja, gjë që është në kundërshtim me standardin i cili aplikohet në botë dhe tek ne.
Drama shkruhet për t’u shfaqur në teatër dhe vlera e saj rritet kur ajo të luhet në teatër. Nëse ajo nuk luhet në teatër, rëndësia e saj zbehet. Shekspiri e ka themeluar teatrin e tij The Globe në vitin 1599, pikërisht për t’i luajtur dramat e tij. Po të mos ishte ai teatër, ndoshta dramat e Shekspirit nuk do të ishin aq të njohura, njëlloj siç nuk mund të flasim për mijëra Hamletë-shfaqje, sepse është një Hamlet i Shekspirit që ka me mijëra krijime regjisoriale në të cilat gjithmonë përmendet emri i autorit. Erveheja është drama më e njohur e Ahmet Qirezit, por nuk është kulmi I krijimtarisë së tij dramaturgjike. Sipas tij, drama “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” (1968) dhe “Ngjyrat e jetës” (1969) me të cilën e ka fituar çmimin e parë në konkursin e ish-TPK për dramën më të mirë në vitin 1969, ia tejkalojnë Ervehesë. E para është luajtur në Teatrin e Prizrenit, kurse e dyta ka mbetur e panjohur sepse nuk është luajtur në teatër. Pra, një dramë e bën jetën e saj në skenën e teatrit, prandaj, ajo nuk mund të trajtohet ndarasi nga shfaqja. Nje regjisor madje mund të bëjë edhe ndryshime në tekst apo në ngjarje, por kjo nuk e zbeh rolin e autorit. Për shembull, në realizimin e saj të Ervehesë në vitin 2019, Drita Begolli ka shtuar një element, që nuk është në dramë dhe nuk e di se a është vërejtur nga shikuesit: atë të përdhunimit seksual të Ervehesë. Ky është një krijim i saj autentik regjisorial, por kjo nuk e bën Ahmet Qirezin më pak autor se që është./ KultPlus.com