21 Shkurt, 2021 - 4:26 pm
Shkruan: Altin Ademi
“Qytetari”
Në debatin shoqëror kosovar, ngatërrimi i pavetëdijshëm, i qëllimshëm e i pasaktë i emërtimeve me statuse, ka qenë mjaft i shprehur që para luftës, e ka ardhur në shprehje veçanërisht pas saj. Përsiatje të tilla i hasim në përditshmëri dhe në çdo rrafsh. Ato kanë zënë vend që në procesin e shkollimit, tek puna, stili i jetës dhe deri tek politika aq e fragmentarizuar dhe pa përmbajtje.
Pothuajse secili pjesëmarrës në këtë debat të pafund e shpesh herë pa shije e pa vlerë, në vend se të kishte një funksion gjeneruesi që ka për qëllim emancipimin drejt qytetarisë, realisht ka komplet dhe kryesisht një funksion përpunuesi, që sjell në vëmendje asgjë qenësore, veçse kopjen e dëshiruar të saj.
Pra ndodhë shpesh që edhe debati si i tillë të mos jetë autentik. Ai shtrohet si peng marrje e pa meritë e elementeve të debatit të vërtetë që duhet të zë vend në një rend të lirë politik e shoqëror që shqyrton qytetarinë si sferë dhe “qytetarin” si status përbërës të saj.
Për të qenë më i qartë, fjala është për diçka që të zë veshi shpesh nëpër hapësirat e zakonshme ku takohen e ballafaqohen njerëzit: dallimin në mes të “qytetarit” dhe banorit që jeton jashtë qytetit.
Diferenca në mes të këtyre “dyve” në Kosovë, përpiqet të shënohet përmes elementeve komplekse, përfshirë gjeografinë, asimilimin fonologjik, veshjen, modën si tërësi, menynë ushqimore, frekuentimin e vendeve të veçanta, e përbashkëta e të cilave është asgjë më shumë sesa aftësia konsumuese dhe potenciali për konsum. Kjo mënyrë e ndarjes në mes të “qytetarëve dhe banorëve” nxjerr në pah “qytetarë” që kanë, por kurrsesi “qytetarë” që janë.
Ajo çfarë e karakterizon këtë diskurs është fakti i rrëmbimit të entitetit emërues “qytetar” si diçka që i mvishet dhe të cilin e aspirojnë si të mirëqenë vetëm ata që jetojnë në një hapësirë urbane. Në esencë, të jetosh në një qytet, domethënë të jetosh në një qendër urbane ku ka densitet të madh të popullsisë, përqendrim më të madh të aktivitetit ekonomik e social, ku hapësira private ndahet me mure e jo me oborre, e që në këtë rrafsh, asgjë nuk lidhet me statusin civil të qytetarisë.
Kjo për faktin se “qytetari” si koncept është para së gjithash status, e jo statistikë urbane e regjistruar në librin e amzës.
Përfytyrimi i nocioneve urbane si statuse emancipimi që e hasim si tendencë është shprehje e mungesës së njëmend të emancipimit dhe mos zotësisë së shqyrtimit konceptual të modeleve që korrespondojnë me ta.
Është një lloj përsiatje për ta legjitimuar “modelin e jetës urbane” si “status hierarkik” dhe “ndarjen klasore” në mes të një shoqërie, historia e të cilës në përgjithësi jo më larg se para 80 vitesh, ka tre përbërës në të gjithë shtrirjen e saj: nënshtrimin ndaj sundimit të huaj, mungesën e skajshme të edukimit dhe mungesën e kodeve socio-ekonomike të zhvillimit.
Një të tillë e kemi dëgjuar si krahasim, e kemi parë dhe e shohim që nga hapësirat e veçanta e deri tek “eminencat urbane” që kanë zënë vend në politikë, art, media e sfera të ndryshme sociale dhe të cilat sot imponohen si “qytetari”.
Por mënyra e “qytetëruar” e jetës urbane në Kosovë, në të vërtetë është asgjë më shumë, sesa konservim i një rendi të paqenë dhe përvetësim i statuseve të menduara si të tilla.
Ky devijim ndodhë për shkak të deficitit e jo për shkak të potencialit. Ndodhë për shkak se kjo ndarje e pretenduar nuk merr në shqyrtim identitetet qytetare. Nuk merr në shqyrtim sociologjinë urbane dhe as antropologjinë e saj. Nuk e trajton qytetin si një hapësirë të lirë por si geto e izoluar. Ajo merr si kriter ndarës vetëm gjeografinë. Me këtë kriter, “qytetarë” dalin të jenë vetëm ata që banojnë, por jo edhe ata që ndër veprojnë dhe kultivojnë pikëpamje civile për vlerat e qytetit. Në këtë rrafsh, shpjegimi gjeografik e mobilizon një dallim formal por refuzon ta trajtojë veçimin origjinal në mes të qytetarit dhe banorit.
Meqë kjo nuk është ndarja e duhur, atëherë, çfarë e përbën qytetarin, këtë vlerë pas së cilës janë rrokur të gjithë?
Qytetari është status dhe kurrsesi statistikë. Ai është çdo gjë tjetër, veçse jo domosdoshmërish banori i qytetit, si mishërim i këtij emri. Qytetari në fakt, më së paku ka të bëjë me qytetin si vendbanim. Ai ka të bëjë me statusin e qytetit si komunitet dhe me vetëdijen dhe angazhimin e tij për qytetin. Ai është qytetar edhe kur del nga hapësira urbane edhe kur është brenda saj. Qytetari nuk është i tillë pse lindë në qytet. Ai bëhet i tillë kur ka një ide rreth qytetit si vendqëndrim. Ai pra, është origjina e idesë dhe materializimi i një rendi publik dhe jo banuesi i rëndomtë nën muret e përbashkëta të banesave.
Qytetari në fakt dallon nga banori, sepse ai ka një vetëdije për statusin e tij. Dhe statusi i tij, para se të jetë status legal e pronësor, është status civil, politik dhe social. Pra ai nuk lindë as nga qyteti as nga ligji. Lindë nga vetëdija e tij dhe e bashkimit me të tjerë që kanë preokupim bashkëjetesën dhe shtrirjen më të gjerë të saj. Ai pra është themeluesi i vlerave civile të cilat i sanksionon me ligj. Ligji nuk e themelon qytetarin. Ligji vetëm shprehë një mënyrë jetese që i përmbahet asaj çfarë qytetari e ka themeluar.
Qytetari është aktivisht i angazhuar në sferën publike, rrjedhimisht politike. Ai është agjent politik i një ambienti real dhe jo një përkufizim agjenti sureal. Ai është morali prapa të cilit qëndrojnë dhe mirëmbahen raportet sociale dhe institucionet politike, e jo i nënshtruari politik ndaj tyre.
Qytetari është integruesi social përmes integrimit social. Ai dallohet nga vlera që themelon e jo nga trashëgimia që posedon. Ai qeverisë si dhe i nënshtrohet qeverisjes. Ai është pjesëmarrës aktiv në qeverisje, sepse kjo ia mundëson atij qytetarinë si status dhe jo subjektin nënshtrues ndaj qeverisjes.
Si individ, qytetari është person privat dhe synon të mbetet i tillë. Por ai megjithatë është qytetar për faktin se si identitet, është i lidhur së bashku me të tjerë që ndajnë qytetin si vendqëndrim, kulturë, ambicie dhe perspektivë.
Qytetari lindë nga vlerësimi i lirisë si diçka më e madhe sesa thjeshtë mbijetesa. Qytetari ka lindur jo kur është themeluar qyteti, por kur janë themeluar ligjet e tij. Qytetari para se të jetë shprehje e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes legale, është agjens politik që angazhohet për ligje të drejta e me mundësi të barabarta. Qytetari para se të jetë “pronar i hegjemonisë kulturore” është emancipim mbi rendin e gjërave dhe jo subordinim ndaj tij.
Qytetarin e përbëjnë atributet e aksionit politik. Nëse ka një dallim themelor mes qytetarit dhe banorit, kjo qëndron në faktin se i pari është i lidhur me një përfytyrim politik, e i dyti është mirëmbajtjes i rendit që ekziston, duke mos u bërë i vetëdijshëm rreth tij.
Pra qytetari është ai që e bën qytetin dhe zonën urbane me vlerë e kulturë, falë angazhimit dhe aktivitetit të tij. “Zona urbane” nuk e prodhon qytetarin. Është qytetari me angazhimin e tij, ai që e koncepton dhe e veçon zonën urbane.
Përgjatë historisë, qytetet tona për aq sa janë dalluar nga pjesa e shoqërisë agrare të Kosovës, kanë lënë gjurmë të mëdha drejt ngritjes së vetëdijes politike, kulturore dhe edukative për të gjithë shoqërinë tonë. Kjo falë mundësive që japë qyteti si komunitet përtej organik, për ta zhvilluar “zejen e qytetarisë” dhe vetëdijen e emancipimit kombëtar.
Të tillë qytetarë në Kosovë ka plot. I gjen edhe në Prishtinë, edhe në Prizren, edhe në Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Skenderaj e në çdo vendbanim tjetër. Gjasat për të mos i gjetur megjithatë, janë më të mëdha aty ku pretendohet se “qytetarin” e përbën vetëm regjistri në librin amzë dhe aftësia konsumuese e çdo gjëje që mund të blihet./ KultPlus.com