Reagon Ben Blushi: Është pa kuptim mbrojtja e Kadaresë nga Ismaili, edhe kur kjo vjen nga një vajzë e paedukuar siç është rasti i të bijës

1 Shkurt, 2023 - 5:03 pm

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, Besiana sot pati reaguar pas publikimit të një bisede në formë interviste nga Ben Blushi me babain e saj dhe botuesen e tij Alda Bardhyli.

Pas zërave të shumtë ditët e fundit mbi këtë bisedë të publikuar në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Besiana Kadare shkruan se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e të atit, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, Alda Bardhyli.

Sipas saj, Blushi ka abuzuar me besimin që iu akordua dhe e quan një gjest imoral dhe të paligjshëm.

Ndërkaq, ndaj këtij postimi i është kundërpërgjigjur edhe vetë Ben Blushi, dhe sipas tij, reagimi i saj është i padenjë.

“Kur libri 41 Sekrete u botua, i dërgova një kopje edhe Ismail Kadaresë. Pasi lexoi pjesën e vet të titulluar, Ismail Kadare Pasdite, ai më mori në telefon dhë më falënderoi, duke më thënë se i kishte pëlqyer ai tekst”, thotë ai.

Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë:

NJË PËRGJIGJE PËR VAJZËN E ISMAIL KADARESË

Vajza e Ismail Kadaresë ka bërë një reagim shumë të padenjë në adresën time, të cilit nuk do i përgjigjem siç e meriton, meqë është vajza e Ismail Kadaresë.

Shkak i këtij reagimi, është një bisedë e imja me Ismailin, e cila është botuar në librin tim të fundit 41 Sekrete.

Me Ismail Kadarenë nuk isha takuar asnjëherë deri në tetor të vitit të kaluar.

Shumë njerëz, në disa raste miq të përbashkët, më sillnin herë pas here gjykime të Ismailit mbi librat e mi, por kjo nuk ishte një nxitje për ta takuar. Unë kisha mendimin tim për letërsine e tij dhe kjo më mjaftonte.

Ndoshta nuk do ishim takuar ndonjëherë, nëse vitin e kaluar Alda Bardhyli, një mikeshë e afërt e familjes Kadare, nuk do më kishte dërguar një mesazh ku thoshte: Beni a do të pish një kafe me Kadarenë? I thashë se atë ditë ishte e pamundur sepse po nisesha për varrimin e një njeriu të dashur, në Korçë. Një muaj më vonë, Alda më ftoi sërish për një kafe me Ismailin dhe i thashë se atë ditë duhet të shkoja në Shëngjin, për të fotografuar një basketbolliste afgane.

Me këmbënguljen e Aldës dhe sigurisht për kënaqësinë time, u takuam të tre, tetorin e vitit të kaluar. Në atë kohë, unë merresha shumë me fotografi, duke rendur nga veriu në jug, nëpër plazhe të boshatisura e nëpër provinca, për të kapur fytyra njerëzish të cilët në fakt më mësuan të fotografoj. Kur u mundësua ky takim, mendova se ja vlente ta kisha edhe Ismailin në katalogun tim të portreteve të cilat sot janë më shumë se 50 mijë.

Megjithëse nuk njiheshim, biseda jonë ishte aq e thjeshtë dhe spontane saqë, mendova ta shkruaj dhe ta botoj në librin tim 41 Sekrete, ku përveç Ismailit janë dhe 40 personazhe të tjerë disa të njohur, disa të panjohur dhe disa shumë të njohur sic ishte dhe rasti i Kadaresë. Këtë plan, të cilin nuk e kisha, në fakt ma imponoi vetë Ismaili. Ai foli aq qetë, saqë mua më lindi dëshira për ta shkruar atë tekst në mënyrë artistike. Në këtë mënyrë, Ismail Kadare u bë pjesë e librit që u botua në nëntor.

Sidoqoftë, për të qenë i kujdesshëm deri në fund, para botimit të librit 41 Sekrete e kam marrë Ismail Kadarenë në telefon dhe i kam thënë se kam ndërmend të botoj bisedën që zhvilluam bashkë. Natyrisht i thashë, kam treguar gjërat e thjeshta për të cilat folëm, çfarë ha, sa fle, kur zgjohesh, a shef televizor, a lexon, a pi cigare, a i jep makinës, a ke ftohtë, si do doje ta kishte emrin, a je i vetmuar, a ke frikë të vdesësh etj. Ismaili u gëzua dhe më falendëroi.

Kur libri 41 Sekrete u botua, i dërgova një kopje edhe Ismail Kadaresë. Pasi lexoi pjesën e vet të titulluar, Ismail Kadare Pasdite, ai më mori në telefon dhë më falënderoi, duke më thënë se i kishte pëlqyer ai tekst.

Që nga dita që jemi njohur, flas me Ismailin në telefon dhe siç më merr edhe e marr sa herë mendoj se ky komunikim shumë i thjeshtë, nuk përbën asnjë angazhim për asnjërin, por është një mirësjellje reciproke. Herën e fundit Ismaili më mori dhe më uroi Krishtlindjen, siç e urova unë përpara disa ditësh për ditlindjen.

Kjo është historia ime me Ismail Kadarenë, për të cilin dikur kam menduar se është një shkrimtar i shkëlqyer, tani mendoj se është një shkrimtar shumë i mirë. Së fundi, kur e njoha, e simpatizova shumë edhe si njeri.

Meqë vajza e Ismail Kadaresë pretendon se unë nuk kam marrë pëlqimin e tij, duhet ti them se kjo është e pavërtetë çka vlen edhe për tekstin, i cili respekton në çdo gërmë gjishka që kemi biseduar unë, ai dhe Alda Bardhyli. Në këtë pikë, unë e mirëkuptoj vajzën, sepse natyrisht Ismaili nuk ka pse ti’i tregjojë asaj çfarë flet me mua, siç edhe nuk i tregoj vajzës sime çfarë flas me Ismailin.

Megjithatë nuk është kaq.

Ismail Kadare është jo rrallë, një temë bisede në rrethet që unë frekuentoj dhe prandaj kohët e fundit, nga njerëz që e takojnë, kisha dëgjuar se ai refuzon të bisedojë, se mbyllet dhe nuk flet për ditë të tëra me njeri, se bën sikur nuk njeh ata që takon, ose edhe nuk i njeh vërtet dhe se për shkak të perëndimit të moshës mund të mos jetë shumë i kthjellët.

Për hir të së vërtetës, kur e takova, nuk gjeta asnjë gjurmë përhumbjeje apo seniliteti gjatë gjithë kohës që qëndrova me të, por edhe më pas kur kemi komunikuar. Ismaili ishte plotësisht i qartë, lucid dhe i përqëndruar dhe nëse bënte sikur harronte apo nuk kuptonte gjë, kjo ishte një lojë e tij. Sipas meje një kapricio. Kjo është pikërisht ajo që kam shkruar dhe ky tekst ka vetëm këtë qëllim : të fotografojë një shkrimtar në pasditen e jetës së tij.

Nisur nga ky qëllim, nuk do kisha menduar kurrë se vajza e Ismail Kadaresë dhe rrethi i tij, do ishin përgjigjur kaq pa takt dhe në mënyrë agresive, fyese dhe ofenduese për mua siç natyrisht nuk kisha pritur të më falënderonin. Por tani që lexoj çfarë kanë shkruar, që nga vajza e tij e para, kuptoj se unë dhe ata kemi një dallim të madh : ata mendojnë se Ismaili është i përhumbur, nuk është i kthjellët, nuk është fare lucid dhe për këtë shkak mendojnë se duhet mbrojtur dhe izoluar në mënyrë që bota mos njohë Ismailin që është, por atë që ka qenë. Me shumë pakujdesi, duke menduar më shumë se si të më fyente mua dhe jo si të mbronte babain e saj, këtë gjë kishte pohuar vajza e Ismailit në ndërhyrjen e shëmtuar ndaj meje.

Ndërsa unë mendoj të kundërtën.

Ismail Kadare po luan me ata dhe ndoshta edhe me veten. Kështuqë çdo përpjekje për ta mbrojtur nga unë është e kotë. Siç është pa kuptim mbrojtja e Kadaresë nga Ismaili, edhe kur kjo vjen nga një vajzë e paedukuar siç është rasti i të bijës./ KultPlus.com

Të ngjajshme