Reagon Jusuf Buxhovi rreth keqpërdorimit të historisë

4 Shkurt, 2021 - 11:27 am

Nga Jusuf Buxhovi

(Mos)kuptimi i misionit historik të LDK-së në procesin e shtetndërtimit si dhe i rolit të Ibrahim Rugovës në të në formën e tanishme – si ikonë partie, ose si dogmë e përgjithësuar “rugoviste”, siç po shfaqet në fushatën zgjedhore, dëmton pikërisht kauzën mbi të cilën është ndërtuar Lëvizja kombëtare misioni i së cilës historikisht ka përfunduar më 12 qershor 1999.

Ditëve të fundit, fushata zgjedhore, tematizoi Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe dr. Ibrahim Rugovës në të mbi premisat e (mos)kuptimit ose të (keq)kuptimit deri tek mitizimi i tij, apo mohimi antihistorik i rolit të tij në themelimin e kësaj partie.

Ky tematizim bëhet në njërën anë duke u ngatërruar marrja e drejtimit të partisë nga ana e Rugovës në Kuvendin Themelues, që me të shpejtë do të kthehet në Lëvizje kombëtare – tek atributet e “themeluesit të vetëm” të partisë, që shfaqet në çfarëdo promovimi partiak vend e pa vend, gjë që gjithë projektin politik të disa brezave dhe veçmas të atyre që koha ua ngarkoi përgjegjësinë të merreshin me të – të tillë ishin thuajse e gjithë shtresa intelektuale e Kosovës e të gjitha niveleve që u kyçën në të – e zhvlerëson nga meritat historike te ato te kulti i individit. Me këtë rast nocioni “Rugovizëm” ngrihet jashtë ndonjë doktrinariteti të mbështetur në vepra, që atë do ta kthenin në ideologji, siç ndodhë me marksizmin – me veprat e Marksit, stalinizmin me veprat e Stalinit, enverizmin me veprat e Enverit, titizmin me veprat e Titos e të tjera. Meqë Rugova nuk ishte politolog, ishte programi i LDK-së mbi të cilin u ndërtua Lëvizja Kombëtare ku ai mbeti dhe nuk lëvizi fare deri në fund. Ky program, pra është platformë dogmatike, që mbështetet mbi ideologjinë kombëtare analoge me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që filloi me kërkesën për barazi brenda përbrenda Perandorisë Osmane, për të përfunduar, në Shkup, në gusht të vitit 1912, me 14 pikëshin e Hasan Prishtinës, që si Shqipëri Osmane do ta vërë në binarë historik pavarësinë e Shqipërisë të shpallur më 28 nëntor 1912.

Pra nëse mund të flasim për ndonjë “dogmë rugoviste”, atëherë kjo duhet të lidhet me Programin e LDK-së dhe konceptin e ndërtimit të shtetit mbi platformën e tij. Të tjerat janë pjesë e apologjisë politike për konsume partiake, që nuk i shkojnë rrethanave të kohës, e aq më shumë i shërbejnë ndryshimit për të mirë të gjendjes që pritet nga këto zgjedhje.

Tematizimi në tjetrën anë i figurës së Rugovës dhe rolit të tij në këtë proces tashmë të kryer historik që e prodhoi shtetin, që ka për qëllim minimizimin ose mohimin e tij, me argumente po ashtu antihistorike, lidhet me atë të liderit, që si drejtues legjitim i një rezistence institucionale, për tetë vite udhëhoqi shtetin paralel në rrethanat e okupimit policor dhe ushtarak serb si president i parë historik i zgjedhur me votën e qytetarëve në vitin 1992, në vitin 1998 dhe i rizgjedhur edhe në vitin 2001 dhe 2004. Me këtë rast manipulohet me nocionet “rezistencë paqësore”, “gandizëm”, “nënshtrim në shërbim të pushtimit” e të tjera, ku nuk mungon edhe atributi “i tradhtarit” dhe i “tradhtisë”, që prodhoi pasoja të njohura tragjike të cilat edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të të jenë përçarëse.

Natyrisht se diskursi i parë – mitizimi për nevoja politike dhe, i dyti – mohimi antihistorik i një procesi historik dhe i rolit të partisë së parë plurale shqiptare (LDK-së) në rrethanat pas rënies së Murit të Berlinit dhe fillimeve të rënies së bipolaritetit blokist, dhe të dr Ibrahim Rugovës në të, që koncepti “i çlirimit” të fitojë primatin historik ndaj konceptit të rezistencës “joefikase” madje “kapitulluese” institucionale, ka të bëjë me ngatërrimin sa nga mosnjohja e këtyre rrethanave edhe nga vetë liderët e tanishëm të kësaj partie të kauzës fillestare të programit të kësaj partie e ngritur mbi konceptin e kërkesave për liri, demokraci dhe barazi, e aprovuar në Kuvendin e saj Themelues më 23 dhjetor 1989, dhe, nga ana tjetër, nga mospranimi i procesit të evolucionit të shpejtë dhe të pranimit të tij në përputhje me zhvillimet siç ishin ato të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të fillimit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni në maj të vitit 1991, që solli Konferencën e Hagës të gushtit të atij viti ku edhe u mor vendimi për shpërbërjen e federatës jugosllave mbi bazat e të drejtës së vetëvendosje së njësive federative, me ç’rast, edhe LDK-ja, në marrëveshje me subjektet tjera pluralë në hapësirat e ish Jugosllavisë, kërkesën e deriatëhershme për BARAZI në federatën jugosllave, e riformuloi në kërkesën për PAVARËSI.

Ndryshimi i kërkesës së mirëfilltë nga jo për BARAZI (krahas atyre për liri dhe demokraci, pra për sistem plural me të cilin rrënohej monopoli i partisë komuniste në pushtet dhe i komunizmit si sistem), siç theksohej në programin e aprovuar ditën e themelimit të partisë, pra më 23 dhjetor 1989, në PAVARËSI, që do të aprovohet në Kuvendin e Parë të rregullt LDK-së më 5 maj 1991, ishte në përputhje me ndryshimet radikale, të cilave duhej përshtatur me të shpejtë. Para e Programit të LDK-së nga Kuvendi themelues pa këto ndryshime është i njëanshëm dhe jashtë kontekstit të misionit historik.

Por, për t’u kuptuar sa më mirë ky ndryshim, pra kthimi i kërkesës së mirëfilltë BARAZI (ku kritikuesit e saj të sotëm joparimore po mundohen ta lidhin me “jugosllavizmin” e të ngjashme në rrethanat kur ai po binte), të ajo në PAVARËSI, mbi të cilën do të mbështetet i gjithë procesi i lëvizjes institucionale-paqësore me shtetin paralel nga viti 1992 e deri më 12 qershor 1999, pashmangshëm lidhet me ato që quhen parakushte të këtij ndryshimi historik, siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kuvendi i Kaçanikut i 7 shtatorit 1990 kur Kosova u shpall Republikë e pavarur në kuadër të federatës Jugosllave, që do të pasohen edhe me Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991.

Këto tri ngjarje që rrumbullakuan infrastrukturën e legjitimitetit demokratik, kanë pasë për bazë vendimin e Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi (dhjetë sosh natyrisht të prira nga LDK-ja si strumbullar i tyre), nga gushti i vitit 1990 rreth tri opsioneve.

I pari opsion kishte të bënte me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, po qe se ajo do ta ruante karakterin e njëjtë që kishte.

Opsioni i Dytë kishte të bënte me formimin e një republike shqiptare në Jugosllavi, ku do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e shpërndarë në tri republika, po qe se do të ndryshonte karakteri i saj i brendshëm (federal-konfederal)

Dhe opsioni i tretë – lidhej me vendimin se po të shpërbëhej federata jugosllave, atëherë shqiptarët vendosnin pavarësisht për fatin e tyre duke mos u përjashtuar bashkimi me Shqipërinë.

Te këto (mos)kuptime sa nga mosnjohja e vetë liderëve të tanishëm të LDK-së dhe sa nga (keq)kuptimet e kursit të LDK-së dhe rolit të saj historik në ndërtimin e shtetit të Kosovës, gjithsesi bie lëvizja institucionale, me shtetin paralel, si obligim kushtetues nga Kuvendi i Kaçanikut, mbi të cilat u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në vitin 1992 dhe ato të vitit 1988, në rrethanat e luftës.

Liderët e sotëm të LDK-së, po shihet se nuk e njohin mirë këtë pjesë të historisë së partisë e as të lëvizjes shtetndërtuese, ose dëshirojnë që atë ta përdorin pjesërisht për qëllime të caktuara, ku duhet të shihet vetëm roli mitizues i Rugovës në të, me ç’rast përjashtohen faktorët tjerë të gjithëmbarshëm që e kanë bërë lëvizjen dhe e kanë bartur atë deri të qëllimi historik, veçmas faktorit ndërkombëtar si dhe mbikëqyrja prej tij në të gjitha fazat – të “politikës pa luftë”, pra të shtetit paralel dhe të “luftës pa politikë”, pra të rezistencës së armatosur.

Në këtë diskurs moskuptues nga disa liderë të tanishëm të LDK-së, por edhe mohues nga ana tjetër me “argumente” të interesave grupore për pushtet ose aso ideologjike, bie edhe çështja e rezistencës së armatosur si kategori kushtetuese, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të themeluar në fillim të vitit1992, kur ajo krahas ministrive të tjera kishte edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit (pra të policisë). Por, ajo pasqyrohet edhe me aranzhmanet e para që ka filluar LDK nga mesi i vitit 1990 të dërgimit të disa grupeve vullnetare për stërvitje në Shqipëri në përputhje me marrëveshjen midis Rugovës dhe Ramiz Alisë në atë vit dhe një vit më vonë me presidentin Berisha.

I gjithë ky aktivitet, pra ka qenë fillimisht në kuadër të strukturave të LDK-së dhe më vonë të Qeverisë së Kosovës, paçka se është përcjellë me vështirësi, gabime dhe lëshime të shumta madje edhe me pasoja.

Ka rëndësi me këtë rast të thuhet se veprimtaria e dy ministrive të Qeverisë së Kosovës (asaj të mbrojtjes në formën e organizimit të mbrojtjes territoriale në krye me gjeneralin Hajzeri), kanë vepruar deri në fund të vitit 1993, kur edhe do të burgosen nga regjimi jugosllav, por që kjo veprimtari, bashkë me atë të grupeve guerile (Drenicë dhe Dukagjin), është dashtë të ndërpritet në janar të vitit 1993, pas Kërcënimit të Kërshëndellave të 24 dhjetorit të Presidentit amerikan Xhorxh Bush, dërguar Millosheviqit , që njihet si “vijë e kuqe” që të mos përdor luftën në Kosovë. Ky kërcënim u është drejtuar edhe shqiptarëve që të mos përdorin kurrfarë aktiviteti luftarak.

Pra, LDK dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të detyruara t’u rrinë larg grupeve guerile dhe të “ngrijnë” punën e dy ministrive (të Mbrojtjes dhe të Policisë). Meqë SHBA-të dhe NATO kanë qenë ata që kanë kërkuar “politikë pa luftë”, së cilës dr Rugova i është përmbajtur me përpikëri, siç kanë kërkuar që edhe të mbahen zgjedhjet në qershor të vitit 1988, me ç’rast kjo kërkesë i është drejtuar personalisht dr Rugovës në Uashington nga Klintoni dhe në Gjermani, gjatë pritjes që ia ka bërë kancelari Kol.

Ato që kanë ndodhur në Tiranë dhe në relacionet Kosovë-Shqipëri nga viti 1997 kur do të dalë në skenë UÇK-ja, si dhe rikthimi i Ministrisë së Mbrojtës nga Qeveria e Kosovës në pranverën e viti 1988 me në krye ministrin e FARK-ut Ahmet Krasniqin, pastaj marrëveshjen e Oslos për luftë të përbashkët, ku FARK-u subordinohet në UÇK, janë një kapitull i një gare të njohur rreth mbikëqyrje së rezistencës së armatosur midis Qeverisë së Kosovës dhe LPK-së, e cila, nga viti 1993 kur do të largohet nga Lëvizja Kombëtare që drejtonte LDK-ja, do të plotësojë vakumin që la pas pasivizimi i Ministrisë së Mbrojtjes nën diktatin amerikan dhe ndërkombëtarë.

Ky digresion i shkurtër nëpër histori, që trajtohet dhe argumentohet në veprën “Kthesa historike” 1 si dhe “Kosova”V, VI dhe VII, pa pretenduar se çështjes i është vënë pika, meqë shkenca nuk pranon kornizat dogmatike e aq më pak përvetësimet nga pozicioni i “fitimtarit” dhe “të fortit”, ka për qëllim që të tërheq vërejtjen nga keqpërdorimet personave historik, siç është Dr.Rugova me këtë rast për qëllime zgjedhore deri te shkalla e manipulimeve të paskrupullta që gjoja bëhen për “ta kthyer atë në histori”, ose “për ta zbritur nga historia”, kur dihet se ai ishte drejtues i një lëvizjeje kombëtare gjithëpopullore në të cilën morën pjesë të gjitha rrymat dhe shtresat shoqërore dhe politike që kërkonin çlirim nga Serbia dhe liri, demokraci dhe pavarësi.

Me këtë rast duhet ta kenë të qartë edhe përdoruesit si dhe shpërdoruesit e historisë, se vlerësimet dhe rivlerësimet historike të ngjarjeve si dhe personaliteteve në to, nuk kalojnë nëpër filtrat politikë, siç janë të tanishmit ku partitë pretendojnë monopole edhe ndaj figurave historike që i tejkalojnë kornizat e tyre, por nëpër ato shkencor, ku distanca kohore de dokumentet kanë fjalën kryesore.

(*Autori është historian, koordinues i grupit nismëtar për themelimin e LDK-së, autor i Programit të LDK-së si dhe dokumenteve të aprovuara në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989. Ishte sekretar i parë gjeneral i partisë nga themelimi e deri më 5 maj 1991. Ndërsa Anëtar i Këshillit Qendror të KLD-së nga 1991-1993). / KultPlus.com

Të ngjajshme