Referandi (mitik) i Prishtinës, URBAN FM

20 Qershor, 2020 - 5:51 pm

Nga: Ballsor Hoxha

Kalimi i Radio Urban FM prej një fenomeni rrënjësisht identik dhe të identifikueshëm me esencën e lirisë, kalimi i Urbanit në mit, legjendë dhe histori të paarritshme, sa është i pashpjegueshëm dhe i pakuptueshëm po aq është edhe dëshpërues dhe i gjykueshëm (ndëshkueshëm), për vet ne, për vetë shoqërinë tonë. Liri dhe esencë e lirisë, pikërisht sikur partyt e Radio URBAN FM, kur krijohej dyzimi i njerëzores me atë që gjendet përtej jetës së përditshme të zakonshme dhe të kopesë.

Radio URBAN FM – ka qenë diçka që përpos muzikës ‘cutting edge’, përpos informacionit kritik, në të vërtetë të zanafillës së informacionit kritik, apo thënë ndryshe informacionit me vetëdije, që i ka dhënë fill edhe energjisë undergorund dhe avangarde. Urbani (siç është njohur në Prishtinë) URBAN FM tanimë ka kaluar në diçka si legjendë urbane, diçka mes mitit dhe realitetit, diçka që ka qenë një kohë apo që vetëm ka qenë imagjinatë e ‘prishtinalive’. Urbani, ka pasur edhe specialitetin e saj, thëniet, siglat, incizimet nga filmat, posaçërisht të Tranispotting dhe Fight Club, dhe të filmave të komunizmit të Shqipërisë, dhe thënie nga njerëz të zakonshëm kosovar nga vox popullit e saj. Copa, prerje, thënie që kanë kaluar në brumë për legjendë e legjenda.

Disa prej tyre janë

“… walk alternative, breath alternative talk alternative … pushing it to the limit…”

“kjo për neve shqiptarëve është diçka absurde”

“Gjermania do të investoj dy milion euro në Kosovë por nuk po kallxon ku”

“nuk e di nuk jam në rrjedhje, mu ka prish televizori qe nji muj”

“vazhno je da bude sloboda” (me rëndësi është që të jetë liri)

“… choose colour tv, choose washing machines… choose life… but I choose to choose something else.. I choose Urban FM”

“… pasi që po na dëgjon neve ti veç pe din çka po don…”

URBAN-i, Radio Urban FM, në përpjekjen e tij për të kapur dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme dhe të vetëdijshme, ka vuajtur inferioritetin e shoqërisë sonë ndaj undergroundit, ndaj alternatives dhe ndaj avangardës, por aq më shumë ka vuajtur çudinë e shoqërisë sonë para një konfrontimi kritik të vetëdijshëm si të URBANIT me injorancën dhe izolimin kulturor të kolektivit tonë. Urbani ka qenë një kohë, tanimë është fenomeni i kujtesës së tij, si fenomen i mundësisë së konfrontimit të të keqes, të ligës dhe të injorancës në ne.

Në kritikën dhe filozofinë bashkëkohore referand quhet ajo pikë përvoje e njeriut, ai fenomen, dhe ajo paraqitje në vetëdijen e njeriut që as nuk ka ndodhur më parë dhe as ka gjasë të përsëritet. Në historinë e Prishtinës, ka pasur një fenomen, përvoje dhe mënyre të jetës që tejkalon çdo gjë paraprakisht asaj dhe si duket edhe në të ardhmen e afërt, diçka ngjashëm me paraqitjen e – Radio URBAN FM. Aq më shumë fenomeni URBAN FM ka pasur edhe një thënie krejtësisht spontane dhe krejtësisht anonime të një të riu kosovar që e përshkruan pikërisht inferioritetin e kolektivit tonë ndaj guximti të Urbanit, e ajo është “Kjo për neve shqiptarëve është diçka absurde”, që do të thotë, në përkthim, për shqiptarët është absurd, por jo edhe për dikë tjetër, etj…

URBAN FM, ashtu siç ka qenë dhe ashtu siç e ka përmbyllur punën e saj, ka qenë identifikim dhe mënyrë jete alternative dhe underground, në muzikën që e ka kultivuar, në filozofinë që e ka jetësuar dhe në programin e saj. Aq më shumë në punën e saj Radio Urban FM ka bërë atë që kosovari i zakonshëm nuk e bën as në imagjinatën e tij, prej mos përdorimit të qëllimshëm të gjeneratorëve në kohën e krizës së rrymës në Kosovë si shenjë solidarizimi me njerëzit e zakonshëm, e deri tek kujdesi prishtinas ndaj dëgjuesve me alternativen e saj, paradoksalisht duke shty deri në teh, e duke kultivu kujdes narrativi të po të njëjtës.

Dardan Islami, edhe tani i njohur për kritikën e tij, mendimin e tij, dhe idetë krejtësisht të pavarura, kishte thye akullin e diskutimit dhe debatimit publik në Kosovën e pasluftës në Urban FM. AI për vite me radhë ka pasur emisionet e tij ku kritika e ashtuquajtur urbane dhe e vetëdijesuar, e pavarur ka ballafaquar “Prishtinalinë” me çoroditë, me fenomenet dhe me paraqitjet në shoqërinë kosovare. Daradan Islami ka qenë edhe Show Man në emisionet e tij në Urban, show i tij ka qenë prej humorit të hollë e deri tek kritikat që kanë qenë nën vëzhgim të institucionevce të ndryshme për shkak të guximit të tij, çdo gjë ka qenë e diskutueshme, e parë nën kritikën urbane të Dardanit.

“Walk alternative, breath alternative, … pushing it to the limit” dëgjohej ikona e Urban FM i njohur si Shuki, në një nga siglat e radios. Kur pat filluar emetimin Urbani, Shuki ka pasur emisionin e tij ku tregonte përvojat e tij prej të shikuarit porno bashkë me babain e tij, e deri tek përjetimet e partyve më underground në Prishtinën e pasluftës, gjithnjë me përcjellje të DJ-ve dhe muzikës më underground të kohës, (gjithëherë të shkarkuar ilegalisht nga interneti, ende në atë Prishtinë nuk kishte lidhje dhe as mundësi të dëgjuarit të muzikës ndryshe). Migjen Kelmendi, me seriozitetin e një njeriut të rryer në kulturën alternative e pat quajtur Shukin “Një Skenderbe i Vogël”. Me rrëfimet e Shukit live në Urban, ishte e para herë që dikush hapej publikisht/rrëfente publikisht për “shijen e krem bananeve” pas partyve underground dhe për përjetimet “anti” shqiptare tej injorancës sonë, gjithnjë në frymën e konfrontimit të saj dhe të hapjes së mundësisë për të parë – ndryshe.

Urban FM ka pasur periudha të errëta, si financiarisht e po ashtu edhe ndanë sistemit. Megjithëse është themeluar dhe kanë punuar aty ushtarë direkt të UÇK dhe kanë qenë të mirënjohur, për ata që kanë dashtë, si patriot të ‘vetëdijshëm’, ata janë quajtur edhe – shkije -, – drogirasha -, – të degjeneruar -, e edhe të – rrezikshëm për rrethin -. Ka pasur kohë kur Urbani zhdukej nën të errëtën e shoqërisë sonë. Por gjithherë shfaqej, edhe më i fortë, edhe më kreativ e edhe më undergorund.

Një prej legjendave të informimit, dhe të talk show në radio, ish ushtari i UÇK Arientin Abdyli, duke e kultivuar sportin, muzikën “rep kualitet” (ironi e qëllimshme me një nga thëniet e qytetarëve të Prishtinës që përsëritej në radio), në të vërtetë muzikë të njohurisë më të lartë të saj, dhe të informimit prej fushës së Show Biz e deri tek politikat aktuale globale dhe lokale, ende është i papërsëritshëm, ende është i paarritshëm, por edhe ende është i anashkaluar për dijen enciklopedike, për profesionalizmin thellë depërtues në nyjet e çështjeve globale dhe lokale, dhe për përkushtimin e tij në profesionin e informimit kritik, Arientin Abdyli, i njohur si Ari i Urbanit, nuk e ka parë dhe as nuk e ka prezantuar asnjëherë informatën ‘copë’, ai është më i miri në atë që bën për shkak të kritikës së tij ndaj informatës që e jep, dhe të përpunimit të saj në intervistat e tij me të tjerët, që ende janë të paarritshme.

Berna Caka – edhe një hap tutje në vetëdijesimin e Prishtinës, me shijen e saj për muzikë, me backgroundin e saj në kulturën underground, dhe me kultivimin e këtyre dhe frymës/ave më të reja të muzikës globale, në emisionin e saj, një prej emisioneve të saj më të njohura “Drive Time me Bernën”, ka thyer përgjithmonë virgjërinë kosovare në përjetimin e muzikës underground dhe ka hipur një shkallë më lartë perceptimin e këtij fenomeni të njerëzimit – muzikën, në diçka tjetër, diçka që ende rezonon sikur – high – pas një party që rrënon sistemin tënd të asaj që ke ditur, duke të sjellë në një sferë të re të tokës. Këtë gjithnjë duke e bërë me kombinimin e dijes mbi këtë muzikë, muzikën vet dhe informatën rreth saj.

Urbani ka pasur edhe gjeneratat e tij, Strellakis Strella, moderator, kultivues i informacionit underground dhe muzikës me ‘vetëdije’ është një prej gjeneratave të reja në Urban, që ka krijuar trashëgiminë e Urbanit dhe ka orientuar vetëdijen alternative dhe në alternative të kulturës me dije, me informatë dhe me sjellje. Gjithnjë në emisionet e tij, në bashkëpunim me DJ-ët më të aftë shqiptar, si prezantim dhe si një ongoing party, ka pasur një prej emisioneve më të paarritshme profesionalisht që emetohej në prime time të radio emetimit, dhe që krijonte frymën, energjinë dhe ajo që njihet si ‘communion’ në alternativen, apo thënë më saktë: të ‘vetëdijshmen’. ETJ.

Një prej problemeve të shoqërive si kjo e jona, shqiptare, është se nuk kanë mbrojtje kulturore, që do të thotë medium të shtjellimit, përkufizimit dhe të diskutimit të kulturës së vetë kolektivit të vet. Turma, kopeja është tejet e rrezikshme dhe e vetëdijshme për politikën e saj (qoftë edhe sipas teorive), dhe në këtë legjendat si Urbani asnjëherë nuk arrijnë të shpërthejnë kordonin e turmës, injorancën vetë.

Urbani ka qenë antenë, ka qenë “vlera historike që duhet të mbrohet” me çdo kusht, ka qenë tehu i alternatives, undergorundit, avangardës dhe vetë kritika ndaj po të njëjtës, në këtë mënyrë duke krijuar kultivimin dhe orientimin e kulturës në atë që është e ‘vetëdijshme’.

Antena e alternatives globale dhe lokale në Prishtinë, Urbani, Radio Urban FM, ka qenë dhe ende është sinonim, dhe identitet, dhe luftë për urbanen si frymë dhe konfrontim i injorancës, dhe duke qenë tejet – përtej – kopesë ku gjendemi, ka mbetur si një ëndërr edhe e bukur por edhe e pikëllueshme, e asaj që ishte liria jonë dhe asaj që mund të kishte qenë liria jonë, por që në mungesën e guximit kulturor, së paku, është pështjellur me legjendat, mitet, dhe historinë e paarritshme në dukje. /KultPlus.com

Të ngjajshme