20 Maj, 2020 - 3:03 pm
Nga Ndriçim Çekaj
“Ju duhet të jeni ndryshimi që dëshironi të shihni në botë” – Ishte kjo thënie e Mahatma Gandit që më zgjoi një dëshirë për të shkruar disa rreshta për aktivizmin rinor dhe punën vullnetare të shumë të rinjve të Kosovës, në mesin e të cilëve për vite më radhë isha edhe unë.
Tashmë ka kaluar një kohë prej kur jam larguar nga aktivitetet rinore, e ndjej të nevojshme të bëj një reflektim në këtë veprimtari modeste, e cila filloi në vitet e para të gjimnazit, dhe disi përfundoi në ‘25-tat e mia. Kjo periudhë gati dhjetëvjeçare, tanimë është pjesë e pashkëputshme e kujtimeve të jetës sime, e cila ka ndikuar edhe formimin tim, qoftë në zhvillimin e njohurive, qoftë në aspektin social e njerëzor.
Megjithatë, duke mos e bërë shkrimin të duket se është shkruar në veten e parë, ne nuk do të flasim shumë mbi përvojat personale të aktivizmit rinor, por do të flasim për anët e shumta pozitive që sjellë ky vullnetarizëm i të rinjve. Do të ndalesha pak më gjatë.
Kemi dëgjuar shpesh duke thënë se disa gjëra nuk t’i mëson shkolla. Në parim kjo na duket absurde, sepse në shkollë pavarësisht cikleve shkollore, atje shkohet për të mësuar gjithçka që ne nuk e dimë. Por ja që kjo shprehje ka shumë bazë në realitet, sepse më të vertetë, secili i ri kur angazhohet sadopak në aktivitete të çfarëdolloj natyre, e në këtë rast në aktivitete rinore, i sheh se ato janë një plotësim shumë i madh i asaj që i mungon shkollave tona, e që është nxitja e zhvillimit shoqëror, përmes aktiviteteve të lira.
Pavarësisht, përkrahjes që na ofron familja, shkolla apo shoqëria, me kalimin e kohës na shfaqet një dëshirë tjetër, dhe kjo padyshim është shtytja kryesore për angazhimin e përditshëm.
Një i ri, i cili aktivizohet në grupe rinore, struktura, qofshin ato lokale apo qendrore, klube debati, shoqata, OJQ rinore, me qëllim që të shtyj kauza të caktuara për të mirën e përgjithshme të të rinjve, ai apo ajo qysh në fillimet e punës së tij/saj, do të ndërtojë profilin e tij, i cili me kalimin e kohës pavarësisht sfidave, do të dijë sesi t’ju qaset problemeve.
Përveç ndërtimit të profilit, tek një i ri aktivist, do të gjejmë një mendje kritike, e cila nuk dorëzohet lehtë ndaj presioneve dhe joshjeve politike, apo të ndonjë dukurie negative në shoqëri.
Një çështje tjetër dhe shumë e rëndesishme është njohja me përvoja dhe raste te ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Përmes rrjetëzimit rinor, të rinjtë çdoherë e më shumë do të takojnë moshatarët e tyre me probleme e nevoja të ndryshme që i hasin në qytete, në qendra të mëdha, në fshatëra të thëlla rurale, të cilëve shpesh ju bie rasti të kenë bashkëpunime në tema dhe ngjarje të ndryshme që janë në interesin e tyre të përbashkët.
Kur jemi tek përfitimet e aktivizimit rinor, përmes punës vullnetare, gjithsesi që duhet cekur efektin e madh që ka kjo punë, e cila ndikon në përmirësimin e socializimit, në rritjen e ndjeshmërisë ndaj shumë fenomeneve negative që hasin të rinjtë, tek pranimi i njëri-tjetrit ashtu siç janë, tek rritja e rrethit shoqëror dhe gatishmëria shumë më e madhe për bashkëpunim, qoftë edhe në rrethana më të vështira. Duke u bazuar në këto dhe në argumente të tjera, e them me bindje se të qenurit aktiv në moshën e rinisë është një shkollë më vete e lidershipit, që kalitë dhe përgatitë të rinjtë për shtigje të tjera të jetës, si në punë, në profesion, në menaxhimin e problemeve, në vendimmarrje, pra përvojën që ata e fitojnë më herët do ta kenë si referencë për përgatijen profesionale për të ardhmen.
Në Kosovë ka një potencial të madh të të rinjve që janë aktiv, këtë e them edhe nga përvoja ime gjatë takimeve që i kam pasur me të rinjtë. Gati në secilën Komunë të Kosovës, sot mund të themi se ekziston një strukturë sado e vogël e të rinjve që avokojnë për përmirësimin e pozitës së bashkëmoshatarëve të tyre në shoqëri, disa merren me fushën e arsimit, disa të tjerë me rritjen e buxhetit për rini, disa lobojnë për ndarjen e bursave, për hapësira reakrative, disa merren me aktivitete humanitare, e disa avokojnë për ndërtimin e infrastukturës fizike dhe ligjore për të rinjtë etj, dhe këtë fakt e cilësojmë si lajm të mire, padyshim.
Mirëpo, lajmi i mirë do të plotësohej edhe më shumë, sikur institucionet e Kosovës ta kenë vëmendjen shumë më të madhe tek rinia, sepse sot kjo përkrahje mungon në masë të madhe. Rinia jonë përbën pjesën më vitale të shoqërisë kosovare si për nga aspekti i pjesëmarrjes së saj në shoqëri, ashtu edhe nga aspekti i potencialit të saj strategjik në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit. Është e nevojshme që këtij potenciali rinor, t’i ofrohen kushte dhe mundësi për të qenë pjesë aktive dhe kontributëdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimeve në vend. Pra, të rinjtë e Kosovës kanë nevojë për përkrahje më të madhe për t’i stimuluar sa më shumë që ata të angazhohen drejtë hapjes së horizonteve te reja, përmes programeve inovative, punës praktike, trajnimeve profesionale, përmes thirrjeve më të shpeshta për aplikim në projekte, mbështetje financiare për talentët e veçantë, shkëmbime përvojash me të rinjtë e vendeve të tjera. Këto dhe shumë tema tjera, do të duhej të ishin prioritare për secilin institucion, qoftë ai komunal, ashtu edhe në nivel qendror.
Përveç mungesës së mbështetjes, të rinjtë aktivistë ballafaqohen edhe me një problem tjetër në Kosovë, e që është “peshkimi politik”. Kështu po e quaj një tendencë të udhëheqësve padallim, të cilët tentojnë t’i fusin nën kontrollin e tyre politik të gjithë aktivistët e rinisë kudo në Kosovë, varësisht se cilat subjekte qeverisin me komunën ose shtetin në tërësi. Pra, kemi të bëjmë me një formë të trajtimit të aktivistëve rinor, të njejtë me forumet rinore partiake. Kjo qasje është e dëmshme dhe zbeh entuziazmin e të rinjve për punë vullnetare, sepse jo çdo i ri është i gatshëm të bëhet pjesë e një subjekti politik ose t’i shërbejë atij në çfarëdo forme, në këmbim të përkrahjes institucionale. Ani pse vlerësojmë se angazhimi politik i të rinjve është i mirëpritur në secilën kohë, por mendojmë se kjo duhet të ndodhë, pasi të arrihet në një shkallë profesionalizimi intelektual tek secili i ri.
Nëse flasim për kushtet insfrastrukturës fizike për zhvillimin e aktiviteteve rinore, është evidente se në shumë komuna janë ndërtuar qendra rinore dhe kulturore, por kjo nuk mjafton. Lidhur me aspektin e legjislacionit, që merret me fushën e rinisë në Kosovë, është në fuqi Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë, i miratuar vite më parë, dhe ky ligj përmes udhëzimeve administrative ka rregulluar disa aspekte si: punën vullnetare; edukimin joformal; licensimin e qendrave rinore dhe themelimin e strukturave të përfaqësimit të të rinjve në nivel vendi.
Tani pas shumë viteve, vlerësojmë se është shumë e nevojshme të adresohet ndryshimi i këtij ligji dhe të plotësohet me nevojat e kohës, dhe një prej ndryshimeve të nevojshme është që ligji të jetë sa më praktik, që të mos krijojë dykuptimësi në zbatimin e tij në terren.
Po ashtu, diçka shumë esenciale është të definohen qartë përgjegjësitë e strukturave rinore. Përmes fuqizimit të tyre, të ndërtohen mekanizma llogaridhënëse brenda tyre, si dhe të lehtësohet mënyra e financimit nga institucionet.
Kjo temë ka qenë në plan programet e disa qeverive më radhë, por që agjendat e mëdha politike kanë ndikuar që këto çeshtje gjithmonë të mbesin në plan të dytë dhe të tretë. Kjo duhet të ndryshojë tash e tutje, në fund të inkurajojë secilin të ri, që të angazhohet në aktivitete rinore vullnetare, sepse pavarësisht që nuk ka ndonjë përfitim material, e mira e kësaj është kontributi për të mirën e përgjithshme dhe pse jo edhe zhvillimi e avansimi personal mbi bazën meritore të angazhimt publik. / KultPlus.com